Mbyllet “Onufri” këtë vit Ministria: Do të reflektojmë
Ekspozita e artit bashkëkohor “Onufri” nuk do të zhvillohet këtë vit. Madje, me pikëpyetje është edhe vijimësia e tij më tej.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve, dhjetori prej 20 vjetësh është lidhur me aktivitetin që mban emrin e ikonografit të madh shqiptar. Kemi hyrë pikërisht në dhjetor dhe asnjë njoftim nuk është bërë deri më tani mbi edicionin e sivjetshëm të ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Ndërkaq artistët interesohen, madje nëpër rrjetet sociale “fati” i këtij aktiviteti është kthyer në një temë debati. Por sot, për pyetjet e artistëve, të cilët kanë qenë të interesuar mbi këtë aktivitet të përvitshëm, apo kujtdo që e ka ndjekur atë në vijimësi, ka një përgjigje: Këtë vit “Onufri” nuk do të zhvillohet. Ky vendim konfirmohet nga Ministria e Kulturës.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në edicionin e shkuar të “Onufri”-t në GKA
Përgjigja
Për heshtjen në lidhje me aktivitetin, ndërsa njoftohet ekspozita e radhës “100 vjet vizatimi shqiptar”, interesohemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve. Ndërsa po i jep dorën e fundit ekspozitës që hapet nesër, drejtori i GKA-së Artan Shabani përgjigjet për gazetën “Panorama”: “Po presim një konfirmim nga ana e Ministrisë së Kulturës, në lidhje me atë çka do të ndodhë me ‘Onufrin’. Ky aktivitet qysh në fillimet e tij ka qenë një projekt i Ministrisë së Kulturës dhe është ajo që vendos”. Sipas Shabanit, një vit më parë “Onufri” është realizuar në një kohë rekord, me fondet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Këtë vit, me sa duket, ai nuk është parashikuar në buxhetin e GKA-së. Por as në atë të Ministrisë së Kulturës. Ndërsa Galeria Kombëtare pret një përgjigje, Ministria tashmë e ka marrë një vendim: “Onufri” nuk do të zhvillohet këtë vit. Do të jetë një fazë reflektimi dhe debati me artistë, kuratorë e kritikë arti. Përgjigja zyrtare, në lidhje me zhvillimin e edicionit XXI të ekspozitës ndërkombëtare është: “Pas 20 vjetësh të zhvillimit të konkursit ‘Onufri’, Galeria Kombëtare dhe Ministria e Kulturës mendojnë që këtë vit të ketë një moment reflektimi për ecurinë 20-vjeçare në diskutime me kuratorë, artistë dhe kritikë arti, për të bashkërenduar energjitë për atë që ka ndodhur dhe atë që do të vijë”.
“Reflektimi”
Tashmë në muajin dhjetor, kushdo do të pyeste se përse ky “reflektim” tani në fund të vitit dhe jo qysh në muajin janar?! Por ndoshta vendimi është marrë që atëherë, përderisa “Onufri” nuk ishte pjesë e kalendarit të aktiviteteve të Galerisë Kombëtare të Arteve për vitin 2014. Vetëm se, nuk kemi dëgjuar të jetë zhvilluar gjatë këtij viti asnjë lloj debati me kuratorë, artistë dhe kritikë, në lidhje me këtë aktivitet. Edhe pse gjatë historisë së tij prej dy dekadash “Onufri” ka pasur edhe problemet e veta ekzistenciale, herë kombëtare e herë ndërkombëtare, për artistë të rinj apo edhe ata të traditës, konkurs apo ekspozitë, përsëri mund të thuhet se ka qenë aktiviteti më serioz i llojit të vet, që në çfarëdolloj rrethane dhe konteksti krijonte një frymë gare, debati e ngrinte pyetje rreth artit bashkëkohor në Shqipëri. Tanimë nuk dihet se ç’do të ndodhë me ekspozitën, pasi ky aktivitet nuk figuron as në kalendarin e vitit 2015 në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në faqen zyrtare të këtij institucioni, i cili sapo hapet, të shfaq fotografinë e një çifti nudo, realizuar nga një shfaqje danc teatri, pa lidhje me GKA-në (përveç huazimit të sallës), është publikuar kalendari për sezonin e ri artistik, ku “Onufri” nuk figuron gjithsesi.
Shima: Të shumëzosh me zero “Onufrin”, skandaloze
Rubens Shima
“Skandaloz dhe të papërgjegjshëm”. Kështu e ka konsideruar vendimin e Ministrisë së Kulturës për mosorganizimin e edicionit të sivjetshëm të ekspozitës “Onufri”, ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima. Si organizator i 8 edicioneve (dy prej tyre si kurator), Shima e njeh mirë historinë e “Onufrit”, problematikat që e kanë shoqëruar dhe zhvillimin nga njëri edicion në tjetrin. Ish-drejtori i GKA-së shpreh qëndrimin e tij për gazetën “Panorama”.
Pas 20 vitesh nuk do të zhvillohet “Onufri”, me pretendimin e një momenti reflektimi mbi atë çka përfaqëson ky aktivitet. A është ky momenti dhe mënyra e duhur për të reflektuar?
Nuk arrij ta kuptoj këtë lloj përgjigjeje. Nuk kuptoj kush do të reflektojë? Për çfarë do të reflektojnë? Dhe ç’lidhje ka organizimi i edicionit të radhës së ekspozitës “Onufri” me reflektimet në grup apo tek e tek të ofiqarëve të ministrisë(Po larg qoftë, në rast se reflektimet e tyre nuk japin ndonjë rezultat, mos vallë duhet të provojnë edhe ndonjë seancë joga se ku i dihet, helbete mund të gjejnë ndonjë përgjigje!). Përtej humorit të spikatur të ministrisë, ekspozita “Onufri” ka krijuar një traditë rreth 20-vjeçare dhe është i vetmi aktivitet periodik për artet pamore që organizohet në Shqipëri. Në rast se zyrtarët apo kushdo qoftë prapa tyre, kanë ndonjë objeksion në lidhje me strukturën apo mënyrën e organizimit të këtij aktiviteti, mund të bëjnë propozimet e duhura dhe ta modifikojnë atë, siç është vepruar në vite. Vendimi për ta mbyllur dhe shumëzuar me zero këtë ekspozitë, më të rëndësishmen në historikun e arteve pamore në vend, është skandaloz dhe plotësisht i papërgjegjshëm.
Ç’përfaqëson “Onufri” në panoramën e artit pamor shqiptar?
Ekspozita ose konkursi “Onufri”, me historinë e tij shumëvjeçare ka pasqyruar gjithë ato ndryshime, politika, platforma dhe klima artistike të ndodhura në sistemin e artit shqiptar. Kuratorët e përfshirë ndër vite në edicionet e tij e kanë parë këtë aktivitet si një lidhje mes traditës dhe risive të artit bashkëkohor. Përvojat e ndryshme të kuratorëve vendës apo të huaj që kanë zhvilluar ndër vite këtë ekspozitë, kanë krijuar një lëndë shumë të pasur me shembuj, qëndrime, ide dhe platforma. Trushkulurve që do të na mbyllen për të reflektuar për ekzistimin apo jo të “Onufrit” u them të njihen më parë me shumëllojshmërinë e qëndrimeve që ka përfaqësuar kjo ekspozitë ndër vite.
Duke qenë se ju e keni organizuar këtë konkurs-ekspozitë për vite me radhë, mendoni se “Onufri” është një aktivitet problematik?
“Onufri” është ndryshuar dhe përshtatur disa herë në lidhje me zhvillimet që pësonte skena e artit në vend. Mjafton të lexosh ekspozitat e shkuara për të kuptuar politikat e ndryshme të artit në kohë. Nisur si konkurs kombëtar për artet figurative, në formë dhe organizim të njëjtë me modelet e aktiviteteve të periudhës së socializmit, në 1998 shndërrohet në konkurs ndërkombëtar. Më pas, nga konkurs kthehet në ekspozitë, me qëllim që primare të kishte ekspozitën dhe jo çmimin. Të ndryshueshëm kanë qenë edhe qëndrimet e kuratorëve, si një ndër ta kam parë me interes prezantimin e artistëve të huaj, krahas atyre vendës, ndërsa kuratorët e huaj prioritet kanë pasur njohjen dhe paraqitjen e skenës lokale. Gjithë këto flukse dhe interesa të ndryshme, të shtrira në vite, kanë krijuar një dialektikë të brendshme evoluimi të këtij aktiviteti.
A duhet të rishikohet?
Së pari duhet të shprehen qartë se çfarë duan të ndryshojnë dhe të paraqesin argumentet e analizës që kanë bërë e më pas të hidhen për debat publik. Kjo është më elementarja. “Onufri” është aktivitet i formësuar nëpërmjet ndryshimeve të vazhdueshme dhe nuk ka problem të ndryshojë statutin e tij. Por, unë dëshiroj të mësoj se cilat na qenkan këto “platforma apo politika të mëdha arti” që paska në kokë Ministria apo Galeria, që nuk mund t’i përmbushë më ekspozita “Onufri”? Cilat na paskëshin qenë pritshmëritë e Ministrisë në lidhje me ekspozitën “Onufri”, të parealizuar dhe të pamundur për t’u realizuar, që e detyrojnë këtë ministri ta mbyllë atë? Para se të fillojnë procesin e refleksioneve, jogave apo mediumeve të tjera që aplikon Ministria jonë e Kulturës, bën mirë të na sqarojë pikërisht problemin që ka me ekspozitën “Onufri”. Logjika na mëson se asnjë aktivitet i kësaj rëndësie nuk mund të mbyllet pa pasur një alternativë tjetër që e zëvendëson atë. Mbyllja në mënyrë arbitrare, me kaq sportivitet dhe pa shpjegim, do të krijonte një gropë të madhe në skenën e artit pamore në vend. “Onufri” nuk mund të mbyllet me justifikimin “shejtan budalla” se ministria do reflektojë për të, ndërkohë që ai do të jetë mbyllur.
A është “Onufri” një aktivitet i GKA-së, apo i Ministrisë së Kulturës i zhvilluar nga GKA? Deri ku duhet të shkojnë kompetencat e Ministrisë?
“Onufri” filloi si aktivitet i Ministrisë, që organizohej në Galerinë Kombëtare të Arteve. Më pas aktiviteti u organizua i gjithi nga Galeria, madje prej vitesh ai organizohej krejt me fondet e saj. Uroj që ideja për të mbyllur ekspozitën “Onufri” të jetë thjesht një aventurë prej njerëzish të papërgjegjshëm nga ata që i gjen me tepri në administratën publike. Prapa idesë së stisur për të reflektuar mbi “Onufrin” nuk fshihet asgjë më shumë veçse paaftësia për të planifikuar dhe organizuar në kohë këtë aktivitet, së bashku me probleme banale mungese fondesh nga shpenzimet e bëra kuturu, pa plan e mend në kokë. Ftoj ministren e Kulturës t’i japë zgjidhje këtij problemi, duke e organizuar edicionin e radhës së ekspozitës “Onufri”, me gjithë kufizimet financiare dhe kohore që mund të ketë kjo ministri. Mbyllja e këtij aktiviteti, si dhe lënia pa asnjë alternativë tjetër zëvendësuese për promovimin e artistëve emergjentë vendës, do të jetë praktikisht shkatërrim final i sistemit të artit pamor shqiptar.
ALMA MILE
Panorama
Krijoni Kontakt