ZVICER - Fitore Sinanaj është shqiptare, e përcaktuar për të jetuar si besimtare myslimane dhe në përputhje me besimin e saj të vishet sipas traditës islamike. Ajo, siç shkruan Blick, mendohet të jetë edhe bashkëshortja e dytë e Nicolas Blanchos, zviceranit të konvertuar në islam, kryetar i Këshillit Qendror Islam të Zvicrës ( IZSR), një organizatë kjo që në Zvicër identifikohet me islamin fundamentalist. Bashkëshorte e Blancos ose jo, Fitorja është shumë aktive në IZSR.
Gazeta prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” ka prezantuar qëndrimet e shqiptares në një intervistë në të cilën krahas Fitores përgjigjet edhe një besimtar mysliman me prejardhje nga Irani dhe një besimtare me prejardhje turke.
Fitore Sinanaj, në këtë intervistë mbron me këmbëngulje qëndrimet e IZSR-së dhe i quan paragjykime të gjitha ato që shkruhen e deklarohen për këtë organizatë si përfaqësuese të fundamentalizmit islamik. Po ashtu, ajo thotë se IZSR dhe kryetari i tij disa herë është distancuar nga veprimet dhe kërcënimet e ISIS-it, duke i cilësuar ato si të papranueshme.
“Është paturpësi që IZSR-së t’i përshkruhet simpatia për terrorin islamik. Është krejtësisht e gabueshme të besohet se je pro diçkaje, vetëm nga fakti se nuk distancohesh në mënyrë permanente nga ajo. Një i krishter zviceran sigurisht nuk detyrohet të arsyetohet për luftën amerikane të droneve”,- shprehet ajo, transmeton albinfo.
Ndërsa, pyetjes se ku i sheh myslimanët e Zvicrës pas 20 vitesh, ajo i është përgjigjur: “Të shpresojmë se në atë kohë nuk do të ketë urrejtje dhe paragjykime ndaj myslimanëve. Besoj se pas 20 viteve myslimanët do të jenë pjesë e nënkuptueshme e Zvicrës, ashtu siç janë sot italianët”.
Pikërisht ky pohim i saj i është vënë si titull artikullit të përmendur. Ndërsa, në shkrimin e gazetës “Blick”, ajo paraqitet duke e prezantuar si shembull për myslimanët njërin nga ish-krerët e al-Qaedas, të vrarë në vitin 2011, Anwar al-Awlaki, i cili ka mbështetur dhe financuar edhe celulën terroriste të vëllezërve Kouachi, të cilët në fillim të janarit kryen sulmin terrorist kundër redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt