Tiranë-Kryeministri Edi Rama premtoi se edhe bujqësia duhet të hyjë në një fazë të re zhvillimi duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendit.
Gjatë prezantimit të paketës me 26 masa, gjysma e të cilave siç u shpreh kreu i qeverisë janë gati për tu aplikuar menjëherë, Rama paralajmëroi edhe ndryshime në kodin penal për të dënuar me burg zaptuesit e tokës, por edhe masa penalizuese për ata që lënë djerrë tokën bujqësore.
“Sot jemi përpara një situate që do marrim masa dhe në sektorin e bujqësisë. Ne do të fuqim edhe këto çështje që lidhen me disa të drejta të patjetërsueshme me atë që lidhen me shenjtërinë e pronës në kodin penal. Ashtu si dhe toka e papunuar, kush vend mund t’ia lejojë vetes që 200 hektarë në palcën e tokës bujqësore tua lërë disa individëve për të kullotur disa dele?”
Kreu i qeverisë Rama theksoi se ka përfunduar koha kur shteti konsiderohej si lopë dhe të gjithë e mjelin,ndërsa subvencionet në bujqësi ndaheshin për militantët partiakë apo pë rata që siguronin vota.
“Shteti është konsideruar si lopë që të gjithë duan ta mjelin në mënyrë passive kur vjen puna tek subvensionet. Dhe nga ana tjetër pa harruar që subvencionet janë përdorur për vite të tëra si lëmoshë politike, duke bërë çudira. Duke detyruar njerëzit në Dibër të mbjellin dardha dhe ata në Lushnje të mbjellin mollë.
Thjesht dhe vëtem sepse disa injorantë partiakë kanë shpërndarë disa lekë të shtetit në duar që janë shtrirë për ta mjelë duke paraqit tesërën e partisë, apo duke thënë që kam kaq vota këtu, kaq vota aty dhe për këtë më duhen dhe dy lopë.Ne po sjellim një politikë të re të bazuar tek vetëdija që qytet–fshat, Shqipëria ka zgjedhur një sistem që bazohet tek konkurenca dhe vlerat e bazuar tek konkurenca.
Nuk do ta bëjmë Shqipërinë superfuqi as në bujqësi as në peshkim, por do të kemi një bujqësi, një peshkim, e një zhvillim rural të denjë për një vend të vogël por të pasur.Që nuk riprodhon mbijetesën dhe nuk zgjat agoninë e vet duke bërë sikur zhvillohet, por të zhvillohet realisht sepse ne jemi rast tipik i faktit që pasuritë na janë kthyer në telash.
Jemi vendi i dytë më i pasur në Europë për burime ujore dhe për fuqi hidroenergjitike dhe na është kthyer në telash, më mirë mos ta kishim fare se nuk do të kishte njeri çfarë të vidhte”.
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, u shpreh se paketa fiskale për bujqësinë synon mbështetjen e prodhimit vendas, rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e ekonomisë fermere.
Ndërsa Ministri Ametaj gjatë fjalës së tij, u ndal në masat që po ndërmerr qeveria në rigjenerimin e ekonominë shqiptare.
ORA NEWS
Krijoni Kontakt