PERSONAZH/ Flet Qazim Gapi, President i Fondacionit “Amaneti”

Fondacioni “Amaneti”, i mbetet besnik fjalës së zotit

Albert Z. ZHOLI

Një burrë energjik, i cili po punon intensivisht për të ndihmuar ekonomikisht dhe shpirtërisht njerëzit në nevojë. Ai ka që më 26 qershor 1995, që mirret me punë bamirësie dhe ndihet mirë që ndihmon vazhdimisht njerëzit në nevojë qoftë ekonomikisht por sidomos shpirtërisht. Fondacioni “Amaneti”, që ai drejton ka vite që është shpërndarë në 26 qytete të vendit, por tashmë i ka kaluar kufijtë e vendit deri në Stamboll dhe në Kosovë. Janë rreth 2 mijë fëmijë jetimë dhe të varfër që Fondacioni i ndihmon vazhdimisht ekonomikisht. Fillimet e punës së tij bamirëse përkojnë me qytetin e Memaliajt ku ishte dhe udhëzimi i vajzës në një bisedë hyjnore në moshën 30 muajshe. Ky Fondacion ka fituar një emër të mirë dhe sot thuajse është ndër më të respektuarit, për mënyrën e veprimit, propagandimin e vlerave shpirtërore por edhe të ndihmës njerëzore të hapur, pa kompromise. Për rreth 18.5 vjet aktivitet Fondacioni “Amaneti”, po çon në vend një amanet e dhënë nga zoti nëpërmjet kësaj vajze më 26 qershor 1995.

Lexuesi do të dijë një informacion mbi jetëshkrimin tuaj?

Unë jam teknik ndërtimi dhe topograf. Rrjedh nga një familje fetare patriotike, ku xhaxhai i babait Mahmut Gapi ka qenë Hoxhë, kurse gjyshi Ibrahim Gapi, ka qenë partizan me çetën e Dajtit dhe ka qenë mik me Hysni Kapon dhe me Gogo Nushin. Shtëpia jonë ka qenë një bazë e rëndësishme e luftës nacionalçlirimtare. Tek ne zhvilloheshim shumë mbledhje si të njësiteve guerile edhe të të rinjve partizanë. Por mua në një moment të jetës më ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Unë jam martuar në Kukës më 8 nëntor 1989 dhe kam tre fëmijë dy djem një vajzë. Një ditë kur po shkoja të mirja peshk në Kukës për tregti, më 26 qershor 1995, në familjen tonë ndodhi një mrekulli. Vajza ime Hatixhja që sot është bërë dhe nënë (ka një vajzë me emrin Era), atë natë, ka folur 4 orë arabisht, kur ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë. Pra ajo filloi të flasë nga ora 12 e natës dhe deri në 4 të mëngjesit. Ne ishim tek shtëpia e vjehrrit Bahri Hasan Bilali. Ishim në një dhomë. Unë në një divan dhe bashkëshortja ime Makbule në një divan, kur vajza çohet papritur dhe kthehet nga Meka nga falet Namazi, dhe filloi të flasë arabisht. Ne u çuam pa vetëdije dhe shtangëm. Nuk e besuam? Ku dinte ajo vajzë 2 vjeç e gjysmë arabisht kur nuk kishte dëgjuar kurrë, pasi për të mësuar në atë moshë aq që bëhej fjalë. Për këtë kam shkruar dhe ca vargje:



Ditë e diel duke gdhirë e hënë

Amanetçiu i zotit prek tokën mëmë...


Është një pjesë e një libri që titullohet “Një pëllumb vjen nga xheneti”. Pra, unë dhe gruaja u ngritëm dhe shikonim se si vajza fliste arabisht. Ne ngrimë. Nuk flisnim. Na u mek goja. Nuk nxirrnim dot zë. Shikonim njeri-tjetrin dhe ngrinim supet me habi. Kur mbaroi, u shtri për gjumë në krahun e djathtë duke më pasur mua përballë. Fjala e parë që tha ishte një fjalë shumë e madhe, që unë nuk dua ta bëj publike, për arsye fetare. Pastaj ajo më thotë (sikur të ishte vajzë e madhe 20 vjeçe a më shumë), babi ti do ta lësh tregtinë dhe do miresh me bamirësi, do tu shërbesh njerëzve në nevojë. Pra, do shkosh nga i varfëri i më të varfërve dhe nga i pasuri i më të pasurve. Unë bëra dialog me vajzën dhe i them mirë me të varfrit, po me të pasurit çfarë do bëj,? Vajza foli rreth 3 minuta shqip duke më thënë se, në mëngjes do shkosh ta komunikosh këtë lajm tek xhamia e Kukësit gjë të cilën unë e bëra rreth orës 05-00 kur po falej sabahu. Në atë kohë ishte i pranishëm myftiu i Kukësit Vexhi Hoxha, Riza Elezi, si dhe 6 pakistanezë, mysafir të cilët u habitën nga ky njoftim. Do vish 14 ditë pas meje pa u veçuar asnjë çast. Pastaj do shkosh të bësh një qendër bamirësie në Memaliaj, në Tepelenë. Unë hapa sytë. Se besoja. Ku dinte një fëmijë këto gjëra? Por më e habitshmja ishte kur po e ndiqja nga pas ishte data 30 qershor 1995, ora 10-00 paradite, ekzaktësisht ishim tek Hotel Rogneri dhe vajza më thotë: O babi dua të shkoj në xhami. Ajo ktheu djathtas dhe shkon tek Piramida (Ish Qendra Ndërkombëtare e Kulturës) dhe pasi bën një rrotullim futet aty ku është sot Top Chanel. Pasi pinë një Ivi pjeshke, më thotë në prani të nënës së vet Makbules, dhe më thotë, babi kjo është xhamia. I ndoqa të gjitha këshillat e saj. E lashë tregtinë dhe ndoqa këshillat e fëmijës sikur dikush nga lart më diktonte. Takimet e para pas kësaj ngjarjeje i mora me kreun e fesë myslimane të asaj periudhe me të ndjerin Haxhi Hafiz Sabri Koçin dhe e kam pyetur: si qëndron e vërteta? Ja tregova ngjarjen fill e për pe, pa asnjë ngatërresë. Ai më tha, o Qazim, mos vallë vajzës i ka fol shejtani? I thashë çfarë s’bën vaki, por ajo fjala e shenjtë (që ty s’po ta tregoj), nuk lë asnjë dyshim të tillë deh aq më shumë të folurit e vajzës në arabisht për katër orë. Po kjo fjalë është fjalë e madhe më tha. Po ku di unë, ashtu më tha vajza, ajo as di të gënjejë, as di të arsyetojë pasi s’ka mbushur tre vjeç. Unë di nga të parët e mi i thashë që tek fëmija i vogël 3 vjeç nuk hynë shejtani, nuk hynë djalli. Unë ngula këmbë që vajza ime kishte të drejtë. Kur flisja unë ai ishte me shpinë nga Parlamenti. Ishte ditë gri. I them që sot do bjerë borë në Tiranë se ka kohë pa rënë. Për më tej i thashë Hafizit se, më ka thënë vajza se, kur të mbushën 40 ditë nga dita që kam folur në Kukës do të bjerë tërmet në Kukës nga ora 22-00 deri në orën 24-00. Saktësish tërmeti ra në orën 22-27 min. Vjehrri im, i ndjeri Bahri e mbajti shënim orën. Por edhe vetë i ndjeri Haxhi Hafiz Sabri Koçin habitej. Nga ana tjetër Pasi mbaruam bisedën me të vërtetë filloi të bjerë borë. Edhe ai u habit nga sa i tregoja. Unë ja bëra prezent për të qenë i qetë me veten dhe me Zotin. Më 4 prill 1996 shkova në Memaliaj, me ato pak të ardhura që kisha mbledhë nga tregtia e peshkut. Aty mora një zyrë të vogël dhe aty prisja dhe përcillja njerëzit duke përcjellë fjalën e Zotit. Ajo që më tha vajza ishte kjo që do u thuash njerëzve që “Besoni në zot dhe bamirësia është në Emër të Tij, nën shembullin e Profetit Muhamet”. Ndihma do të jetë ndaj njerëzve që kanë bërë histori në vendin tonë. Ne krijuam Fondacionin “Amaneti” ku pa asnjë lloj paragjykimi, prisnim dhe përcillnim njerëz nga të gjitha fetë duke përcjellë fjalën e zotit dhe duke i ndihmuar sa të mundnim. Bëmë shumë miq në Memaliaj edhe të besimeve të ndryshme fetare por edhe me disa që nuk besonin në fe. Pra lashë shtëpinë dhe punën time dhe u shpërngula për në Memaliaj me këtë qëllim fisnik bamirësie, me fjalën që Zoti i kishte përcjellë vajzës time. Në Memaliaj kam jetuar plot dy vjet me gjithë familjen time, ashtu siç e kishin udhëzuar vajzën. Aty u lidha shumë me pushtetin vendor, kam vizituar shumë familje të varfra, por patëm një keqkuptim.

Përse?

Pasi mua më quajtën mjek popullor, emërtim të cilin unë se kam pranuar asnjëherë. Unë aty isha një emisar i zotit, për të përhapur fjalën e tij dhe të ndihmoja sadopak të varfrit. Në këtë rrugë aty më përkrahën shumë veta si, Nënë Fatime Mustafaj me fëmijët, Arben Bregu, Përparim Skënderi, pronar i fabrikës së tullave, Syrja Hyseni Kryetar i Bashkisë së Memaliajt ku me ndihmën e tyre ne shkonim vazhdimisht dhe jepnim ndihma familjeve në nevojë. Nuk harroj ndihmën e Myrteza Seitaj, Islam Ahmeti, Ferit Sinani, Muhamet Malo. Mund të them se në Memaliaj ka pasur dhe ka shumë familje të varfra pa asnjë lloj të ardhure. Më vonë ne e shtrimë punën dhe ndihmën tonë me degët e Fondacionit në 26 qytete. Me punën tonë ne rritëm besimin kudo që shkonim. Gjithë kjo punë bëri që ne me Vendim gjykate nr. 291 i datës, 03.11. 2008, u emërtuam me këtë emër që përmenda më lart, Fondacioni “Amaneti”. Pra u vendos ky emër, pasi ishte vajza ajo që na e la detyrë me fjalën e zotit që të ndiqja këtë rrugë. Ishte fjala e zemrës së një vajze të vogël që më çoi në këtë rrugë, dhe nuk ka lidhje fare me ekstremistët myslimanë që përgojohen në disa media. Ne kemi dhe gazetën tonë “Amaneti”, ku propagandojmë vetëm vlera, vetëm mirësi, paqe, vëllazërim, ndihmë, respekt reciprok. Në vitin 1998 ne hapëm dhe një degë bamirësie në Stamboll, ku grumbullojmë ndihma për raste fatkeqësish.

Ku keni dhënë ndihma?

U kemi dhënë ndihma qindra familjeve në shumë fshatra të vendit duke filluar nga Memaliaj, Tiranë, Petrelë, Vlorë, Berat, Përmet, Kukës, por do të veçoj ndihmat që dhamë në ngjarjen e Gërdecit. Kemi tashmë dhe një degë në Kosovë në Gjilan, Paris (Francë), Prishtinë dhe tashmë po bëjmë përgatitjet që të hapim një degë në Gjakovë. Por problem na ka ngelur stafi, pasi na duhet një staf i ndërgjegjshëm, një staf të punojë vullnetarisht, një staf që të jetë i saktë në veprimet financiare, pasi kemi shumë ndihma nëpër duar dhe mundësia e abuzimit është shumë e madhe. Mund të them se na kanë ndodhur dhe ngjarje jo të mira. Që kur kam filluar këtë detyrim shpirtëror, thuajse puna ime ka qenë vullnetare ku dhe pse më kanë caktuar një rrogë 500 euro në muaj nuk e kam marr asnjëherë. Këtë rrogë kam menduar që tua japim fëmijëve jetimë, pasi ne në Fondacionin tonë kemi regjistruar 475 fëmijë jetimë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë rreth 2080 që u japim ndihma të herë pas hershme. Për këto ndihma ne kemi disa gra të cilat meren drejtpërdrejt me shpërndarjen e ndihmave. Kemi çuar ndihma edhe tek Azilet e pleqve dhe u kemi shtruar dhe Iftare të ndryshme, ku do të veçoj një darkë Bajrami për deputetët dhe Trupin Diplomatik më 24 dhjetor 2004 në Hotel “Dajti” ku mori pjesë z. Gramoz Ruci, Maks Begeja, dhe përfaqësues nga Kisha Katolike, Komuniteti Mysliman, si dhe ambasadori Bullgar së bashku me të shoqen. Kemi fat që jemi pjesë e një projekti ku Bashkia Memaliaj do na japë një godinë pa qira ku ne do të vendosim zyrat dhe do të hapim kurse të ndryshme falas për fëmijët e varfër. Kurset kryesisht do të jenë për gjuhët e huaja anglisht, gjermanisht, frëngjisht por edhe kurse për profesione të ndryshme si rrobaqepëse, pastiçeri, hidraulik, elektricist, berber, etj.. Kjo duke ecur në mbështetje të thënies së Kryeministrit Rama që profesionet do të kenë prioritet në punësim. Kemi filluar që tani të ofrojmë mësues të ndryshëm për këto profesione pasi duhet të kemi parasysh fjalën e urtë amerikane që “fali njeriut grepin dhe mësoje se si të zërë peshk dhe mos i fal peshkun”. Pra të mendohet për të ardhmen jo për të tashmen. Aktualisht jemi lidhur dhe me Karitas-in Francez i cili na ka bërë me dije se do na japë disa ndihma për Vitin e Ri si pajisje elektrike, ushqime, veshmbathje, të cilat do ti shpërndajmë në fund të vitit. Por ne po mbledhim ndihma edhe në formë lodrash, sendesh mësimore, çanta shkolle etj, pra ato që janë të domosdoshme për një fëmijë që është në shkollë. Besoj se për ata fëmijë që janë regjistruar do të sigurojmë disa gjëra të domosdoshme, me qëllim që ti kalojnë Festat e fund vitit me gjërat më të domosdoshme. Do ta mbyllja intervistën me një thënie të bukur të Profetit Muhamet: “Pasuria e vërtetë o njerëz është ajo që falni, jo ajo që mbani”.