do te perpiqem ta lexoj librin e Precit edhe pse ka kohe qe interneti nuk me len kohe te lezoj nje liber nga fillimi deri ne fund...
do te perpiqem ta lexoj librin e Precit edhe pse ka kohe qe interneti nuk me len kohe te lezoj nje liber nga fillimi deri ne fund...
“Ramiz Alia të dorëhiqet, nuk mbrojti me armë shtatoren e Enverit”
Preç Zogaj rrëfen shkurtin 1991: Ç’ndodhi te Shkolla e Bashkuar, takimi me Neritan Cekën e përfaqësues të PD
Pas rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, në shkollën e bashkuar “Skënderbej” kishte shpërthyer revolta. Ishte ngritur “Komisioni Nismëtar për Rivendosjen e Monumenteve dhe Figurës së Enver Hoxhës”, që kërkonin takim me përfaqësues të Partisë Demokratike.
Pasi u dorëzuan një letër, Sali Berisha nisi Neritan Cekën të dëgjonte Komisionin.
Çfarë ndodhi në këtë takim nën plumba dhe se si iu kthye ushtarakëve në të kundërt, na tregon Preç Zogaj në librin e tij “Fillimet”, botim i UET Press.
PREÇ ZOGAJ
NGJARJET E SHKOLLËS SË BASHKUAR TË OFICERËVE
Të nesërmen, më 22 shkurt, ishte radha e enveristëve të nxirrnin dufin dhe të tentonin revanshin. Në Ministrinë e Mbrojtjes po kërkohej rivendosja me forcë nga trupat e ushtrisë e një statuje të re të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, kurse Ramiz Alia po akuzohej hapur si tradhtar. Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” ishte bërë qendra e reaksionit dhe rebelimit enverist. Rreth orës 10:00 të mëngjesit në selinë e PD-së mbërritën dy oficerë të kësaj shkolle. Kërkuan takim me kryetarin, Sali Berisha. Njëri prej tyre, më i shkurtri, që tërhiqte vëmendjen edhe për shkak të uniformës së zhubrosur që dukej qartë se nuk e kishte hequr nga trupi prej disa ditësh, i dorëzoi Berishës një letër. Dy oficerët u larguan kryelartë pa pritur që kryetari i PD-së ta lexonte letrën e tyre. Ky i hodhi një sy dhe ia kaloi Neritan Cekës ta shihte edhe ai. Ishte një ftesë për të marrë pjesë në një mbledhje që do të mbahej atë ditë në mjediset e Shkollës së Bashkuar. Mbledhjen e kishte thirrur “Komisioni Nismëtar për Rivendosjen e Monumenteve dhe Figurës së Enver Hoxhës”. Berisha dhe Ceka nënqeshën me emërtimin “Komision Nismëtar”, që ushtarakët e kishin zgjedhur me siguri si një imitim revanshist të emërtimit që kishte pasur forumi i parë drejtues i Partisë Demokratike. Por kur panë kërkesat që i bashkëngjiteshin ftesës, nuk nënqeshën më. Përmbajtja e tyre ishte shumë seriozë. “Komisioni Nismëtar” kishte zëvendësuar komandat e Shkollës se Bashkuar dhe Akademisë Ushtarake dhe nuk e njihte më autoritetin e Ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi. Komisioni kërkonte dorëheqjen e Presidentit Ramiz Alia me motivacionin se nuk kishte urdhëruar mbrojtjen me armë të monumentit të Enver Hoxhës dhe rivendosjen provizorisht në sheshin “Skënderbej” të një statujë të Enverit që gjendej në hyrje të Shkollës së Bashkuar. Më tej, kërkohej që Komisioni të merrte në ruajtje RTSHnë, stacionin e trenit dhe ndërtesat qeveritare. Mbledhja do të bëhej pasdreke, rreth orës 16:00. Ishin ftuar të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Komitetit Qendror të PPSH, të Ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes, të Kryeministrisë, të Komitetit Shqiptar të Helsinkit…
-Ky është një puç ushtarak,-tha Berisha.- Neritan, do të shkosh ti dhe t’ua thuash mendimin tonë.
Neritan Ceka u nis nga selia e PD-së me makinën e Institutit të Arkeologjisë, të cilën e ngiste Agim Arapi. Mori me vete Agron Çikën dhe skicografin e Institutit, Pullumb Naipin, anëtar i PD-së. Rrugës, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, morën Abdi Baletën, që ishte angazhuar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Kishte marrë edhe Baleta një ftesë nga “Komisioni Nismëtar”.
Te Shkolla e Bashkuar gjendja ishte ajo e një kuartieri që përgatitet për luftë. Mbi tarracat e ndërtesave rreth e rrotull ishin vendosur mitralozë të rëndë, ndërsa përpara tyre qëndronin në gatishmëri trupat e Brigadës së Kombinatit të Tekstileve dhe shkollës ushtarake dyvjeçare të Zall Herrit. Disa dhjetëra sambistë të repartit 326, të armatosur deri në dhëmbë, vigjilonin pranë hyrjes kryesore. Në oborrin e brendshëm të shkollës kadetë dhe ushtarakë të tjerë ishin grumbulluar para një tribune, ku mbaheshin fjalime histerike të shoqëruara herë pas here nga kënga e njohur “Enver Hoxha tungjatjeta/ sa këto male, sa këto shkrepa/ zanin shqipes lart ia ngjite/ gjithë këtë popull në drite e qite”.
Të gjithë, folës dhe dëgjues ishin të armatosur me armët që kishin marrë nga depot e shkollës.
Ceka, Baleta, Çika dhe Naipi u ngjitën në një sallë në katin e dytë ku do të mbahej mbledhja. Anëtarët e “komisionit nismëtar, njëri më agresiv se tjetri, ishin ulur rreth një tryeze. Neritan Ceka do rrëfente më vonë se anëtari më i ri atij komisioni, një “beks”, siç quheshin kadetët e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, ishte ulur pranë tij dhe po e vështronte kërcënueshëm.
“Vëllain tim që është me ju, po më doli para, do ta vras”, i tha beksi.
“Ku është vëllai yt dhe pse do ta vrasësh”? e pyeti Ceka.
“Është student në Institutin e Arteve”, iu përgjigj tjetri. “A e shef këtë pallto”, vazhdoi, duke treguar kapotën e tij prej cohe të ashpër si gur smerili. “Këtë ma ka dhënë partia mua”! Për atë kapotë mejtonte të vriste vëllanë. Ishte një detaj kuptimplotë për të kuptuar atmosferën dhe shkallën e indoktrinimit dogmatik të nxënësve e studentëve atje.
Mbledhja zgjati rreth dy orë. Folën anëtarët e Komisionit, përfaqësuesit e Komitetit Qendror, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme. Të gjithë kundër PD-së që po tregohej me gisht si shtriga e madhe. Neritan Ceka dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës në atë mbledhje e ndjenin shtrëngimin e rrezikshëm të rrethimit nga ana e ushtarakëve puçistë, që për momentin besonin se kishin marrë komandën e mund të bënin ligjin.
“Kjo që po ndodh sot në Shkollën e Bashkuar, ka një emër dhe quhet puç ushtarak”, ua plasi pa hyrje-dalje Neritan Ceka. Dhe vazhdoi: “Për këtë do të mbani përgjegjësi ligjore, prandaj kërkoj të kthehen nxënësit dhe studentët nëpër fjetore dhe klasa, të dorëzohen menjëherë armët në depo, të rivendoset komanda e Shkollës dhe e Akademisë, t’i bindeni ligjit dhe Komandantit të Përgjithshëm. Përndryshe, do të shkoni në gjyq ushtarak!”. Nga jashtë vinte jehona e zhurmave kërcënuese të ecejakeve, ndërsa ushtarakët e Komisionit Nismëtar brenda ishin stepur nga fjalët e përfaqësuesit të Partisë Demokratike. E kishin thirrur për ta paralajmëruar dhe po paralajmëroheshin prej tij. Avdi Baleta u ngrit pas Cekës dhe argumentoi si jurist se veprimet e të ashtuquajturit Komision Nismëtar ishin të paligjshme dhe të rrezikshme.
Të shtëna armësh në oborr dhe nga tarraca e Shkollës së Bashkuar pasuan fjalët e tij mu sikur dikush nga brenda mbledhjes të kishte arritur t’u njoftonte oficerëve jashtë qëndrimin e përfaqësuesve të opozitës. Këta vendosën të largoheshin pasi i kishin thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Jashtë i priste një furgon i blinduar i Policisë. Po futeshin në furgon, kur disa sampistë të repartit 326 i panë dhe u sulën për t’i kapur. Oficeri i Policisë që shoqëronte Neritan Cekën tërhoqi derën dhe furgoni u nis nën goditjen e qytave të automatikëve. Porta e jashtme e shkollës u hap. Përmes plumbave që shtiheshin nga tarraca e shkollës kaloi në fillim makina e Institutit të Arkeologjisë, pastaj makina e blinduar e Policisë.
Televizioni shtetëror lajmëroi në mbrëmje se një vajzë e re që po shihte televizor në apartamentin e saj ishte plagosur rëndë nga të shtënat kuturu të ushtarakëve. Plumbat e verbër do t’i merrnin jetën gjithashtu një polici nga Pogradeci, që po kalonte rastësisht në rrugën para kampusit të shkollave ushtarake.
Ndërkohë, lajmi se në atë bunker fanatikësh po përgatitej një grusht ushtarak shteti dhe rivendosja e një statuje të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” ishte përhapur në mbarë Tiranën. Qindra mijëra njerëz, burra dhe gra, të rinj e të moshuar dolën nga shtëpitë dhe vendosen në një rrethim civil të pashembullt kampusin e shkollave ushtarake, duke u ndërprerë ujin dhe energjinë elektrike të rrethuarve që i konsideronin “golpistë”. Por nuk u mjaftuan me kaq. Pati edhe plane e organizime për t’i sulmuar, por kjo nuk u pranua nga më të urtët e rrethuesve. Shumë shpejt u pa qartë se nuk ishte e nevojshme të shkohej me tutje. Rrethimi civil e kishte bërë punën e vet. Pjesa më e madhe e ushtarakëve ia kishin gjetur anën të iknin nga kampusi, ndërsa “beksat”, siç u tha atëherë, qanin nga frika.
Të nesërmen rreth mesditës, në selinë e PD-së trokitën përsëri përfaqësuesit e “Komisionit Nismëtar”. Kësaj here ishin të trembur dhe kokulur. Kërkuan ndihmën e PD-së për të ndaluar sulmin e mundshëm dhe heqjen e rrethimit nga ana e qytetarëve. Berisha i dëgjoi me keqardhje dhe me një përqeshje të brendshme që nuk donte ta tregonte. Thirri sërish Neritan Cekën. “Shko dhe një herë, Neritan, dhe shiko si mund ta zgjidhim situatën”. Azem Hajdari që kishte qëlluar në zyrën e tij në atë moment, nuk ishte dakord. “Doktor, nuk mund të dërgosh në çdo rrezik Neritanin!”, i tha. Berisha i dha të drejtë. Ngarkoi Azemin, Arben Imamin dhe Leka Meksin të shkonin dhe të provonin heqjen e rrethimit qytetar të Shkollës së Bashkuar. Këta organizuan po atë ditë një miting me rrethuesit, të cilëve u bënë thirrje të ktheheshin në shtëpi duke qenë se rreziku i revanshit apo grushtit të shtetit me pikënisje nga Shkolla e Bashkuar kishte dështuar. Me këtë miting revolta e ushtarakëve enveristë brenda kampusit të tyre u shua. Por enveristët në pjesën tjetër të vendit ishin në kulmin e organizimit dhe përpjekjeve për të bërë diçka të padëgjuar. Shqipëria kishte hyrë në javën më të mjegullt, më të turbullt dhe më të rrezikshme të historisë së saj të dekadave të fundit, kur groteskun e anabasit enverist nga lufta civile i ndante një fije floku.
Panorama
"Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"
“Të marrim armët! Enverin do ta mbrojmë me…”- Nga urdhri për gjak, tek orientimi i turmës, Preç Zogaj kujton rrëzimin e monumentit të diktatorit: Pasi Alia dha lajmin, Nexhmija iku duke mbajtur lotët
Në librin e tij “Fillimet”, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj sjell dëshmi dhe ngjarje të viteve 1990-1992. Në pjesën e librit që po gazeta “Panorama” po boton sot, pjesën që tregon situatën e nxehtë politike kur për shkak të zvarritjeve të presidentit Ramiz Alia për të mos hequr emrin e Enver Hoxhës nga universiteti dhe institucionet e tjera, sindikatat, studentët dhe qytetarët e Tiranës vendosën t’i drejtohen sheshit Skënderbej.
Edhe pse u ndaluan tek Liceu Artistik, turma e protestuesve arriti të shesh dhe mundi të rrëzonte monumentin e Enver Hoxhës. Interesante në libër janë debatet që bëheshin në një mbledhje të Komitetit Qendror të PPSH të thirrur nga Ramiz Alia gjatë kohës që turma sulmonte monumentin.
Nuk mungojnë aty thirrjet e ish-presidentit Haxhi Lleshi për të marrë armët në mbrojtje të Enver Hoxhës, apo përdorimi i plumbave luftarakë nga policia.
PREÇ ZOGAJ
RRËZIMI I MONUMENTIT TË ENVER HOXHËS
Të nesërmen, në datë 20 shkurt, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, një federatë e fuqishme antikomuniste, në krye të së cilës kishin spikatur Fiqiri Cibri nga miniera e Valiasit, ish-i burgosuri politik, Eqerem Kavaja, inxhinieri gjeolog Gezim Shima, Albert Xholi, Gëzim Kalaja, Valer Xheka e të tjerë, kishin thirrur një miting solidariteti me grevistët e urisë. Mijëra qytetarë të Tiranës filluan të mblidheshin qysh në orët e para të mëngjesit përpara kinoklubit të qytetit “Studenti”. Në një tribunë të improvizuar në ballkonin e konviktit përkarshi mori jetë një maratonë fjalimesh. Sindikalistë dhe qytetarë të ndryshëm ngjiteshin pa protokoll për të shprehur solidaritetin me grevistët.
Një çast, kur u duk se nuk kishte mbetur gjë pa u thënë dhe mitingu po rrezikonte të binte në rutinë me fjalime të përsëritura dëgjohet nga tribuna zëri i kulluar i një gruaje që thirri: “Gra, motra, nëna! Të fillojmë zbritjen në bulevard nga ky moment”. Ishte artistja e mirënjohur, Rajmonda Bulku. Zhvendosja e epshme e turmës filloi përpara se aktorja e bukur të largohej nga tribuna, mu sikur të gjithë, gra dhe burra, të rinj e të reja, gjimnazistë dhe pensionistë, kishin qenë duke pritur atë thirrje që i ftonte të ndryshonin pa humbur kohë vendin e betejës, t’i dilnin ballëpërballë një kundërshtari të vjetër që e dinin mirë kush ishte dhe ku ishte, t’i jepnin pa humbur kohë betejën e shkruar në të gjitha llojet e profecive…
* * *
Ndërsa turma po zhvendosej tashmë drejt sheshit “Skënderbej”, disa nga anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe drejtues të tjerë të lartë të asaj partie po nxitonin në drejtimin e kundërt për të marrë pjesë në një mbledhje tjetër urgjente të thirrur nga Ramiz Alia. Ishte një si garë me kohën dhe epokën mes palës që po nxitonte ta mbante dhe palës që po përparonte ta hidhte Enver Hoxhën.
Njeriu që kishte detyra ligjore për të përmbushur në atë orë të historisë ishte Hekuran Isai, ministri i Brendshëm. Ky ishte në siklet. Ramiz Alia e kishte lenë të drejtonte operacionin në terren, në darën e direktivave kundërthënëse. Në një anë i duhej të zbatonte dekretin për mbrojtjen e monumenteve. Nga ana tjetër nuk duhej të derdhte gjak. Ç‘duhej të bënte me tërë ata njerëz, ku secili e kishte të lehtë të hiqej sikur e kishte çuar apo zënë era në turmë dhe të gjithë shtynin njëri-tjetrin përpara drejt monumentit. Nga familja e tij, siç ka dëshmuar më vonë, e telefononin herë pas here duke i kërkuar më të lutura të mos lejonte vrasje njerëzish. Mëdyshjet i rëndonin si gurë në qafë: po të vriteshin njerëz do të dënohej nga historia. Po të lëshohej Enveri pa cak e pa bam mund të dënohej si tradhtar nga shokët e Byrosë Politike. Vetë dekreti për mbrojtjen e monumenteve kishte ekuivokë në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit.
* * * Forcat speciale dhe disa njësi të gardës ishin pozicionuar në sheshin “Skënderbej” përpara se atje të mbërrinte pararoja e lumit të madh të njerëzve që ishin nisur nga qyteti “Studenti”. Grupi i rrugës së Kavajës ndaluan në pjesën jugperëndimore të sheshit në rrugën që ndante Bankën e Shtetit me monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Një grup tjetër, ai i Saukut, që drejtohej nga Lulzim Braja, po shtynte përpara. Sakaq nga sheshi i “Ushtarit të Panjohur”, në pjesën veriore, u pa të mbërrinte lumi i madh i njerëzve që kishin ardhur nga rruga e Elbasanit. Pa drejtim, pa komandë, kjo turmë e stërmadhe bëri një ndalesë të shkurtër në shkallët e Pallatit të Kulturës si për të matur me sy shkallën e rrezikut në shesh. Pastaj zinxhiri i njerëzve rrëshqiti brinjazi në drejtim të hotel “Tirana”, si një varg rruazash që hapen e hapen e s’kanë të sosur. Erdhi një çast kur pararoja e këtij rreshtimi të vetvetishëm forcash zbriti në shesh duke vijuar lëvizjen në formën e krahëmarrjes në drejtim të Muzeut Kombëtar. Ngjante kjo hapje si një manovër e rrethimit të kujdesshëm të sheshit dhe platformës ku ishte vendosur statuja e Enver Hoxhës. Tutje, rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës prapa statujës po mbusheshin me njerëz që nuk kishin qenë në qytetin “Studenti”, por kishin ardhur e po vinin nga lagjet e pjesës perëndimore të qytetit. Praktikisht, rrethimi i sheshit ishte përmbyllur. Turma përparonte valëvalë me ndalesa dhe kthime, në vartësi të sulmeve që ndërmerrnin kundër saj forcat e Policisë dhe Gardës.
Pasi dështuan në sprapsjen dhe shpërndarjen e turmës, duke përdorur makinat ujëhedhëse me presion, shkopinjtë e gomës, qentë e kufirit, plumbat plastikë, që dhanë një provë force me vërtitjen e tyre si brumbuj në shesh, forcat e Policisë, të sulmuara edhe me gurë nga disa prej demonstruesve, u rigrupuan dhe u pozicionuan në rrethin e ngushtuar të platformës në mes të së cilës ngrihej monumenti i Enverit.
Ndjesia se do të luftohej e derdhej gjak përforcohej me zvogëlimin dramatik të distancës midis demonstruesve të pararojës dhe trupave policore në zonën e monumentit. Ishte parathënë me kohë, kishte mbërritur çasti dhe s’kthehej më. E donte një betejë, e meritonte një betejë rrëzimi i Enverit.
* * *Beteja kishte zbritur në sheshin më të madh të Shqipërisë. Një anëtar i grupit të rrugës së Kavajës, Hysen Berberi, do të gjakosej në kokë nga një goditje me gur; flamurmbajtësi, Fatmir Merkoçi, do të plagosej me armë zjarri; një polic i thjeshtë do të plagosej me gur dhe do të dërgohej me urgjencë në Spitalin Ushtarak nga protestuesit Adrian Heta dhe Ingrit Sukaj, që kishin rrëmbyer një makinë IFA të braktisur në shesh. Por kasaphanë nuk do të kishte.
Komiteti Qendror ishte mbledhur. Situata ishte kaotike, mbre-të-ronte një rrëmujë e pazakonshme për zakonet spartane të atij forumi.
“Pesë anëtarë të Byrosë Politike ishin në këmbë, prapa tryezave të parregulluara të presidiumit”, do të kujtonte më vonë Marash Hajati, drejtor i Radiotelevizionit Shqiptar dhe anëtar i Komitetit Qendror. Mbledhja nisi me një fjalë të shkurtër të Ramiz Alisë.
“Demonstruesit në fillim donin të vinin këtu në Komitetin Qendror e në Këshillin e Ministrave”, tha ai dhe vazhdoi: “Ju e kuptoni përse donin të vinin. Për të marrë pushtetin si në vendet e tjera. Meqenëse panë rezistencën e forcave ushtarake, janë drejtuar nga sheshi. Duan të heqin monumentin e Enver Hoxhës. Çfarë mendoni ju, si të veprojmë?”, pyeti.
Heshtja rëndoi si plumb në sallën ku Enver Hoxha kishte lënë kujtimin e eliminimit të pamëshirshëm të shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
Haxhi Lleshi, ish-Presidenti në pension, u ngrit me një hov më të madh se sa e lejonte mosha pleqëria. Priti pak sa mori njëfarë drejtqëndrimi dhe thirri:
“Të marrim armët! Emrin e Enverit do ta mbrojmë me gjak. Nuk do të lejojmë që të dëmtohet monumenti i tij”. Thirrja e tij prej brigandi plak e ngriu edhe më tej atmosferën e mbledhjes. Disa nga anëtarët më të rinj të Komitetit Qendror shkëmbyen me njëri-tjetrin vështrime mosmiratuese. Nuk ishte e drejtë të lëshoheshin thirrje për luftë nga dikush që nuk ishte në gjendje të luftonte vetë. Por, replika i erdhi Haxhiut andej nga nuk e priste: nga moshatarët e tij Manush Myftiu dhe Rita Marko, që bënë thirrje për kujdes dhe evitim të gjakderdhjes. Thirrjes për mospërdorimin e armëve të zjarrit kundër demonstruesve iu bashkuan edhe ministri i ri Ismail Ahmeti dhe skulptori Muntaz Dhrami. Haxhi Lleshi i akuzoi si tradhtarë.
Ndihmësi i Ramiz Alisë, Nexhmedin Dumani, solli për shefin e tij një copë letër që ia vuri mbi tavolinë. Ishte një njoftim nga ministri i Brendshëm Hekuran Isai. Alia e lexoi vetë, para se tua lexonte fjalë për fjalë gjithë të tjerëve:
“E thyen mbrojtjen tonë, është rrethuar monumenti i shokut Enver dhe duan ta rrëzojnë. Presim përgjigje si të veprojmë”.
“Të mbrohet!”, thirri i pari Alia duke lënë pusullën e porsalexuar në tryezë.
Pasoi një heshtje varri, të cilën e theu e folura e mbytur e Kryeministrit Adil Çarçani:
“Si erdhi partia deri këtu?”.
Ish-Presidenti Haxhi Lleshi u përpush në karrigen ku ishte ulur sikur po grindej me pleqërinë që i kishte marrë anën.
“Pse nuk qëllojnë me fishekë luftarakë?”, thirri me hidhërim.
* * * Ishte çasti kur në ringun e ngushtuar të sheshit “Skënderbej” afër shtatores së Hoxhës disa duzina protestuesish, kryesisht të rinj, po sulmonin me gurë dhe copa mermeri Policinë që përpiqej t’i prapësonte. Në një moment dikush thirri me zë të lartë: “Mos u trembni, Policia ka fishekë manovre”. Kjo thirrje pati efektin e kushtrimit dhe çlirimit të turmës nga frika. Njeriu që e lëshoi humbi brenda vërshimit të fuqishëm të njerëzve përpara. Nuk u mor vesh kush qe dhe nuk doli kurrë të thoshte “isha unë”, siç dolën me radhë përgjatë viteve të mëvonshme të gjithë ata që kishin bërë diçka të pazakonshme për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Policia dhe Garda hoqën dorë nga rezistenca e mëtejshme, u tërhoqën. Sheshi “Skënderbej” ra i gjithi nën sundimin e turmës që u tre-katërfishua sa çel e mbyll sytë, disa policë dhe gardistë që nuk arritën të tërhiqeshin në mënyrë të rregullt me shokët e tyre mbeten të bllokuar mes civilëve. Tre-katër prej tyre, ushtarë të vitit të parë ndoshta, qanin nga frika. Njerëzit që u kalonin pranë u hidhnin ndonjë fjalë të mirë, por askush nuk kishte kohë për të humbur me ta, se kush dëshironte t’i afrohej sa më afër monumentit ku demonstruesit e pararojës kishin mbërritur tashmë dhe po ndërtonin si në ethe planin për ta rrëzuar. Nga rruga e Durrësit mbërritën dy djem të rinj me një rrotull litari prej lini. Sakaq Adrian Heta ishte kthyer nga spitali ushtarak bashkë me makinën IFA, të cilën e kishte ndaluar nga ana e pasme e monumentit.
* * * Nexhmedin Dumani solli një pusullë tjetër, të cilën Alia, e lexoi si të mos i drejtohej atij:
“Në piedestalin e shtatores ndjehen goditje. Monumenti po lidhet me kavo çeliku. Policia dhe ushtria mundohen me kot të afrohen, të shtënat me armë as që përfillen”.
“Ç’të shtëna janë ato? thirri Haxhi Lleshi. “Të shtëna manovre?!”, shtoi me përbuzje dhe u nder në karrige si të kishte zbuluar komplotin më të madh të jetës së tij, të cilin nuk kishte fuqi dhe moshë ta ndalonte. Ai dhe gjithë të tjerët aty kishin arsye ta konsideronin të humbur davanë, sa kohë që protestuesit kishin kaluar përtej forcave të Policisë dhe ministri i Brendshëm i raportonte kryetarit të Shtetit si një informator i rëndomtë për tingujt që vinin nga goditja e shtatores, si të bëhej fjalë për një objekt të fshehur në qendër të tokës. Të shkonte mendja se Alia dhe Isai, po të mos ishin bykosur edhe vetë nga atavizmat shumëvjeçare, po talleshin me pleqtë e Byrosë Politike.
* * * Në shesh, rreth monumentit të Enverit, përpjekja e parë për ta rrëzuar dështoi. Litari prej lini nuk mbante. Nën trysninë e sekondave dhe minutave që binin si gjyle, dikush solli një kavo nga makina IFA e ndaluar pak më tej. Një burrë i quajtur Astrit Hatellari u ngjit mbi supet e një qytetari dhe arriti ta lidhte kavon te parakrahu i dorës së majtë të shtatores. Filloi tërheqja. Një, dy, tre, katër, pesë… Shtatorja pesëmbëdhjetë metra e lartë u hapua pjerrtas nga e majta dhe ra në tokë si trung nën peshën e vet. Ishte ora 14:06. Një brohoritje e pagjasë u ngrit sakaq në gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e sheshit “Skënderbej”, deri tutje në shkallët e Pallatit të Kulturës dhe akoma më tutje në thellësi të rrugëve hyrëse në shesh, ku turma të reja njerëzish sikur kishin mbirë nga dheu bashkë me thirrjet e tyre të papërmbajtura që kishin tingëllimin e kujeve të vjetra.
* * * Në Komitetin Qendror të Partisë, Ramiz Alia u ngrit nga karrigia me një sforcim të dukshëm për të mos u dukur i ligështuar dhe shkoi të fliste vetë në telefon me ministrin e Brendshëm. Ngjarja e re duhej të ishte e tillë që nuk mund të njoftohej me copa letrash.
Ministri i Brendshëm raportoi nga zyra e tij:
-E rrëzuan shoku Ramiz!
Alia u gëlltit.
– U rrëzua? Ja, po njoftoj shokët e Komitetit Qendror,- tha dhe e mbylli telefonin.
Alia u dha të pranishmëve lajmin se monumenti i Enver Hoxhës ishte rrëzuar. Të gjithë sa ishin aty, instinktivisht, kthyen kokën në drejtim të Nexhmije Hoxhës, a thua se prej atij çasti i rrëzuari nuk ishte gjë tjetër veçse ish-burri i saj. E ulur diku në mes të kolonave të rënda, Nexhmije Hoxha u ngrit në këmbë, vuri çantën poshtë krahut dhe iku duke mbajtur lotët.
*** Prej atij çasti, për shumë kohë, rrëzimi epik i monumentit të Enver Hoxhës do të trajtohej zyrtarisht si një vepër e njerëzve pa emër. Do të duhej të kalonin shtatëmbëdhjetë vjet që një pjesë e këtyre protagonistëve, Saimir Maloku, Haredin Fratari, Astrit Hatellari, Adrin Heta, Gjovalin Cokani, Albert Risilia, Lulzim Braja, Eqerem Kavaja, Gëzim Kalaja, Gani Lami, Jonuz Gjetani, Hygerta Borova, Linda Bezhani, Liljana Llapaj, Lindita Hamiti, Sanije Vojka dhe Vera Rada të nderoheshin me urdhra dhe tituj nderi nga Presidenti i pestë i Republikës, Bamir Topi. Pas shumë vitesh do të dekoroheshin gjithashtu operatorët Agim Buxheli, Bujar Kore dhe Fatmir Çepani, të cilët filmuan rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, si dhe fotoreporteri ATSH-së, Gani Xhengo.
(“Fillimet” është një libër me dëshmi dhe ngjarje të viteve 1990-1992, botuar nga shtëpia botuese “UET PRESS” në vitin 2014)
Krijoni Kontakt