Gjashtë nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë kanë marrë këtë të martë kërkesën e prokurorit Ramadan Topçiu për t’u paraqitur në organin e akuzës në lidhje me hetimet që po kryhen mbi skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit.


E para që duhet të paraqitet në prokurori këtë të premte në orën dhjetë është anëtarja Ermelinda Meksi, e cila sipas prokurorisë, në dy raste rezulton të ketë kërkuar shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani.

Menjëherë pas saj, në orën 11 të së njëjtës ditë do të pyetet edhe anëtarja tjetër e këshillit, Ela Golemi. Ndërkohë që katër të tjerëve, mes të cilëve zv.guvernatorja e parë, njëkohësisht nënkryetare e Këshillit Mbikëqyrës, Elisabeta Gjoni, si edhe anëtarët Dhori Kule, Petraq Milo dhe Ardian Civici do t’u duhet të japin deklaratat e tyre ditën e hënë.

Burime zyrtare thanë se të gjashtë anëtarët do të pyeten për nismat ligjore të marra prej tyre për funksonimin e Departamentit të Emisionit, për aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e ketij departamenti, urdhërat dhe udhëzimet e nxjerra nga Banka e Shqipërisë në përmbushje të vendimit numër 13 datë 22 shkurt 2006 për funksionimin normal të tij, aktet e proçedurat në lidhje me sigurinë e ambjenteve të seksionit, por edhe për rrethana të tjera që rezultojnë nga dinamika e hetimit.

Në fletë-thirrjet e saj prokuroria paralajmëron anëtarët se në rast mosparaqitjeje në ditën dhe orën e caktuar, pa patur pengesë të ligjshme, në bazë të nenit 308/C të Kodit të Proçedurës Penale mund të urdhërohet edhe shoqërimi i detyrueshëm i tyre.

Deri më tani për skandalin e vjedhjes së 713 milionëve jane arrestuar 17 persona, ndërkohë që në rrugë jo zyrtare flitet se persona të tjerë do të provojnë shijen e prangave në dy javët në vijim. Ndërkohë, organi i akuzës është ende në pritje të përgjigjeve që duhet të dërgojnë institucionet për pasuritë e të gjithë të afërmve të të dyshuarve.