Harta territoriale, Komisioni dërgon draftin në Kuvend. Fino: Reforma e reformave
Harta territoriale, Komisioni dërgon draftin në Kuvend. Fino: Reforma e reformaveTIRANE - Një ditë pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të projektit për ndarjen e re administrativo-territoriale, komisioni i posaçëm është njohur me përgjigjen zyrtare të qeverisë dhe ka miratuar draftin përfundimtar që do t’i dërgohet kuvendit për miratim.
Në hapje të mbledhjes, kryetari i komisionit, Bashkim Fino tha se projekti i miratuar dje nga qeveria do t’i bëhet i ditur grupeve parlamentare, duke lënë të hapur mundësinë për të dhënë mendime dhe sugjerime.
Fino theksoi se kjo është reformave e reformave, ndër më të rëndësishmet për vendin. Mbledhja u karakterizua nga diskutime, kryesisht mes deputetit Andrea Marto dhe kryetarit të komisionit Fino.
Fino: “Çdo deputet do të ketë dijeni për draftin, Jemi të hapur, ka pasur edhe deputetë kundër”
Deputeti Andrea Marto-Finos: “Më keni paragjykuar për Konispolin”
Bashkim Fino-Martos: “Ju kërkoj ndjesë nëse jeni fyer”
Idrizi: Kjo reformë duhet të bëhet në radhë të parë në dakordësinë e dy forcave të mëdha politike. Ajo që pamë ishte vullneti i mirë që në zonën e jugut të Shqipërisë të krijohej një mega njësi e re administrative ku grupoheshin për herë të parë njësitë me shumicë minoritare. Janë marrë dy komuna nga Delvina, dy nga Saranda dhe disa poshtë dhe janë bashkuar bashkë për të bërë një njësi të re administrative me shumicë minoritare. Do bënim mirë të mos ekzistonte që njësia administrative të mos bazohet mbi etninë. Por ne nuk jemi kundër, por megjithëse ne jemi vrarë, jemi prerë, jemi përzënë dhe nuk jemi këtu për të bërë me të njëjtën monedhë. Tani na del problemi i tre fshatrave. Ne kemi dorëzuar peticionin e Pandelejmonit dhe Sopikut. Nëse bëhet fjalë për Vagalatin dhe Vagalati na prishka gjithë historinë ne e japim konsensusin dhe për Vagalatin, por jo për Pandelejmoni dhe Sopiku.
Vasili: Unë mendoj që duke qenë në fundin e një procesi të gjatë dhe të vështirë, unë mendoj se duhet të vazhdojmë të ruajmë thelbin. Përpara kemi një produkt që na bie 61 njësi, i vetmi rast ku nuk teprohet fjala historike. Sa i takon emocionaliteteve unë nuk dua ti komentoj sepse të tilla ka pasur ka dhe do të ketë. Por kjo gjë e madhe është shumë me e rëndësishme se sa interesat e tjera. Është shumë pozitive që kemi treguar vullnet të mirë dhe durim për të pritur opozitën. Është shumë i mirëpritur edhe zoti Idrizi që u bë pjesë e komisionit. Unë distancohem nga interpretimet politike. Ne kemi ardhur të bëjmë një Shqipëri që jeton më mirë, administrohet më mirë. Hapësirat për diskutim politik nuk janë tagër i këtij komisioni. Për mua komisioni ka kryer punën në mënyrë të shkëlqyer.
Marto: Në Facebook thuhet jo këta duan një bashki të madhe...
Fino: Unë nuk jam kryetar i Facebook-ut, jam kryetar i komisionit. Nuk merrem me komente Facebook-u. Unë nuk marr përsipër të kthej përgjigje se çfarë shkruajnë njerëzit në Facebook.
Gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria miratoi ndarjen e re administrative me 61 bashki, një variant i miratuar nga komisioni. Në këtë vendim u arrit pas marrjes në konsideratë të mendimeve dhe opinioneve të shprehura nga njësitë vendore, si dhe nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU).
Por, ky variant është kundërshtuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe organizata OMONIA, të cilat kundërshtojnë bashkimin e bashkisë Himarë me komunat e Vranishtit dhe Lukovës. Drafti i ndarjes së re administrative pritet të miratohet më 31 korrik ne Kuvend, në seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni.
GJASHTË DEPUTETË TË MAZHORANCËS KUNDËR DRAFTIT
Gjashtë deputetë të mazhorancës kanë bërë të ditur votën e tyre kundër ndarjes së re administrativo- territoriale. Përveç deputetit socialist Andrea Marto, i cili ka shprehur kundërshtitë e tij, kohë më parë, qysh në fillimet e diskutimeve, deputetët e PS-së Parid Cara dhe Pjerin Ndreu u shprehën dje në rrjetin social “Facebook” kundër hartës së re. Kundër doli edhe deputeti minoritar nga radhët e LSI-së, Vangjel Tavo.
Të njëjtin qëndrim shprehën dje edhe kreu i PKD-së, Mark Frroku si edhe ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule, njëherazi nënkryetar i Kuvendit, i cili paralajmëroi në emisionin “Studio e hapur” në NEWS 24 deri largimin nga koalicioni qeverisës në rast të miratimit të kësaj reforme.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt