Totali i të ardhurave në buxhet këtë vit pritet të jetë 412 miliardë lekë, me një rritje 45 miliardë lekësh në krahasim me vitin e kaluar. Shpenzimet janë vetëm 12 miliardë me shumë, pasi rritja e të ardhurave do të shkojë për uljen e deficitit. Ja ku do vilen paratë dhe si do shpenzohen
Buxheti i vitit 2015 do të jetë 12 milionë dollarë më i madh se buxheti i këtij viti, kjo sipas shifrave që publikoi mbrëmë ministri i Financave në një takim me komunitetin e biznesit. Të ardhurat janë parashikuar të rriten më 45 miliardë lekë, çka do të thotë se qytetarët shqiptarë dhe bizneset do të paguajnë rreth 450 milionë dollarë më shumë se këtë vit. Shpenzimet buxhetore do të jenë 472 miliardë lekë ose 45 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Deficiti buxhetor do të jetë 60 miliardë lekë ose 4 % e PBB nga më shumë se 6 për qind që ishte programuar këtë vit.
Të ardhurat
Totali i të ardhurave në buxhet këtë vit pritet të jetë 412 miliardë lekë, me një rritje në krahasim me vitin e kaluar me rreth 45 miliardë lekë. Rritja e planit të të ardhurave është shumë ambicioze në kushtet në të cilat ka performuar ekonomia këtë vit. Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se 10 miliardë lekë do të jetë efekti i paketës fiskale të këtij viti. Rreth 20 miliardë lekë të tjera pritet të vijnë nga rritja ekonomike, e cila pritet të rritet me 3.3 për qind vitin që vjen. Ndërsa pjesa tjetër prej 15 miliardë lekësh duket se do të jetë miradministrimi ose siç njihet ndryshe, lufta ndaj ekonomisë informale. Pjesa më e madhe të ardhurave pritet të gjenerohet edhe këtë vit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, nga Tatimi mbi Fitimin dhe nga akciza.
Shpenzimet
Totali i shpenzimeve buxhetore do të jetë 472 miliardë lekë, me një rritje me 12 miliardë lekë në krahasim me vitin e kaluar. Shpenzimet nuk do të rriten me të njëjtat ritme siç u rritën të ardhurat, për arsye se këtë vit deficiti buxhetor është ngushtuar me të paktën 20 miliardë lekë. Ministri Cani tha dje se në buxhetin e këtij viti synohet të shlyhen në mënyrë përfundimtare detyrimet e prapambetura, duke vënë në dispozicion më shumë se 35 miliardë lekë. Gjithashtu, shpenzimet për investime pritet të jenë rreth 5 për qind e PBB-së ose më shumë se 60 miliardë lekë. Pjesa tjetër e shpenzimeve buxhetore u dedikohet pagave dhe pensioneve, fatura e të cilave është rreth 1.7 miliardë dollarë.
Deficiti
Deficiti buxhetor është programuar 60 miliardë lekë ose 4 për qind e PBB-së më 2015. 43 miliardë nga kjo shumë pritet të financohen nga burime të brendshme dhe vetëm 17 miliardë lekë nga financimi i huaj. Deficiti i vitit që vjen është llogaritur të jetë rreth 60 miliardë lekë ose 20.4 miliardë lekë më i ulët se programi i këtij viti. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani pohoi se objektivi kryesor i buxhetit të vitit që vjen është konsolidimi i mëtejshëm fiskal me qëllim uljen e borxhit publik nëpërmjet një deficiti më të ulët. Por ky synim rrezikohet të realizohet për shkak të një programi ambicioz në arritjen e të ardhurave, sidomos nëse ekonomia nuk rritet sipas parashikimeve 3.3%. Buxheti i vitit që vjen do të shmangë shpenzimet për qytetarët, për shkak se nuk parashikohet rritje e rrogave dhe pensioneve dhe gjithashtu zëri i investimeve publike mbetet poshtë mesatares së viteve të fundit. Ministri Cani tha se buxheti i vitit 2015 mbështetet nga reforma në sektorin e pensioneve, ajo në sektorin e energjisë dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe reforma administrativo-territoriale.
Buxheti për vitin 2014 është:
Të ardhurat 367, 9 mld lekë
Shpenzimet 456, 4 mld lekë
Deficiti 88, 4 mld lekë
Buxheti për vitin 2015 është:
Të ardhurat 412 mld lekë
Shpenzimet 472 mld lekë
Deficiti 472 mld lekë
Paketa fiskale, ja 12 masat që lehtësojnë biznesin
Përveç rritjeve të disa tatimeve të njoftuara tashmë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani njoftoi dje 12 masa lehtësuese fiskale që do të ndërmerren gjatë vitit që vjen ndaj biznesit. Së pari, hiqet TVSH-ja për sigurimet dhe zëvendësohet nga taksa prej 3 % për primin bruto. Së dyti, rritet renta minerare për pushtetin vendor, e përkthyer në gjuhë shifrash 4-fishi i asaj që ka përfituar deri tani pushteti vendor. Gjithashtu, ulet taksa për rafineritë vendase dhe reduktohet renta minerare me qëllim nxitjen e sektorit minerar. Po ashtu, ulet taksa doganore për gomat e automjeteve nga 15-10 % dhe përjashtohet nga taksa për të ardhurat personale kontributi për pensionet vullnetare. Cani tha se merret parasysh edhe kërkesa e biznesit për të njohur firot dhe amortizimet. “Vendoset kontrolli mbi bazë risku për rimbursimin e TVSH-së. Për agropërpunimin dhe biznesin në bujqësi, rimbursimi i TVSH-së shkon në masën 20 % nga 6 % që është. Bëhet zero tarifa doganore për lëndët e para dhe mallrat masivë në bujqësi si gruri, mielli etj. Dhe së fundmi, sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe karburantit”, tha ai.
Ndryshimet në paketën fiskale
1-Sektori i sigurimeve: Heqje TVSh & zbatim takse 3 % mbi primin bruto.
2-Rritja e rentës minerare për pushtetin vendor dhe heqja e kufizimeve në ligjin e buxhetit.
3-Për rafineritë vendase: ulet taksa doganore e naftës bruto nga 10 % në 0 %.
4-Sektori i përpunimit të mineraleve: Ulja e rentës me 1/3 për kromin e përpunuar.
5-Për gomat e reja: ulja e taksës doganore nga 15% në 10%.
6-Pensionet vullnetare: përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale kontributet në fondet vullnetare të pensioneve në momentin e kontributit
7-Firot: rregullimi i përcaktimit të normativave të firove, humbjeve gjatë prodhimit, magazinimit dhe transportimit (VKM brenda 6 muajve).
8-Amortizimi me vlerën e mbetur: vendoset dysheme deri ne 3% (ndërtesat, etj) dhe 10% (kompjutera, makineri, etj). Nën këto vlera, shpenzim i zbritshëm i asaj periudhe tatimore
9-Rimbursimi i TVSH: lehtësim i mëtejshëm duke vendosur riskun si kriter për kontroll (heqja e kontrollit të detyrueshëm).
10-Lehtësimi i agropërpunuesve duke njohur 20% TVSH të zbritshme për furnizimet nga fermerët (nga 6% më parë).
11-Sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit & karbonit për karburantet (përjashtimi arrin në 67 lekë/litër)
12-Për lëndët e para: hiqen tarifat doganore për grurin, materiali biologjik, miellin, ushqimin për kafshët, kafshët për mbarështim.
MAPO
Krijoni Kontakt