Në Gjilan thuhet se taksistët e kanë bërë pyetje rutinë: “A ka ndonjë për Suboticë?”.

Kosovarët po e shfrytëzojnë Luginën e Preshevës si trampolinë për të ikur drejt Hungarisë. Thuhet se rrugëtimi deri në Perëndim nuk ka qenë kurrë më i lirë.

Ikja e kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në kërkim të një jetë më të mirë nuk ka të ndalur.

Në rajonin e Gjilanit që është më i prekuri nga “sindroma” e ikjes, është lansuar një dezinformatë “se ata që kërkojnë azil brenda këtij viti, i kanë gjasat më të mëdha për marrjen e statusit të refugjatit”.

Nëpër lokale e odat e këtij qyteti, por edhe në gjithë rajonin e Anamoravës, nuk bëhet asnjë muhabet tjetër, përveç “si me ikë nga Kosova”.

Vetëm në fshatrat Bilinicë, Pogragjë, Malishevë, Uglarë, kanë ikur dhjetëra familje. Ndërsa nga rajoni i Vitisë, Dardanës e Ferizajt janë larguar mijëra veta.

Derisa një muaj më parë, të rinjtë iknin me autobusë nga Prishtina e Ferizaj drejt Beogradit, tani ata e kanë ndryshuar destinacionin. Po e shfrytëzojnë Luginën e Preshevës si trampolinë, për të ikur më pas drejt Beogradit e Suboticës, nga ku po kalojnë në Hungari.

“Albinfo.ch” ishte në Bujanoc për të parë nga afër ikjen e të rinjve, por edhe familjeve të tëra drejt Bashkimit Evropian.

Shumica po i shfrytëzojnë autobusët, të cilët nisen në mbrëmje në drejtim të Evropës perëndimore, e më pas zbresin në kufij për të dalë ilegalisht jashtë.

Ka të tjerë, të cilët po e shtetëzojnë linjën e rregullt për Beograd, “Nis Express”, por ka edhe të tillë që paguajnë taksitë e improvizuar (matrapazë), për t’i dërguar deri në Suboticë.

“M’i kërkuan 600 euro të më dërgojnë deri në kufirin e Hungarisë. Më thanë gjej tre veta, ta qet më lirë”, tregoi një i ri nga fshatrat e Vitisë, i cili po ashtu kishte dalë ilegalisht në Bujanoc.

“Në pikëkalimin e Dheut të Bardh me zbritën nga autobusi Policia e Kosovës. Më thanë kënd e ke në Luginën e Preshevës? Ju thash një shok. Me thanë thirre në telefon, e pasi s’pata idenë, me zbritën. Pasi u ktheva në Gjilan, aty i gjeta disa njerëz që më dërguan deri në Bujanoc”, deklaroi ai.

Madje thuhet se në Gjilan taksistë e kanë bërë si pyetje rutinë: “A ka ndonjë për Suboticë?”.

“Ma ilirë s’ka qenë kurrë me dalë jashtë vendit. Me 500 euro shkon deri në Francë. Më herët ka qenë 3,000 ose edhe 4,000 mijë euro. Prandaj ikin njerëzit”, deklaroi Bardhyli, një 40 vjeçar nga Gjilani.

“Kam qenë më herët në Suedi. Atëherë e kam shitur traktorin dhe një veturë ‘Zastava 101’ për me dal refugjat. Tash me pesëqind euro (500) euro dalin”, tha ai.

Në sportelet e Komunës së Gjilanit janë shtuar kërkesat e qytetarëve për t’u pajisur me certifikata të lindjes për t’i shfrytëzuar për emigrim.

Agim Velekinca, shef i Shërbimit të Gjendjes Civile në Gjilan, ka thënë për media lokale se kohëve të fundit ka fluks të madh për t’u pajisur me certifikata e ekstrakte.

“Është shumë e dhimbshme kur dikush lutet që t’i ndihmohet dhe kur kërkojnë që certifikatave tu vihen fotografi për të kaluar kufirin, sikurse edhe vërtetime për identitetin”, ka thënë ai për mediet lokale.

Shumica e qytetarëve kërkojnë që certifikatave tu vendoset edhe fotografia. Kjo nënkupton se këto dokumente u duhet për të dalë jashtë vendit.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka shtuar aktivitetin për t’i parandaluar emigrantët. Dy ditë më parë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” policia ka arrestuar një shtetas të Maqedonisë, nën dyshimin se i njëjti u ka marrë nga 300 € katër viktimave për t’i dërguar deri në Suboticë.

“Albinfo.ch” kontaktoi edhe me Policinë e Kosovës. Zëdhënësi Baki Kelani tha se policia ka shtuar aktivitetet për arrestimin e kontrabanduesve. Ndërsa pranoi se migrimi i parregullt i qytetarëve të Kosovës për në shtetet e BE-së është shprehur veçanërisht gjatë dy muajve të fundit.

“Pikat e kalimit kufitar Kosovë - Serbi janë prekur nga ky fluks në rritje i kalimit të kufirit me qëllim të migrimit të parregullt, andaj edhe është paraqitur nevoja për një angazhim të shtuar të Policisë se Kosovës karshi këtij problemi”, deklaroi Kelani.

Oficeri i policisë kosovare tha se ka dyshime që qytetarët e Kosovës po bien pre e dezinformatave dhe propagandave të ndryshme nga persona apo grupe të caktuara të kontrabandistëve.

Sipas Kelanit, Policia ka gjetur dhe arrestuar qindra kontrabandistë të emigrantëve gjatë dy vjetëve të fundit. “Në vitin 2013 janë arrestuar 66 raste me kallëzim penal me 223 persona të dyshuar. Po ashtu, në vitin 2014, janë 78 raste me kallëzim penal me gjithsej 240 raste”, deklaroi Kelani.

Sipas zëdhënësit të policisë, janë arrestuar edhe 7 trafikantë në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ikja jashtë Kosovës e ka shqetësuar edhe lidershipin politik në vend. Presidentja Jahjaga tha se dalja jashtë vendit me numër kaq të madh është shumë shqetësuese, ndërsa Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve Evropiane, iu bëri thirrje qytetarëve që të mos emigrojnë, sepse shtetet e BE-së nuk japin azil për kosovarët.

Mirëpo këto mesazhe nuk vlejnë për Bardhylin. “Le të thonë çka të duan këta politikan hajna. Ma mirë nën urat e Francës se sa me jetuar si rrugaç, pa asnjë cent në xhep. Shpresë për punësim nuk ka. Në doganën e “Dheut të Bardhë” po punojnë ata prej Drenicës... Ma mirë me ikë”, deklaroi ai. /albinfo.ch/http://zeri.info/uploads/images/2014/December/16/auto_ikjet_-_bujanoc1418764912.jpg