(Nga Shekulli)
Ambienti i shtëpisë, ku jeton me familjen e të birit Aleksandrit, është qoshëza e vetme ku aktorja Liza Laska gjen qetësinë. Dita e zakonshme është pak shikim në televizor, ku ndjek telenovelën e preferuar dhe shumë libra. Të pret me një pamje fisnike, por nuk harron të citojë shprehjet, për të cilat të thotë më pas se nuk janë të sajat, duke u bashkangjitur dhe emrat e të mëdhenjve që i kanë thënë. Ndonjëherë kujtesa vonon paksa, por ajo është këmbëngulëse dhe ndoshta kjo jep ngacmimin të kthjellohet shumë shpejt. Është 82 vjeç, por mosha ende nuk e ka mposhtur
Në shumë role ka qenë mishërimi i figurës së nënës, ndoshta pasi në tiparet e saj kjo konkretizohet më mirë. Edhe sot që është gjashtë herë gjyshe, do i vinte mirë nëse mbesa e madhe 25 vjeçare do e bënte stërgjyshe, por nuk është vetëm kjo që do e bënte të ndihej mirë. Ajo do të ndihej shumë komode nëse do të ngjitej edhe njëherë në skenë.
Mbi 50 vjet në skenë, kur i thua për rolet dhe kur ka lindur ndjesia për skenën, të përgjigjet, se është ndjerë kështu tërë jetën, që në fëmini. “Që në shkollën fillore kam nisur dhe nuk jam shkëputr nga arti”. “Për mua them që kanë influencuar shumë tregimet që më tregonte babai im, unë kisha një lidhje mjaft të fortë më babanë tim.
Prej asaj kohe mbaj mend që kur shtrihej, ai më tregonte, jo përralla me mbret, por më tregonte që nga Lufta e Trojës, detaje dhe përshkrime të ndryshme dhe unë kisha nisur imagjinatat. Kur hyra në shkollën tregëtare i mbaja mend fabulat e historisë dhe detaje të tilla me nguliteshin në mendje, të cilat i tregoja: Mbretin e Tebës e histori të tjera si Sfinksi, të cilat i kam mësuar që fëmijë. Që atëherë më janë ngulitur histori të personazheve të njohur, çka edhe recitoja apo interpretoja sipas imagjinatës sime. Babai më thotë një ditë: Ti nuk do merresh me këto përralla të vogla.
Në shtëpi kishim shumë libra, pasion për të cilin unë e trashëgova. Më thotë babai, do të të jap një vjershë shumë të bukur “Zogu dhe djali”. Unë e mësova, e recitoja dhe përsërisja derisa qaja, kur ishte pjesa prekëse që më bënte gjithmonë të lotoja. Por plotësimin e ndjeshmërisë aktoreske, unë e kam ndjerë në shkollën Tregëtare, atje filloi mbushja e të ndjerit artistik.
Neve atëherë bënim aktivitet revolucionar, por për të mbuluar këtë aktivitet, duhet të bënim aktivitet artistik. Psh: atëherë kam kënduar në kuartet me Lef Sallatën, që ka qenë në këtë shkollë. Këtu ka qenë edhe ajo mbushja, që mua më pëlqente shumë. Pas çlirimit u zhvillua edhe më shumë dëshira. Vlora kishte grupe diletante dhe u krijua një traditë e mirë”.
Pjesa e parë që ka interpretuar ishte që në shkollën tregëtare, atëherë kur si thotë ajo, zemra e femrës është e padjallëzuar. “Është shumë e rendësishe dashuria që ekzistonte mes kolegësh atëherë, pa djallëzi dhe kjo kishte shumë rëndësi”.- tregon Liza,- në shkollën tregtare isha edhe soliste, edhe në kuartet. Shoqëria që kisha atje, kuarteti ishte me Kristo Papajanin dhe nje vajzë nga gjirokastra, shumë e talentuar si dhe me dëshmorin Lef Sallatën”.
![]()
Krijoni Kontakt