Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    KLSH kallëzon drejtuesin e Albpetrol Endri Puka për një dëm $10 million USD

    Dëmi në Albpetrol nga 6 drejtues të kompanisë, mbi 9.7 milionë dollarë

    Përllogaritja – Detyrimi që ka një kompani koncesionare ndaj Albpetrol si pasojë e moslikuidimit të blerjes së karburantit arrin në rreth 9.1 milionë USD dhe penalitet mbi 640 mijë USD
    Shoqëria ARMO – Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se në të ardhurat e munguara përfshihet edhe detyrimi në vlerën 3,424,751,771 lekë që shoqëria ARMO i ka Albpetrol-it

    Raporti i KLSH

    KLSH kallëzon te Krimet e Rënda administratorin Endri Puka

    Kuvendi – KLSH do t’i propozojë Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për analizimin e situatës së krijuar ndër vite në Albpetrol

    Kallëzimi – Gjashtë personat e propozuar për shkarkim janë kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për tri vepra penale, që lidhen me korrupsionin

    Bledi Gilaj

    albpetroli-fier-2Zbardhet raporti i plotë i KLSH për shkeljet e konstatuara në kompaninë Albpetrol, ku dëmi i shkaktuar përllogaritet në 9.7 milionë dollarë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili deklaron se dëmi është shkaktuar nga 1 shtatori i vitit të kaluar deri më 30 qershor të këtij viti, ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë për Krimet e Rënda administratorin e Albpetrol, Endri Puka, i cili është emëruar në këtë detyrë që më 30 shtator të 2013-s.

    Në raportin e KLSH, i cili disponohet nga gazeta “Shqip” ka rezultuar se në total, shuma e të ardhurave të munguara të Albpetrol, si pasojë e detyrimeve që kompanitë koncesionare kanë ndaj kësaj shoqërie shkon në miliona dollarë. Këtu përfshihet edhe detyrimi që një kompani koncesionare ka ndaj Albpetrol si pasojë e moslikuidimit të blerjes së karburantit, në shumën rreth 9.1 milionë USD dhe penalitete mbi 640 mijë USD, për të cilat deri më 7 gusht të këtij viti, datë në të cilën ka përfunduar auditimi, Albpetrol dhe Avokatura e Shtetit nuk kanë bërë kërkesëpadi për vjeljen e këtij detyrimi.

    Gjithashtu, në të ardhurat e munguara përfshihet edhe detyrimi në vlerën 3,424,751,771 lekë që shoqëria ARMO i ka Albpetrol-it. Edhe për këtë detyrim, KLSH thotë se Albpetrol nuk kishte bërë padi në gjykatë, “por një ditë pas dorëzimit të procesverbalit të KLSH, Albpetrol-i i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke zbatuar një rekomandim të dhënë nga KLSH që më 6 shtator 2013, të cilin më parë e kishte zbatuar vetëm për interesat dhe jo për principalin”. KLSH vë në dukje se dëmi i vërtetë ekonomik do të përcaktohet nga ekspertë të fushës së naftës dhe të organeve hetimore, të cilët do të shqyrtojnë mënyrën e përcaktimit të çmimit të konvertimit nga Albpetrol, ndërkohë që në auditim janë konstatuar të paktën 16 shkelje të ndryshme.

    Funksionimi si agjent kompanish koncesionare

    Një nga shkeljet kryesore të vëna në dukje në raportin e KLSH-së është fakti se Albpetrol është drejtuar dhe ka funksionuar si një kompani shtetërore tërësisht në dobi të interesave të kompanive koncesionare private dhe interesave të drejtuesve më të lartë të saj, nëpërmjet shmangies nga vendimmarrja të Këshillit të Ministrave, Këshillit Mbikëqyrës, Drejtorisë së Auditit të Brendshëm dhe drejtorive të tjera të Albpetrol, si dhe krijimit e konsolidimit të strukturave paralele drejtuese në brendësi të shoqërisë. “Administratori i Albpetrol, Endri Puka, ka nënshkruar dy marrëveshje me të njëjtën kompani koncesionare, tërësisht në kundërshtim me procedurat e parashikuara dhe në tejkalim të plotë të kompetencave të tij. Dy marrëveshjet e datave 28 shkurt 2014 dhe 4 shkurt 2014, janë nënshkruar si shtesa të marrëveshjeve të mëparshme të hidrokarbureve dhe kishin si qëllim likuidimin e detyrimeve të ndërsjella që kompania dhe Albpetrol kishin ndaj njëra-tjetrës. Këto dy marrëveshje, Puka, jo vetëm nuk ia paraqiti për miratim Këshillit të Ministrave, por as Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrol, madje siç rezultoi nga auditimi në lidhje me to nuk kishin dijeni edhe një pjesë e strukturave dhe drejtuesve të kësaj shoqërie. Në to favorizohet haptazi kompania koncesionare, së cilës Albpetrol i jep mundësinë që detyrimet e saj për dorëzimin e naftës bruto të akumuluara ndër vite t’i shlyente duke paguar një vlerë të caktuar monetare, ndërsa sasinë e naftës që kjo kompani i kishte dhënë tepër Albpetrol-it në një nga puset që ajo kishte marrë me koncesion, ta merrte prej Albpetrol-it direkt e në vendburimin e naftës dhe jo në mënyrë të disiplinuar dhe kontrolluar nëpërmjet Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit, Patos. Me këto nënshkrime, administratori Puka ka marrë përsipër atributet e Këshillit të Ministrave, duke i ndryshuar termat e marrëveshjes bazë të hidrokarbureve, në dobi dhe favorizim të hapur të kompanisë koncesionare”, thuhet në raportin e KLSH, i cili evidenton se me këto marrëveshje janë shkaktuar miliona lekë dëm.

    Caktimi i çmimit të naftës arbitrarisht

    Po ashtu, në raport deklarohet se procedura e ndjekur nga administratori i Albpetrol, për konvertimin në vlerë monetare të sasisë së naftës bruto që kompania koncesionare i detyrohej asaj, ndonëse në pamje të parë duket si marrëveshje për shlyerje të detyrimeve, është në vetvete një akt i mirëfilltë shitjeje, ku kompanisë koncesionare i jepet e drejta që në njëfarë mënyre të blejë të gjithë sasinë që ajo i detyrohet Albpetrol, pa konkurruar në procedurat normale të ankandit dhe me një çmim për të cilin vetë palët bien dakord ndërmjet tyre. Në rast se kjo sasi nafte do të shitej nëpërmjet procedurave normale të ankandit, vlera monetare që do të përfitonte Albpetrol-i nga kjo shitje do të ishte shumë më e lartë sesa vlera e përllogaritur nga administratori në marrëveshjen e nënshkruar prej tij, madje ky çmim nuk i afrohet as çmimit me të cilin kompania koncesionare i ka shitur naftë Albpetrol-it në disa raste. Bazuar në llogaritjet e bëra nga Albpetrol, duke iu referuar çmimit mesatar të shitjes së naftës (73,96 USD/Barelë) nga kompania koncesionare te të tretët, detyrimi i kompanisë koncensionare prej 40,964.78 tonësh naftë do të konvertohej në 15,384,169 USD. Ndonëse administratori i Albpetrol-it nuk ka pasur asnjë kompetencë ligjore në drejtim të përcaktimit të kësaj vlere monetare, madje as të marrë si referencë mesataren e çmimit të shitjeve të kompanisë koncesionare, favorizimi i kompanisë koncesionare evidentohet haptazi edhe në mënyrën e kryerjes së përllogaritjeve të kësaj vlere nga Albpetrol. Duke zbritur nga vlera prej 73,96 USD/Barelë, çmimin e Rentës Minerare (10% të vlerës) si dhe kostot e transportit prej 9 USD/Barelë, çmimi mesatar neto i shitjes është 57,564 USD/Barelë. Por, siç rezultoi nga auditimi, Drejtoria e Shitjes dhe e Financës shprehet se “nisur nga të dhënat e disponueshme nga kontratat e transportit të naftës bruto, kostoja e transportit për USD/BBL për Albpetrol është 3,7 USD/BBL”. Ndryshimi i vlerës së transportit nga 3,7 në 9 USD/Barelë, është vendosur me propozim arbitrar të drejtorit të Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve në Albpetrol, Andi Derhemi, drejtuar administratorit të Albpetrol, tri ditë pasi është lidhur marrëveshja. Si rrjedhojë, vetëm si pasojë e kësaj rritje artificiale dhe të paargumentuar të kostove të transportit, kompania koncesionare ka përfituar 1,416,443 USD në dëm të interesave financiare të Albpetrol. Hetimi i thellë nga një grup ekspertësh të fushës, që do t’i bëhet mënyrës së përcaktimit të çmimit të konvertimit nga Albpetrol (data e shitjeve dhe e blerjeve, kuotimi në bursë, konvertimi nga ton në barel, etj.) do të vërtetojë edhe vlera të tjera të dëmit real në miliona euro, të shkaktuar në Buxhetin e Shtetit.

    Shlyerja e detyrimit direkt te burimi i naftës

    Për sa i përket marrëveshjes tjetër të datës 4 prill 2014, të nënshkruar me po të njëjtën kompani koncesionare, administratori Puka ka vendosur që ta favorizojë kompaninë koncensionare, duke e lejuar atë që ta tërhiqte sasinë prej 11,213.6 tonësh naftë të pretenduar si të dhënë tepër, jo nëpërmjet Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit Patos (QASHNG), por direkt në vendburimin e naftës. Shmangia e QASHNG nga procedurat e lëvrimit, ka sjellë si pasojë mosdeklarimin e sasisë së naftës në magazinat fiskale, pra për të nuk është prerë dokumenti shoqërues administrativ (DSHA) si dhe nuk është deklaruar në sistemin që mbahet në QASHNG, veprime të cilat bien në kundërshtim me ligjin “Për akcizat”. Sikur të mos mjaftonin këto favorizime, në amendimet e propozuara për këtë marrëveshje, Albpetrol-i merrte përsipër që t’i mundësonte kompanisë koncesionare likuidimin në natyrë, jo vetëm direkt nga vendburimi ku ishin krijuar këto detyrime dhe i cili kishte një naftë të një cilësie jo shumë të lartë, por edhe në tre vendburime të tjera, ku nafta ishte e një cilësie më të lartë. Si rrjedhojë kompanisë koncesionare do t’i krijohej mundësia që borxhin që Albpetrol ia kishte asaj në naftë të një cilësie të ulët, ta merrte nga Albpetrol në naftë të një cilësie më të lartë. “Edhe kjo diferencë mund të përcaktohet nga grupi i ekspertëve të fushës, për të saktësuar dëmin ekonomik që i është shkaktuar Albpetrol-it”, deklarohet në raportin e KLSH.

    Zbritja e holluesit nga detyrimi për naftën

    Përveç sa më sipër, nga auditimi i detyrimeve që kompani të tjera koncensionare kishin ndaj Albpetrol, rezultoi që në rastin e njërës prej këtyre kompanive, ishte zbritur nga nafta e prodhuar sasia e holluesit të përdorur. Si pasojë e këtij veprimi kompania nuk i kishte dorëzuar shoqërisë Albpetrol për vitin 2013 sasinë prej 23,004.35 tonë naftë me vlerë 1,007,820,573.50 lekë ose rreth 7.2 milionë euro, ndërsa deri më 30.06.2014 sasinë prej 7,188.70 tonë naftë bruto me vlerë 314,936,947.00 lekë ose rreth 2.3 milionë euro. Kjo zbritje e holluesit nga Albpetrol është bërë në kundërshtim me pikën 3.5.1,3 të marrëveshjes së datës 19.06.2004 me kompaninë koncesionare, dhe është kryer duke ndikuar në faktorin R, ecuria e të cilit ka lidhje direkt me përfitimet e shtetit shqiptar (kur R ≥ 1, fitimi ndahet 50% për kompaninë koncesionare dhe 50% për shtetin shqiptar).

    Qendra e Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit

    Nga auditimi i aktivitetit të QASHNG në Patos, u konstatua se kjo qendër përdorte për regjistrimet kontabël programin Microsoft Excel, program i cili lejon mundësinë e kryerjes së ndryshimeve të qëllimshme në veprimet kontabël të periudhave të mëparshme, dhe në bilancin e naftës bruto për vitin 2013 dhe 2014 u konstatua një diferencë me vlerë 100,690,309.4 lekë. Gjithashtu, QASHNG, për blerjet e naftës nga shoqëritë koncesionare, përdor kursin e datës së veprimit të parë dhe jo kursin e ditës, ndërsa për shitjet e naftës përdor kursin e datës së shitjes, duke shkaktuar kështu tjetër dëm ekonomik.

    Struktura paralele që dublojnë Albpetrol

    Për sa i përket ngritjes dhe funksionimit të strukturave paralele në Albpetrol, nga auditimi rezultoi që organika e personelit të Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve nuk ishte në përpjesëtim me numrin total të punonjësve në administratën e Albpetrol, si dhe me nevojën reale të kësaj drejtorie për këtë numër punonjësish. Nga 150 punonjës që është personeli i administratës së Albpetrol, 63 prej tyre i përkasin Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve. Madje, disa punonjës të kësaj drejtorie, në veçanti ata të Sektorit të Supervizimit, janë pa profesionet përkatëse ose janë të padiplomuar. Në strukturën e kësaj drejtorie ishin parashikuar qëllimisht sektorë, të cilët dublojnë veprimtarinë e strukturave të tjera të Albpetrol, si sektori ekonomik, sektori juridik, sektori teknik etj., dhe madje këta sektorë të drejtorisë vazhdojnë ta kryejnë veprimtarinë e tyre, pa u mbështetur në detyra konkrete të përcaktuara në rregulloren e brendshme të Albpetrol. Roli i vërtetë i këtyre strukturave në veprimtarinë e Albpetrol sh.a, evidentohet qartë në rastin e Aktmarrëveshjes së datës 28.02.2014, ku nga ana e administratorit të Albpetrol nuk është marrë parasysh propozimi i Drejtorisë së Shitjes dhe asaj të Financës për llogaritjen e kostos së transportit në 3,7 USD/BBL, por u rëndua kostoja me 9 USD/BBL, ose edhe në rastin e Aktmarrëveshjes së datës 04.04.2014, për të cilën mungon aprovimi i Drejtorisë Juridike, Drejtorisë së Shitjeve, Drejtorisë së Financës, Drejtorisë së Programimit dhe njëkohësisht në zbatimin e kësaj aktmarrëveshjeje është shmangur edhe QASHNG. Dëshira për të fuqizuar Drejtorinë e Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe për të përqendruar brenda saj të gjithë veprimtarinë e drejtorive dhe sektorëve të tjerë të Albpetrol, ka shkuar deri aty sa me rregullore të brendshme të shoqërisë t’i njihet e drejta kësaj drejtorie që të auditojë kompanitë koncesionare, kompetencë kjo që i takon vetëm Drejtorisë së Auditit të Brendshëm, pra praktikisht kjo drejtori është përjashtuar nga kjo detyrë ligjore. Shkeljet e mësipërme, të konstatuara nga auditimi i KLSH-së, janë favorizuar së tepërmi nga mënyra sesi Albpetroli është strukturuar dhe ka funksionuar gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e administratorit të kësaj shoqërie, i cili ka mënjanuar drejtori të caktuara të kësaj shoqërie nga kryerja e funksioneve të tyre.

    Problemet e mbartura ndër vite me Sindikatën e Naftës

    Gjatë kësaj periudhe, në adresë të KLSH-së, si dhe të institucioneve të tjera të larta të vendit kanë ardhur shumë ankesa nga Sindikata e Nxjerrjes së Naftës Patos, për sa u përket largimeve të padrejta nga puna, problemet në lidhje me përfitimin e pensioneve. Nga auditimi rezultoi se numri i punonjësve është rritur me 219 punonjës (nga 1868 në 2087) dhe numri i administratës së Albpetrol është rritur me 21 punonjës (nga 129 në 150), veprime këto të cilat kanë sjellë deri më sot një efekt financiar në buxhetin e shoqërisë prej 84,928,878 lekë. Kjo shtesë e bërë në numrin e punonjësve dhe administratës është e pajustifikuar në raport me rritjen e të ardhurave financiare të shoqërisë dhe është në kundërshtim me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës. Në lidhje me këto çështje dhe problemet e shumta që e shoqërojnë atë, KLSH do t’i propozojë Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për analizimin e veprimtarisë dhe situatës së krijuar ndër vite në shoqërinë Albpetrol për këtë problem, në dobi të punonjësve ndër vite të kompanisë.


    Tri akuzat për 6 drejtuesit

    Kallëzimi i dytë i KLSH për administratorin Endri Puka


    KLSH ka kallëzuar administratorin e Albpetrol për tri vepra penale që lidhen me korrupsionin. Duke marrë shkas nga ndryshimet e fundit ligjore, Endri Puka është kallëzuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda, ndërkohë që mësohet se ky kallëzim penal është i dyti për të. Më 3 shtator të këtij viti, KLSH depozitoi pranë organit të Prokurorisë kallëzimin e parë ndaj administratorit të “Albpetrol” për veprën penale “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, pasi gjatë periudhës së kryerjes së këtij auditimi nga KLSH, administratori i “Albpetrol” nuk pranoi të vinte në dispozicion të audituesve të KLSH-së dokumentacionin e kërkuar në lidhje me marrëveshjet e hidrokarbureve, të cilat sipas tij ishin konfidenciale. Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara në lidhje dhe me zbatimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve si edhe ato me fiktivitetin e konstatuar nga KLSH në bilancet vjetore të naftës së QASHNG, Patos KLSH ka depozituar në organin e Prokurorisë, kallëzimin penal me nr. 528/28, datë 24 shtator 2014 për administratorin e Albpetrol dhe drejtorin e Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe disa drejtues të tjerë të kësaj shoqërie. Gjashtë personat e akuzuar, pikërisht Endri Puka, Andi Derhemi, Jetmir Gjini, Ermir Avdaj, Novruz Çuka dhe Marjeta Apostoli, dyshohen për konsumimin e elementeve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, si dhe “Korrupsionit aktiv/pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.


    1 Marrëveshjet – Kompania Albpetrol ka nënshkruar dy marrëveshje me kompani koncesionare, në dobi të interesave të tyre dhe në dëm të shtetit shqiptar

    2 Arbitrariteti – Në marrëveshjet e nënshkruara kompanisë koncesionare i është dhënë e drejta të blejë naftën pa konkurruar në procedurat e ankandit

    3 Mosbarazia – Administratori ka vendosur që ta favorizojë koncesionarin të tërheqë naftën pa kaluar te QASHNG, por direkt në vendburimin e naftës

    4 Holluesi – Në rastin e një prej kompanive koncensionare, në kundërshtim me ligjin sasia e holluesit të përdorur është zbritur nga nafta e prodhuar

    5 QASHNG – QASHNG përdorte për kontabilitet Microsoft Excel, program i cili lejon mundësinë e kryerjes së ndryshimeve për periudhat e mëparshme

    6 Dublimi – Albpetrol ka ngritur strukturën e Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve, duke dubluar struktura të tjera brenda kësaj kompanie


    Shqip

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: KLSH kallëzon drejtuesin e Albpetrol Endri Puka për një dëm $10 million USD

    Fier, 4 në pranga, do tregtonin 100 ton naftë bruto në pika të ndryshme private

    FIER- Katër persona janë arrestuar sot në Fier, pasi janë kapur në flagrancë teksa ndryshuan destinacionin e lëvizjes së shkarkimit të naftës bruto, me qëllim që ta shisnin atë në pika pakice.

    Policia e qytetit të Fierit bën me dije se në pranga kanë përfunduar shtetasit Sotiraq Sallaku, Klevis Aliaj, Sokrat Yzeiri, Bashkim Shehaj, të cilët drejtonin autobotet me targa aa 809 da, aa 286bz, aa 683 cy.

    Policia i ka kapur në flagrancë, duke ndryshuar destinacionin e lëvizjes së shkarkimit të 100 ton nafte bruto. Mësohet se ata do ta tregtonin naftën bruto në pika të ndryshme private.

    Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Shoqëria Albpetrol sh.a.

    "Në lidhje me këtë fakt dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se: Tre botet që transportonin naftën bruto të bllokuar nga policia janë në pronësi të një kompanie nënkontraktore të shoqërisë Albpetrol sh.a, e cila kryen transportin e naftës. Shoqëria na ka informuar se disponon të gjithë dokumentacionin ligjor për transportin e sasisë në fjalë dhe se autobotet kanë qenë të vulosur konform ligjit. Shoqëria Albpetrol sh.a është në pritje në verifikimeve të Policisë së Qarkut Fier për ngjarjen në fjalë"

    (ma.ar/BalkanWeb)

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: KLSH kallëzon drejtuesin e Albpetrol Endri Puka për një dëm $10 million USD

    PD: Albpetrol, përfitim, zhvatje, vjedhje e pasurisë publike


    TIRANË-Partia Demokratike ka denoncuar sot keqmenaxhimin që i bëhet Albpetrol. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PD-së Oriela Nebiaj u shpreh se Albpetrol, një nga asetet më të çmuara publike, është kthyer për një vit në një simbol të abuzimit dhe përfitimit, zhvatjes e bastisjes, me anë të menaxhimit që i bën deputeti Koço Kokëdhima.

    “Koco Kokëdhima e kontrollon këtë ndërmarrje publike 24 orë në ditë. Nga roja i portës hyrëse e deri tek drejtori i Përgjithshëm, janë të gjithë njerëzit e besuar të Kocos, të afërm, familjarë, punonjës të bizneseve të tij. Për shkak se vjedhja është kthyer në normë, Prokuroria e Fierit po heton një rast skandaloz të pak ditëve më parë ku qindra mijë tonë naftë kanë dalë nga Albpetrol pa faturë, për tu shitur në treg. Pra qindra mijë tonë naftë e vjedhur, pasuri e shqiptarëve, e cila shkon drejt e në xhepat e Koco Kokëdhimës”- u shpreh Nebiaj

    Më tej ajo theksoi se PD inkurajon Prokurorinë e Fierit të tregojë vendosmëri, të zbatojë ligjin, e ta cojë deri në fund hetimin mbi këtë kartel të rrezikshëm të naftës që drejtohet nga deputeti më i afërt i Kryeministrit, Koco Kokëdhima. “Vjedhja, dhe nxitimi për t’u pasuruar shpejt, makutëria e Kokëdhimës, ka bërë që ushtarët e tij që kontrollojnë Albpetrol, nga roja i derës hyrëse e deri tek Drejtori i Përgjithshëm, të zhyten në arin e zi pa fre, dhe këtë e ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që për një vit gjeti 10 milionë euro abuzime. Partia Demokratike i bën thirrje drejtësisë të mos tërhiqet para presioneve të superdeputetit të Edi Ramës, të tregojë përkushtim për mbrojtjen e pasurisë publike, e të zbatojë ligjin deri në fund. Edhe oligarkëve më të rrezikshëm një ditë u ikën koha, dhe japin llogari para popullit e para drejtësisë, për zullumet që kanë shkaktuar”- përfundoi zëdhënësia Nebiaj.

    (a.n/BalkaWeb)

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: KLSH kallëzon drejtuesin e Albpetrol Endri Puka për një dëm $10 million USD

    Albpetrol: Akuzat e PD-së shpifje, s’ka çështje në prokurori për naftë pa faturë

    TIRANE- Albpetrol ka reaguar në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike sa i takon abuzimeve që i bëhen kësaj kompania, me anë të drejtimit nga deputeti Koço Kokëdhima. PD deklaroi ditën e sotme se Albpetrol, një nga asetet më të çmuara publike, është kthyer për një vit në një simbol të abuzimit dhe përfitimit, zhvatjes e bastisjes, me anë të menaxhimit që i bën deputeti Kokëdhima. Ndërsa këto akuza Albpetrol i ka quajtur shpifje.

    “Shoqëria Albpetrol sh.a dëshiron të sqarojë opinionin publik se deklarata e sotme e Partisë Demokratike është në lidhje me hetimet e prokurorisë për shoqërinë tonë është një shpifje. Në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier nuk ka asnjë çështje për nxjerrjen e ndonjë sasie nafte pa faturë nga ana e shoqërisë Albpetrol sh.a. Përkundrazi, në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier është regjistruar një Kallëzimi Penal për shkarkimin e boteve me ujë në vend të naftës. Kjo ngjarje ka ndodhur në periudhën Janar-Maj 2013 duke shkaktuar humbjen e mbi 5.000 tonëve naftë.

    Deklarata e sotme është në vazhdën e disa veprimeve të koordinuara mes Partisë Demokratike dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët përmes spekulimeve dhe shpifjeve tentojnë të dëmtojnë imazhin e Albpetrol sh.a duke kërkuar që abuzimet e kryera në kohën e qeverisjes së PD t’ia faturojnë administratës së re.”-citohet në deklaratën e Albpetrol.

    Më tej Albpetrol ka theksuar se brenda një viti kjo kompani është kthyer në një kontribuues kryesor në buxhetin e shtetit. “Gjatë një viti të administratës së re shoqëria Albpetrol sh.a është kthyer në një nga kontribuuesit kryesorë në buxhetin e shtetit duke i rritur pagesat me 15 milionë dollarë me shume se periudha paraardhëse. Prodhimi ditor i naftës nga vetë kompania është rritur me mbi 60% ndërkohë që janë rivënë në punë mbi 150 puse, të cilët ishin braktisur gjatë viteve 2010-2013.

    Shoqëria Albpetrol sh.a ka ndjekur në rrugë civile e penale debitorët e shumtë që i detyroheshin mbi 80 milionë USD. Ky proces ka bërë të mundur që të rikuperohen shumë fonde, të cilat konsideroheshin të humbura. Me këto fonde është realizuar shlyerja e të gjitha borxheve që la qeverisja e kaluar, ku mund të përmendim si fakt se vetëm detyrimet e papaguara ndaj CEZ kapnin vlerën 10 milionë USD.

    Shoqëria Albpetrol sh.a ka qenë e suksesshëm dhe në procesin e kontrollit të kompanive hidrokarbure duke bërë të mundur që në vitin 2015 kompanitë kryesore që operojnë në këtë treg për herë të parë të parashikojnë fitim. 50 % të këtij fitimi kalon në favor të Shteti Shqiptar.”-përfundon deklarata e Kompanisë Albpetrol.

    (ed.me/BalkanWeb)

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: KLSH kallëzon drejtuesin e Albpetrol Endri Puka për një dëm $10 million USD

    “Albpetroli”, prokuroria: Hetime për grup kriminal

    Nga: KLODIANA LALA

    FIER- Abuzimet financiare në shoqërinë “Alb petrol”, dyshohet të jenë kryer nga një grup i strukturuar kriminal, që ka përfituar miliona euro. Të paktën, për këtë vepër penale e të tjera e ka regjistruar procedimin penal Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila, për shkak të ndryshimeve të fundit ligjore, ka tagrin për të hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

    Në kuadër të këtij hetimi penal, prokurorët “zbarkuan” dje në zyrat e shoqërisë “Albpetrol” në Fier, për të sekuestruar dosjet dhe dokumente të tjera, në të cilët janë evidentuar shkelje, që kanë sjellë dëm të madh ekonomik për buxhetin e shtetit. Hetimi për shoqërinë “Albpetrol”, nisi mbi bazën e një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku nga auditi janë konstatuar shkelje të rënda, të kryera nga administratori i shoqërisë si dhe drejtues të lartë të saj.

    Prokuroria e Krimeve të Rënda, krahas sekuestrimeve, ka listuar dhe emrat e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të kësaj shoqërie që do të thërrasë për të marrë në pyetje. Ndërsa një grup ekspertësh, pritet të përcaktojnë dëmin financiar të shkaktuar.

    RAPORTI I KLSH
    KLSH iu drejtua prokurorisë, duke kallëzuar penalisht administratorin e “Albpetrol” sh.a. dhe Drejtorin e Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe disa drejtues të tjerë të kësaj Klodiana Lala shoqërie, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe “Korrupsionit aktiv/pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

    Balkanweb

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: KLSH kallëzon drejtuesin e Albpetrol Endri Puka për një dëm $10 million USD

    Prokuroria zbarkon në “Albpetrol” pas kallëzimit të KLSH për abuzimet

    Tre oficerë të Policisë Gjyqësore kanë mbërritur në kompaninë “Albpetrol” për të verifikuar në terren faktet e denoncuara nga KLSH. Hetimi është regjistruar si vjedhje nga një grup i strukturuar

    albpetrol-godina_5Kallëzimi i dorëzuar nga KLSH në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për “Albpetrolin” po hetohet si vjedhje nga grup i strukturuar kriminal. Një muaj pasi KLSH dorëzoi në prokurori një raport të detajuar mbi shkeljet e gjetura në kompaninë shqiptare të hidrokarbureve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet duke verifikuar në terren faktet e referuara nga KLSH. Tre oficerë të Policisë Gjyqësore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë shkuar dje në ambientet e kompanisë “Albpetrol”, ku kanë kërkuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e hetimeve. Burime të prokurorisë thanë se kallëzimi i KLSH-së i është përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të dy veprave penale të dyshuara nga rezultati i kontrollit, për të cilat kjo prokurori është kompetente. Së pari bëhet fjalë për “vjedhje të kryer nga grup i strukturuar kriminal” dhe “korrupsion i funksionarëve të lartë shtetërorë”, vepra penale këto që hetohen nga Krimet e Rënda pas ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale. Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka kërkuar dokumentacionin e nevojshëm nga kompania, i cili është sekuestruar ditën e djeshme nga tre hetuesit e çështjes, që do të referojnë në prokurori të gjitha të dhënat pas analizimit të dokumenteve. Interesi i hetuesve është përqendruar kryesisht në dokumentet e ankandeve të zhvilluara nga “Albpetrol” apo marrëveshjet që kjo kompani ka lidhur me subjekte private që operojnë në fushën e tregtimit të hidrokarbureve. Këto janë dy pikat më të nxehta të dosjes “Albpetrol”, ku KLSH pretendon një dëm prej rreth 10 milionë eurosh. Për abuzimet e pretenduara, KLSH ka kallëzuar administratorin e kompanisë dhe 18 zyrtarë të tjerë, të cilët tashmë do të hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo sipas burimeve, edhe për faktin se dëmi i pretenduar që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit kap shifra të konsiderueshme, çka ka sjellë një hetim të plotë të gjithë çështjes. Sipas një auditimi të bërë nga 1 gushti i vitit 2013 deri në 30 qershor 2014, Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se “Albpetrol” i ka shkaktuar një dëm shtetit prej 9.5 milionë eurosh dhe 1. 4 milion dollarësh. Në raport thuhet se abuzimet që kanë shkaktuar këtë dëm disa miliardë lekësh janë bërë në procedurat e ankandit për shitje nafte, marrëveshje hidrokarburesh të lidhura me kompani të huaja që veprojnë në fushën e naftës, prokurimet, investimet, organizimi i brendshëm, financat. “Administratori i shoqërisë ‘Albpetrol’ ka nënshkruar dy akt-marrëveshje hidrokarbure me të njëjtën kompani koncesionare, tërësisht në kundërshtim me procedurat e parashikuara dhe në tejkalim të plotë të kompetencave të tij si administrator. Këto dy akt-marrëveshje, administratori i shoqërisë jo vetëm nuk ia paraqiti për miratim Këshillit të Ministrave, por as dhe Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë ‘Albpetrol’, madje siç rezultoi nga auditimi, në lidhje me to nuk kishin dijeni edhe një pjesë e strukturave dhe drejtuesve të kësaj shoqërie”, – thuhet në njoftimin e KLSH-së. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kompanisë “Albpetrol”, e cila nëpërmjet një njoftimi për mediat tha se dëmi i pretenduar nga KLSH-ja është shkaktuar nga administrata e kaluar. “Kontrolli i Lartë i Shtetit i faturon si dëm ekonomik administratës aktuale të ‘Albpetrol’ sh.a vlerën 9.1 milionë dollarë, në një kohë kur ky dëm është shkaktuar përpara datës 1 tetor 2013, kur ka filluar punë administrata e re”, tha nëpërmjet një njoftimi ‘Albpetrol’. Ky është kallëzimi i dytë penal që KLSH-ja bën ndaj zyrtarëve të “Albpetrol”, pasi më herët është depozituar një tjetër kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit ndaj administratorit, pas refuzimit për të vënë në dispozicion të KLSH-së marrëveshjet e hidrokarbureve që ‘Albpetrol’ sh.a. kishte nënshkruar me subjektet private.

    MAPO

  7. #7
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Për: KLSH kallëzon drejtuesin e Albpetrol Endri Puka për një dëm $10 million USD

    Heu bre sa kushrit i paska pas Fullani. Ky Rama do po i fut ne burgje e do ne arrest shpie, vec se parat nuk po hyjn mo kurrqysh ne shtet. Ish ma mire Saliu , as i fuste ne burg e as nuk hynte me i gjet ka shkun paret e malli i shtetit. Gjat ka shku pa e shkun i here Zoti ket ven e me ja qit ujin e zi
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •