Nga Ed Conway*
Eshtë takimi më ekskluziv në botë. Një mbledhje
e fshehtë e burrave dhe grave më të
pushtetshme të planetit. Ata mblidhen larg prej
syve kureshtarë në një sallë të madhe ngrënieje,
me pamje nga Alpet e Zvicrës.
Me ushqime të bollshëm francezë dhe verëra të
vjetra, ata diskutojnë për fatet e ekonomisë
globale si dhe koordinojnë vendimet që do të na
prekin të gjithëve. Jo, ky nuk është Forumi
Ekonomik Botëror, i cili fillon nesër në Davos.
FEB mund të jetë vetëm pak minuta larg me
helikopter nga aeroporti i Zyrihut, por dyert e tij
janë të hapura për mijëra ekonomistë,
menaxherë dhe madje gazetarë.
Nga ana tjetër, darka joformale ekonomike e
Bankës së Marrëveshjeve Ndërkombëtare (BMN)
në Bazel, ka vetëm 18 vende, për bankierët më
të lartë të botës. Ndryshe nga Davosi, nuk ka
njerëz të famshëm apo kryeministra në listën e
mysafirëve. Kur vjen fjala tek takimet e fshehtë
të nivelit të lartë, ky është ai, I VERTETI!
Darka e fundit ndodhi vetëm pak më shumë se
një javë më parë. Fatkeqësisht, nuk do ta dimë
asnjëherë se çfarë u tha saktësisht aty, por
duke u bazuar në atë që ka ndodhur qysh prej
asaj nate, mund të hamendësojmë se ka qenë
një takim me shumë gjallëri.
Të enjten që kaloi, kreu i Bankës Kombëtare
Zvicerane, njëkohësisht njëri prej 18 mysafirëve,
krejt papritur braktisi lidhjen e frangës vlerën e
Euros. Kjo gjë shkaktoi rënien më të madhe që
ka ndodhur në tregjet e monedhave të botës së
zhvilluar që kur Britania doli nga mekanizmi i
këmbimit të valutës në vitin 1992. Askush nuk
pret një një prej monedhave kryesore të kërcejë
me 30% brenda pak minutave. Dje, banka
qendrore e Danimarkës, monedha e të cilës
është gjithashtu “e kapur” pas Euros, e uli më
tej normën e depozitave në territor negativ, ku
sot është – 0.2%.
Ka një shpjegim të qartë për gjithë këtë
nervozizëm. Këtë javë, Banka Qendrore
Europiane pritet të fillojë emetimin e parave
elektronike dhe blerjen e bonove qeveritare.
Programi i saj i Lehtësimit Sasior mund të ketë
një vlerë mbi 3 trilion Euro. Megjithatë, përmasa
ka më pak rëndësi se sa fakti që kjo gjë po
ndodh. Themeluesit e Euros këmbëngulnin se
monedha e përbashkët duhet të ketë një
klauzolë që pengon bankën qendrore të emetojë
para.
Kujtimet e hiperinflacionit janë të fortë në
Berlin. Por më në fund, pas trysnisë prej
bankierëve qendrorë të Europës, skema pritet
që të shpaloset sot.
Që gjërat kanë ardhur deri në këtë pikë, kjo
është një dëshmi e dëshpërimit nëpër Europë.
Në Bruksel shqetësohen se, në mungesë të
ndonjë magjie, Eurozona do të pësoi një rënie të
qëndrueshme të ngjashme me atë të Japonisë –
apo më keq, mund të kemi një “shpërthim” të
monedhës së përbashkët.
Kjo është edhenjë tjetër kujtesë (nëse ju
nevojitej) e pushtetit të bankierëve qendrorë.
Politikanët mund të kontrollojnë fijet e
“portofolëve” kombëtarë; ata mund të jenë
fytyra publike e qeverive të tyre. Por njerëzit e
pazgjedhur që kontrollojnë normat e interesit
janë më të pushtetshëm tani, se sa kanë qenë
në çdo kohë qysh prej vitit 1930, atëherë kur
BIS u bë i famshëm si klubi i bankierëve
qendrorë.
Konsideroni Mbretërinë e Bashkuar: debati
ekonomik është përqëndruar në planet e
kursimit të koalicionit. Por ndërkohë që taksat
dhe shpenzimet sigurisht që e kanë një ndikim
në rritjen ekonomike, rrjedha e rimëkëmbjes
është përcaktuar kryesisht jo prej politikave
fiskale, por prej vendimeve të marrë në Rrugën
Threadneedle.
Eshtë kryesisht prej politikave të Bankës –
normat e interesit pothuajse zero, lehtësimi
sasior dhe financimi për huamarrje – që Britania
ka filluar të marrë veten. Rënia e paprecedentë
në standartet e jetesës, fenomeni më i madh
ekonomik i gjysmëdekadës së fundit, ka qenë
kryesisht pasojë e faktit që banka preferoi një
“shkëmbim” mes rritjes së pagave dhe
papunësisë më të ulët.
Shumë është folur për rritjen e pabarazisë në
vitet e fundit, por rrallëherë ndokush vë në
dukje se kjo ka ardhur kryesisht prej politikave
të Bankës, e cila ka rritur pasurinë e 10
përqindëshit më të pasur të popullsisë me
pothuajse 350 mijë stërlina për familje. Historia
është e ngjashme në SHBA, ku Federal Reserve
(Banka Qendrore) ka emetuar pothuajse 4.5
trilion dollarë në një përpjekje për të vënë
sërish në lëvizje ekonominë amerikane.
Fakti që bankat qendrore kanë qenë në gjendje
të realizojnë politika të tilla radikale pa
shkaktuar trazira publike, vjen prej marifetit më
të vjetër në librat e ekonomisë: zhargonit. Sa
më e ndërlikuar që tingëllon diçka, aq më pak
gjasa ka që njerëzit ta vënë në dyshim. Kështu
që, takimi më ekskluziv në botë është pagëzuar
“darka joformale për guvernatorët e komitetit
këshillimor ekonomik”. Krijimi i parave është
“lehtësim sasior”.
Mjafton për të bërë shumicën e njerëzve të
rrotullojnë sytë. Por nuk ka dyshim që këto
gjëra funksionojnë. Nuk është koincidencë që,
shtetet me rimëkëmbje më të shpejtë
ekonomike janë ata që kanë lejuar bankat e tyre
qendrore që të hedhin më shumë para në
sistemet e tyre monetarë. Eshtë kjo logjikë që
në fund fuqizoi rezistencën e Berlinit ndaj
lehtësimit sasior.
Të shqetësuar nga fakti që një pushtet kaq i
madh u jepet njerëzve jo të zgjedhur, të cilët
shpesh herë takohen në fshehtësi? Nuk jeni
vetëm. Pas Depresionit, ku ata u gjykuan se
kishin dështuar, bankierët qendrorë përreth
botës u zhveshën nga përgjegjësitë. Banka e
Anglisë u shtetëzua. Në Bretton Woods, në vitin
1944, Aleatët ranë dakord të mbyllin BMN-në,
por shumë shpejt e harruan këtë.
Gradualisht, zyrtarët i kanë rifituar të gjithë ato
kompetenca të humbura. Lajmi i mirë është se
deri tani, shumica kanë bërë një punë më të
mirë se sa në vitet 1930. Lajmi i keq është se
nuk ka mbaruar.
*Ed Conway – redaktor ekonomik i Sky News
The Times- e.gj./www.bota.al
http://www.gazetatema.net/web/2015/0...the-pushtetin/
Krijoni Kontakt