Kristo Kondakçi: Si u persekutua familja ime për shkak të Bahri Omarit
NGA FATMIRA NIKOLLI
Kristo Kondakçi: Si u persekutua familja ime për shkak të Bahri OmaritTIRANE-Kristo Kondakçi është vetëm 24 vjeç. E la Shqipërinë kur qe veçse një vogëlush, por dy dekada më vonë, kthehet për të drejtuar një orkestër. Shqiptari i emigruar në Amerikë me familjen, i apasionuar pas Gustav Mahlerit, ka marrë leje nga vetë mbesa e kompozitorit për të ripunuar Simfoninë Nr. 1, “Titan”, që do të vendoset në skenën e TKOB.
Kjo vepër e artistit hebre, pos interesit që vjen në versionin e parë të saj, gjen paralelizëm edhe me historinë e familjes së Kristos. Nëna e dirigjentit të ri, Jolanda, vjen nga familja Omari dhe vetë Kristo është nip i Bahri Omarit. Familja e tij, ka një histori të dhimbshme persekutimesh gjatë periudhës së diktaturës. Te kjo muzikë ai mbivendos gëzimin dhe dhimbjen, dashurinë dhe vdekjen, për Kondakçiun, pasqyrim i historisë së familjes së tij dhe njëherësh motivim për t’iu përkushtuar kaq shumë. “Nëna ishte e internuar, gjyshi ka qenë në Spaç. Vëllai i gjyshit është pushkatuar në moshën 29-vjeçare, 45 vjet më parë, duke lënë pas një libër me kompozime, të cilat i kam orkestruar unë kur mbarova shkollën”, - tregon ai.
Koncerti i tij është sonte dhe nesër në mbrëmje (10-11 shtator), ora 20.00. Nën dirigjimin e maestros Kristo Kondakçi, koncerti, që është i pari i sezonit vjeshtë-dimër 2014, interpretohet nga Orkestra Simfonike e TKOB. Pjesa, është shkruar dhe rishkruar disa herë në vitet 1888-1906, madje Mahler donte të bënte ndryshime edhe në ditët e fundit të jetës. Në intervistën e mëposhtme, dirigjenti vjen në një rrëfim për familjen dhe veten me një shqipe të qartë e të thjeshtë, nëse kemi parasysh se ai e ka mësuar shqipen jashtë Shqipërisë.
Pse iku familja jote nga Shqipëria?
Familja ime ishte e persekutuar gjatë komunizmit, pasi nëna ime, ishte e familjes Omari. Me ardhjen e pluralizmit, ne ikëm si të përndjekur politikë në SHBA, ku e morëm lejen e qëndrimit shumë shpejt, vetëm për 1 muaj.
E mbani mend Shqipërinë e fëmijërisë?
E mbaj mend pak, ashtu si edhe Greqinë, ku qëndruam ca kohë para se të iknim në SHBA. Mbaj mend vendet, erërat, shijet.
Çfarë shkolle keni ndjekur?
Nëna ime është e ‘fiksuar’ pas shkollës. Më ka futur në një shkollë katolike dhe jezuite ku kam marrë një edukim të rreptë, por jo stresues, as shtrëngues. Na jepnin mësim priftërinjtë dhe na kanë dhënë bazat e duhura që të ecim para. Aktualisht, po vazhdoj masterin në ‘New England Conservatory’ në Boston, për dirigjim, ndërsa më herët kam studiuar kompozicion me një emër të njohur në Amerikë.
Pse zgjodhët Mahlerin për të ardhur në Shqipëri?
Këtë projekt e kam bërë në Boston kur isha 19 vjeç. Është simfonia e tij e ripunuar nga unë dhe është një projekt shumë i madh, pasi për realizimin e tij është përfshirë e gjithë shkolla, sidomos shpirtërisht.
Sa kohë të është dashur për ta ripunuar?
Kisha një dorëshkrim origjinal të Mahlerit. Më shumë se një muaj na u desh për të marrë lejen për ndërhyrje nga mbesa e Mahlerit, që jeton në New York.
Si e ke njohur mbesën e Mahlerit?
Nëpër rrethet muzikore. Presidenti i shkollës i dërgoi një letër dhe ajo u përgjigj pozitivisht. Morëm nderimin e saj për projektin tonë dhe nisëm punën. Ky version kishte humbur për 120 vjet. Mahler ia kishte dhënë dhuratë kunatit të tij. Ky i fundit shkoi në Kanada në University of Western Ontario dhe la aty çdo dokument të tij. Më 1989, dorëshkrimi u gjet brenda dokumenteve të kunatit të Mahlerit. Po ta shohësh, dorëshkrimi ka shumë shënime, pasi atë Mahleri e përdori edhe si bllok shënimesh. Ai bëri 8 versione të kësaj simfonie, e ne po punojmë me të parin dhe me origjinalin.
Ai asnjëherë s’e ka quajtur të përfunduar?
Jo, asnjëherë. Më 1911-ën ka lënë një letër në krevatin e vdekjes, ku kërkonte të publikonte një tjetër version të simfonisë.
Ai ishte perfekt, por nuk ishte i kënaqur me veten. Një nga arsyet që unë e punoj këtë pjesë, ishte sepse e shkroi kur ishte 29 vjeç, ndërsa versionin final e shkroi kur ishte 45 vjeç. Nga mosha 29-vjeçare deri në atë 45-vjeçare, në jetën e tij kishte shumë ndryshime, kishte humbur fëmijët, kishte humbur punën, gruaja e tradhtonte, pra, ishte një njeri krejt tjetër, sepse në një farë kohe u përndoq edhe sepse ishte hebre.
Si po ndihesh në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit?
Mirë. Është hera e parë që vihet Mahler aty. Janë marrë muzikantë edhe nga jashtë teatrit dhe kemi një orkestër të madhe me më shumë se 60 instrumentistë.
Pse mendoni ju se kjo pjesë ka lidhje me historinë e familjes suaj?
Unë jam i vetmi në botë që e kam ripunuar këtë pjesë. Para 1989-ës nuk e njihte asnjeri këtë. Muzika e Mahlerit lidhet me çdo familje që ka vuajtur nën komunizëm.
Çfarë ju ka thënë nëna për persekutimin dhe pse lidhet me ju Mahleri?
Familjen e nënës sime e kam takuar për herë të parë, kur më vdiq gjyshi më 2011. Vetëm atëherë u bashkuam të gjithë për herë të parë. Nëna ime ka qenë e internuar, gjyshin e kanë çuar 8 vite në Spaç për asnjë arsye të vërtetë. Shoku i tij i qelisë ishte futur në burg në Spaç për përkthimin e Dostojevskit, është fatkeqësi e pafundme. Kjo muzikë e Mahlerit, mbledh gëzimin e trishtimin; nga çasti në çast, ritmet ndryshojnë, mbivendosen, ndaj ka lidhje, sepse edhe jeta e familjes sime ka pasur shumë ulje-ngritje.
Nëna juaj, u la të studionte?
Nuk u la të studionte. Luan Omari e ndihmoi që të merrte shkollën e mesme, dhe mori Kartografinë. Vëllai i gjyshit, Gramoz Omari, në moshën 29-vjeçare u pushkatua. Edhe gjyshi, edhe ai ishin muzikantë. Ai u pushkatua natën e Vitit të Ri, që ata të mos e harronin kurrë dhe të mos e gëzonin kurrë festën.
Ju ka folur nëna për kohën e komunizmit?
Jam rritur me historinë e familjes së saj. Më shumë se nëna ime, Jolanda Omari, më ka folur gjyshi im, babai i nënës, Beqir Eqerem Omari. Ndërsa xhaxhai i nënës, Gramoz Omari, shkruante shumë muzikë. Ai ka lënë pas një libër me 300 faqe me kompozime muzike shqiptare. Pasi mbarova shkollën, i kam ripunuar për orkestër pjesët e tij.
Si të duket rikthimi në Shqipëri?
Tani, shumë vështirë, tani që gjyshi nuk është. Herën tjetër kur vija këtu, komunikoja gjithnjë me të. Kur isha i vogël e takoja përditë, sepse banonim afër në Amerikë dhe më tregonte gjithçka, për veten, familjen, Shqipërinë. U rrita më shpejt falë tij.
I ke takuar kushërinjtë?
Pak nga të babait. Nga ana e nënës, i njoh më shumë. Luan Omarin e kam takuar para disa vitesh, kur erdha me nënën. E takuam në rrugë, krejt rastësisht. Nënës iu mbushën sytë me lot.
Keni projekte të tjera me Shqipërinë?
Nuk kam gjë të planifikuar, por atmosfera është e kënaqshme.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt