Dekriminalizimi tek “Të Paekspozuarit”, Ngjela: Karremi që ktheu në Kuvend Saliun, ligji do të dështojë

Parlamenti i Krimit apo i Ndëshkimit? Ishte kjo tema e parë e emisionit “Të Paekspozuarit” që nisi transmetimin mbrëmjen e së enjtes, 22 janar 2015, në ora 20.45 nën idene dhe drejtimin e Ylli Rakipit.
Emisioni startoi në pjesën e parë me një material të zgjeruar filmik, ku përmes pamjeve të rralla erdhi historia e Parlamentit shqiptar.
Pas materialit filmik debati sesi ka degjeneruar parlamenti shqiptar, kush e ka kriminalizuar atë dhe si do te dekriminalizohet u zhvendos në studio, ku me moderatorin Ylli Rakipi ishin politikani Spartak Ngjela, politologu Afrim Krasniqi dhe analistët Mero Baze dhe Mustafa Nano.
Politikani dhe avokati Spartak Ngjela ligjin për dekriminalizimin e sheh të pamundur ligjërisht. Sipas tij ai ishte vetëm një karrem për të kthyer opozitën në Kuvend.

Emisioni i plote



Spartak Ngjela: “ Sa i përket inkriminimit ju do të shikoni se do të dështojë Berisha. E di pse? Sille ligjin thuaj, unë e njoh mirë teknikën legjislative, nuk bëhet dot ai ligj. Ai e hodhi si shashkë, perëndimorët e kanë kuptuar, silleni ku e keni? Pse janë shmangur? Cili ligj, çfarë ligji, do bëjë kod të ri penal? Nuk bëhet ai ligj sepse është abstrakt. Ligji bëhet me terma konkrete. Ajo flluskë sapuni ishte karremi që futën Saliun në Parlament. Saliu e vuri si kusht që të mos hynte kurrë në parlament, ata i thanë po do bëjmë ligjin për inkriminim dhe i thonë sille tani. Janë lojëra të një niveli të marrë. Unë them që kurrë nuk do bëhet një ligj i tillë, mund të bësh dot një ligj për inkriminimin e shoqërisë, çdo të thotë?”

Politologu Afrim Krasniqi problemin e kriminalizimit të Kuvendit e sheh tek mungesa e standardeve zgjedhore.
Afrim Krasniqi: “ Nëse shohim vendet e Europës Lindore ka ndodhur dhe në Bullgari dhe Rumani.Por ato gjetën forcën për të vendosur standardet e zgjedhjeve që nuk po ndodh në Shqipëri. Ndërkombëtarët ishin shumë të shqetësuar për cilësinë e disa deputetëve në zona të njohura bastione të cilët caktoheshin me të vetmen detyrë: Do shkosh atje dhe do marrësh mandatin, nuk ka rëndësi me çfarë çmimi. Dhe këtë e kanë bërë kryetarët e partive në Tiranë, jo ata atje. Me këtë logjikë ne kemi arritur deri në këtë pikë”.

Më poshtë pjesë nga diskutimet në studio:

Spartak Ngjela: “Po parlamenti nuk është i gjithë shteti. Dhe si vështirë të inkriminohen parlamentët, po inkriminohen ekzekutivët, ata që kanë forcë politike për të abuzuar me pushtetin. Termi është gjetur gabim. Ashtu siç gabon gjithmonë Saliu, edhe këtë radhë nuk i ka gjetur termin. Do mund të thuash njerëz të papranuar moralisht, se ky quan të inkriminuar njerëzit që janë dënuar.Ata nuk quhen më të inkriminuar pasi kanë dalë nga burgu, nëse kanë bërë.Çështja është më e thellë se kaq. Unë mendoj se nga 1924 e deri sot jemi drejtuar me krim shtetëror. Sidomos në periudhën e komunizimit, krimi ishte në shtet jo në rrugë. Kjo është specifika e totalitarizmit Hoxha.
Krimi qe në shtet, shteti mbahej me krim, nuk kishte ligje. Fjala e monarkut ishte ligj.E kundërta ndodhi në momentin inercial nga ’92 e deri sot. Këtu krimi doli në rrugë dhe shteti filloi të degradonte gradualisht në funksion të pushtetit. E vetmja sëmundje që kishte kapluar Zogun dhe Enverin e njëjta sëmundje kaploi edhe Berishën. Ardhja e dytë e Berishës në pushtet ishte si pasojë e degradimit të pushtetit të Nanos, por që nuk ra në krim.
Opozita nuk ka drejtuar gishtin askund. Parlamenti është nocion abstrakt, bëhet konkret kur ka emrat brenda. A kemi ne koshiencën për t’iu kundërvënë një partie në programin e vet në funksion të elementëve që ka zgjedhur për të kandiduar? Por këta janë të zgjedhur nga populli. Ti ke të drejtë ti thuash popullit ky njeri nuk është normal moralisht, por i jep votën apo si jep votën kjo është demokracia.
Çështja është më e rëndë. Nuk kemi shpëtuar nga rreziku i krijimit të krimit shtetëror në funksion të pushtetit. Edhe vrasja e Azem Hajdarit ishtë raporti mes ligjit dhe pushtetit personal. Sot aktualisht ka pushtet personal? Sigurisht që ka. Por a ka imoralitet? Patjetër që ka. Se ke marrë votat për moralitet dhe nuk po vendos moralitet. Është kriminalizimi i parlamentit apo paaftësia politike që na ka krijuar në këtë gjëndje? Kjo vjen se nuk është lejuar bota akademike dhe njerëz me integritet moral të hynë në parlament”.
Mustafa Nano: “ Biznesmenët janë kategori tjetër. Dekriminalizimi si kërkesë është nonsens. Kemi vetëm një gjest të shëmtuar dhune deri tani, nuk ka raste të tjera, janë opinione për një person apo tjetër. Mund të jenë dhe të dokumentuara.Problemi në Shqipqri është përfshirja e qartë e klasës tonë politike me krimin, logjikën e rrugës, dhunës, vrasjeve”.

Mero Baze: “Kjo është një çështje e paqartë. Unë mendoj se deputetët përbëjnë rrezikshmëri shoqërore kur janë shumë të aftë, të civilizuar, të cilët mundet që përmes ligjeve të kapin shtetin. Kurse sa i përket origjinës së deputetëtve kjo është një çështje e verifikueshme nuk ka pse të ngrihet tezë. Deputetët që kanë kryer dënimin, është çështje e popullit.Problemi më i rëndë është me deputetët që kanë përdorur pushtetin e tyre si deputet për të mbyllur çështjet e tyre penale. I tillë është Fatmir Mediu, kryetari i opozitës Lulzim Basha, është Sali Berisha. Kjo është fuqia reale e parlamentit që duke pasur pushtet të shpëtojë nga burgu. Ky është inkriminimi.


Te Paekspozuarit çdo të enjte ora 20:24 në Ora News

“Të Paekspozuarit” është një emision investigativ që do te rikthehet në ekranin e televizionit Ora News çdo të enjte në orën 20.45
Ylli Rakipi: Në fokus të vërtetat që ne shohim por s’guxojmë ti themi
Për të mësuar më shumë kemi pyetur ideatorin dhe drejtuesin e tij, Z. Ylli Rakipi i cili shpjegon strukturën e këtij produksioni.
Ylli Rakipi: “Të Paekspozuarit” është një emision i zhanrit investigativ që nis sot në Ora News në orën 20:45 dhe vijon çdo të enjte në të njëjtën orë.
Emisioni do të jetë i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë do të ketë një material të zgjeruar filmik dhe pjesa e dytë një tryezë të cilën unë do ta moderoj.
Tryeza do të ketë ekspertë të ndryshëm në varësi të aferave që emisioni do të ketë në investigim.
Në fokus do të jenë gjërat që ne i shohim dhe nuk duam ti shohim. Gjërat që ne na parakalojnë por që përbëjnë thelbin e jetës tonë, të vërtetat e thjeshta. Ato që ne shohim por ne nuk guxojmë t’i themi, për të gjitha fenomenet e ngjarjet në shoqërinë shqiptare e cila shpesh thuhet se është e mbytur nga korrupsioni apo trafiqet e ndryshme.”

ORA NEWS