Mrruku i kërcënonte me armë viktimat, qëllonte edhe Drizën
Pika e lotos sportive ka shërbyer në disa raste si vatër gjuetie të biznesmenëve nga Klodiana Driza. Gardiania punonte si kameriere në biznesin, i cili ishte në pronësi të Ermal Mrrukut. Pas joshjes, ajo kontaktonte në telefon dhe më pas takohej në ambiente intime. Mekanizmi ishte që Mrruku të kapte 28-vjeçaren në flagrancë, me të dashurin e saj të ri. Në këto momente ai prezantohej si bashkëjetuesi i Drizës dhe kërkonte shuma të konsiderueshme parash, për të mbyllur çështjen. Në Policinë e Tiranës janë bërë vetëm dy denoncime, por grupi hetimor mendon se ata kanë abuzuar në shumë raste. Kallëzimi i parë është bërë në korrik të 2013-s, pranë Seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, nga shtetasi me inicialet A.Xh, banues në rrugën “Misto Mame”, Tiranë. Ai ka treguar për grupin hetimor gjithçka që kishte ndodhur mes gardianes dhe Ermal Mrrukut. Në dëshminë e tij, A. Xh., thotë se në lagjen e tij, kishte njohur para disa kohësh një vajzë me emrin Klodi. E reja punonte në një pikë lotarie sportive, e cila ishte në pronës të ish-gardisti, Ermal Mrruku. I dëmtuari ka shkëmbyer numrin e telefonit me Drizën dhe kanë folur disa herë në telefon. Më vonë janë takuar jashtë ambienteve të punës së saj. E gjithë kjo procedurë bëhej që A.Xh., të krijonte besim në lidhje sentimentale. Në takimin e datës 6 korrik 2013, Klodiana i ka thënë se janë diktuar nga bashkëshorti i saj, Ermal Mrruku. Vendi i takimit me ish-gardistin ka qenë rruga afër një universiteti privat në Tiranë. Nëpërmjet kërcënimit, 28-vjeçari i ka marrë në makinën e tij, si kallëzuesin ashtu dhe Klodiana Drizën. Të tre ata kanë udhëtuar me të njëjtin mjet, në periferi të kryeqytetit, në afërsi të fshatit Baldushk. Gjatë rrugës, Mrruku aktronte duke shfaqur shenja agresioni. Kur mbërritën në zonën e lartpërmendur, ka urdhëruar që A.Xh., të zbresë nga makina duke e kërcënuar për takimin që, sipas tij, kishte bërë me bashkëshorten. Për të shtuar dozën e frikës, Mrruku e ka kërcënuar me jetë, por atë mund ta shpëtonte vetëm nëse ai do të paguante, para. Fillimisht Ermal Mrruku i ka kërkuar në formë “gjobe”, një sasi prej 5000 eurosh. Presioni dhe kërcënimet nuk kanë mbaruar me kaq. Gjatë ditëve në vijim, ish-gardisti i kërkoi një sasi më të vogël, atë prej 2000 eurosh. Këto para, ai duhet t’i paguante brenda një afati të përcaktuar. Limiti ishte më 15 korrik 2013. Për të shmangur konfliktet, kallëzuesi ka pranuar që të japë shumën e kërkuar. Më 7 korrik të 2013-s, A.Xh., i është drejtuar Policisë së Tiranës, për të denoncuar kanosjen dhe gjobën që i është vënë nga ana e Ermal Mrrukut. Pas marrjes së dëshmisë, grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në krim. Bashkëpunëtorët u vunë në përgjim, për disa muaj.
Denoncimi i dytë
Më 5 gusht të këtij viti, një tjetër biznesmen i drejtohet policisë për ndihmë. Shtetasi me inicialet E.H., merret me biznesin e punimeve të gipsit. Me Klodiana Drizën është njohur në të njëjtin vend. Në qershor të 2013-s, ai është futur në pikën e basteve, për të vënë një skedinë. Aty është njohur me 28-vjeçaren, i cila ka flirtuar për disa minuta me klientin e saj. Pas kësaj, biznesmeni i gipseve shkonte shpesh në vendin ku punonte Klodiana Driza. Ata bisedonin me njëri-tjetrin për minuta të tëra. Gjithashtu flisnin shpesh edhe në telefon. Një muaj pas njohjes, E.H. dhe Driza vendosin që të takohen larg ambientit të punës. Më 11 korrik të 2013-s, kanë lëvizur së bashku nga Tirana me automjetin e kallëzuesit tip BMË. Kur kanë marrë rrugën në drejtim të qytetit të Elbasanit, në afërsi të një karburanti, makinës që drejtohej prej E.H., i është prerë rruga nga një makinë me xhama të zinj. Prej saj, ka dalë Ermal Mrruku, i cili mbante në dorë një armë zjarri pistoletë. Ai i është drejtuar biznesmenit dhe e ka kërcënuar se do ta vrasë. Nën presionin e armës së zjarrit, biznesmeni ka zbritur nga timoni i makinës së tij dhe është zhvendosur në vendin e parë. Gjithashtu Klodiana Driza, nga vendi i parë i makinës, ka lëvizur në sediljen e pasme. Ermal Mrruku ka marrë drejtimin e automjetit dhe më pas shkojnë në drejtim të Kërrabës. Kanë devijuar rrugën kryesore dhe duke lëvizur në një rrugë të paasfaltuar kanë përfunduar në afërsi të një liqeni të vogël. Udhëtimi ka zgjatur disa minuta dhe gjatë gjithë kohës, ish-gardisti e ka kërcënuar “çiftin” me jetë. Ai ka pretenduar se e kishte fyer, pasi shoqërohej me gruan e tij me të cilën bashkëjetonte. Kur kanë ndaluar në periferi të Tiranës, Mrruku urdhëron me ton mjaft të ashpër, që i dëmtuari dhe Driza të zbresin nga automjeti. Përveç kërcënimeve, i riu ka qëlluar dy herë me pistoletë, që E.H., të ndihej sa më shumë në rrezik për jetën. Gjatë kohës që vijonte të bënte presion, nën kërcënimin e armës i ka kërkuar si shpagim për veprimet që kishte bërë, t’i jepte makinën dhe një shtëpi për të cilën ai ishte në dijeni se kallëzuesi merrej me biznes. Në këto kushte, E.H., shprehet se ka rënë dakord që t’i jepte makinën dhe një shtëpi, por me qëllim që ai ta linte të qetë. Loja e hakmarrjes ka vazhduar. Mrruku e ka detyruar biznesmenin që të bënte një fotografi duke u përqafuar me punonjësen e burgut, e cila ishte aty. Kjo fotografi, sipas kallëzuesit, do të shërbente për gjobëvënësin, që të bënte shantazh te familja, e kryesisht te bashkëshortja e tij. Gjatë procesit të aktrimit, autori i dyshuar i krimit ka kërcënuar edhe bashkëpunëtoren e tij. Ai e ka qëlluar me shuplakë disa herë, duke u munduar të krijojë idenë se ajo nuk ishte pjesë e skenarit të përgatitur më parë prej tyre. Kur palët kanë rënë dakord, në të njëjtën ditë, kallëzuesi deklaron se makinën e mësipërme ia ka falur Ermal Mrrukut. Për të kaluar në pronësi automjetin luksoz, të dyja palët janë paraqitur te noteri për të bërë një kontratë shitblerjeje. Shuma e vendosur në dokument ishte 1 milion lekë, por në të vërtetë, E.H., nuk kishte mundur që të merrte asgjë prej tij. Pas rreth një jave, ish- punonjësi i gardës i ka marrë pa para një apartament në Tiranë. Zhvatja nuk ka mbaruar me kaq. Gjobëvënësi ka kërkuar pasuri të tjera, nga preja e tij. Dy javë më vonë, ai është takuar me E.H., dhe me kërcënimin se fotografinë e bërë prej tij, do t’ia jepte bashkëshortes, i ka kërkuar një shtëpi për Klodiana Drizën. Prej frikës, biznesmeni i është përgjigjur urdhrit të tij, duke i dhënë një apartament rreth 63 metra katrorë, po në të njëjtën zonë.
Dyshimi
Klodiana Driza merrte para nga të burgosurit
Klodiana Driza, përveçse kameriere, punonte edhe si gardiane në burgun e Vaqarrit. Gjatë hetimeve është konstatuar se ajo përfitonte para gjatë kohës që ishte në krye të detyrës. Driza realizonte takime speciale për të burgosurit. Ajo u gjente atyre femra dhe i dërgonte në burg. Të njëjtën gjë bënte edhe me të dënuarit e martuar, duke u realizuar takime me bashkëshortet e tyre. Këto favore i bënte vetëm në këmbim të parave. Nëse të dënuarit paguanin, atëherë u jepej e drejta e një takimi special. Burimet policore bëjnë me dije se hetimi nuk ka nisur për abuzimin e saj, me detyrën. Një fakt i tillë ka dalë në dritë, pas hetimeve që kanë nisur në lidhje me kallëzimin e bërë nga dy personat e lartpërmendur.
Krijoni Kontakt