Vjedhje e ripërsëritur në Kishën e Shën Gjergjit
Kisha e “Shën Gjergjit” që ndodhet në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit për të disatën herë është bërë objekt i sulmit dhe i vjedhjes nga persona dashakeq ndaj objekteve të shenjta. Duke ushtruar dhunë me leva, sharrë hekuri dhe mjete të tjera të forta, keqbërësit kanë arritur të presin kangjellat e dritares në anën jug-perëndimore të kishës dhe kanë thyer xhamin e dritares duke bërë të mundur futjen në brendësinë e saj. Me mjete të forta kanë thyer kasat e arkave të besimtarëve dhe të qirinjve. Gjithashtu janë futur brenda Hierores ku kanë vjedhur shandanët e qirinjve, shkallë, qirimbajtës edhe sende të tjera duke kryer veprime që përdhosin shenjtërinë e shtëpisë së Zotit.
Përdhosja e vendeve të lutjes, plaçkitja, thyerja dhe dhunimi i tyre indinjojnë jo vetëm besimtarët orthodhoksë, por të gjithë opinionin publik edhe të besimeve të tjera fetare. Si besimtarë dhe si qytetarë shprehim indinjatën tonë të thellë si edhe kundërshtinë tonë ndaj veprimeve të tilla. Shtëpia e Zotit është shtëpi lutjeje dhe jo arenë bastisjeje. Nevojitet ndërgjegjësimi i të gjithëve dhe sensibilizimi i popullit që të ruajmë dhe të mbrojmë objektet e shenjta. Gjithashtu kërkojmë nga organet kompetente të mdërmarrin masat e nevojshme për vendosjen e autorëve përpara përgjegjësisë.
Perëndia pastë mëshirë dhe i ndriçoftë të gjithë njerëzit që të mos vënë dorë në shtëpinë e tij.
![]()
Krijoni Kontakt