Dorëzohet MAS, heq mesataren për studimet master

Qeveria ua lë në dorë universiteteve të vendosin kriteret. Profesionalit i shtohen 15 degë të reja

Shpresa Mezini

Hiqet mesatarja, si kriter thelbësor, për të fituar të drejtën për të ndjekur studimet e nivelit të dytë, master profesional apo shkencor në universitetet publike të vendit. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë, i marrë disa ditë pas protestave të vazhdueshme të studentëve të Universitetit të Tiranës dhe të Politeknikut, të cilët bojkotuan mësimin, ndërsa bllokuan edhe hyrjen e pedagogëve në derën e jashtme të godinave të këtyre institucioneve të arsimit të lartë në vend. Këmbëngulja e tyre këtë herë arriti të bindë Ministrinë e Arsimit, e cila i ka propozuar qeverisë heqjen e mesatares, si kriter, që do të ndante fituesit nga jo fituesit. “Studentët që aplikojnë në institucionet publike të arsimit të lartë për të vazhduar studimet në një program studimi të ciklit të dytë, me kohë të plotë, ‘Master Profesional’ dhe ‘Master i Shkencave’/’Master i Arteve të Bukura’, për vitin akademik 2014-2015, përzgjidhen në bazë të kritereve të vendosura nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë”, thuhet në VKM, duke lënë kështu të kuptohet se pavarësisht se qeveria heq kriterin e mesatares, janë vetë organet drejtuese të universiteteve publike, ato të cilat do të vendosin kriteret e tyre për të pranuar studentët. Ndërkohë, referuar të njëjtit vendim të miratuar dje nga qeveria për “Kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë për programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë “Master profesional dhe “Master i shkencave” apo “Master i arteve të bukura”, për vitin akademik 2014-2015, rezulton se janë shtuar 15 degë të reja në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë “Master Profesional”, nga të cilat 12 në Universitetin e Tiranës dhe 3 në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Bëhet fjalë përkatësisht për degë si: Menaxhim i Ndërmarrjeve, me profil “Menaxhim i ndërmarrjeve të agrobiznesit”; Ekonomi dhe politikë agrare, me profil “Ekonomi dhe politikë agrare”; Ekonomi dhe biznes, me profil “Financë kontabilitet”; Menaxhim mjedisi;

Zhvillim rural dhe mjedisor i qëndrueshëm; Mbrojtja kimike dhe fitofarmacia; Teknologjia e kultivimit të bimëve; Teknologji e avancuar në hortikulturë; Biznes blegtoral; Cilësia dhe siguria ushqimore; Teknologji informacioni; Inxhinieri tekstili dhe mode;

Mësuesi AM në Biologji, me profil minor në Kimi; Mësuesi, për arsimin e mesëm, në Matematikë; Ekonomiks në sipërmarrje. Në total për të ndjekur studimet në një prej 15 programeve të reja, të shtuara këtë vit për herë të parë, në ciklin e dytë, master profesional, janë 830, ndërsa tarifat për kredit për program të parë studimi dhe për program të dytë studimi variojnë nga 1.000-1440 lekë, në varësi të degëve.

“Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014-2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional”, janë 7 mijë e 223 kuota gjithsej, të ndara në: kuota për pranimet e reja 7073”; kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 6653”, sqarohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Kështu, numri i kuotave për të interesuarit që duan të ndjekin studimet e nivelit të dytë, master profesional është rritur me 830 kuota më shumë, në raport më ato të parashikuara në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, të publikuar disa javë më parë. Kjo, pasi listës së degëve të masterit profesional, sivjet, i janë shtuar edhe 6 programe të reja, për të cilat gjithashtu janë përcaktuar kuotat dhe tarifat për kredit. Kështu nëse kuotat për pranimet e reja sipas udhëzimit të MAS ishin 6243, vendimi i qeverisë miraton 7073 vende të lira për këtë kategori. Po ashtu më shumë kuota janë parashikuar edhe për kandidatët brenda territorit, të cilat nga 5823, me vendim qeverie do të jenë 6653, në total. Ndërkohë, për sa u takon tarifave të studimit, edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave, parashikohen të njëjtat pagesa, si në udhëzimin e MAS, ku mësohet se pagesat për kredit për program të parë studimi për master shkencor variojnë nga 1100-1750 lekë të reja, ndërsa për kredit për program të dytë studimit nga 1320-3375 lekë të reja. Tarifat që do të paguajnë studentët e interesuar për të ndjekur studimet e ciklit të dytë, për master profesional, janë më të ulëta se ato të masterit shkencor, përkatësisht: 1000-1420 për kredit për program të parë studimi dhe 1200-2130, për kredit për program të dytë studimi. Por, ajo që mbetet e pandryshuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, pavarësisht thirrjes së studentëve, për ta ndryshuar është pagesa në masën e 30% të tarifës totale, që duhet të paguajë studenti në momentin e regjistrimit në degën përkatëse.

Shqip