Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,158
    Postimet në Bllog
    22

    Ina Panajoti, shqiptarja që kandidon si deputete në parlamentin grek

    Një shqiptare kandidate për parlamentin grek

    Emri:  ina-panajoti-300x254.jpg

Shikime: 944

Madhësia:  30.0 KB

    Një shqiptare nga Vlora kandidon në zgjedhjet për parlamentin grek, duke premtuar të jetë zëri i shqiptarëve atje. Ina Panajoti e cila ka lënë Shqipërinë kur ishte 15 vjeç, tha për emisionin “Ballkan Magazinë” të ORA News, se shqiptarët në Athinë e mbështesin bashkëpatrioten e tyre, duke bërë fushatë për të.

    Shqiptarët që jetojnë në Greqi janë integruar tashmë në një pjesë të madhe në jetën e vendit fqinj.

    Vota e tyre ka rëndësi në zgjedhjet parlamentare duke qenë një komunitet i madh, nga i cili një pjesë e mirë janë bërë qytetarë të Greqisë, pra kanë të drejtën e votës.

    Ina Panajoti është një shqiptare nga Vlora, e cila kandidon në këto zgjedhje për deputete në parlamentin grek.

    “Pjesa më e madhe e shqiptarëve këtu janë të organizuar, janë anëtarë të Partisë Socialiste të degës së Greqisë dhe duke qenë se unë jam kandidate me PASOK-un dmth me Partinë Socialiste të Greqisë jemi si të thuash parti të të njëjtës ideologji. Dhe shpresoj në mbështetjen e tyre”.

    Panajoti tha për emisionin “Ballkan Magazinë” se në parlamentin grek, ajo do të jetë një zë për shqiptarët që jetojnë në Greqi.

    “Unë nuk dua të bëj premtime të cilat nuk do jem në gjendje ti mbaj më vonë. Thjesht mendoj se duke qenë prej shumë vitesh këtu duhet që zëri ynë të dëgjohet në organet shtetërore këtu”.



    Ora News

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,158
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ina Panajoti, shqiptarja që kandidon si deputete në parlamentin grek

    Kandidatja vlonjate për Parlamentin Grek, Ina Panajoti: Pse vendosa të merrem me politikë në Greqi

    31-vjeçarja nga Vlora, kandidate për deputete në Parlamentin grek, në një rrëfim për veten dhe futjen e vet në politikën greke për të mbrojtur emigrantët shqiptarë…

    E bindur të përfaqësonte Shqipërinë në Parlamentin grek, 31-vjeçarja nga Vlora, Ina Panajoti, nuk ka hequr dorë nga ambicia e saj, edhe pse nuk u zgjodh si deputete në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Greqi. E bindur të vazhdojë në rrugën e politikës në shtetin fqinj, ajo shprehet se “problemet me të cilat përballen shqiptarët sot janë shumë më të pakta”, sesa dikur, megjithatë ka shumë për të bërë. Në këtë bisedë për “Unë Gruaja”, ajo rrëfen më tepër për veten, pjesëmarrjen e saj në politikë dhe problemet që sipas saj shqetësojnë emigrantët shqiptarë në Greqi.

    Tashmë Greqia ka një qeveri të re, si do t’i konsideronit këto zgjedhje politike, që e lanë partinë që ju përfaqësoni me një minorancë në Parlament? Mendoni se shqiptarët do të kenë përfaqësimin e duhur në Parlamentin grek?
    Rezultati i zgjedhjeve, si një produkt i një procesi zgjedhor të vërtetë europian, është plotësisht i respektueshëm. Votuesit i dhanë vendin e parë Sirizës, të cilën e zgjodhën të bashkëpunojë dhe të krijojë qeverinë e re me një parti të së djathtës ekstreme, nacionaliste. Kjo përforcon shqetësimet dhe rezervat në lidhje me perspektivën e qeverisë së re. Për të mirën e vendit, shpresojmë që Siriza të ndryshojë në qëndrime më racionale, për të përmbushur kërkesat e kohës. Për sa i përket pyetjes mbi përfaqësimin e shqiptarëve, mund t’ju them se në Parlamentin grek përfaqësohen qytetarët që jetojnë në territorin grek, në mënyrë të barabartë. Nuk ekziston përfaqësim etnik. Bashkëpatriotët shqiptarë që jetojnë në Greqi, përfaqësohen si gjithë të tjerët. Ata që kanë marrë shtetësinë zgjedhin, votojnë dhe krijojnë me votën e tyre rezultatin.
    Menduat të kandidonit për deputete në Greqi për PASOK-un. Çfarë ju shtyu të garonit në politikë dhe pse me këtë forcë politike?

    Emri:  inaaa.jpg

Shikime: 321

Madhësia:  85.0 KB
    Ina Panajoti, gjatë fushatës elektorale

    Marr pjesë në politikë sepse besoj se kjo është e drejtë dhe detyrë e çdo qytetari, në çdo vend. Nuk mund të mungojmë nga skena politike dhe pastaj të ankohemi për politikanët. Duhet të marrim pjesë dhe të kontribuojmë në masën e aftësive tona, në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me jetën tonë. Jam te PASOK-u, sepse është ajo parti, e para, që u dha mundësinë emigrantëve për të marrë pjesë si anëtarë dhe të zgjidhen në mënyrë të barabartë në organet partiake dhe natyrisht, sepse hapësira politike e social-demokracisë europiane e qendrës së majtë, është hapësira që unë vendos veten politikisht.
    Si e shihni PASOK-un në raport me të tjera forca politike në vend dhe mendoni që pas këtyre zgjedhjeve do të ketë mjaftueshëm fuqi që zëri i saj të dëgjohet?
    PASOK-u ka sot 13 deputetë. Përjetoi rënien, në mënyrë dramatike të shifrave elektorale, sepse zbatoi politika të ashpra për të shpëtuar vendin dhe të vazhdojë të qëndrojë në eurozonë. Megjithatë nuk u frikësua, mori përgjegjësinë, dhe në fund të fundit, sot, Greqia mbetet në Europë dhe në euro. Duke filluar që sot, ne fillojmë dialogun për të vlerësuar gabimet e kaluara dhe të formulojmë propozimet e reja dhe politikanë për të ardhmen. PASOK-u do të jetë së shpejti përsëri gati të kontribuojë në mënyrë thelbësore dhe me përgjegjësi në rrugën e vendit drejt një epoke të re.
    Sipas jush, cilat janë problemet më të mprehta të shqiptarëve sot në Greqi? Dhe në ç’mënyrë mund të zgjidhen këto probleme?
    Problemet me të cilat përballen shqiptarët sot janë shumë më të pakta sesa vitet e para. Problem kryesor është papunësia, një nga problemet kryesore edhe për një numër të madh të grekëve. Marrja e shtetësisë të fëmijëve që kanë lindur në Greqi dhe që dëshirojnë ta përfitojnë është një nga çështjet e tjera, gjithashtu dhe disa probleme me dokumentet ligjore dhe vonesat e mëdha në dhënien e lejeve të banimit dhe të punës. Jo më pak serioze është çështja e pullave dhe e numrit të tyre, që janë të nevojshme për lejen e qëndrimit. Në një vend që mbizotëron papunësia dhe dikush kryen 2-3 ditë punë në javë, është e pamundur të blejë pullat e nevojshme (250) për lejen. Por ne do të luftojmë për t’i përmirësuar këto kushte.
    Jeni larguar nga Shqipëria në një periudhë të vështirë, mund të gjendet këtu një nxitje për angazhimin e vonshëm në politikë?
    Mendoj se vitet e fëmijërisë të brezit tim ishin shumë të vështira, sepse përkonin me periudhën e tranzicionit, periudhën e pasigurisë shoqërore dhe politike, me shembjen e piramidave, po ashtu mungesën e energjisë elektrike. Ishte një periudhë e brishtë, sepse hidheshin themelet e demokracisë, pas një periudhe të gjatë izolimi të Shqipërisë. Destabiliteti i përgjithshëm i çdo fushe të jetës, më ushqeu që në atë moshë ëndrrën për t’i përmirësuar gjërat dhe me rezultatin final që unë të vendosja për të studiuar Shkenca Politike. Megjithatë, shoqëria e periudhës së adoleshencës sime kishte një lloj solidariteti, të cilin sot, kur kthehem herë pas here, nuk e shikoj.
    Prej më shumë se 15 vitesh jetoni në Greqi. E shihni veten më tepër si greke apo shqiptare? Çfarë mendoni se ofron sot Greqia, që Shqipëria mbase nuk mundet?
    Në Shqipëri kam lindur dhe atje bëra hapat e mi të parë, mësova shkrim e këndim, kalova një pjesë të adoleshencës sime dhe vendosa bazat për çka jam sot. Në Greqi, prindërit e mi, si emigrantë gjetën mundësi punësimi dhe rritën fëmijët e tyre, kreva studimet e larta dhe jetoj rininë time. Mirëpo, të gjithë të rinjtë, që gjenden në të njëjtin pozicion me mua, që kanë jetuar nga gjysmë jete në dy shtete të ndryshme, nuk munden të veçojnë dhe të harrojnë. Diçka e tillë do të ishte mosmirënjohje. I dua në mënyrë të barabartë të dy vendet. Kjo gjë disa herë është e këndshme, disa herë e vështirë. Përveç kësaj, edhe nga një pikëpamje ideologjike, ndihem qytetar i botës. Respektoj qytetërimin e çdo kombi dhe të çdo njeriu pa dallim seksi, race, feje apo çfarëdo gjëje tjetër. Dua dhe luftoj për bashkëjetesën paqësore të të gjithë popujve, sepse ky është kushti për prosperitet dhe zhvillim.
    Cilat janë ato gjëra që të mungojnë më tepër nga Vlora e që nuk mund t’i gjesh dot në Greqi?
    Nga Vlora u largova pasi përfundova vitin e parë te gjimnazi “Mustafa Qemal Ataturku”. Kam kujtime shumë të forta nga vitet e shkollës dhe shoqëria. Më kujtohet, shumë herë kur kishim orë bosh, dilnim me klasën shëtitje buzë detit. Shumë prej shokëve dhe shoqeve të mia, janë larguar tashmë nga Shqipëria. Ajo që më mungon më shumë nga Vlora janë ritmet e ngadalta të jetës dhe ajo qetësia që nuk mund ta gjejmë në Athinën e zhurmshme.
    Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe a mendoni që t’i përkushtoheni politikës?
    Kam studiuar Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Universitetin e Athinës dhe kam kryer edhe një master në Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Athinës, ku kam studiuar arkitekturën e sistemeve totalitare. Kam si qëllim të filloj dhe kryerjen e doktoraturës dhe më intereson shumë karriera akademike. Politika për mua nuk përbën rehabilitim profesional, por një mjet për të kontribuar në përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve të mi. Kjo do të thotë që unë do të vazhdoj të merrem me politikën, pa pasur si qëllim rehabilitimin profesional.
    Sa e njihni situatën politike në Shqipëri?
    Ndoshta nuk e dini, por në vitin 2013 erdha në Shqipëri për të votuar. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk është e mundur të shkëputem nga vendlindja ime, nga atdheu im i parë. Prandaj, është e qartë se unë ndjek dhe marr pjesë nëpërmjet aktiviteteve, të degëve dhe të organizatave në Greqi, aq sa është e mundur. Sot mund të them se qeveria e zotit Rama po kryen hapa të rëndësishëm për modernizimin dhe ristrukturimin e shtetit. Këtu, më lejoni të vë në pah dhe të theksoj faktin pozitiv të dorëzim-marrjes së pushtetit në zgjedhjet e fundit. Zoti Berisha dhe zoti Rama shfaqën imazhin e udhëheqësve demokratikë, rezultati nuk u kundërshtua siç ndodhte më parë, fakt ky që tregon se zgjedhjet u kryen sipas standardeve europiane.
    Si e shihni rolin dhe pjesëmarrjen e gruas, femrës dhe brezit të ri në politikë dhe në jetën publike në Greqi dhe në Shqipëri?
    Është e vërtetë se në Greqi, pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në politikë ka bërë hapa të rëndësishëm. Pozita e gruas është e mbrojtur institucionalisht me ligj, prezantuar nga qeveritë e mëparshme të PASOK-ut. Si shembull përmend kuotën e 1/3 në fletëvotimet e partive, në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale dhe për PASOK-un ka edhe kuota për pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve në organet drejtuese të partisë. Gratë dhe të rinjtë marrin pozicione përgjegjësie. Në Parlament, në poste ministrore, në pushtetin lokal shikon vazhdimisht gra dhe të rinj. Në Shqipëri, edhe pse unë nuk kam asnjë tablo të drejtpërdrejtë dhe të qartë, mendoj se me qeverinë e sotme ka progres. Sigurisht, është e nevojshme një luftë e vazhdueshme dhe mbi të gjitha, pjesëmarrje.

    BLERINA GOCE

    Panorama

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •