2 avionë të NATO-s krijuan 'Boom Sonic' në det, Banorët: Zhurmat si shpërthime- VIDEO
2 avionë të NATO-s krijuan DURRËS- Zhurma të fuqishme janë dëgjuar pasditen e sotme në pjesën veriore të qytetit të Durrësit, duke terrorizuar banorët. Mësohet se zhurmat gati të njejta me shpërthime eksplozivi u dëgjuan deri në rrethinat e Shijakut, në Kavajë, Rrogozhinë dhe Lushnje rreth orës 16:00.
Banorët shprehen se ka pasur dridhje të tokës dhe banesave, ndërsa zhurmat kishin një distancë kohore prej vetëm një minute.
Lajmi është bërë i ditur për News 24 nga banorët e Durrësit, të cilët i ka kapur paniku në momentin e shpërthimeve të njëpasnjëshme. Ata sqarojnë se në momentin e zhurmave kanë parë edhe 3 avionë ushtarakë që fluturonin në nivel të ulët.
Bëhet me dije se zhurma është shkaktuar nga dy avionë të NATO-s që ndiqnin një avion boing komercial, i cili mësohet t’i jetë shmangur Kullës së Kontrollit. Gjithçka ka ndodhur nga zhurma e krijuar kur avionët fluturojnë me shpejtësi dhe në nivele të ulëta. Shpejtësia e lartë e lëvizjes krijon të ashtuquajturin “Boom Sonic”.
Edhe fizikanti Enkelejd Caca në një lidhje telefonike me News 24 tregon se ka qënë vetë dëshmitar dhe se ka pare që dy avionë gjuajtës i afroheshin një tjetri më të madh me 4 motorrë. Sipas tij, zhurma është krijuar pikërisht nga këta avionë u dëgjuan zhurmat. Ai pranoi se fenomeni "boom sonic" ndodh kur shpejtësia e avionëvë tejkalon shpejtësinë e zërit.
Edhe Ministria e Mbrojtjes konfirmon se nuk ka shpërthim real dhe as stërvitje ushtarake, por bëhet fjalë për zhurmën e shkaktuar nga shpejtësia e lëvizjes së avionëve të NATO.
MINISTRIA E MBROJTJES: BOOMI SONIC NGA 2 AVIONE TE NATOS
Ora 17:56- Në lidhje me ngjarjen Ministria e Mbrojtjes sqaroi se gjithçka ka ndodhur kur 2 avionë luftarakë F16 ndoqën një avion boing komercial i cili humbi për disa momente kontaktin me qendrat e kontrollit ajror.
“Një avion boing komercial i cili udhëtonte nga një kryeqytet europian në drejtim të kontinentit Afrikan humbi për disa momente kontaktin me qendrat e kontrollit ajror.
Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë, vendet fqinjë anëtare të NATO-s bëjnë policimin ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë. Mospërgjigjia e këtij avioni, kur ai ndodhej në afërsi të hapsirës ajrore shqiptare, vuri në gatishmëri një ndër bazat e NATO, prej të cilës u ngrit në ndjekje një çift avionesh luftarakë F16.
Avionët luftarakë eskortuan për 10 minuta avionin në fjalë, deri në 8 milje në jug të kufirit Shqiptar me Greqinë. Avionët F16, gjatë kësaj manovre, megjithëse mbi ujëra ndërkombëtare rreth 20 milje larg bregdetit shqiptar, për shkak të shpejtësisë mbi kufirin zanor kanë krijuar “boom-in” sonik, të konsideruar nga banorët si shpërthim”, thuhet në sqarimin e MM-së.
DËSHMITAR, FIZIKANTI ENKELEJD CACA: DY AVIONË GJUAJTËS NDIQNIN NJË TJETËR
Ora 17:18- Fizikanti Enkelejd Caca në një komunikim me News 24 sqaron se ka qenë vetë dëshmitar. Ai thotë se ka parë dy avionë gjuajtës që ndiqnin një tjetër.
“Pashë që dy avionë nuk ishin në kurs me avionin e tretë. Dy avionët gjuajtës iu afruan një avioni më të madh me 4 motorë”.
ISH-PILOTI: KUR AVIONI KALON SHPEJTËSINË E ZËRIT DËGJOHET SI SHPËRTHIM
Ora 17:00- Ish-piloti ushtarak Ahmet Sulejmani, në një komunikim telefonik në “News24” sqaroi se kur avionët kalojnë shpejtësinë e zërit dëgjohet një zhurmë e ngjashme me një shpërthim. Sipas Sulejmanit, kur kjo shpejtësi tejkalohet pranë zonave të banuara shkakton alarmim dhe madje deri në thyerje të xhamave.
“Ky proces njihet në aviacionin luftarak është fjala për avionët që kalojnë shpejtësinë e zërit, në këtë moment shpjegohet fizikisht një zhurmë e tillë. Lejohet në zona të caktuara dhe hapësira të caktuara që të mos ketë shqetësim në zonat e banuara. Kur ky veprim është kryer në thyerje të rregullave ka patur alarmim të banorëve dhe thyerje të xhamave. Sa më pranë qendrave të banuara të jetë as më shumë dëgjohet dhe aq më shumë pasoja ka. Nuk është zhurmë por krismë, zhurma e krisjes e shpërthimit jep këtë tronditje të madhe akustike. Ndodh në momentin që avioni kalon shpejtësinë e zërit. Çdo avion kur kalon shpejtësinë e zërit ka shpërthim të tillë. “- deklaroi Suljemani.
KAPITENIERIA DURRËS: NUK KEMI NJOFTIM PËR STËRVITJE TË NATO-S
Ora 16:22- Ndërkohë për ngjarjen ka folur edhe kapitaneria e Durrësit, Sipas kapitenit të porteve, Hysni Aruçi nuk ka pasur asnjë njoftim se NATO-s se po kryen stërvitje.
VIJON
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/...eo-215628.html
Krijoni Kontakt