Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Qeveria e Rilindjes: Të pushohen nga puna në masë nënpunësit lokalë

    Kufizimet për pagat e administratës, nis fshesa për personelin e qarqeve

    Fieri pezullon të gjithë punonjësit, Elbasani shkurton 50 për qind


    Ristrukturimi pritet të sjellë largimin nga puna të pjesës më të madhe të punonjësve të qarqeve

    Ka nisur fshesa për personelin e 12 qarqeve në vend për shkak të kufizimit për pagat e administratës që është bërë në buxhetin e vitit 2015. Me hyrjen e vitit të ri mësohet se në disa qarqe kanë nisur pezullimet e punonjësve deri në ristrukturimin e funksioneve të administratës së qarkut në përputhje me fondet e akorduara, ndërkohë që disa të tjera pritet të nisin reformën brenda pak ditësh.

    Qarku i Fierit

    Një nga qarqet e para që po vë në funksion ristrukturimin e sugjeruar nga qeveria është Fieri, ku është njoftuar pezullimi i përkohshëm i thuajse të gjithë punonjësve të administratës. Nga burime të gazetës është mësuar se që prej datës 1 janar e në vazhdim, personeli i administratës së Qarkut të Fierit është pezulluar nga funksionet e detyrat e tij për shkak të mungesës së fondeve për t’i paguar. Ndërsa vazhdon punën zyra e Administrimit të Tokave që është një funksion i deleguar dhe arshiva. Ndërkohë, pritet që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Qarkut Fier të merret vendim për ristrukturimin e organikës, ashtu si ka ndodhur edhe në qarqe të tjera, ku ka pasur largime nga puna të pjesës më të madhe të punonjësve të administratës. Mësohet se janë rreth 60 punonjës të administratës së Qarkut të Fierit, të cilëve u është komunikuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar pezullimi i përkohshëm. Ky pezullim ka ardhur pas mbërritjes së shkresës përcjellëse të Ministrisë së Financave, ku udhëzohet se burim i vetëm i financimit të pagesave të personelit të administratës është transferta e pakushtëzuar, duke penguar kështu përdorimin e të ardhurave të veta për rrogat e punonjësve. Në këto kushte ka qenë e pamundur pagesa e të gjithë punonjësve aktualë dhe është vendosur pezullimi i përkohshëm i tyre nga puna, deri në mbledhjen e këshillit që pritet të mbahet pas pak ditësh, ku veç buxhetit për vitin 2015, pritet që të merret vendim edhe për ristrukturimin e administratës. Nga burimet e sipërcituara mësohet se në situatën financiare aktuale, pritet që nga rreth 60 punonjës që ka Qarku i Fierit, të mbeten jo më shumë se rreth 15 prej tyre. Ndërkohë, do të ketë një reduktim edhe të drejtorive ekzistuese. Por, burimet theksojnë se ristrukturimi nuk do t’i cenojnë funksionet e asnjë prej sektorëve që ofrojnë shërbime për qytetarët.

    Qarku i Elbasanit

    Po ashtu, shkurtime shumë shpejt pritet të ketë edhe në Qarkun e Elbasanit, megjithëse mësohet se nuk është marrë ndonjë masë pezullimi. Në këtë qark, struktura më e goditur nga shkurtimet do të jetë ndërmarrja e rrugëve rurale, e cila ka edhe numrin më të madh të punëtorëve. Sipas kreut të qarkut, Eugen Isaj, nga 220 punëtorë që shërbejnë në të gjitha rrugët rurale të qarkut për mirëmbajtje dhe hapje të segmenteve rurale problematike, numri shkon në 110. Eugen Isaj theksoi se për shkak të fondeve është i detyruar ky shkurtim që i bëhet qarkut. Shkurtime do të ketë gjithashtu në administratën e qarkut, ku mësohet se 25 punonjës do të duhet të largohen nga kjo strukturë, duke filluar në fund të muajit janar. “Këtë muaj qarku do të ketë 145 punonjës më pak dhe kjo për shkak të reformimit dhe shkurtimit të fondeve që është bërë për strukturën më të madhe vendore”, tha Isaj.

    Qarqet e tjera

    E njëjta situatë mësohet se paraqitet në pjesën më të madhe të qarqeve në vend. Sidomos në qarqet më të mëdha, ku transferta e pakushtëzuar e akorduar për to ka qenë më e vogël se qarqet e tjera me numër popullsie më të vogël. Në Qarkun e Vlorës dhe të Beratit mësohet se tashmë janë kryer ristrukturimet. Në Qarkun e Vlorës ristrukturimi ka lënë vetëm një drejtori dhe 12 punonjës administrate. Ndërkohë, në Qarkun e Beratit mësohet se pas ristrukturimit kanë mbetur dy drejtori dhe rreth 15 punonjës. Pritet që në ditët në vazhdim të ketë ristrukutrim të organikës edhe në qarqe të tjera të vendit. Ndërkohë, në Korçë mësohet se ky ristrukturim do të nisë në muajin shkurt, pasi me fondin aktual përballohen pagat për ta, por deklarohet se do të ketë shkurtime të mëdha.

    Ristrukturimi

    Si pasojë e uljes së përqindjes së transfertës së pakushtëzuar që mund të përdoret për pagat e personelit të administratës, në 15 për qind, nga 50 për qind që ka qenë në vitet e mëparshme, si edhe për shkak të udhëzimit të Ministrisë së Financave që pengon përdorimin e të ardhurave të vetë qarqeve për rrogat e nëpunësve, të gjitha qarqet në gjithë vendin pritet t’i nënshtrohen ristrukturimit. Në nenin 15 të ligjit nr. 160/2014, datë 27.11.2014, thuhet se “këshillat e qarqeve përdorin deri në 15 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore për ndërmarrjet e rrugëve të këshillave të qarqeve duhet të jenë deri në 40 për qind të buxhetit vjetor të këtyre ndërmarrjeve”. Në vitet e mëparshme në ligjet për buxhetin është parashikuar që për pagesat e administratave të qarqeve të përdorej deri në 50 për qind e transfertave të pakushtëzuara. Ndërkohë, nuk ka pasur ndonjë kufizim për mospërdorim të të ardhurave të veta për fondet e pagave. Por këtë vit, ulja e përqindjes së transfertave të pakushtëzuara që mund të përdoret për pagat e administratës nuk është i vetmi kufizim. Kjo, pasi me anë të një shkrese përcjellëse Ministria e Financave ka përcaktuar se “transferta e pakushtëzuar është i vetmi burim financimi për personelin e administratës së këshillave të qarqeve” dhe u ka sugjeruar “shkurtimin e personelit administrativ në përputhje me kuotat e përcaktuara në ligjin e buxhetit të vitit 2015”.

    Re. Rre.

    Shqip

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Të pushohen nga puna në masë nënpunësit lokalë

    Kukës, furtunë në Këshillin e Qarkut, ikën 50% e punonjësve të administratës

    Kukës-Rreth 50% e personelit të Këshillit të Qarkut të Kukësit, pritet të dalin në rrugë të madhe, pasi shpërndarja e granteve qeveritare për njësitë vendore dhe qarqet, në funksion të reformës territoriale që do të nisë zbatim në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015.
    Për kreun e Këshillit të Qarkut Ibsen Elezi ligji është i pastudiuar mirë, pasi me shkurtimin e personelit, rrezikohet cilësia apo shpejtësia e shërbimeve që ofrohen qytetarëve.
    Këshilli të Qarkut të Kukësit i janë shkurtuar më shumë se 40 vende pune, nga rreth 80 që ka patur.
    Vështirësia më e madhe pritet që të ndjehet në drejtim të ndërmarjes së pastrimit të rrugëve rurale nga bora, gjë që mund të sjellë izolimin e zonave të thella malore gjatë stinës së dimrit.

    ORA NEWS

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Të pushohen nga puna në masë nënpunësit lokalë

    Qarku i Fierit shkurton rreth 70% të administratës dhe ulen pagat për punonjësit e mbetur

    Ristrukturimi

    Këshilli miraton buxhetin, vendos të ketë vetëm 17 veta në personel


    Pas ristrukturimit, Qarku i Fierit do të ketë 17 punonjës në administratë dhe katër të zgjedhur
    mbledhja e keshillit te qarkut fier_1Këshilli i Qarkut Fier ka miratuar dje buxhetin e vitit 2015, si edhe ristrukturimin e administratës, e cila do të jetë disa herë më e vogël se ajo ekzistuese. Por, kufizimet financiare të parashikuara në ligjin e ri “Për buxhetin e vitit 2015”, kanë sjellë jo vetëm shkurtim drastik të personelit të administratës, por edhe uljen e pagave të punonjësve që do të vazhdojnë detyrën. Gjatë shqyrtimit të projektvendimeve të paraqitura para këshilltarëve, këta të fundit e kanë cilësuar si të padrejtë kufizimin financiar të parashikuar në “Ligjin për buxhetin e vitit 2015”, ku është ulur përqindja që mund të përdoret nga granti për pagesat e personelit të administratës.

    Ristrukturimi

    Gjatë mbledhjes së djeshme, anëtarët e Këshillit të Qarkut Fier, kanë shqyrtuar mes të tjerash edhe ristrukturimin e administratës së këtij institucioni. Kjo, pasi për shkak të uljes së fondit të parashikuar për pagesat e personelit të përcaktuar në ligjin “Për buxhetin e vitit 2015”, nuk është e mundur që të paguhen 60 punonjës që janë aktualisht në marrëdhënie pune. Disa prej këshilltarëve e kanë cilësuar si të padrejtë zvogëlimin e këtij fondi, duke theksuar faktin se largimi nga puna i dhjetëra personave nuk do të sjellë asnjë impakt pozitiv në komunitet, por përkundrazi, sipas tyre, thellon krizën e papunësisë. Gjithashtu, këshilltarët ngritën edhe shqetësimin se Qarkut të Fierit i është akorduar një transfertë e pakushtëzuar me vlerë më të vogël se qarqe të tjera, të cilat e kanë popullsinë disa herë më të vogël. Pavarësisht këtyre shqetësimeve, të gjithë e këshilltarët kanë miratuar projektbuxhetin e qarkut për vitin 2015, përfshi edhe projektvendimin për ristrukturimin e administratës. Që prej muajit të ardhshëm, pasi të përfundojë procesi i ristrukturimit, administrata e Këshillit të Qarkut Fier do të përbëhet nga 21 vetë, ku katër janë të zgjedhur dhe 17 do të jenë pjesë e personelit. Ndërkohë, nga 10 drejtori që ka aktualisht do të mbeten katër drejtori, një prej të cilave, ajo e Administrimit të Tokës, është funksion i deleguar dhe pagesat e punonjësve të kësaj zyre mundësohen nga ministria e linjës përkatëse. Në këto kushte, do të duhet të largohen nga puna rreth 45 punonjës të personelit të administratës. Ndërkohë, të gjithë punonjësve të administratës që do të mbeten, do t’u ulet 10% e pagës aktuale. Pritet që në ditët në vazhdim të nisin procedurat për largimin e pjesës më të madhe të punonjësve të Këshillit të Qarkut Fier. Ashtu si edhe vitin e kaluar, investimet e parashikuara për vitin 2015 janë të përqendruara në infrastrukturën rrugore.

    Granti

    Në ligjin “Për buxhetin e vitit 2015”, është parashikuar që nga transferta e pakushtëzuar, këshillat e qarqeve mund të përdorin deri në 15 për qind të saj për pagesat e personelit të administratës. Gjatë viteve të kaluara lejohej që për pagesat e personelit të administratës të përdorej deri në 50 për qind e transfertës së pakushtëzuar. Ndërkohë, për Këshillin e Qarkut Fier, këtë vit transferta e pakushtëzuar është 83 milionë lekë, nga 85 milionë që ka qenë gjatë viteve të kaluara. Ky kufizim i përqindjes së grantit që mund të përdoret për pagesat e personelit ka imponuar edhe shkurtimin e administratës. Ata që nuk janë prekur nga ligji i ri “Për buxhetin e vitit 2015” janë vetëm punëtorët e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve që janë në varësi të qarqeve. Për pagesat e kësaj kategorie, në ligj parashikohet se mund të përdoret deri në 40% e pjesës së transfertës së pakushtëzuar që mbetet pas uljes së 15% për rrogat e administratës. Por, kufizimet e parashikuara në ligj u përforcuan më pas edhe nga një shkresë përcjellëse dërguar 12 qarqeve në vend nga Ministria e Financave. Në këtë shkresë përcjellëse citohej fakti se burim i vetëm financimi për pagesën e personelit të administratës është transferta e pakushtëzuar, duke nënkuptuar se nuk mund të përdoren të ardhurat e qarqeve për këtë funksion. Mjaft qarqe e kundërshtuan këtë udhëzim të Ministrisë së Financave duke e cilësuar si të pabazuar në ligjin “Për buxhetin e vitit 2015” e në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin 8652, “Për funksionimin e pushtetit vendor”. Por, pavarësisht kundërshtimeve të qarqeve, Ministria e Financave vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim.

    Shqip

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •