-
Qytetari: Policia gënjeu për ngjarjen e vdekjes së gruas ime
Familja e Lula Bashës që vdiq nën ashensor: Policia gënjeu për ngjarjen
Lezhë - Bashkëshorti i 46- vjeçares Lula Basha, që u gjet e vdekur në gropën e ashensorit të një pallati 8-katësh në Lezhë, akuzon policinë se e ka trilluar ngjarjen. Sipas Ndue Bashës, nuk është e vërtetë që trupi i bashkëshortes së tij ishte i dekompozuar, duke hedhur lum akuzash mbi policinë. Ai deklaroi se do të bëjë vetëgjyqësi në rast se nuk do të mbajë përgjegjësi askush për ngjarjen.
Nga ana tjetër edhe fqinjët e viktimës deklarojnë se e kanë parë 46-vjeçaren mëngjesin e së dielës, duke rrëzuar kështua variantin e policisë se trupi i pajetë kishte tre ditë i vdekur në gropën e ashensorit.
Një ditë më parë, bashkëshorti i të ndjerës Lula Basha shkoi për të ngritur padi në Komisariatin e Lezhës, ndaj policisë, por nuk iu pranua. Lula Basha u gjet e vdekur paraditen e së dielës në bodrumin e një pallati 8-katësh në Lezhë. Vdekja e saj u cilësua aksidentale nga policia, e cila edhe pse ka kaluar 3 ditë nga ngjarja, nuk ka asnjë person të ndaluar si përgjegjës për sigurinë teknike të pallatit.

Në foto: Burri i Lula Bashës(majtas) dhe Lula Basha(djathtas)
ORA NEWS
-
-
Për: Qytetari: Policia gënjeu për ngjarjen e vdekjes së gruas ime
Ngatërron ashensorin, vdes në bodrum nëna e 4 fëmijëve
LEZHE - Nëna e 4 fëmijëve zhduket prej 3 ditësh, gjendet e pajetë në bodrumin e një pallati shumëkatësh, ku ndodhet dhe një qendër tregtare. Asnjë familjar nuk është interesuar për fatin e Lule Bashajt, 46 vjeçe, derisa mëngjesin e djeshëm u gjet e pajetë nga roja i objektit. Ka qenë ora 09:00 e mëngjesit të ditës së enjte, kur roja ka dëgjuar një erë të rëndë që vinte nga bodrumi.
Ai ka nisur të kontrollojë për të zbuluar se çfarë kishte brenda, kur ka gjetur trupin e gruas, në pjesën fundore të gropës ku kalonin kabllot e sistemit hidraulik dhe atij elektrik të godinës. Menjëherë roja ka njoftuar Policinë e Lezhës në lidhje me ngjarjen. Një grup hetimor shkoi në vend, duke bërë fillimisht nxjerrjen e viktimës e më tej u bë këqyrja e trupit, ndonëse me vështirësi, për shkak të nisjes së dekompozimit të saj.
Nga të dhënat e para nuk dalloheshin shenja të dhunës, veçse ato të shkaktuara nga rrëzimit nga gati tri kate. Policia deklaroi paraprakisht në një njoftim zyrtar se: “Në lagjen S.M.T Lezhë, pranë Tregut, vendi i quajtur ‘Net Center’, tek një depozitë ku kalojnë tubat e ujësjellësit të ndërtesës, në katin përdhe ngjitur me ashensorin, është gjetur një kufomë në shenja dekompozimi, e seksit femër, e moshës 45-50 vjeçe. Nga hetimet e para mendohet se viktima të ketë rënë aty në mënyrë aksidentale, pasi nuk ka shenja dhune dhe mendohet të ketë rënë rreth 72 orë përpara”. Pas disa orësh, policia ka identifikuar trupin e pajetë të gruas, si Lule Bashaj, nga fshati Balldre i Lezhës. Familjarët e saj kanë treguar se në pallatin ku u gjet viktima banonte e motra dhe se gruaja ishte nisur para tri ditësh tek ajo. Dyshohet se rrëzimi ka qenë aksidental, nga kati i tretë.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se 46- vjeçarja është ngjitur deri në kat të tretë me këmbë dhe aty ka dashur të marrë ashensorin për t’u ngjitur lart. Por, aty mendohet të jetë ngatërruar me kabinën ku kalonin tubot dhe ka rënë në hapësirën boshe mes tyre. Aty ka gjetur vdekjen e menjëhershme, si pasojë e traumave, por dhe mungesës së një ndihme të shpejtë. Askush nuk është interesuar për të. Familjarët kanë deklaruar në polici se kanë menduar se ndodhej tek e motra dhe nuk janë shqetësuar, ndërsa e motra nuk e dinte për këtë vizitë. Kështu janë shprehur ata duke hedhur poshtë dyshimet për një ngjarje të qëllimtë. Viktima është nënë e 4 fëmijëve. Pas ekspertizës mjekoligjore, trupi i pajetë është tërhequr në Balldre për t’u përcjellë në banesën e fundit.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt