TIRANË-Zëdhënësi i Vatikanit, At Frederico Lombardi zbardh detajet e “fshehta” të vizitës së Papa Françeskut. Në një prononcim për media ai ka zbardhur edhe mesazhin që Papa la për shqiptarët në Librin e Përshtypjeve në Presidencë.
“Popullit fisnik shqiptar me respektin dhe admirimin tim për dëshminë e tij dhe vllazërinë në çuarjen para të vendit”- ka shkruar Papa Françesku. Në fund të mesazhit ai ka hedhur edhe firmën e tij Françesko.
Gjithashtu Lombardi ka dhënë detaje lidhur me numrin e besimtarëve dhe peligrinëve në sheshin “Nënë Tereza”. Sipas zëdhënësit të Vatikanit përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza” përshëndetën Papa Françeskun 250-300 mijë pelegrinë.
Më tej At Lombardi renditi tre elementë që I kishin bërë përshtypje Papës gjatë udhëtimit . Së pari Papa Françesku shikonte se sa e re është popullata shqiptare krahasuar me atë të Evropës që po vjen drejt plakjes.
Një tjetër vëzhgim i rëndësishëm ishte edhe simboli I shqiponjës. “Papa thoshte shqiponja fluturon larg por kthehet në folenë e saj. Që e bëri edhe në fund të Opelisë kur tha që mos e harroni folenë, fluturoni larg por mos harroni origjinën”- u shpreh Lombardi.
Ndërsa një element i rëndësishëm që i ka bërë përshtypje Papa Françeskut ka qenë njohja me Nënë Terezën. “Kur Papa njohu Nënë Terezën, e ka njohur në Sinodin e ‘93-it në Sinodin e Ipeshkve. Nënë Tereza ishte e ftuar nga Papa dhe qëndronte pas tij. Admironte forcën, vendosmërinë e ndërhyrjeve të saj e cila nuk impresionohej nga Asambleja e Ipeshkëve. Ai bëri dhe një batutë të vogël “Do kisha pasur frikë nëse do kishte qenë superiorja ime. Kjo ishte me humor dhe kjo tregon që Papa është me humor në këtë vizitë”- u shpreh zëdhënësi i Vatikanit.
Element i veçantë i kësaj vizite sipas zëdhënësit të Vatikanit ishte edhe prania e shumë besimtarëve myslimanë gjatë mbajtjes së meshës së shenjtë. “Papa theksoi çështjen e respektit mes komuniteteve. Një kolege shqiptare më tha se gjatë meshës dhe asamblesë janë të pranishëm shumë myslimanë. U shpjegua që komunikimi është për katolikët, por myslimanët donin që të merrnin bekimin e Papës”-u shpreh At Lombardi.
Së fundi ai ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me sigurinë dhe çështjen e njohjes së Kosovës nga Vatikani. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, Papa në këtë vizitë është i qetë dhe deri tani nuk ka asnjë motiv dhe kërcënime specifike dhe se lëvizja me makinë të hapur ishte tregues i qartë për një klimë normaliteti. Ndërsa për çështjen e Kosovës ai theksoi se vizita e Papës nuk ishte diplomatike apo politike por fetare.
At Lombardi theksoi se Papa Françesku është shumë i kënaqur nga mikpritja shqiptare dhe e cilësoi të bukur dhe efikase zgjedhjen për dekorimin Bulevardit me portretet e 40 martirëve.
(a.n/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt