-
Qytetari: Tre policë më hynë në shtëpi dhe më vodhën leket
Tre “policë” grabisin familjen në Lezhë
Me uniforma blu dhe të armatosur, grabitësit mashtruan se do të kontrollonin për armë
Kryefamiljari Kol Gega tregon se i vodhën 1.2 mln lekë dhe i thanë se djali kishte kryer vrasje në Itali
Të veshur si policë dhe me një makinë me fenelinë, tre persona të paidentifikuar kanë shkuar në shtëpinë e një banori në Kallmet të Lezhës dhe nëpërmjet mashtrimit kanë arritur t’i vjedhin rreth 1.2 milionë lekë të reja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë dhe policia ka nisur hetimet për zbardhjen e saj, ndërkohë që i grabituri Kol Gega ka treguar se “policët” i kishin thënë se djali i tij, i cili është emigrant, ishte i dyshuar për një vrasje në Itali dhe kaq ka mjaftuar që ata të kontrollojnë shtëpinë dhe të vjedhin paratë, duke e mbajtur atë nën presion, bashkë me të shoqen.
Policia e Lezhës bëri të ditur se personat, të cilët kanë qenë me një automjet me fenelinë policie, kanë hyrë në shtëpinë e Kol Gegës, duke iu prezantuar atij dhe familjarëve të tij si punonjës policie. Ata mësohet t’u kenë thënë atyre se kishin shkuar për kontroll, pasi djali i tyre hetohej për një vrasje në Itali. Njëri prej grabitësve ka hyrë te njëra dhomë ku ishin tre familjarët, duke mos i lejuar që të lëviznin, ndërsa dy personat e tjerë kanë kontrolluar në dhomat e tjera të shtëpisë.
Familjarët, të cilët ishin të moshuar, kanë rënë pre e mashtrimit dhe nuk u kanë bërë rezistencë grabitësve. Pasi kanë kryer grabitjen, agresorët janë larguar me shpejtësi me automjetin e tyre. Pasi ata janë larguar, familja ka filluar të marrë veten dhe ka kontaktuar në telefon me djalin, i cili u ka shpjeguar se nuk ishte në dijeni të ndonjë hetimi të tillë. Kështu, familja ka dyshuar për grabitje dhe ka vënë re se mungonte një shumë e konsiderueshme parash dhe dy celularë. Menjëherë, familja ka njoftuar Policinë e Lezhës, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për këtë rast.
Pas verifikimeve të kryera, uniformat blu kanë bërë të ditur se brenda në banesë janë marrë 10 milionë lekë të vjetra, 2000 euro dhe dy celularë. Nga ana tjetër, është bërë e ditur se shtëpia ishte tentuar të grabitet edhe tre net më parë, por agresorët nuk kishin mundur që t’ia arrinin qëllimit, për shkak të lëvizjeve të shumta që ka pasur në atë zonë.
Tre të moshuarit jetonin të vetëm në shtëpi, pasi fëmijët i kishin në emigracion në Itali. Duke iu referuar këtij fakti, policia ka dyshime të forta se grabitësit mund të jenë banorë të zonës përreth dhe se gjithçka është bërë me paramendim. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, ka marrë në pyetje familjarët që ranë pre e sulmit për të bërë të mundur identifikim e autorëve. Grabitjet e shtëpive me armë dhe maska janë kthyer në problem për banorët e Lezhës, pasi dhe tri javë më parë ndodhi një ngjarje e tillë në fshatin Balldre. Në të gjitha këto raste kanë qenë tre persona protagonistë të grabitjeve, duke bërë që policia të dyshojë për një grup kriminal që lëviz nga njëra zonë në tjetrën, por pa mundur ende që t’i identifikojë dhe t’i arrestojë ata.
Kol Gega ka treguar për mediat se tre persona i kanë trokitur në derë. Të veshur si policë dhe të armatosur, ata i kanë thënë Gegës se do të kontrollonin për armë. “Autorët thanë që djemtë e mi kanë kryer vrasje dhe se do të kontrollonin për armë, pasi ishin policë. Na izoluan në një nga dhomat e shtëpisë dhe nisën kontrollin. Pasi kontrolluan banesën pamë që kishin marrë 12 milionë lekë”, tregon Gega. Ndërsa gruaja e Kol Gegës u shpreh se janë terrorizuar mbrëmjen e kaluar. “Jemi terrorizuar, nusen dhe fëmijët nuk i kisha në shtëpi fatmirësish”, u shpreh e zonja e shtëpisë. Pas ngjarjes në shtëpinë e familjes Gega ka shkuar deputeti Aldo Bumçi. Ky i fundit deklaroi se po punojnë dy struktura paralele, krimi dhe shteti. “Policia nuk është në krye të detyrës, pasi po kryen rolin e policisë ndërtimore dhe elektrike. Ngjaja të zbardhet sa më shpejt”, deklaroi Bumçi.
Shqip
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt