Faturat e blerjes së paisjeve laboratori u ngrit në shtator
TIRANE- Ngritja në “këmbë” dhe vënia në përdorim të laboratorit të drogës, për hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dyshohet se është bërë në muajin shtator të vitit të kaluar.
Ky konkluzjon ka dalë nga disa fatura shit-blerje të gjetura brenda në laborator, të cilat tregojnë blerjen e dy mikrovalave dhe një lavatriçeje, paisje këto që shërbenin si mjete për të kryer procesin kimik të nxjerjes së kokainës nga lënda e lënkshme.Faturat,janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që një oficer është paraqitur në dyqanin ku janë blerë këto paisje elektroshtëpiake për të tërhequr pamjet filmike të personit që ka tërhequr këto paisje nga dyqani. Mësohet se emri i blerësit është i shënuar në faturë dhe në fletën e garancisë, por për arsye hetimore pasi janë në proces verifikimi të tij,nuk bëhet i ditur nga ana e organit të akuzës.
Lidhur me këto rrethana anëtarë të grupit të hetimit pohojnë se grupi i narkotrafikut nuk ka shumë kohë që e kishte vendosur në aktivitet laboratorin në Xibrakë të Elbasanit. Ky dyshim i tyre mbështetet edhe në faktin se dy shtetasit Kolumbianë kanë mbëritur në Shqipëri në muajin nëntor të vitit të kaluar, duke u pënësuar si persona që arrinin të nxinin kokainën nga pjesa e lëngshme duke e kthyer atë në gjëndjen e mëparshme. Sipas hetuesve, ardhja e kolumbianëve është kryer fill pasi çdo gjë brenda në laborator ishte siguruar.
Verifikim e-maileve
Teksa po mbushen dy javë nga operacioni i koduar “Xibraku”, Prokuroria e Krimeve të Rënda, është fokusuar në zbardhjen e e-maileve të persona të arrestuar si dhe nxjerrjen e mesazheve telefonike të aparateve celularë që u janë sekuestruar të arrestuarve. Për të mësuar nëse drejtuesit e këtij grupi kriminal kanë biseduar ose jo me njëri-tjetrin me adresat elektronike postare apo në faqet sociale të internetit, lidhur me aktivitetin kriminal, është urdhëruar kryerja e ekspertimit të disa prej këtyre adresave.
Vendimi është marrë ditën e djeshme nga prokuroria, e cila ka urdhëruar ekspertët e policisë shkencore të ekzaminojnë dhe aparatet telefonike, me qëllim përftimin e sms, fotove apo dhe materialeve të tjera, që janë në dobi të hetimit të dosjes “Kokaina”. Ky verifikim sipas hetuesve vjen në një kohë kur janë ngritur dyshime të arsyeshme se të arrestuarit veç komunikimeve në telefon, mund të kenë kryer biseda që mund të jenë të vlefshme për hetimin.
Misteri i 4 personave
Katër persona, dy prej prej të cilëve i arrestuari Ilir Hyseni ka folur në telefon para se të nisej nga Gjermania në drejtim të Shqipërisë, vijojnë të mbeten mister, për sa i përket identitetit të tyre.Bëhet fjalë për një shtetas të quajtur “Jeton” përdorues i disa numrave telefonikë dhe një shtetas tjetër të quajtur “Bujar”.
Pikërisht këto dy emra, në hetimet paraprake të kryera nga prokuroria ka rezultuar se nuk janë indetifikuar mirë, ndërkohë që nuk sqarohet asnjë gjë rreth rolit dhe implikimit që kanë pasur këto dy shtetas shqiptarë në grupin e trafikantëve të kokainës. Ndërsa e mistershme ngelet dhe pozicioni i dy shtetasve që janë filmuar nga policia, teksa kanë hyrë në laboratorin e Xibrakës, me kapuçë në kokë dhe këta të pa identifikuar. Për prokurorinë,4 personat e mësipër janë në proces verifikimi për të mësuar nëse ata kishin dijeni për ekzistencën e laboratorit të Kokainës në Xibrakë të Elbasanit, apo të trafikimit të sasisë së kokainës.
Prokuroria e Hanoverit Gjermania: Hetimi për Hysenin e Ebeling zbuloi rrjetin e drogës
Fakte të reja dalin nga aksioni i zbulimit dhe shkatërrimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Sipas prokurorisë së Hanoverit, e cila në muajin mars 2014 arriti të marrë inforamcionin se Ilir Hyseni si i përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike,i cili dyshohej se trafikontë sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë.Siç theksohet nga prokuroria e Hanoverit, hetimet fillimisht nisën ndaj një 46-vjeçari shqiptari,i cili banonte përkohësisht në Hameln, duke iu referuar Ilir Hysenit, si edhe një 47-vjeçareje nga Bodenverderi, e dyshuar si bashkëpunëtore e tij, që ka të bëjë me bashkëjetuesen Pranvera Ebeling.
“Nga hetimet paraprake dyshohet që kokaina është përzier në Amerikën e Jugut me substanca të parrezikshme dhe pas mbërritjes përftohej sërish në Shqipëri. Dyshohet që laboratori i kokainës ka funksionuar prej disa muajsh. Ende vazhdojnë hetimet për të zbuluar se sa drogë mund të jetë prodhuar gjithsej në laborator. Ndër të arrestuarit janë edhe dy kolumbianë si edhe 46-vjeçari nga Hamelni. Përveç tyre u arrestua edhe njëri nga nipërit e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha.
Me sa është bërë e ditur, pjesa më e madhe e të akzuarve në Shqipëri ka marrë masën e sigurisë “arrest me burg”.Hetimet e autoriteteve shqiptare i mbështetën atje edhe një prokuror i prokurorisë së Hanoverit, oficerë krimesh të Inspektoratit të Gëtingenit dhe Policisë Federale Kriminale si edhe ekspertë të zyrës Kriminale të Landit Nidersaksen” theksohet në komunikatë.
Administratori: “Në servis makina erdhi vetëm për t’u lyer me bojë”
Administratori i “Hyundai Service”, ka pohuar se ditën e operacionit policia ka shkuar në servisin e tij dhe ka kërkuar të marrë një automjet tip Benz, i cili ishte lyer nga puntorët e servisit. Për gazetën “Shqiptarja.com” ai tregoi se automjetin e ka sjellë shtetasi Kastriot Imeri, por nuk pranon se ky i fundit është punonjës në servisin e tij. Sipas pronarit, në punë është vetëm vëllai i Kastriotit, shtetasi Ferdinand Imeri.
Më tej pronari, rrëfen për gazetën “Shqiptarja.com” se fillimisht janë habitur me praninë e policisë, por pasi ka shpjeguar gjithçka që dinte ai dhe vetë punëtorët e tjerë, policët kanë marrë vetëm automjetin tip “Benz” dhe janë larguar. Pikërisht këtë makinë në servis e kishte çuar Kastriot Imeri, i cili duke shfrytëzuar punën e të vëllait të tij Ferdinandin, ka zgjedhur që të lyejë makinën. Sipas prokurorisë, pikërisht në këtë servis, është bërë dhe modifikimi i vendit se ku do të futej lënda narkotike kokainë.
Shqiptarja
Krijoni Kontakt