Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Irenna
    Anëtarësuar
    24-01-2014
    Vendndodhja
    Durres
    Postime
    232

    SHPJEGIMI I BESORES - Biri i Perëndisë

    Besoj.... Jisu Krishtin - Birin e Perëndisë, të Vetëmlindurin

    Jisui është një me Perëndinë, si Biri i Tij i vetëmlindur. Kjo u formulua nga etërit e shenjtë të Sinodit të Nikeas si më poshtë:
    "...dhe në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha..."

    Këto rreshta flasin për Birin e Perëndisë, të quajtur gjithashtu Fjala (ose Logos) e Perëndisë, përpara lindjes së tij në mish njerëzor prej Virgjëreshës Maria në Bethlehem. Ka vetëm një Bir të Perëndisë të përjetshëm. Ai është quajtur i Vetëmlindur, që do të thotë i vetmi i lindur nga Perëndia Atë. I Lindur ka kuptimin jo i krijuar. Biri i Perëndisë ka lindur prej Atit "përpara gjithë shekujve", d.m.th. përpara krijimit, përpara fillimit të kohës. Koha filloi me krijimin. Perëndia ekziston përpara kohës, në një ekzistencë të përjetshme, të pakohë, pa fillim dhe pa fund. Përjetësi, si fjalë nuk do të thotë një kohë pa fund, por do të thotë gjendje pa kohë - jo të kaluar ose të ardhshme, por vetëm një të tashme të vazhdueshme. Për Perëndinë nuk ka të kaluar apo të ardhshme. Për Perëndinë, gjithçka është tani.

    * * *

    Në të përjetshmen "tani" të Perëndisë, përpara krijimit të botës, Perëndia Atë lindi Birin e Tij të vetëmlindur, në një lindje që mund të emërtohet e përjetshme dhe pa kohë. Kjo do të thotë që ndonëse Biri ka "lindur prej Atit", lindja e tij është e përjetshme. Kështu, kurrë nuk ka patur një "kohë" kur nuk ka qenë Biri i Perëndisë. Heretiku Arios, pikërisht këtë thoshte, që ka patur një kohë që Biri nuk ka qenë. Mësimi i tij u dënua në Sinodin e Parë Ekumenik. Ndonëse i lindur nga Ati dhe e ka origjinën në Të, Biri i vetëmlindur gjithmonë ka ekzistuar, ose për ta shprehur më mirë "ekziston" gjithmonë si i pakrijuar, i përjetshëm dhe hyjnor. Kështu thotë Ungjilli i Shën Joanit: Në fillim ishte Fjala (Logos - Biri) dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi (Joani 1:1).
    Si i lindur i përjetshëm i Perëndisë dhe gjithmonë ekzistues me Atin në "lindjen e pa kohë", Biri i Perëndisë është me të vërtetë "Dritë prej Drite, Perëndi i Vërtetë prej Perëndie të Vërtetë". Sepse Perëndia është Dritë dhe çfarë ka lindur prej Tij duhet të jetë Dritë. Dhe Perëndia është Perëndi i Vërtetë dhe çfarë ka lindur prej Tij duhet të jetë Perëndi i Vërtetë. Ne e dimë nga rendi i gjërave të krijuara që çfarë është lindur duhet të jetë thelbësisht i njëjtë me atë që e ka lindur. Nëse një vjen nga një qenie, duhet të jetë e njëjta gjë. Kurrë nuk mund të jetë një gjë tjetër. Kështu, njerëzit lindin njerëz, zogjtë lindin zogj, peshqit peshq dhe lulet lindin lule. Kështu, Biri i lindur prej Atit, prej qenies hyjnore të përsosur, është krejtësisht si Ati, në të gjitha; me përjashtim të faktit që është lindur prej Atit dhe është Biri.
    Nëse Ati është hyjnor dhe përjetësisht i përsosur, i vërtetë, i ditur, i mirë, i dashur dhe gjithçka tjetër që ne dimë, se Perëndia është "i papërshkruar, i pakuptuar, i padukur, që egziston gjithmonë dhe përjetësisht i njëjti" (duke cituar Meshën), atëherë edhe Biri duhet të jetë i tillë në tërë këto gjëra. Një shenjt i Kishës thoshte "të thuash që çfarë është lindur nga Perëndia është më pak se Perëndia, do të thotë të mos nderosh Perëndinë". Biri është"i lindur jo i bërë, që ka të qenët një me Atin". "I lindur jo i bërë" mund të thuhet gjithashtu, "i lindur jo i krijuar". Gjithçka që ekziston, përveç Perëndisë, është krijuar prej Tij: të gjithë gjërat e dukshme dhe të padukshme. Por Biri i Perëndisë nuk është një krijesë. Ai nuk u krijua ose u bë nga Perëndia. Ai u lind, doli prej vetë qenies dhe natyrës së Atit.
    Sipas kuptimit orthodhoks të zbulesës hyjnore, i përket vetë natyrës së Perëndisë - Perëndisë si Perëndi - që Perëndia është një Atë i përjetshëm nga natyra, dhe Ai do të ketë gjithmonë me Vete Birin e Tij të përjetshëm dhe të pakrijuar. I përket vetë natyrës së Perëndisë që Ai të jetë një qenie e tillë, meqenëse Ai është hyjnor i vërtetë dhe i përsosur. I përket vetë natyrës së Perëndisë që Ai të mos jetë i vetëm i përjetshëm në hyjnishmërinë e Tij, por që qenia e Tij si Dashuri dhe Mirësi, duhet natyralisht "të derdhë vetveten" dhe "të riprodhojë vetveten" në lindjen e Birit hyjnor: "Birit të Dashurisë së Tij", siç e quan atë apostull Pavli (Kolosianët 1:13). Kështu është një abis ndërmjet të krijuarës dhe të pakrijuarës, ndërmjet Perëndisë dhe gjithçkaje tjetër që Perëndia bëri nga hiçi. Biri i Perëndisë, nuk u bë nga hiçi. Ai është lindur përjetësisht prej qenies hyjnore të Atit. Ai i përket "anës së Perëndisë".

    * * *

    Duke qenë i lindur dhe jo i bërë, Biri i Perëndisë është çfarë Perëndia është. Shprehja që ka të qenët një me Atin do të thotë thjesht këtë: çfarë Perëndia Atë është, ashtu është edhe Biri i Perëndisë. Çfarë është Ati ashtu është edhe Biri. Ati është hyjnor, Biri është hyjnor; Ati është i përjetshëm, Biri është i përjetshëm; Ati është i pakrijuar, Biri është gjithashtu i pakrijuar; Ati është Perëndi dhe Biri është Perëndi. Ky është kuptimi kur ne pohojmë e rrëfejmë "i vetëmlinduri Bir i Perëndisë... që ka të qenët një me Atin". Duke qenë gjithmonë me Atin, Biri gjithashtu ka një jetë, një vullnet, një fuqi dhe një veprim me Të. Gjithçka që Ati është dhe Biri është; kështu gjithçka që Ati bën, gjithashtu bën edhe Biri. Veprimi fillestar i Perëndisë jashtë ekzistencës së Tij hyjnore është veprimi i krijimit. Ati është krijuesi i qiellit dhe i dheut, i të gjithë dukurave dhe të padukurave. Dhe në veprimin e krijimit, ne pohojmë në Simbolin e Besimit, që Biri është ai "me anën e të cilit u bënë të gjitha".
    Biri vepron në Krijimin, si përmbushësi i dëshirës së Atit. Veprimi hyjnor i krijimit - dhe me të vërtetë, çdo veprim drejt botës në zbulesën, shpëtimin dhe lavdërimin - është dëshiruar nga Ati dhe përmbushur nga Biri (ne do të flasim më poshtë për Shpirtin e Shenjtë) në një veprim hyjnor identik. Kështu, ne kemi në Gjenezën tregimin e krijimit të Perëndisë me anë të fjalës së Tij hyjnore ("Perëndia tha...") dhe në Ungjillin e Shën Joanit zbulesën e mëposhtme: "Ai (Fjala-Biri) ishte në fillim me Perëndinë (Atin); të gjitha gjërat u bënë me anë të tij dhe pa të nuk u bë asgjë që është bërë" (Joani 1:2-3).
    Kjo është gjithashtu dhe doktrina e apostull Pavlit: "...me anë të atij (Birit) u krijuan të gjitha, sa janë në qiejt dhe mbi dhe, të dukurat dhe të padukurat, a frone, a zotërime, a urdhëra, a pushtete - të gjitha janë krijuar me anë të atij dhe për atë. Ai është përpara të gjithave, dhe të gjitha me anë të atij qendrojnë" (Kolosianët 1:16-17). Kështu, Biri i përjetshëm i Perëndisë rrëfehet si ai "me anën e të cilit të gjitha u bënë" (Hebrejtë 1:2; 2:10; Romanët 11:36).

    * * *

    Simboli i Besimit vazhdon "...Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri...". Biri hyjnor i Perëndisë lindi në mish njerëzor për shpëtimin e botës. Kjo është doktrina qendrore e Besimit të Krishterë Orthodhoks; tërë jeta e të krishterëve mbështetet mbi këtë fakt. Simboli i Besimit thekson që Biri i Perëndisë erdhi"për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë". Kjo është doktrina biblike më qendrore, që “Perëndia kaq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16, cituar në çdo Meshë Hyjnore në qendër të lutjes eukaristike).
    Për shkak të dashurisë së Tij të përsosur, Perëndia dërgoi Birin e Tij në botë. Perëndia e dinte qysh në krijimin, që të kesh një botë ajo do të kërkojë mishërimin e Birit të tij në mish njerëzor. Mishërimi si fjalë do të thotë të marrësh tërësinë e natyrës njerëzore, trupin dhe shpirtin. "Edhe Fjala u bë mish, edhe ndenji ndër ne (edhe pamë lavdin' e ati, lavdi porsi të vetëmlinduri prej Atit), plot me hir e me të vërtetë... Edhe të gjithë ne muarrmë prej plotësisë së tij, hir përmbi hir" (Joani 1:14-16).

    * * *

    Zbriti prej Qiejve. . . Pohimi që Biri "zbriti prej qiejve dhe u mishërua", nuk do të thotë që Ai ishte diku "atje lart" në univers dhe pastaj zbriti në planetin tokë. "Zbriti prej qiejve" është një shprehje biblike për të thënë që Biri i Perëndisë erdhi prej ekzistencës hyjnore që është krejtësisht "tjetër", jashtë kufijve të hapësirës dhe kohës. Nuk duhet të harrojmë karakterin simbolik të të gjitha fjalëve dhe pohimeve tona rreth Perëndisë. Pohimi që Biri "zbriti prej qiejve", gjithashtu, nuk duhet të interpretohet në kuptimin që përpara mishërimit Biri i Perëndisë mungonte krejtësisht nga bota. Biri i Perëndisë ishte gjithmonë "në botë" sepse "bota u bë me anën e atij"(Joani 1:10). Ai ishte gjithmonë i pranishëm në botë, sepse Ai personalisht është jeta dhe drita e njeriut (1 Joani 4).
    Çdo njeri, si "i krijuar në shembëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë" - vetëm duke qenë njeri - është një pasqyrim i Birit hyjnor, i Cili është Vetë shëmbëlltyra e pakrijuar e Perëndisë (Kolosianët 1:15; Hebrejtë 1:3). Kështu, Biri ose Fjala, ose Shembëlltyra (Imazhi), ose Rrezatimi i Perëndisë, siç quhet Ai në Shkrimin e Shenjtë, ishte gjithmonë "në botë" duke qenë gjithmonë i pranishëm në çdo "shembëlltyrë të krijuar" të tij, jo vetëm si krijuesi i tyre, por që tërë krijesat janë krijuar që të marrin pjesë në qenien e tij dhe ta pasqyrojnë atë. Kështu, në mishërimin e tij, Biri vjen personalisht në botë dhe bëhet Vetë njeri. Por edhe përpara mishërimit, Ai ishte gjithmonë në botë nëpërmjet pranisë dhe fuqisë së veprimit të tij krijues në krijesat e tij, veçanërisht tek njeriu.

    * * *

    Për më tepër, doktrina orthodhokse i sheh shfaqjet e Perëndisë tek shenjtorët e Dhiatës së Vjetër, të ashtuquajtura theofaní (që do të thotë shfaqje hyjnore), si shfaqje të Atit, nëpërmjet, dhe në Birin e tij ose Logos. Kështu, për shembull, shfaqjet tek Moisiu, Ilia (Elia) ose Isaia janë ndërmjetuar prej Birit hyjnor dhe të pakrijuar të Perëndisë. Gjithashtu doktrina orthodhokse na mëson, që Fjala e Perëndisë, e cila erdhi tek profetët dhe shenjtorët e Dhiatës së Vjetër, si dhe fjalët e Ligjit të Dhiatës së Vjetër së Moisiut, që në hebraishte quhen "fjalët" dhe jo si në shqip "urdhërimet", janë gjithashtu zbulesa të Perëndisë me anë të Birit të Tij, Fjalës hyjnore. Kështu, për shembull, ne kemi dëshmi në Dhiatën e Vjetër për zbulesën e Fjalës së Perëndisë, si ajo tek Profeti Isaia, pothuaj në të njëjtën formë personale si në Ungjillin e krishterë: Ashtu si shiu dhe bora që zbresin nga qielli dhe nuk kthehen më atje, por bëhen ujë në tokë, duke e bërë atë të japë prodhime, duke dhënë farë tek mbjellësi dhe bukë tek ngrënësi, kështu dhe fjala që del nga goja ime; nuk do të kthehet e zbrazët, por do të kryejë atë që unë mendoj, dhe do të lulëzoj në gjërat për të cilat e dërgova (Isaia 55:10-11).
    Kështu, përpara lindjes së Tij personale si njeri prej Virgjëreshës Mari, Jisui, Biri hyjnor dhe Fjala e Perëndisë ishte në botë nëpërmjet pranisë dhe veprimit të Tij në krijimin, veçanërisht në njeriun. Ai ishte i pranishëm dhe aktiv; gjithashtu në theofanitë e shenjtorëve të Dhiatës së Vjetër; dhe në fjalët e ligjit dhe të profetëve, në shkrimet dhe në traditën gojore.






    Emri:  10590600_354583334716691_3088704338077242756_n.jpg

Shikime: 820

Madhësia:  86.4 KB
    Vetem Perendia nuk do te tradhetoje,vetem Perendia mund te te shpetoje. <3

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Irenna për postimin:

    user010 (14-10-2014)

  3. #2
    i/e regjistruar Maska e Irenna
    Anëtarësuar
    24-01-2014
    Vendndodhja
    Durres
    Postime
    232

    Për: SHPJEGIMI I BESORES - Biri i Perëndisë

    SHPJEGIMI I BESORES - Çlirimi - a) Dhe u kryqëzua për ne...

    Dhe u kryqëzua për ne, në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi dhe u varros.

    Ndonëse Jisui nuk mëkatoi dhe nuk duhej të pësonte dhe të vdiste, ai vullnetarisht mori mbi vete mëkatet e botës dhe vullnetarisht e dha veten në vuajtje dhe vdekje për hir të shpëtimit. Kjo ishte detyra e tij si Mesia-Shpëtimtar: "Fryma e Zotit është mbi mua, që të sjellë sihariq tek të vuajturit... për t’i dhënë kurajo zemërthyerve, për të shpallur çlirimin tek robërit, dhe për të hapur burgun e atyre që janë lidhur... për të ngushëlluar tërë ata që janë në zi... për t’u dhënë atyre një kurorë në vend të hirit e dheut, vajin e gëzimit në vend të vajtimit" (Isaia 61:1-3).
    Në të njëjtën kohë, Jisui duhet ta bënte këtë si shërbëtori i përvuajtur i Jahves-Perëndi. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjes, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona: por ne e konsideruam të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.
    I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. U soll për therje si dele. Dhe sikurse qengji i pafajshëm nuk nxjerr zë përpara atij që e qeth, kështu nuk e hapi gojën e tij. Me përuljen e tij, gjykimi i tij u ngrit. Po origjinën e tij kush do ta tregojë? Sepse ai u largua nga toka e të gjallëve dhe u godit për shkak të shkeljeve të popullit tim. Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, por kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante.
    Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t'i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetëve dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.
    Këto fjalë të profetit Isaia, të shkruara shekuj para lindjes së Jisuit, tregojnë historinë e misionit të tij mesianik. Ky mision filloi zyrtarisht para syve të të gjithëve, në pagëzimin nga Joani në Jordan. Duke e lejuar veten të pagëzohej me mëkatarët, ndonëse ai nuk kishte mëkat, Jisui tregoi që ai e pranon thirrjen e tij që të identifikohet me mëkatarët: "i Dashuri" i Atit dhe "Qengji i Perëndisë që ngre mëkatin e botës" (Joani 1:29; Mattheu 3:17). Jisui filloi të mësonte pikërisht në të njëjtën ditë kur nxënësit e tij e rrëfyen për herë të parë Mesia, "Krishti, Biri i Perëndisë së Gjallë." Jisui u tregon përnjëherë për misionin e tij për "të shkuar në Jerusalem, dhe të pësonte shumë ... edhe të vritet, edhe të tretën ditë të ngjallet" (Mattheu 16:16-23; Marku 8:29-33) apostujt shqetësohen shumë nga kjo. Jisui u tregon përnjëherë atyre hyjninë e tij duke u shpërfytyruar para tyre në mal, në lavdinë hyjnore, në prani të Moisiut dhe Elisë. Ai u thotë atyre përsëri: "Biri i Njeriut do të jepet në duart e njerëzve dhe ata do vrasin atë, edhe të tretën ditë do të ngjallet" (Mattheu 17:1-23; Marku 9:1-9).
    Fuqitë e së keqes, në fund, u shumuan kundër Krishtit: "Mbretërit e dheut u mblodhën së bashku kundër Zotit dhe Krishtit të Tij"(Psalmi 2:2). Ata po kërkonin shkaqe për ta vrarë atë. Akuza zyrtare ishte blasfemia, "sepse ti, ndonëse je njeri, e bën vetveten tënde Perëndi" (Joani 10:31-38). Por arsyet e thella ishin më personale: Jisui u tregoi njerëzve të vërtetën dhe zbuloi kokëfortësinë e tyre, marrëzinë e tyre, hipokrizinë e tyre dhe mëkatin e tyre. Për këtë arsye, çdo mëkatar, i rënduar nga mëkatet e tij dhe duke refuzuar të pendohet, dëshironte kryqëzimin e Krishtit.
    Vdekja e Krishtit erdhi nga duart e udhëheqësve politikë e fetarë të kohës së tij, me aprovimin e masës: kur Kaiafa ishte kryeprift, "nën Pontin Pilat." Ai "u kryqëzua për ne... dhe pësoi dhe u varros", që të ishte me ne në pësimet dhe vdekjet tona, të cilat ne i sollëm mbi vetet tona, për shkak të mëkateve tona: "Sepse paga e mëkatit është vdekje" (Romanët 6:23). Në këtë kuptim Apostulli Pavël shkruan për Krishtin që "u bë një mallkim për ne" (Galatianët 3:13), "Sepse Perëndia atë që s'njohu faj për ne e bëri të jetë faj, që të bëhemi ne drejtësia e Perëndisë me anë të atij" (2 Korinthianët 5:21).
    Pësimi dhe vdekja e Krishtit në bindjen ndaj Atit, zbulon dashurinë hyjnore të mbibollshme të Perëndisë për krijimin e tij. Sepse kur gjithçka ishte mëkat, mallkim dhe vdekje, Krishti u bë mëkat, mallkim dhe vdekje për ne - ndonëse ai kurrë nuk pushoi së qenuri drejtësia, bekimi dhe jeta e Vetë Perëndisë. Në këtë thellësi, që më thellë nuk mund të zbulohet apo imagjinohet, Krishti e përuli vetveten "për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë". Sepse duke qenë Perëndi, ai u bë njeri; dhe duke qenë njeri, ai u bë një shërbëtor; dhe duke qenë një shërbëtor, ai u bë i vdekur dhe jo vetëm i vdekur, por i vdekur në kryq. Nga ulja më e thellë e Perëndisë rrjedh lartësimi i përjetshëm i njeriut. Kjo është doktrina qendrore e besimit të krishterë orthodhoks e shprehur në mënyra të ndryshme gjatë historisë së Kishës Orthodhokse. Kjo është doktrina e Çlirimit (e Shpengimit, Shpëtimit, Shpërblimit) - sepse ne jemi shpërblyer, d.m.th. "blerë me një çmim", çmimin e madh të gjakut të Krishtit (Veprat 20:28; 1 Korinthianët 6:20).
    "Edhe le të jetë mbi ju po ajo mendje që ishte edhe mbi Jisu Krishtin; I cili duke qenë në formë të Perëndisë, nuk e numëroj për rrëmbim të qenurit si një me një me Perëndinë, Po zbrazi veten e tij edhe mori formë shërbëtori, e u bë porsi njerëzit në ngjashmëri; Edhe duke u gjendur në formë porsi njeri, e përunji veten e tij, e u bë i bindur gjer në vdekje, edhe vdekje kryqi. Prandaj dhe Perëndia e lartoj fort tepër, edhe i fali atij një emër që është përmbi çdo emër; Që në emrin e Jisuit të ulet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhet e nën dhet, Edhe çdo gjuhë të rrëfej se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë" (Filipianët 2:5-11).
    Në veprimin çlirues dhe shpëtimtar të Krishtit, është bërë diçka tradicionale të theksohen tri aspekte, të cilat në realitet nuk janë të ndara dhe nuk mund të jenë; por në teori (d.m.th. në vizionin e veprimit dhe qenies së Krishtit si Shpëtimtar i botës) mund të dallohen. I pari nga këto tri aspekte të veprës çliruese të Krishtit, është fakti që Jisui e shpëton njerëzimin duke i siguruar imazhin e përsosur dhe shembullin e jetës njerëzore, të mbushur me hirin dhe fuqinë e Perëndisë.

    Emri:  10343665_357405161101175_3612369513367040520_n.jpg

Shikime: 106

Madhësia:  67.1 KB
    Vetem Perendia nuk do te tradhetoje,vetem Perendia mund te te shpetoje. <3

  4. #3
    i/e regjistruar Maska e Irenna
    Anëtarësuar
    24-01-2014
    Vendndodhja
    Durres
    Postime
    232

    Për: SHPJEGIMI I BESORES - Biri i Perëndisë

    SHPJEGIMI I BESORES - Çlirimi - b) Jisui, Shembëlltyra e përsosur e jetës njerëzore

    Çlirimi - b) Jisui, Shembëlltyra e përsosur e jetës njerëzore

    ... Dhe u kryqëzua për ne, në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi dhe u varros.

    Krishti është Fjala e mishëruar e Perëndisë. Ai është Mësuesi i dërguar nga Perëndia në botë. Ai është trupëzimi i Vetë Perëndisë në formë njerëzore. Ai është "shembëllesa e Perëndisë së padukur" (Kolosianët 1:15). Në Atë "rri gjithë të mbushurit e hyjnisë trupërisht"(Kolosianët 2:9). Personi që sheh Jisuin sheh Perëndinë Atë (Joani 14:9). Ai është "paqyrimi i lavdisë së Perëndisë dhe shpreh vulën e qenies së Tij" (Hebrenjtë 1:3). Ai është "Drita e botës", që "ndriçon çdo njeri... që vjen në botë" (Joani 8:12, 1:9). Të jesh i shpëtuar prej Jisu Krishtit, para së gjithash, duhet të jesh i ndriçuar prej Tij; ta shohësh Atë si Dritë, dhe të shohësh çdo gjë nën dritën e Tij. Ta njohësh Atë si "E Vërteta" (Joani 14:6); dhe të njohësh të vërtetën në Atë. "Edhe do të njihni të vërtetën, edhe e vërteta do t'ju lirojë juve" (Joani 8:31).

    Kur dikush është shpëtuar prej Perëndisë në Krishtin, ai njeh të vërtetën duke plotësuar dëshirën e Perëndisë për krijesat e Tij, sepse"Perëndia Shpëtimtari ynë... dëshiron të shpëtohen të gjithë njerëzit, dhe të njohin të vërtetën" (1 Timotheu 2:4). Duke shpëtuar botën e Perëndisë, Jisu Krishti ndriçon krijesat e Perëndisë me anë të Shpirtit të Shenjtë, Shpirtit të Perëndisë që është Shpirti i së Vërtetës që buron prej Atit dhe është dërguar në botë nëpërmjet Krishtit. "Nëse më doni, ruani porosit e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit, dhe Ai do t'ju japë një tjetër Ngushëllimtar, që të mbetet bashkë me ju përjetë, Frymën e së Vërtetës, të cilën bota s'munt ta marrë, sepse nuk e sheh, as nuk e njeh; po ju e njihni, sepse banon me ju, edhe do të jetë me ju" (Joani 14:15-17). "Po kur do të vijë Ngushëllimtari, të cilin do t'ja dërgoj unë juve prej Atit, Fryma e së Vërtetës, që del nga Ati, do të dëshmoj për mua (Joani 15:26). Po kur të vijë Fryma e së Vërtetës, do t'ju udhëheqë juve në të vërtetën" (Joani 16:13).

    Kështu, aspekti i parë i shpëtimit në Krishtin është të ndriçohesh prej Atij dhe të njohësh të vërtetën rreth Perëndisë dhe njeriut, me anë të udhëheqjes së Shpirtit të Shenjtë, Shpirtit të së Vërtetës, të cilin Perëndia e jep nëpërmjet Atij tek ata që besojnë.

    Kjo dëshmohet në shkrimet apostolike të Shën Joanit dhe të Shën Pavlit: "Edhe ne s'kemi marrë frymën e botës, por Frymën që është nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar nga Perëndia. Për këto edhe flasim, jo me fjalë të mësuara prej diturisë së njerëzve, por me fjalë të mësuara prej Frymës së Shenjtë, duke barazuar punët shpirtërore me punët shpirtërore... Sepse cili njohu mendjen e Zotit, që ta mësojë Atë? Po neve kemi mendje Krishti" (1 Korinthianët 2:12-16).

    "Duke bërë që ne të njohim misterin e dashurisë së tij, pas pëlqimit të tij, që e pat vënë ndër mend me veten e tij, që në të mbushurit e kohës, të përmbledhi të gjitha në Krishtin, edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë në tokë. [...] Mua... m'u dha ky hir... që t’i ndriçoj të gjithë, që të dinë çfarë është të pasurit pjesë në misterin fshehur prej jetëve te Perëndia... që të njihet me anë të kishës dituria e pafund e Perëndisë..." (Efesianët 1:9-10; 3:9-10).

    "Sepse dua... që të ngushëllohen zemrat e atyre, duke u bashkuar në dashuri, edhe mbi çdo farë pasjeje të kuptimit të mbaruar, që të njohin misterin e Perëndisë Atit dhe të Krishtit; Tek i cili janë fshehur gjithë thesaret e urtësisë dhe të diturisë" (Kolosianët 2:1-3).

    "Edhe ju jeni të lyer prej Shenjtit, edhe i dini të gjitha. Nuk ju shkrova juve sepse nuk dini të vërtetën, por sepse e dini, edhe sepse çdo gënjeshtër nuk është nga e vërteta. [...] ...Edhe të lyerit që muarët nga Ai mbetet në ju, edhe s'keni nevojë t’u mësojë juve ndonjë; sikundër të lyerit ju mëson juve për të gjitha, dhe është e vërtetë, edhe nuk është gënjeshtër, edhe sikundër u mësoj juve do të mbeteni në atë. [...] Edhe nga kjo e njohim se mbetet ndër ne, nga Fryma që na u dha." (1 Joani 2:20-27; 3:24).

    Prandaj, aspekti i parë i shpëtimit të njeriut në Krishtin, është aftësia dhe fuqia për të parë, njohur, besuar dhe dashur të vërtetën e Perëndisë në Krishtin, i cili është e Vërteta, me anë të Shpirtit të së Vërtetës. Kjo është dhurata e njohurisë dhe diturisë, e ndriçimit dhe e pastrimit. Ky është kushti i të qenurit i "mësuar prej Perëndisë", siç u paratha nga profetët dhe u përmbush nga Krishti (Isaia 54:13; Jeremia 31:33-34; Joani 6:15). Kështu, në Kishën Orthodhokse, hyrja në jetën shpëtimtare të Kishës, nëpërmjet Pagëzimit dhe Mirosjes, është quajtur "ndriçimi i shenjtë". "Sepse Perëndia që tha 'le të ndriçojë drita në errësirë', është Ai që ndriçoi zemrat tona për të dhënë të ndriturit e të njohurit e lavdisë së Perëndisë në faqen e Jisu Krishtit" (2 Korinthianët 4:6).


    Emri:  10696190_357972964377728_2893602381855550923_n.jpg

Shikime: 112

Madhësia:  89.1 KB
    Vetem Perendia nuk do te tradhetoje,vetem Perendia mund te te shpetoje. <3

  5. #4
    i/e regjistruar Maska e Irenna
    Anëtarësuar
    24-01-2014
    Vendndodhja
    Durres
    Postime
    232

    Për: SHPJEGIMI I BESORES - Biri i Perëndisë

    SHPJEGIMI I BESORES - Çlirimi - c) Jisui, Pajtuesi i njeriut me Perëndinë

    Çlirimi - c) Jisui, Pajtuesi i njeriut me Perëndinë

    ... Dhe u kryqëzua për ne, në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi dhe u varros.

    Aspekti i dytë i aktit të pandarë të Krishtit, në shpëtimin e njeriut, është kryerja e pajtimit të njeriut me Perëndinë Atë, nëpërmjet faljes së mëkateve. Ky është çlirimi dhe pajtimi, shpengimi prej dënimit të shkaktuar nga mëkati.

    "Sepse kur ishim ne të sëmurë, Krishti vdiq në kohën që ishte urdhëruar për të pabesët. Sepse vështirë për njeri të drejtë dikush do të vdesë; sepse për të mirin mbase edhe guxon ndonjë të vdesë. Po Perëndia tregon dashurinë e Tij mbi ne, sepse tek ishim fajtorë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër pra si dolëm të drejtë tani me anë të gjakut të tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Sepse nëqoftëse kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të Tij, shumë më tepër pasi u pajtuam do të shpëtojmë me anë të jetës së tij. Edhe jo vetëm këtë, po edhe mburremi në Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të cilit morëm tani pajtimin" (Romanët 5:6-11).

    "Prandaj, nëse ndonjë është në Krishtin, ky është krijesë e re, të vjetrat shkuan, ja tek u bënë të gjitha të reja. E gjithë kjo është nga Perëndia, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit dhe na dha shërbesën e pajtimit; Do me thënë Perëndia ishte në Krishtin, duke pajtuar botën me veten e tij, pa iu numëruar atyre fajet e tyre; edhe vuri ndër ne fjalën e të pajtuarit" (2 Korinthianët 5:17-19). Falja e mëkateve është një nga shenjat e ardhjes së Krishtit, Mesias. Kjo ishte parathënë në Dhiatën e Vjetër: "...ata të gjithë do të më njohin, nga më i madhi deri tek më i vogli, thotë Zoti; sepse unë do e fal padrejtësinë e tyre, dhe nuk do e kujtoj më mëkatin e tyre" (Jeremia 31:34).

    "Krishti është Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës, Qengji që është therur, që nëpërmjet Atij të faleshin të gjitha mëkatet. Ai është gjithashtu kryeprifti, që blaton blatën e përsosur me anë të së cilës njeriu është pastruar prej mëkateve të tij dhe është larë prej padrejtësive të tij. Jisui blaton, si kryeprift, blatën e përsosur të vetë jetës së Tij, vetë trupin e Tij, si Qengji i Perëndisë në drurin e kryqit. Sepse për këtë u thirrët, sepse edhe Krishti pësoi për ju, e u la juve një shembull, që të ecni pas gjurmëve të tij; I cili 'nuk bëri faj, as u gjend kobim në gojën e tij'. I cili kur përqeshej nuk përqeshte, kur pësonte nuk kërcënonte, po e jepte veten e tij në dorë të atij që gjykon me të drejtë; I cili vetë mbajti fajet tona në trup të tij mbi dru, që si të vdesim në fajet, të rrojmë në drejtësi; 'me plagën e tij u shëruat'. Sepse ishit 'si dhen të arratisura'; po tani u kthyet tek Bariu dhe tek Peshkopi i shpirtrave tuaj" (1 Pietri 2: 21-25).

    Blatimi dhe flijimi kryepriftëror i Birit të Perëndisë tek Ati i Tij i përjetshëm përshkruhet me detaje në Letrën e Hebrejve. "Në ditët e mishit të Tij, Jisui pasi pruri të falura dhe të lutura, me klithmë të fortë dhe me lot tek Ai që mund ta shpëtonte Atë nga vdekja, edhe u dëgjua për të druajturit e Tij nga Perëndia. Ndonëse ishte Bir, Ai mësoi nga ato që pësoi të jetë i bindur, edhe si u bë i përsosur u bë burim për shpëtim të përjetshëm për të gjithë ata që i binden Atij, duke qenë i quajtur nga Perëndia kryeprift pas urdhërit të Melkisedekut" (Hebrenjtë 5:7-10).

    "Por si erdhi Krishti, kryeprifti i të mirave që kanë për të ardhur me anë të më së madhes e më të mbaruarës tendë, që s'është bërë me dorë (d.m.th. në prani të Perëndisë) ...po me anë të gjakut të tij hyri një herë e përgjithmonë në Shenjtoren e Shenjtëroreve, duke siguruar kështu një shpengim të përjetshëm. Sepse nëqoftëse gjaku i demave e i cjepve, edhe hiri i mëshqerës që spërkat të ndyrët shenjtëron për pastrimin e mishit, Sa më tepër gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së përjetshme pruri veten e tij për flijim të pa njollë te Perëndia, do të pastroj ndërgjegjen tuaj nga punëra të vdekura, që t’i shërbeni Perëndisë së gjallë. Prandaj është ndërmjetës i një dhiate të re, që me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e të shkelurit të porosive në kohën e dhiatës së parë, të marin ata që janë thirrur zotimin e trashëgimit të përjetshëm" (Hebrenjtë 9:11-15).

    Sipas Shkrimeve, mëkatet e njeriut dhe të gjithë botës janë falur nga flijimi i Krishtit, nga blatimi i jetës së Tij - trupi i Tij dhe gjaku i Tij, i cili është "gjaku i Perëndisë" (Veprat 20:28) - në kryq. Ky është "çlirimi", "shpërblimi", "shlyerja", "pajtimi", për të cilat flitet shpesh në Shkrimin e Shenjtë. Krishti "pagoi çmimin" që ishte i nevojshëm për t’u paguar, që bota të falej dhe të pastrohej nga të gjitha padrejtësitë dhe mëkatet (1 Korinthianët 6:20; 7:23).

    Në historinë e doktrinës së krishterë ka patur një debat të madh rreth problemit se kujt "i pagoi çmimin" Krishti për çlirimin e botës dhe për shpëtimin e njerëzimit.
    Disa thanë se "pagesa" iu bë djallit. Kjo është pikëpamja që djalli ka disa të "drejta" mbi njeriun dhe botën për shkak të mëkatit të njeriut. Në rebelimin e tij kundër Perëndisë, njeriu e "shiti veten tek djalli", duke e lejuar kështu të Ligun të bëhet "princi i kësaj bote" (Joani 12:31). Krishti erdhi t’i paguajë borxhin djallit dhe të çlirojë njeriun nga robëria e tij me anë të flijimit të Tij në kryq.
    Të tjerë thanë se “pagesa” e Krishtit për njerëzit iu bë Perëndisë Atit. Kjo është pikëpamja që e interpreton vdekjen flijimore të Krishtit në kryq, si pagesa e duhur për të zbutur zemërimin e Perëndisë ndaj racës njerëzore. Perëndia ishte fyer nga mëkati i njeriut. Ligji i Tij ishte shkelur dhe drejtësia e Tij ishte fyer. Njeriu duhej të paguante dënimin për mëkatin e tij duke paguar dënimin e duhur. Por asnjë pagesë njerëzore nuk mund ta përmbushte drejtësinë e Perëndisë, sepse drejtësia e Tij është hyjnore. Kështu, Biri i Perëndisë duhej të lindte në botë dhe të merrte dënimin që duhej të paguhej nga njerëzit. Ai duhej të vdiste, që Perëndia të merrte pajtimin e duhur për fyerjen e njeriut ndaj Tij. Krishti dha veten e Tij për ne dhe vdiq për mëkatet tona, duke dhënë gjakun e Tij, si një flijim pajtues për mëkatet e botës. Duke vdekur në kryq, në vend të njeriut mëkatar, Krishti pagoi çmimin e plotë për mëkatet e njeriut. Fyerja e njeriut u shlye dhe bota u pajtua me Krijuesin e saj.
    Duke komentuar se kujt "i pagoi çmimin" Krishti për shpëtimin e njeriut, Shën Grigor Theologu, në shekullin IV, shkroi sa më poshtë në Ligjërimin e dytë të Pashkës:
    "Tani do të shqyrtojmë një tjetër fakt dhe dogmë, harruar nga pjesa më e madhe, por sipas mendimit tim ia vlen të shqyrtohet. Kujt iu ofrua ky Gjak i blatuar që u derdh për ne, dhe përse u Ai derdh? Dua të them Gjaku i çmuar i Perëndisë tonë dhe Kryepriftit tonë dhe Flijimit tonë.
    Ne ishim mbajtur në robëri nga i Ligu, të shitur nën mëkatin, dhe duke marrë kënaqësi për dobësinë. Tani, meqenëse një pagesë i takon vetëm atij që mban në robëri, unë pyes kujt iu dha dhe përse? Nëse iu dha të Ligut, çfarë fyerje! Nëse grabitësi merr shpërblesën, jo vetëm prej Perëndisë, por një shpërblim që është Perëndia Vetë, dhe të ketë një pagesë të tillë të shkëlqyeshme për tiraninë e tij, atëherë do të ishte e drejtë për atë të na kishte lënë të gjithëve!
    Por, nëse tek Perëndia Atë, së pari unë pyes: Qysh? Sepse ne nuk ishim shtypur prej Tij. Dhe së dyti, në çfarë parimi Gjaku i Birit të Tij të vetëmlindur kënaqi Atin, i cili nuk pranoi madje Isakun, kur ai do të flijohej nga ati i tij, Abrahami, por e zëvendësoi flijimin me një dash në vend të flijimit njerëzor? (Gjeneza 22).
    A nuk është pra e qartë se Ati e pranoi Atë, po nuk e kërkoi Atë; por për hir të mishërimit, dhe meqenëse Njerishmëria mund të përmbushej nga Njerishmëria e Perëndisë, që Ai të mund të na dorëzonte Vetë, dhe të mundte tiranin (d.m.th. djallin) dhe të na tërhiqte tek Vetvetja me anë të ndërmjetimit të Birit të Tij, i cili gjithashtu e përgatiti këtë në nderim të Atit, dhe u bind në të gjitha."

    Në përgjithësi, në teologjinë orthodhokse mund të thuhet, se termat "pagesë" dhe "shpërblim" janë kuptuar më tepër në një mënyrë simbolike dhe metaforike, për të thënë që Krishti bëri gjithçka të nevojshme për të shpëtuar dhe çliruar njerëzimin e skllavëruar tek djalli, mëkati dhe vdekja, dhe nën zemërimin e Perëndisë.
    Ai nuk e "pagoi çmimin" në një kuptim legalistik, juridik apo ekonomik. Ai nuk e "pagoi çmimin" tek djalli, që i kishte fituar të drejtat mbi njeriun me mashtrim e tirani.
    Ai nuk e "pagoi çmimin" tek Perëndia Atë, në kuptimin që Perëndia zbutet me vuajtjen e Tij dhe merr "satisfaksionin" prej krijesave të Tij në Atë.
    Më mirë mund të themi që Ai e "pagoi çmimin" tek Vetë Realiteti. Ai e "pagoi çmimin" për të krijuar kushtet në dhe, nëpërmjet të cilave njeriu mund të merrte faljen e mëkateve dhe jetën e përjetshme, me anë të vdekjes dhe ngjalljes në Atë, në rinimin e jetës (Shih Romanët 5-8; Galatianët 2-4).
    Me anë të vdekjes në kryq dhe ngjalljes së vdekurësh, Jisu Krishti e pastroi botën prej mëkatit dhe së keqes. Ai e mundi djallin "në territorin e tij" dhe "në kushtet e tij". "Sepse paga e mëkatit është vdekja" (Romanët 6:23). Kështu, Biri i Perëndisë u bë njeri dhe mori mbi Vete mëkatet e botës dhe vdiq vullnetarisht.
    Me anë të vdekjes së Tij të pamëkatshme dhe të pafajshme të bërë krejtësisht nga vullneti i tij i lirë - dhe jo nga një nevojë fizike, morale apo juridike - Ai e bëri vdekjen të vdesë dhe të bëhet një burim dhe rrugë për jetën e përjetshme. Këtë këndon Kisha në të kremten e Ngjalljes, Pashkës së Re në Krishtin, Qengjit Paskal të ri, që u ngjall së vdekurësh: "Krishti u ngjall së vdekurësh, me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali!" (Tropari i Pashkës).

    Dhe ja se si lutet Kisha në Meshën Hyjnore të Shën Vasilit të Madh: "Po, meqënëse ishte Perëndi para jetëve, u duk mbi dhe, dhe u shoqërua me njerëzit; dhe duke u mishëruar prej Virgjëreshës së Shenjtë, e përuli veten dhe mori formë shërbëtori, duke u bërë një me formën e trupit tonë të përulur, që të na bëjë dhe ne njësoj me formën e ikonës (shembëllesës) së lavdisë së Tij. Sepse meqë mëkati erdhi në botë me anën e njeriut, dhe nga shkaku i mëkatit vdekja, prandaj dhe Biri yt i vetëmlindur që është në gjirin tënd, o Perëndi Atë, dhe që lindi prej gruaje, prej Hyjlindëses së Shenjtë dhe gjithmonë Virgjëreshës Mari, iu nënshtrua ligjit dhe denjoi të dënojë mëkatin në trupin e tij; në mënyrë që, ata që vdesin më Adamin, të ngjallen në vetë Krishtin tënd. Dhe duke jetuar në këtë botë, duke dhënë porosira shpëtimi, duke na larguar nga gënjeshtrat e idhujve, na solli në njohjen tënde, Perëndisë së vërtetë dhe Atit, dhe na bëri për veten e tij popull të zgjedhur, priftëri mbretërore, komb të shenjtë. Dhe duke na pastruar me ujë, dhe duke na shenjtëruar me Shpirtin e Shenjtë, dha veten këmbim te vdekja prej së cilës mbaheshim të shitur nga mëkati. Dhe duke zbritur me anën e kryqit në Ferr që të plotësojë tërë misionin e Tij, zhduku dhembjet e vdekjes; dhe pasi u ngjall të tretën ditë dhe i çeli çdo trupi rrugën e ngjalljes prej së vdekurish, meqë nuk ishte e mundur të zotërohej prej prishjes kryetari i jetës. Dhe u bë fillimi i të fjeturve, i paralinduri i të vdekurve, që të jetë Ai gjithçka, duke qenë i pari në të gjitha..." (Lutja Eukaristike e Meshës së Shën Vasilit).


    Emri:  10714134_358571224317902_4653523417338288311_o.jpg

Shikime: 99

Madhësia:  65.5 KB
    Vetem Perendia nuk do te tradhetoje,vetem Perendia mund te te shpetoje. <3

  6. #5
    i/e regjistruar Maska e user010
    Anëtarësuar
    21-05-2010
    Postime
    1,219

    Për: SHPJEGIMI I BESORES - Biri i Perëndisë

    Mbase e kam kuptuar gabim por kam degjuar se kuptimi i "vuajti per mekatet tona", eshte se ne kryq vuajti dhimbjen e te gjith njerzve qe nga fillimi i kohes, pra imagjino gjithe ata milona njerez, dhe shto dhimbjen e shkaktuar nga mekatet e tyre njekohesisht, eshte dicka e pa imagjinueshme.

    Pra po kam kuptuar sakt nuk behet fjal vetem per dhimbjen nga rrahja, gozhdet dhe nga plaga ne brinj, por behet fjal per dhimbjen e gjith njerzimit njekohesisht.

    Nje rob me zi sa mban dhimbjen e vet ne kurriz (ne shpyrt), pa le ti shtosh dhe dhimbjen e dikujt tjeter. Nuk di ca te them tjeter..

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •