Herr dhe Madame, Zonjë dhe Señor


Nga Redaktor on 10/09/2014

Kërkimet e fundit, kanë nisur të hedhin pak dritë në shtrirjen, shkaqet dhe pasojat e martesave ndërkombëtare

Pique ShakiraKur ylli kolumbian Shakira u martua me të dashurin e saj, futbollistin e kombëtares spanjolle Gerard Piqué, të vetmet të pazakonta rreth kësaj qenë që ajo ishte më e famshme se ai dhe 10 vjet më e madhe. Përndryshe, e tyrja do të ishte thjesht një shembull i trendit më të madh social të të famshmëve: shtimi i martesave ndërkombëtare, që po përfshin çifte të kombësive të ndryshme. Qindra vite më parë, bashkime të tilla ishin të kufizuara vetëm për elitat. Kur Randolph Churchill u martua me Jennie Jerome të Nju Jork-ut, dukej sikur kishte dalë nga faqet e novelave të Henry James-it: trashëgimtarja e gjallë, e stuhishme i jep zemër pasurisë në zhdukje të aristokracisë britanike.

Një shembull i ngjashëm me martesën e Mbretit Zog të shqiptarëve me konteshën Geraldine Apponyi, bijë e një familjeje aristokrate hungareze të rënë nga shkëlqimi i dikurshëm.

Tashmë, këto lloj aleancash janë bërë thuajse të zakonshme: ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është i martuar me italianen Carla Bruni dhe ish kryeministri François Fillon ka një grua uellsiane, Penelope Clarke. I ndjeri Nelson Mandela ka qenë i martuar me Graça Machel nga Mozambiku. Kryeministrja daneze Helle Thorning-Schmidt është e martuar me një britanik, Stephen Kinnock, dhe dy gra lidere të vendeve aziatike, Aung San Suu Kyi nga Myanmar dhe Sonia Gandhi e Indisë, janë të dyja vejusha nga martesa ndërkombëtare.

Martesat ndërkombëtare kanë rëndësi edhe sepse pasqyrojnë dhe vijnë si rezultat i globalizimit. Njerëzit bëjnë pushime, studiojnë jashtë vendit apo emigrojnë për të jetuar dhe punuar, njihen dhe martohen me vendasit.

Bashkimet e tyre janë simbole të integrimit kulturor dhe fushëbeteja për konflikte mbi integrimin. Pak gjëra i ndihmojnë emigrantët më shumë sesa të bëhen pjesë e një familjeje vendase. Megjithëse pasardhësit e bashkimeve të tilla mund të përballen me barriera paragjykimi, në më të mirën e tyre, martesat ndërkombëtare ulin intolerancën.

dasma-e-ahmet-zogut-foto-e-rralle (1)

Mjegulla mbi martesë

Është edhe më zhgënjyese që deri kohët e fundit shumë pak është ditur për këto bashkime. Të dhënat janë fragmentare. Disa shtete nuk mbledhin informacion të përvitshëm rreth shtetësisë së çifteve. Zyrtarët nuk të thonë asgjë nëse një martesë është bërë jashtë vendit (për shembull në shtetin e bashkëshortit emigrant).

Të përkufizosh çfarë llogaritet si ndërkombëtare nuk është aq e thjeshtë. Martesa e një burri vendas me një nuse të huaj është e thjeshtë, por martesa e të dy të huajve në një vend të tretë ndonjëherë llogaritet, ndonjëherë jo. Më e ndërlikuara nga të gjitha është si të trajtosh martesën e brezit të dytë të emigrantëve që kanë shtetësi të vendit pritës ( si të thuash fëmijët e një shqiptari në Greqi apo Itali, të një marokeni në Francë apo të një meksikani në Amerikë). Në rast të tillë, nëse shqiptari martohet me një greke apo italiane, marokeni me një franceze dhe meksikani me një amerikane kjo zakonisht nuk llogaritet si martese ndërkombëtare, edhe pse është bashkim jashtë linjave etnike. Ama, e çuditshme është se nëse ai martohet me një vajzë nga vendi i origjinës së prindërve –pra një shqiptar me nënshtetase amerikane le të themi –kjo quhet martesë ndërkombëtare, edhe pse nuk është e dy linjave të ndryshme etnike dhe mund të tregojë izolim, jo asimilim.

Së fundi, përgjigjet e këtyre pyetjeve , në përshkallëzim dhe përkufizim, po vijnë. Kjo falë edhe përpjekjeve të Unionit Ndërkombëtar për Studim Shkencor të Popullsisë , një shoqatë profesionistësh demografë dhe veçanërisht Doo-Sub Kim, një profesor nga Universiteti i Hanyang-ut në Seul, i cili drejton panelin për martesat ndër-kufitare.

Rezultatet globale mbeten të fragmentuara, por çështja e martesave në Azi dhe Europë, të paktën po bëhet më e qartë. Disa përpjekje, shpesh me rezultate surprizuese, po dalin në dritë.

Azia është pjesa e botës ku martesat ndërkufitare janë shtuar shumë në mënyrë të qëndrueshme. Sipas Universitetit Kombëtar të Singaporit , 5% e martesave në Japoni në periudhën 2008-’09 përfshinin një bashkëshort të huaj. Martesat ndërkombëtare kanë luajtur rol domethënës në modifikimin e homogjenitetit etnik të të gjithë vendeve aziatike.

Martesat ndërkombëtare janë të zakonshme në pjesën më të madhe të Europës. Llogaritjet nga Giampaolo Lanzieri, një demograf italian, kanë treguar se në Francë, raporti i martesave ndërkombëtare është rritur nga 10% në 1996-n në 16% në 2009-ën. Në Gjermani, rritja ka qenë pak më e ulët, nga 11.3% në 1990-ën, në 13.7% në 2010-ën. Disa shtete të vogla kanë nivele më të larta. Thuajse gjysma e martesave në Zvicër janë ndërkombëtare, nga një e treta që ishte në 1990-n. Rreth një në pesë martesa në Suedi, Belgjikë dhe Austri përfshin një partner të huaj.

Carla+Bruni+Sarkozy+World+Leaders+Gather+G20+DTygO qdXCScx

Faktori “Mamma Mia”

Përqindja duket se po rritet më shpejt në vendet mesdhetare: në Spanjë dhe Itali, martesat ndërkufitare llogariteshin më pak se 5% i totalit në 1995-ën; nga 2009-a, raporti ka arritur në 14% në Itali dhe 22% në Spanjë. Qiproja është një rast i veçantë: jo më pak se tre të katërtat e martesave atje në 2009-ën ishin ndërkombëtare ( më shumë se gjysma në 1995). Kjo sepse vendlindja e Venusit ka një treg në lulëzim të martesave dhe muajit të mjaltit. Shumë çifte nga bota, shkojnë të martohen atje.

Në pjesën më të madhe të vendeve në zhvillim, raporti i burrave të martuar me gra të huaja ishte më pak se 2% në vitin 2000 (0.7% në Ganë dhe Bolivi, 0.2% në Kolumbi dhe Filipine, 3.3% në Afrikë të Jugut). Krejt ndryshe, tre vende të pasura –Amerika, Britania dhe Franca –llogarisin gjysmën e totalit në kampionin e marrë. Duke qenë shtet i madh, në Amerikë raporti i martesave mbetet i ulët: vetëm 4.6% e amerikanëve kanë qenë të martuar me të huaj në 2010-ën, më shumë se 2.4% në 1970.

Albert Esteve nga Universiteti Autonom i Barcelonës llogarit se numri total i martesave ndërkufitare mes 25-39 vjeçarëve në kampionin e tij ishte rreth 12 milionë në vitin 2000. Kampioni përjashton disa vende me numër të madh të bashkimeve të tilla si Japoni, Tajvan, Australi dhe Kanada. E përgjithshmja është edhe më e lartë, ndoshta 15 milionë, ose më shumë. Krahasuar me shifrën e 500 milionë martesave të kësaj moshe në të gjithë botën, 15 milionë mund të mos duken shumë, por është më shumë se ka qenë dikur në disa vende. Rritja e martesave ndërkufitare po merr një ndikim të rëndësishëm social.

Kudo, martesat ndërkufitare rriten me migracionin, por më ngadalë se vetë ai. Sipas gjetjeve të Esteve-it, lidhja është afro një martesë ndërkombëtare për çdo dy emigrantë të rinj.

Kjo do të thotë se gjysma e emigrantëve të rinj në shoqëritë e tyre pritëse dhe gjysma tjetër, me gjasa, në komunitetet e tyre. Pra një rritje në emigracion zakonisht çon vetëm te një rritje modeste në martesat ndërkufitare. Procesi është më i ngadaltë dhe më kompleks.

Francois+Fillon+State+Dinner+Elysee+Palace+E3qTsz_ fRntl

Kërkimet në katër shtete europiane nga Suzana Koelet e Universitetit të Lirë të Brukselit dhe të tjerë konfirmojnë se martesat ndërkombëtare nuk janë rritur aq shumë sa mund të pritet në Europë. Nga llogaritjet e saj, normat e martesave me një person nga një vend jashtë shteteve të BE-së kanë qenë të palëvizshme në Belgjikë dhe Holandë, që prej vitit 2000 dhe kanë treguar vetëm një rritje modeste në Spanjë. Normat e martesave mes Zvicrës dhe qytetarëve të BE-së nuk kanë lëvizur. Martesat me të huajt janë rritur shumë në Spanjë, por kjo ishte për shkak të një shpërthimi të martesave me qytetarë jashtë BE-së: Spanja ka pasur një shtim të madh të emigracionit nga vendet e Amerikës Latine gjatë viteve ’90- 2000.

Për pasojë, integrimi më i afërt që BE-ja supozohet të jetë duke sjellë duket se nuk ka ndikim të dukshëm në zgjedhjet e martesave të holandezëve, belgëve dhe spanjollëve.

Pse jo?! Si pjesë të shpjegimit, Koelet tregon çështjet intriguese të martesave të Zvicrës. Vendi ka një nga përqindjet më të larta të martesave ndërkombëtare në botë ( e tejkaluar vetëm nga Lihtenshtejni, Luksemburgu dhe Qiproja). Por zviceranët martohen në një mënyrë të veçantë. Zviceranët gjermanishtfolës martohen kryesisht me fqinjët gjermanë; ata frankofonë martohen me francezët, italianfolësit me italianët. E njëjta ndodh me belgët: flamandët priren të martohen me partnerë holandezë, ndërsa uallunët martohen me francezë.

Gjuha, mesa duket mbetet një barrierë e qëndrueshme ndaj martesave ndërkombëtare në Europë dhe shpërndarja e anglishtes si gjuhë e dytë nuk duket se e ka ndryshuar këtë.

Martesa mbetet, për pjesën më të madhe, një institucion që promovon mirëqenie ekonomike dhe lumturi personale, si edhe priret të rrisë asimilimin social.

Ky shkrim u botua më parë në revistën “Madame Mapo”/ Mapo.al

http://mapo.al/2014/09/10/herr-dhe-m...nje-dhe-senor/