“Fillimet”, Preç Zogaj: E vërteta ime për vitet ‘90-‘92
8 dhjetor 1990
Kopertina e librit “Fillimet” botimi i dytë
E ka quajtur libri i fillimeve, edhe pse është shkruar i fundit në librat eseistikë dhe publicistikë mbi tranzicionin shqiptar.
Preç Zogaj, një prej protagonistëve të ngjarjeve që kulmuan me rrëzimin e diktaturës komuniste dhe lejimin e pluralizmit, jep kontributin e vet në zbardhjen e historisë. “Fillimet”, botimet “UET Pres”, libri i tij më i ri në fushën e publicistikës, u promovua dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Miq, kolegë, njerëz që kanë qenë bashkë me të në radhët e para të lëvizjes demokratike, 24 vjet të shkuara. Botuesi Henri Çili e përfshiu ciklin publicistik të Zogajt në kolanën e librave më të rëndësishëm mbi historinë politike të Shqipërisë, krah të librave: “Kujtimet” e Eqerem Bej Vlorës, “Ballafaqime politike” të Sejfi Vllamasit 12-45, “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit dhe “Përkulja dhë Rënia e Tiranisë” të Spartak Ngjelës. Çili e interpreton botimin e fundit të librit “Fillimet” me distancën kohore, që i është dashur autorit, për të qenë më i ftohtë në përshkrimin e ngjarjeve. Gazetari Blendi Fevziu, në radhë të parë do të vlerësonte stilin me të cilin është shkruar libri i Zogajt. “Individual dhe i identifikueshëm”, do thoshte Fevziu. “Ngjarjet e këtij libri lidhen me një moment shumë të rëndësishëm në jetën time personale, por edhe shumë prej nesh që ndodhen këtu. Një moment ndryshimi, ku Zogaj ka qenë dëshmitar i rreshtit të parë”, tha Fevziu. Ai e quajti librin e Zogajt si më të mirin e ciklit të tij publicistik, një libër realist, që dëshmon për periudhën ndoshta më dinamike në 100 vjetët e shtetit shqiptar.
Ai e quajti “Fillimet” dëshminë më të sinqertë që Zogaj do t’i lërë ndonjëherë së ardhmes. Për vetë autorin, ky libër i fillimeve nuk është gjë tjetër, veçse rrëfimi i një dëshmitari, i një shkrimtari dhe publicisti për periudhën 1990-1992. “Kjo nuk është historia e atyre viteve. E vërteta është në numrin njëjës, por që prodhohet nga shumë këndvështrime dhe unë jap kontributin tim në të, duke qenë i hapur edhe për këndvështrime të tjera”, tha Zogaj. Duke u kthyer pas në kohë, ai do të shprehej se idetë e tij dhe të një brezi që u vu në krye të lëvizjes, ndanin të njëjtat ideale me disidentin dhe publicistin polak Adam Michnik, për lirinë, demokracinë, mirëkuptimin, dashurinë, tolerancën.
Gjatë promovimit të librit të Preç Zogajt
“Shumë prej protagonistëve të lëvizjes së Dhjetorit dhe viteve të para të shoqërisë së lirë, kishin në mendje dhe në zemër jo vetëm ato ideale, por edhe ato qëndrime, atë kulturë demokratike për të cilën luftuan Michnik apo Vasllav Havel në një Poloni shumë më të hapur dhe në një Çeki shumë më të hapur se Shqipëria e telave me gjemba, në një Poloni apo në një Çeki ku kryengrietësit e parw si puna e Michnikut, Lech Valeses apo Haveslit u ndihmuan fuqishëm nga Perendimi. Në izolimin dhe mjerimin tonë ne shkuam te këto koncepte pa asnjë mbështetje, me njëri tjetrin, hap pas hapi. Ashtu si Michnikun me shokë, edhe ne na kishte bashkuar ëndrra për liri, ëndrra për një botë të mbushur me tolerancë, shpresë, respekt për dinjitetin njerëzor, mospajtimi me heshtjen konformiste ndaj së keqes. Për këto vlera luftuam dhe u përpoqëm në ato fillime”, tha Zogaj.
Panorama
Krijoni Kontakt