Kastriot Myftaraj
Shtator 20 ·
Një gënjeshtër nuk bëhet e vërtetë në gojën e Papës
Papa Francesku I do të vijë nesër në Tiranë për të kryer, siç është paralajmëruar zyrtarisht nga Vatikani, atë që nuk mund të quhet ndryshe veçse si rituali retorik i celebrimit të së ashtuquajturës tolerancë dhe bashkëjetesë paqësore regjioze në Shqipëri. Në të vërtetë kjo është një gënjeshtër historike. Në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë tolerancë dhe aq më pak bashkëjetesë fetare, as në të shkuarën as sot. Kur flitet për tolerancë dhe bashkëjetesë paqësore fetare, religjioze, nga vetë fjala, nënkuptohet toleranca dhe bashkëjetesa midis personave të cilët janë besimtarë të një feje dhe e ushtrojnë atë, domethënë kryejnë ritualet e saj. Në Shqipëri, ata të cilët janë praktikues religjiozë, të gjithë së bashku, muslimanë e të krishterë (katolikë dhe ortodoksë) përbëjnë një minorancë të popullsisë. Shumica e popullsisë së Shqipërisë është praktikisht afetare. Këtu është “sekreti” i së ashtuquajturës bashkëjetesë paqësore fetare në Shqipëri.
Nëse praktikuesit religjiozë të të gjithë feve në Shqipëri do të kishin përbërë së bashku shumicën e popullsisë së vendit, atëherë shteti shqiptar me siguri që do të kishte përjetuar luftra të vazhdueshme religjioze, tmerrshme dhe të përgjakshme, pas krijimit të tij një shekull më parë. Drejtuesit zyrtarë të bashkësive fetare në Shqipëri kanë bërë veprime konsistente që do të mjaftonin për të ndezur flakët e luftës fetare në vend.
Për këtë mjafton të them se vetë Arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, vitin e kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, në një letër të bërë publike, e akuzoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, i cili nesër është mikpritësi zyrtar i Papës, se kishte liruar nga detyra një gjeneral katolik të Forcave të Armatosura pas kritikës që atij i kishte bërë një forum fundamentalist islamik në Internet. Ndonëse Arkipeshkvi përdori formulën “nëse kjo është e vërtetë”, natyra dhe qëllimi i kumtit arkipeshkvnor qenë të pagabueshme. Arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit po e akuzonte Presidentin e Republikës asgjë më pak se si si fundamentalist islamik! Pikërisht personin në zyrën e të cilit nesër do të shoqërojë Papën! A nuk është i shqetësuar Arkipeshkvi se nesër z. Nishani mund të ketë vendosur kallëpe me tritol në rripin e pantallonave dhe sa t’ i afrohet Papa të bërtasë “Allahu Akbar!” dhe të eksplodojë veten së bashku me njerëzit përreth, me ç’ rast koka e Arkipeshkvit, nga e cila dolën mendimet e çuditshme për lirimin e gjeneralit, mund të fluturojë në derë të Xhamisë së Rrugës së Kavajës! Ky nuk është teprim. Ky është rasti kur është vështirë të mos shkruash satirë, siç thoshte dikur Juvenali.
Në të vërtetë, incidenti me gjeneralin, për të cilin foli publikisht Arkipeshkvi, e shumta ishte një intrigë politike duke qenë se gjenerali i liruar nga detyra ishte shumë i afërt me Edi Ramën, i cili e mori në stafin e tij si këshilltar, pak muaj më pas kur u bë Kryeministër. Kështu secili gjeti vendin e vet, një ushtarak katolik që nuk merret me politikë është sot në vend të gjeneralit të liruar, i cili nga ana e tij mban postin politik për të cilin ka punuar atëherë kur zyrtarisht duhet të kryente punë të tjera. Me ardhjen në krye të Qeverisë të ortodoksit Edi Rama, me këshilltar ushtarak katolikun Sandër Lleshi, u arrestua një gjeneral bektashi, me emrin Syrja. Nën shembullin e Rrok Mirditës, këtë herë ishte rradha e Baba Mondit që të thoshte se nëse është e vërtetë që arrestimi është bërë pasi në forume virtuale të krishtera është thënë se duhet të arrestohen të gjithë oficerët eprorë muslimanë në Shqipëri, si mbështetës eventualë të terrorizmit islamik (mund të gjenden gjithmonë koincidenca të tilla nëse kërkohen), atëherë kjo është një gjë shumë e rëndë.
Unë përmenda një veprim të Arkipeshkvit meqënëse është rasti i vizitës së Papës. Por mund të përmenden veprime të papërgjegjshme të krerëve të bashkësive të tjera fetare në Shqipëri, pa përjashtuar atë katolike, që do të kishin ndezur mëse një herë flakët e luftës religjioze në vend. Për këtë mjafton të përmend ngritjen e kryqeve që nisi para nja dhjetë viteve gjithandej Shqipërisë. Bashkësitë zyrtare ortodokse dhe katolike në Shqipëri nisën të ndërtojnë befasisht kryqe gjigandë në kodra dhe sidomos në anë të rrugëve kryesore të vendit. Ky ishte një dhunim i drejtpërdrejtë i parimit kushtetues të ndarjes së fesë nga shteti, që do të thotë se hapësirat publike janë laike. Autoritetet zyrtare të Komunitetit Musliman të Shqipërisë nuk kanë mbetur aspak prapa madje janë treguar shumë të zellshëm dhe arrogantë për të dhunuar parimin kushtetues themelor mbi të cilin bazohen marrëdhëniet e fesë me shtetin, duke shpërndarë thirrjen e ezanit në gjuhën arabe nëpërmjet megafonëve të vendosur në minaret e xhamive, të ndërtuara pa kursim gjithandej Shqipërisë. Lista e veprimeve të papërgjegjshme që mund të kishin bërë të shpërthente lufta fetare në Shqipëri, në çerekshekullin e fundit pas heqjes së ndalimit të fesë, mund të bëhet e gjatë, por unë këtu e kam fjalën vetëm për veprime të autoriteteve zyrtare të bashkësive fetare.
Nuk është ironi e vogël që Papa do të takojë me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, Kryepeshkopin grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili është personi kryesor përgjegjës për konvertimin në ortodoksë të rreth 50 mijë katolikëve të Shqipërisë, të cilët kanë emigruar në Greqi gjatë afro çerekshekullit të fundit. Këta katolikë janë pasardhës të atyre të cilët ruajtën fenë gjatë shekujve të pushtimit osman, si luftëtarë krenarë, për ta lëshuar atë si emigrantë në Greqi. Asnjëherë nuk ka ndodhur që drejtuesit e bashkësisë katolike në Shqipëri dhe aq më pak Vatikani të thonë një fjalë të vetme për këtë tragjedi të vërtetë religjioze, e cila është provë e intolerancës fetare mes dy degëve të mëdha të Krishterimit në Shqipëri. Pse hesht Vatikani për këtë gjë dhe i sakrifikon katolikët shqiptarë? Se në Vatikan jetojnë me iluzionin që Kisha Ortodokse e Lindjes do të bëjë ndonjë gjest të pohimit të superioritetit kishtar të Romës. Delire religjioze. Kisha Ortodokse Lindore nuk cedon këtu.
Në të vërtetë, sekreti i asaj që në Shqipëri quhet gabimisht si bashkëjetesë fetare, qëndron te fakti që shumica absolute e njerëzve me paraardhës të konvertuar dhunshëm në muslimanë në kohën otomane janë sot afetarë. Këtu qëndron dhe sekreti i mbijetesës së shtetit laik shqiptar. Sepse këta njerëz përbëjnë shumicën absolute të popullsisë së Shqipërisë. Pikërisht afetaria e shumicës së popullsisë që në letër llogaritet si muslimane është ajo gjë që ka mundësuar tolerancën fetare në Shqipëri. E famshmja tolerancë fetare është tolerancë e afetarëve “muslimanë” ndaj të krishterëve në rradhë të parë, por dhe ndaj muslimanëve praktikues.
Nëse shumica e shqiptarëve të cilët dolën zyrtarisht si muslimanë nga koha osmane, do të kishin qenë praktikues të Islamit, ata do të kishin kërkuar që ta përkthenin këtë në dominim politik të shtetit shqiptar. Por nuk ka veçse një përpjekje të tillë, në 1914, madje edhe ajo, në mënyrë domethënëse, ka qenë një lëvizje e ndërlikuar, ku fshatarësia e Shqipërisë së Mesme është vënë në lëvizje me slogane antifeudale po aq sa fetare. Koha tregoi se të dytët nuk qenë të mjaftueshëm për ta mobilizuar fshatarësinë e Shqipërisë së Mesme për një lëvizje thjesht fetare.
Afetarët shqiptarë, pasardhës të të konvertuarve në muslimanë, në kohën osmane, u bënë faktori kryesor për mbijetesën e shtetit shqiptar, si shtet laik, në përiudhën mes dy luftrave botërore, si dhe për modernizimin e këtij shteti. Shteti modern është laik. Këtë gjë nuk e kuptonin çuditërisht katolikët dhe ortodoksët shqiptarë, të cilët kur u mbajtën zgjedhje politike pluraliste në Shqipëri, në gjysmën e parë të viteve njëzet, nxorrën më së shumti si kandidatë për deputetë klerikë në detyrë. Veçanërisht bashkësia katolike u tregua absolutisht e papërgjegjshme duke i çuar të gjithë klerikët e saj kryesorë në detyra politike shtetërore në Tiranë, që nga parlamenti te kryesia e shtetit. Çfarë do të kishte ndodhur nëse edhe muslimanët do të ishin përgjigjur në të njëjtën mënyrë dhe do ta kishin mbushur parlamentin me hoxhë dhe imamë? Me siguri që do të shpërthente një luftë fetare në vend!
Që kjo gjë nuk ndodhi është më së pari meritë e një njeriu, Ahmet Zogut. Ishte ndikimi i këtij që, nga pala muslimane politikanët aktivë të kësaj periudhe të jenë njerëz afetarë. Mund të thuhet se me përmbysjen e Qeverisë së klerikut ortodoks Fan Noli në dhjetor 1924, mori fund një lëvizje politike antilaike në Shqipëri, ku klerikë katolikë, ortodoksë, madje edhe ndonjë bektashi kishin krijuar një front të përbashkët politik. Me këtë nis epoka moderne e politikës në Shqipëri. Arritja madhore e Zogut ishte ndalimi i përdorimit të fesë për qëllime politike. Klerikët katolike dhe ortodoksë të angazhuar në politikë në nisje të viteve njëzet të shekullit të kaluar, u munduan që t’ i mobilizojnë bashkësitë e tyre duke thënë se në Shqipëri kishte një konspiracion të kryesuar nga Zogu për shndërrimin e vendit në një Turqi të Vogël, të sunduar nga muslimanët. Klerikët katolikë të shndërruar në politikanë kanë arritur deri atje sa të thonë në fushatat zgjedhore se nëse do të fitonte Zogu, atëherë kishat do të shndërroheshin në xhami.
Në të vërtetë, Zogu, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Kryeministrit, në vitet 1920-1924, ishte personi më aktiv në atë fushatë që nisi shteti shqiptar për t’ i dhënë pak nga pak kryeqytetit të vendit Tiranës, si dhe qyteteve të tjera të vendit, pamjen e qyteteve sadopak normale europian. Kjo kërkonte së pari prishjen e varrezave të ndërtuara brenda qyteteteve, pranë xhamive, sipas traditës islamiko-osmane. Ishte në sajë të veprimeve energjike të Zogut që shteti shqiptar, duke nisur që nga fillimi i viteve njëzet shembi shumë xhami të panevojshme në Tiranë dhe në qytete të tjera. Më vonë, kur Zogu u bë mbret ai ndaloi që në Shqipëri të thirrej ezani në arabisht me megafonë nga minaret e xhamive, ashtu si kishte filluar të bëhej në qytetet e botës islame. Zogu ndaloi përdorimin e ferexhesë nga femrat, si dhe ndaloi lutjen barkas të besimtarëve muslimanë, duke urdhëruar me ligj lutjen në këmbë. Mund të thuhet se Zogu është nismëtari i deislamizimit të Shqipërisë në periudhën pasosmane. Zogu qartësisht nuk i meritonte akuzat që i bënin atij klerikët katolikë.
Një nga fotografitë e martirëve të vendosura në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga organizatorët e pritjes së Papës është ajo e priftit Dom Gjon Gazulli. Në të vërtetë, Gjon Gazulli, nuk është një martir por një terrorist, i cili është ekzekutuar me varje në litar në vitin 1927, për pjesëmarrje në një kryengritje kundër shtetit shqiptar, të sponsoruar nga Jugosllavia (Në atë kohë njihej si Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, por ndaj Shqipërisë vepronte thjesht Serbia). Studiuesi amerikan Bernd J. Fischer, në librin e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, flet gjerësisht për atë që është quajtur me një eufemizëm si Lëvizja e Dukagjinit, e vitit 1926, dhe citon shumë burime italiane, britanike dhe austriake, që tregojnë se kjo kryengritje ishte organizuar nga shërbimet e fshehta jugosllave, dhe furnizuar prej tyre me para, armë etj. Në fakt shërbimet e fshehta jugosllave kishin organizuar një kryengritje më të gjerë në Shqipëri, por rrethanat e krijuara dhe ndërhyrja e shërbimeve të fshehta italiane dhe britanike, bëri që kryengritja të kufizohej në Dukagjin.
Qëllimi i kryengritjes së organizuar në Shqipëri në 1926 ishte që të pengohej arritja e aleancës zyrtare mes Shqipërisë dhe Italisë. Kryengritja shpërtheu më 21 nëntor 1926, vetëm një ditë pasi Tirana dhe Roma ishin dakorduar mbi termat dhe kohën e nënshkrimit të paktit midis tyre, dhe vetëm pak ditë para nënshkrimit të këtij pakti në Tiranë. Në krye të rebelimit ishin prifti katolik Dom Loro Caka, i cili hyri në Shqipëri nga territori jugosllav në krye të një grupi të armatosur emigrantësh politikë, si dhe priftërinj të tjerë katolikë. Dom Loro Caka, Dom Gjon Gazulli dhe të tjerë prelatë si ata, iu bënë një propagandë perverse malësorëve të varfër katolikë, duke thënë se në Tiranë do të nënshkruhej marrëveshja për bashkimin e Shqipërisë me Turqinë dhe se shpejt në Shqipëri do të vinte ushtria turke që do të mësynte malësinë. Dom Gjon Gazulli, i cili kishte qenë më parë deputet, krenohej se ishte një nga mjeshtrat e kësaj propagande. Në kohën që Zogu po e lidhte Shqipërinë zyrtarisht me Italinë, një vend perëndimor, ku gjendej edhe qendra e Kishës Katolike globale, prifti Gjon Gazulli me shokë, rrëmbenin armët për ta përmbysur atë!
Prania e fotografisë së Gjon Gazullit në bulevardin kryesor të Tiranës mes fotografive të martirëve të tjerë, është një fyerje në rradhë të parë për ta. Pastaj, nuk është një ironi e vogël që Gjon Gazulli luftoi që Tirana të mos e kishte bulevardin e madhe ku është vënë fotografia e tij sot, as sheshin ku do të meshojë Papa nesër, që janë ndërtuar nga Italia, pas nënshkrimit të paktit italo-shqiptar të nëntorit 1926, me para italiane, specialistë italianë, teknologji italiane. Vendosja e fotografisë së Gjon Gazullit si martir në bulevardin e madh të Tiranës është një kortezi që i bëhet Serbisë para vizitës së paralajmëruar të Kryeministrit Rama atje. Është domethënëse se në bulevard nuk është vendosur fotografia e At Anton Harapit, i cili është pushkatuar nga regjimi komunist, si kolaboracionist i pushtuesve gjermanë. Por është vendosur fotografia e kolaboracionistit serb Gjon Gazulli. Në 1946, kur regjimi komunist i Tiranës, i lidhur tashmë kokë e këmbë me Beogradin, pushkatonte At Anton Harapin, ky regjim përkujtonte njëzet vjetorin e Lëvizjes së Dukagjinit, si një lëvizje përparimtare, atdhetare, dhe “martirin” e saj, Gjon Gazullin si një prift “përparimtar”. Merret vesh, bashkëpunimi me Serbinë, ishte standardi për atdhetarinë i atyre të cilët qenë betuar se nuk do të kishin atdhe, çka është një obligim për çdo komunist, sipas Manifestit Komunist të Marksit dhe Engelsit.
Gjon Gazulli dhe Shën Kozmai janë dy anë të së njëjtës medalje antishqiptare. Shën Kozmai, shpallur shenjt nga Kisha e Greqisë vetëm në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XX, dhe që nderohet nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, ishte një agjent i Rusisë në Shqipëri, në shekullin XVIII. Gjon Gazulli ishte një agjent i Serbisë në Shqipëri.
Është mirë që fotografia e terroristit Gjon Gazulli të hiqet sot natën pa bujë nga bulevardi qendror i Tiranës, se ajo përbën një provokim të papranueshëm për çdo shqiptar që e do vendin e vet, dhe po kështu duhet të jetë për çdo katolik në Shqipëri. Ata të cilët janë të preokupuar për mbarëvajtjen e vizitës së Papës në Shqipëri, me fotografinë e Gjon Gazullit në fakt tradhtojnë ndjenja të tjera. Çdo veprim nesër për heqjen e fotografisë së terroristit Gjon Gazulli nga bulevardi qendror i Tiranës, ndonëse i kryer privatisht do të ishte plotësisht i ligjshëm. Çdo polic, punonjës i shërbimeve të fshehta, i cili do të veprojë kundër dikujt që do të tentojë të heqë fotografinë e terroristit Gjon Gazulli, do të jetë duke bashkëpunuar në një akt terrorist, jo duke kryer detyrën shtetërore ligjore. Gjon Gazulli nuk u rebelua vetëm kundër shtetit shqiptar. Ishte një vendim i vitit 1921, i Këshillit të Lidhjes së Kombeve, ekuivalenti i Këshillit të Sigurimit të OKB të sotme, që Italia të kishte një status special ndaj shtetit të ri shqiptar për një periudhë, ngjashëm siç ka EULEX sot ndaj shtetit të ri të Kosovës. Pra, akti i Gjon Gazullit ishte edhe një atentat ndaj ligjit ndërkombëtar.
Shqiptarizmi do të marrë shënim me shumë indinjim dhe hidhërim ekspozimin e fotografisë së terroristit Gjon Gazulli, me rastin e vizitës së Papës, në rrugëkalimin e Papës në Tiranë, çka do të thotë se Papa do t’ i bëjë nderime edhe atij.
Kastriot Myftaraj
Krijoni Kontakt