Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 10
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedralja

    Kosovë, arrestohet shoferi serb pas dyshimeve për eksploziv në makinë

    Emri:  indeks.jpg

Shikime: 1014

Madhësia:  36.9 KB

    KOSOVË- Policia e Kosovës, gjatë një operacioni në orët e vona të së enjtes ka arrestuar një shtetas serb pas dyshimeve për eksploziv në makinën e tij.

    Policia e Kosovës ka bllokuar automjetin tip ‘Reno Clio’ me targa të Beogradit në hyrje të lagjes Arbëria, Dragodan.

    Burime të Indeksonline thonë se mjeti në të cilën është gjetur eksplozivi afër ambasadës amerikane në Prishtinë, ka ardhur nga veriu i Kosovës.

    Policia po merr në pyetje shoferin serb që drejtonte mjetin, ndërsa lënda e gjetur në automjet po i nënshtrohet ekzaminimit.

    (d.d/BalkanWeb)

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Arrestohet një serb me eksploziv në makinë, shënjestra Katedralja e Prishtinës

    PRISHTINË-Autoritetet e rendit në Kosovë kanë arrestuar një person në orët e vona mbrëmjes të së enjtes, në lagjen Arbëria të Prishtinës, pasi në makinën e tij raportohet se është gjetur një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Mediat kosovare shkruajnë sot se bëhet fjalë për një akt të pastër terrorist. Shënjestra dyshohet se ka qennë, shpërthimi i Katedrales së Prishtinës.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se “rreth orës 21:00 policia ndaloi pranë ambasadës amerikane në Prishtinë, një makinë me targa të Beogradit që drejtohej nga një shtetas serb. Pas kontrollit në të është gjetur materiali shpërthyes”.

    Sipas policisë bëhet fjalë për 13 kg eksploziv, ndërsa shënjestra për shpërthim dyshohet Katedralja e Prishtinës.

    Serbi ndërkaq është arrestuar dhe po mbahet në polici.

    Policia bën me dije se kishte informacione se një automjet i tipit ‘Renault Clio’ nga Beogradi po transportonte lëndë të rrezikshme.

    Policia e Kosovës ndërkohë kishte marrë masa sigurie rreth Katedrales në Prishtinë, duke e rrethuar me forca sigurie të veshur civilë duke mbajtur nën vëzhgim gjithë aktivitetet gjatë festës së Kërshëndellave.

    Burime të Koha. net mësojnë se i arrestuari është në profesion, veterinar nga Rashka dhe se vazhdon të merret në pyetje nga hetuesit.

    “Sulmi, sipas këtyre informacioneve, sulmi duhej të bëhej në natën e dytë të Kërshëndellave. Dyshohet se bëhet fjalë për një akt të terrorist të planifikuar”, citon Koha Ditore.
    Në automjetin e serbit u gjet dhe një hartë e Prishtinës.

    Balkanweb

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Kosovë, Hyseni: Serbi i arrestuar synonte akt terrorist, eksplozivi nga më shkatërrimtarët

    KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni ka konfirmuar se eksplozivi i kapur nga policia e Kosovës në veturën e shtetasit serb, mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë, ishte përzier me copa metalesh dhe ishte nga më shkatërrimtarët.

    Ai ka thënë se synimi i të arrestuarit ka qenë lëndimi i njerëzve dhe se indikacionet e para tregojnë se shpërthimi ka qenë i planifikuar për festat e fundvitit.

    Hyseni ka thënë se vetura në të cilin është gjendur eksplozivi ka kaluar nëpër vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, por nuk ka treguar nëse ka qenë apo jo e mbushur me eksplozive në atë kohë. Ministri i Brendshëm i Kosovës ka theksuar se një lloj i tillë eksplozivi nuk mund të blihet lehtë. Hyseni ka qenë shumë i përmbajtur duke mos dhënë detaje, pasi që ka thënë se mund të pengojnë hetimet që po zhvillohet.

    Ministri ka thënë se ambasadat e huaja janë duke u përpjekur që të kontaktojnë me autoritetet serbe për ta ndihmuar hetimin e kësaj ngjarje. Hyseni ka lutur qytetarët që të jenë të qetë për shkak se, siç ka thënë ai, policia do të jetë në gjendje për të siguruar ambient të qetë për të gjithë.

    Policia e Kosovës, ndaloi rreth orës 21:00 të së enjtes pranë ambasadës amerikane në Prishtinë, një makinë me targa të Beogradit që drejtohej nga një shtetas serb. Pas kontrollit në të është gjetur materiali shpërthyes.

    Sipas policisë bëhet fjalë për 13 kg eksploziv, ndërsa shënjestra për shpërthim dyshohet Katedralja e Prishtinës. Shtetasi serb ndërkaq është arrestuar dhe po mbahet në polici.

    QEVERIA E KOSOVËS: DËNOJMË NGJARJEN, TË PËRKUSHTUAR PËR PAQE

    Ndërkohë qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka dënuar fuqishëm veprimin e dyshuar terrorist, veprim në të cilin janë gjetur sasi të mëdha eksplozivi dhe është arrestuar një i dyshuar.

    Qeveria e Kosovës siguron qytetarët e saj se do të bëj gjithçka në çdo moment për të siguruar jetën e qytetarëve të saj dhe garantimin e sigurisë së vendit.

    “Me këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndet dhe vlerëson lart punën e Policisë së Kosovës në pengimin e këtij veprimi terrorist, dhe bën thirrje në bashkëpunim të gjithmbarshëm në këtë situatë, përfshirë vendet e rajonit”, thuhet në komunikatë.

    Qeveria e mbetet shumë e përkushtuar që Kosova të jetë vend i paqes dhe tolerancës, dhe kërkon nga organet përkatëse të hetojnë në tërësi këtë akt të dyshuar terrorist dhe përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.

    (m.k/BalkanWeb)

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Arrestimi i serbit me eksploziv, Stefanoviç: Po bashkëpunojmë me EULEX

    SERBI- Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ka deklaruar sot se po bashkëpunohet me EULEX për hetimin e ngjarjes së të enjtes në Kosovë, ku një shtetas serb u ndalua pasi dyshohej se do të kryente një akt terrorist.

    “Po bashkëpunojnë me EULEX-in, ndërkohë që është lëshuar dhe urdhri për t’u bastisur banesa e Sllobodan Gavriqit, i cili u ndalua në Prishtinë me një sasi eksplozivi”, ka thënë Stefanoviç.

    Në deklaratën e tij për “Tanjug” ai tha dhe se ka dhënë të gjitha informacionet që i ka kërkuar EULEX-i, përfshirë lëvizjet e të dyshuarit. “Do të shohim nëse do të dalin dëshmi që do të jenë të dobishme për hetimet”, tha ai.

    Sipas tij, bashkëpunimi me EULEX-in do të vazhdojë derisa të zbardhet rasti. Ndërkohë më herët Ministri i Brendshëm kosovar, Skënder Hyseni tha se ambasadat e huaja në Prishtinë janë duke u përpjekur që të kontaktojnë me autoritetet serbe për ta ndihmuar hetimin e kësaj ngjarje.

    (m.k/BalkanWeb)

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    30 ditë burg për serbin e kapur para ambasadës së SHBA, me 13 eksploziv në makinë

    PRISHTINË- Gjykata Themelore ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditëve për shtetasin e Serbisë, 46 vjeçarin, Slobodan Gavriq, të arrestuar të enjten në Prishtinë, me 13 kilogram eksploziv në veturë.
    Ai ka dalë para një gjykatësi të procedurës paraprake nga departamenti i Krimeve të rënda. Ndërkohë, këtë e ka konfirmuar avokati i tij, transmeton KosovaPress.
    Kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi, tha se “Slobodan Gavriqit iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditëve si i dyshuar për dy vepra penale, organizim i veprimeve terroristë dhe futjes së mjeteve shpërthyese në Kosovë”.
    Ai tha se i dyshuari ka pranuar veprën e dytë se ka futur mjetet shpërthyese, por tha se ka dashur t’i shesë, ndërsa veprën e parë nuk e ka pranuar. Ibrahimi ka thënë se tani për tani nuk mund të flasim asgjë rreth cakut, të cilin e ka pasur i dyshuari.
    Për këto dy vepra dënimi mund të jetë deri 20 vjet burg.

    (ma.ar/BalkanWeb)

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Bënë lëshime për të dyshuarin terrorist, pushohen katër policë kufitarë serb

    KOSOVË- Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka larguar nga detyra katër punonjës të Policisë së Kosovës në pikën kufitare Jarinjë. Në mesin e të pushuarëve janë një rreshter dhe tre policë, ndërkaq të gjithë policët i takojnë komunitetit serb.

    Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë thënë se po hetohen të gjithë zyrtarët të cilët mund të kenë bërë lëshime në vend kalimet kufitare në veri të Kosovës, prej nga thuhet se ka hyrë në Republikën e Kosovës, shtetasi nga Serbia, Slobodan Gavriq, i cili do kryente një akt terrorist.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, duke mos dashur të flasë shumë për rastin, tha për Radion Evropa e Lirë, se do të merren masa ndaj çdo zyrtari përgjegjës për lëshimet eventuale që mund të jenë bërë në këtë rast.

    “Për hir të integritetit të vet procesit dhe hetimeve në përgjithësi nuk do të them asgjë më shumë, por do të mund t’ju konfirmoj që po hetohen të gjithë zyrtaret të cilët në një mënyrë ose në një tjetër, mund të kenë demonstruar lëshime në ketë rast”, tha ministri Hyseni.

    Sa i takon çështjes se masave të shtuara të sigurisë, ministri Hyseni theksoi se ato nuk duhet të rriten nga rasti në rast, por siç tha ai, ato duhet të jenë permanente.

    “Është absolutisht detyrë e përhershme që organet e sigurisë në ketë drejtim të jenë të mobilizuar në çdo kohë 24 orë në ditë, çdo ditë. Asesi nuk duhet që vetëm nga rasti në rast të ketë një mobilizim të shtuar, përkundrazi”, deklaroi Hyseni.

    Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka kërkuar ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe u ka bërë thirrje shteteve të rajonit, të bashkëpunojnë kundër rasteve të dyshuara terroriste.

    Ajo ka thënë po ashtu se institucionet e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos, që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj, të ruhet dhe të garantohet.

    Pas arrestimit në mbrëmjen e së enjtes të shtetasit nga Republika e Serbisë, Slobodan Gavriq, në veturën e të cilit janë gjetur 12.2 kilogramë eksploziv, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë.

    Zëdhënësi i Policisë se Kosovës, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë, se me rastin e festave të fundvitit, por edhe rastit fundit, policia i ka shtuar masat e sigurisë.

    “Referuar festave të fundvitit, si dhe referuar edhe rastit të fundit, Polica e Kosovës në bazë të vlerësimeve ka ngritur masat e sigurisë varësisht prej nevojës dhe kërkimeve që bëhen”, tha Kelani.

    Ndryshe, një ditë me parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për krime të rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të shtetasit nga Serbia Slobodan Gavriq, i cili dyshohet për veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste.

    Gavriq dyshohet për dy vepra penale, përgatitja e veprave terroriste dhe importi , eksporti, furnizimi ose shitja e paautorizuar e armëve.

    Paraburgimi është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila është duke i zhvilluar hetimet në këtë rast.

    Ende nuk ka ndonjë version zyrtar për qëllimet e posedimit të sasisë së eksplozivit nga ana e të pandehurit, ndonëse ai vetë para gjykatës ka thënë të shtunën se e kishte për qëllim që ta shiste eksplozivin.

    (m.k/BalkanWeb)

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Kush e informoi Policinë për hyrjen e “terroristit” serb në Kosovë? Ja versioni serb

    Emri:  kosove1.jpg

Shikime: 191

Madhësia:  125.8 KB

    KOSOVE-Sllobodan Gavriq, 46 vjeçar me vendbanim në Beograd, u arrestua dy ditë më parë në Prishtinë, pasi iu zunë 13 kilogramë eksploziv në veturën e tij. Autoritetet e rendit në Kosovë kanë ngritur dyshimin se ai po përgatiste një sulm terrorist. Por, e përditshmja serbe “Blic”, duke u thirrur në burime të veta, pretendon se këtu fshihet një grackë e ngritur nga një narko-diler i Novi Pazarit. Sipas kësaj gazete, kjo edhe është arsye pse mund të ngriten dyshime se këtu ka diçka përtej asaj që pretendohet.
    Siç thotë të ketë mësuar kjo gazetë, të enjten në mbrëmje, narko-dileri nga Novi Pazari e kishte njoftuar Policinë e Kosovës, se në Prishtinë do të vijë Sllobodan Gavriq, me një veturë të zero “Renault Clio”, në të cilën ka edhe 13 kilogramë eksplozivë, me qëllim hedhjen në ajër të Hotelit Grand dhe Katedrales. Për këtë informacion është njoftuar menjëherë EULEX-i dhe janë bllokuar të gjitha kalimet kufitare të Kosovës.

    Megjithatë, Gavriq kishte arritur të hynte në Kosovë nga Serbia para bllokimit të kufirit. Në Kosovë ai kishte hyrë në orën 19:18 minuta përmes Rudnicës dhe pastaj kishte shkuar në Prishtinë, ku edhe ishte arrestuar rreth orës 22:00.

    Është interesant fakti se askush nuk e kishte vërejtur atë, edhe pse ai disa orë para se të hynte në Kosovë me eksplozivin në veturë, kishte hyrë në Serbi nga Kosova, ku kishte qëndruar më parë, raporton lajmi.net.

    Gavriq, sipas gazetës, është punësuar në administratën e Ministrisë Bujqësisë, si inspektor veterinar.

    “Ai punonte në kontrollin e mallrave me origjinë shtazore. Gjithmonë ishte i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm. Nuk ishte i dhënë pas alkoolit dhe nuk kishte sjellje të këqija”, thonë kolegët e tij.

    Asnjë prej tyre nuk e di pse Gavriq shkoi në Kosovë, por thonë se ata nuk e besojnë se ai kishte planifikuar ndonjë sulm terrorist.

    Gavriq, sipas gazetës serbe “Blic”, nuk kishte kryer asnjëherë ndonjë vepër penale. Ai bashkë me gruan e tij e cila punon në Ministrinë e Brendshme, dhe fëmijët, jetojnë në një banesë në Beogradin e Ri.

    (d.d/BalkanWeb)

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Eksplozivi do vinte në Shqipëri?

    Ngjarja më e diskutuar e ditës në Kosovë është arrestimi i një shtetasi serb me rreth 13 kilogramë eksploziv.

    Slobodan Gavriç ka deklaruar përpara hetuesve se eksplozivin do e shiste.

    Destinacioni i mundshëm ishte Shqipëria.

    Ai tha se ishte i lidhur me disa biznesmenë shqiptarë, që do e përdornin eksplozivin për miniera.

    Nëse qëndron ky variant, atëherë bie pista e terrorizmit.

    Megjithatë mediat në Kosovë vazhdojnë të theksojnë se shënjestër e Gavriç ka qenë një objekt në Prishtinë, me shumë gjasë Hotel Grand.

    Natën kur do ndodhte shpërthimi, në hotel kishte edhe një festë. Dëmi në njerëz do ishte katastrofik.

    Express raporton se hoteli nuk ka as dalje emergjence.


    MAPO

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Eksplozivi i planifikuar për Edi Ramën?

    Një makinë e mbushur me eksploziv është ndaluar të enjten në mbrëmje nga Policia e Kosovës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku ndodhen selitë e Ambasadës Amerikane dhe disa përfaqësi të huaja diplomatike.

    Makina e tipit “Renault Clio” me targa të Beogradit, si dhe materiali eksploziv është konfiskuar nga Policia, ndërsa shoferi me inicialet S.G. me nënshtetësi nga Serbia është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

    Edhe pse aksioni policor është zhvilluar në lagjen ku janë të vendosura disa ambasada të huaja, në Polici thonë se rasti nuk mund të ndërlidhet me ndonjë sulm terrorist apo sulm ndaj ambasadave.

    Por, siç raporton TopChannel, burime nga institucione të sigurisë, po verifikojnë edhe informacione të bazuara që flasin se objektiv sulmi mund të ketë qenë hoteli ku pritej të qëndronte gjatë vizitës në Kosovë, Kryeministri Edi Rama.

    Nuk dihet nëse ndryshimi i axhendës se Kryeministrit shqiptar, mos-shkuarja mbrëmë në Prishtinë, por vetëm sot, ka lidhje me këtë rast. Zyrtarisht policia e Kosovës hedh poshtë çdo version sepse hetimet përfundimtare do të tregojnë motivet e vërteta të sulmit.

    Hetuesit policorë që po merren me këtë rast kanë treguar me kushte anonimiteti për “Top Channel”, se materiali eksploziv brenda makinës ka qenë në transportim e sipër dhe i njëjti, pas përgatitjes, do të mund të hidhej në erë me telekomandë për ndonjë sulm terrorist, pasi materiali ka qenë i ndarë në 10 njësi të veçanta.

    Edhe pse zyrtarisht nuk behet i ditur se për çfarë lloj materiali eksploziv bëhet fjalë, sipas hetuesve të rastit, mund të jetë shumë i rrezikshëm nëse do të përdorej në hapësira të mbyllura ku ka njerëz.

    “Policia e Kosovës paraprakisht ka zotëruar informacion inteligjent lidhur me veturën e dyshuar dhe mundësinë e qarkullimit të sajë drejt Prishtinës. Realisht vetura e cila është ndaluar nga njësitë policore ka qenë veturë në lëvizje dhe ka qenë materia duke u transportuar. Nuk mund të themi për ndonjë sulm terrorist të mundshëm, mirëpo mund të themi që është një materie e përpunuar, e cila ka qenë e mbështjellë në disa pjesë dhe që mund të përdoret si materie e rrezikshme eksplozive”, tha Baki Kelani.

    Kelani ka treguar se makina e mbushur me lëndë eksploziv ishte nën vëzhgim policor para se të ndalohej pasi sipas tij informacionet për të ishin marrë nga Agjencia Inteligjente.

    Po ashtu mësohet se makina e ndaluar në Prishtinë kishte ardhur nga Serbia në Kosovë përmes veriut të Mitrovicës. Prokuroria Speciale e Kosovës urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit S.G për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    MAPO

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Prishtinë: Arrestohet shoferi serb me eksploziv në makinë, në shënjestër katedra

    Gavriç: Eksplozivin do e shisja

    Shtetasi serb, Slobodan Gavriç, i arrestuar të enjten në mbrëmje në Prishtinë, pasi në makinë kishte 13 kilogramë eksploziv, doli përpara gjykatës.

    Trupa gjykuese i caktoi atij masën e sigurisë me 30 ditë paraburgim.

    Ai akuzohet për futje të mjeteve shpërthyese në vend dhe organizim të akteve terroriste.

    I dyshuari ka pranuar vetëm akuzën e parë. Ai tha se do e shiste eksplozivin, por nuk kishte ndërmend që kryente ndonjë akt terrorist.

    Dy ditët e fundit ka pasur shumë spekulime se përse do përdorej eksplozivi i gjetur në makinën me targa të Serbisë.

    MAPO

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •