Shefi i Njësisë Speciale dërgohet për mjekim në Turqi
RTK
Shefi i Njësisë Speciale Operative në Prishtinë, Besart Ahmeti, nesër do të niset për mjekim jashtë vendit.
Pasojat e protestave që thirri Vetevendosje janë të mëdha. Një pjesëtarë i njësisë speciale të Kosovës është në gjendje të rëndë pas sulmeve që mori të martën. Ai pritet të dërgohet jashtë vendi për shërim. Sindikata e Policisë ka reaguar duke dënuar dhunën e shkaktuar nga protestuesit.
Shefi i njësisë speciale operative në Prishtinë, toger Besart Ahmeti, ka marrë plagë serioze gjatë protestës që ndodhi dy ditë më parë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, na konfirmoi se toger Besart Ahmeti pritet të dërgohet për shërim jashtë vendi, pasi është lënduar në kokë dhe në njërin sy nga mjetet e forta që janë hedhur nga protestuesit në drejtim të policisë.
I njëjti fillimisht është trajtuar në QKUK, por plagët e rënda që ka marrë, kërkojnë që trajtimi i tij të bëhet jashtë vendi.
Ndërkohë, ndaj dhunës që u shkaktua në protestën e fundit ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës. Përmes një komunikate kjo sindikatë dënon fuqishëm të gjithë ata, qofshin individë apo grupe të caktuara, që sulmuan me mjete të forta duke shkaktuar dhunë ku si pasojë e kësaj u lënduan një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale në pronat publike dhe private. Sindikata e Policisë kërkon që ndaj aktorëve të dhunës të merren masat e parapara ligjore.
Krijoni Kontakt