Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 14 prej 14
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Letra e Gjashtë

    Ti më shkruan për inatin në zemrën e budallait

    Më dëgjo prapë tek të them. Shtro një themel të fortë. Ndërto një pallat të vogël e të mrekullueshëm në qiej. Pastroje kupën nga brenda, ashtu sic na mëson Zoti, që të pastrohet edhe nga jashtë, sepse çdo gjë që ka lidhje me trupin i ngjan atyre gjetheve që thjeshtë zbukurojnë njeriun e jashtëm. Të gjitha këto gjëra janë në rregull e të mira, por vetëm ato gjëra që unë të kam shkruajtur më parë janë ato që e pastrojnë njeriun përbrenda. Ato që të shkruaja do të hapin sytë e shpirtit. Nëpërmjet tyre zemra pastrohet që të mund të shohi Zotin kur të vijë dita. Sepse pa punë noetike, punërat e jashtme nuk kanë shumë vlerë.

    Po nuk pe lotët që të të rrjedhin çurkë sa herë sjell ndër mend Zotin, ta dish se vuan nga injoranca, e cila të shpie tek krenarie dhe shkakton ngurtësimin e zemrës. Prandaj ta mbash përulësinë si një veshje që mbulon gjithë veprimet e tua, dhe në vëllazërinë tënde murgjërore bëhu sfungjer që thith të gjitha qortime dhe të gjitha poshtërimet. Mos e ujit shpirtin me nderime dhe lëvdata por me qortime dhe akuza, paçka se mund të jesh i pafajshëm.

    Asnjëherë mos fillo të kërkosh të drejtën, pasi ke për të qenë i padrejtë. Përkundrazi, mëso ti durosh tundimet me trimëri, pa marrë parasysh fare se çfarë lloj tundimi lejon Zoti. Pa shumë justifikime, thjeshtë thuaj: "Më fal", dhe pendohu sikur të ishe me të vërtetë në faj edhe pse ti mund të jesh i pafajshëm. Bëjë këtë gjë me bindje shpirtërore; jo thjeshtë të pranosh sa për sy e faqe që je në faj që të marrësh lëvdata, teksa përbrenda teje je duke gjykuar ndryshe.

    Kur je duke vuajtur, mos kërko ngushëllimin e njerëzve, në mënyrë që të marrësh ngushëllimin e Zotit.

    Ura që të gjithë ne duhet të kalojmë është ajo ku do të na duhet të falim fajet e të tjerëve. Por ama, nëse nuk i fal fajet e të tjerëve, ta dish se sapo shkatërrove urën që të duhej të kaloje vetë. Pra bëhu një model e shembull i mirë për të tjerët falë veprave të mira që i pëlqejnë Zotit dhe mos dëshiro që të mundësh të gjithë me fjalët e tua.

    Mos kujto se ke për të gjetur prehje kur ngre zërin në kërkim të drejtësisë për veten tënde. Drejtësia është durimi me trimëri i tundimit kur vjen që të mund të dalësh fitimtar, e s'ka rëndësi nëse e kishe ti fajin apo jo. Ta dish se po the: "Po pse?" je duke luftuar kundër Zotit i Cili t'i dërgoi vuajtjet falë gjendjes pasionante* në të cilën ti je. Zoti na disiplinon ne që të mund të arrijmë gjendjen e çlirimit nga pasionet*. Prandaj po nuk e durove, ta dish që je me të vërtetë duke luftuar kundër Zotit.

    Më shkruan për inatin në zemrën e një budallai. Inati në vetvete është diçka natyrale. Ashtu si trupi ka nerva, shpirti ka inatin. Të gjithë njerëzit duhet ta përdorin inatin kundër demonëve, heretikëve dhe kujtdo që na pengon në shtegun tonë që na shpie tek Zoti. Megjithatë, nëse të zë inati me vëllezërit e tu murgj, ose tërbohesh për momentin dhe shkatërron punën e dorës që ishe duke bërë, ta dish se vuan nga mendjemadhësia dhe je duke abuzuar nervin e shpirtit tënd. Nga ky pasion çlirohesh vetëm duke treguar dashuri ndaj të gjithë njerëzve dhe falë përulësisë së vërtetë.

    Prandaj, kur të hipën inati, mbylle gojën fort, dhe mos i fol atij që të shan, të çnderon, të qorton apo të bie në qafë pa arsye. Pastaj ky gjarpër do të përdridhet brenda zemrës tënde, do të të ngjitet në gurmaz, dhe duke qenë se ti nuk i lë shteg për të dalë, ka për tu mbytur e marrë fryma. Po e përsërite këtë gjë disa herë, ka për tu venitur e shuar përgjithmonë.

    Duke qenë se njeriu u krijua si një qenie racionale dhe e butë, korrigjohet shumë herë më mirë me dashuri dhe butësi se sa me inat dhe ashpërsi. Pas një testimi të gjatë në kohë, unë kam mësuar se me mirësi dhe dashuri mund të paqëtosh shumë njerëz. Dhe kur njeriu ka qëllime te mira, mund ta bindësh shpejt dhe ta bësh engjëll të Zotit.

    Kjo është ajo që dua të të them ty dhe gjithë njerëzve: asnjëherë mos u përpiqni të korrigjoni njëri-tjetrin me inat por vetëm më dashuri të sinqertë dhe përulësi, sepse një tundim nuk mund të largojë dot një tundim tjetër. Kur shikoni që inati ju del përpara, harrojeni korrigjimin në atë moment. Kur shikoni që inati iu iku dhe paqja erdhi dhe fuqitë tuaja dalluese ju punojnë siç duhet, vetëm atëherë mund të flisni e fjala juaja ka për të bërë mirë.

    Nuk kam hasur asnjë njeri që është korrigjuar me anë të inatit por vetëm me anën e dashurisë; dhe pastaj kini për të parë se si njeriu i korrigjuar ka për të bërë edhe sakrifica. Prandaj, kështu duhet të silleni. Merr veten tënde si shembull - si paqëtohesh më mirë, me sharrje apo me dashuri?

    A nuk mahniteni nga fjalët e shenjtorit që lexoni në librin e Thënieve nga Etërit e Shkretëtirës, "Një njeri inatçi dhe nevrik nuk pranohet në mbretërinë e Zotit edhe sikur të ngjallte të vdekur nga varri!"?

    Më thua se i respekton fjalët e mia. Nëse kjo është e vërtetë, provoje këshillën që të jap, dhe mbyte pasionin kur vjen që të të mbysë ty. Sa herë që të vjen, mbaje gjarprin të mbyllur përbrenda, dhe menjëherë ke për të gjetur shtegun e gëzimit dhe fitores. Dhe lutjet që unë do them për ty do ta bëjnë efektin menjëherë. Dhe pasi të mundësh nënën, gjithë mizëria e bijave të lindura nga inati kanë për tu mposhtur, sepse dy pasionet kryesore që lindin gjithë pasionet e tjera janë inati dhe dëshira.

    Prandaj ta shtypësh inatin me gjithë fuqinë tënde sa herë që ngre kokë, dhe ke për të parë që herën tjetër do të jetë më i dobët. Godite pa pushim dhe prija kokën sa herë që e shikon të ngrejë kokë. Pastaj vetëkontrolli, fryti i vetëpërmbajtjes, ka për të lulëzuar. Dhe që nga ajo kohë e tutje, ke për të patur paqe dhe hir, dhe të gjitha të mirat do të vinë më pas.

    Dëshira, aspekti i oreksit* të shpirtit, është nëna e dytë e tillë që i vërsulet kalorësit(1) (për shembull: nousit). Kur tregohemi të matur ndaj ushqimeve dhe nuk shtojmë dhjamë, nuk do të ketë as gjak me tepricë. Dhe pastaj mishi* nuk mund ti sulet personit por vetëm lufton.

    Kështu që rezisto duke kundërshtuar* mendimet. Mos i lejo mendimet që të hyjnë, por luftojini me lutje. Luftoni me trimëri dhe jo të shtangeni, dhe pasionet kanë për tu paralizuar menjëherë. Duke e bërë këtë gjë, lulja e pastërtisë dhe dëlirësisë do të lulëzojë, kurse shpirti yt do të gëzojë me një gëzim të patregueshëm dhe do të sigurohesh se që nga ai moment një vend prehje është bërë gati për ty. Dhe kështu, ke për të paralizuar të keqen e këtij pasioni së bashku me të keqen e gjithë bijave të saj.



    1. Eksodi 15:1

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Irenna (14-09-2014)

  3. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Letra e Shtatë

    Dëgjo se çfarë më ndodhi mua.

    Sapo mora në këtë moment letrën që më dërgove dhe mësova për sa më shkruaje. Gëzohem që je mirë me shëndet por më vjen keq për vuajtjet e tua.

    Biri im, të gjitha ato vuajtje për të cilat më shkruaje po të ndodhin pasi ty të mungon durimi.

    Ti, biri im, je duke kërkuar Krishtin. Je duke kërkuar që të hysh në qytetin qiellor. Pleqtë dhe etërit po luten për ty, dhe unë i shkreti gjithashtu, po lutem këtu në shkrepat e malit. Dhe Perëndia i dëgjoi lutjet tona, dhe në mënyrë që të shtypi shpirtin tënd krenar, në mënyrë që të përuli dhe mposhti inatin, zemërimin, temperamentin dhe egon tënde, Ai të dërgoi një plesht - një tundim të vogël - që të të pickojë për ca kohë, që ti të mësosh që ta durosh. Ta dërgoi që të mërzisi dhe të mësosh të bëhesh i duruar. Në këtë mënyrë, inati, zemërimi dhe shqetësimi yt do të zbuten gradualisht. Perëndia ta dërgoi që ti të mësosh ti mbytësh këto tundime brenda teje dhe të mos nxjerrësh fjalë të rënda nga goja. Dhe atëherë kur fuqia e Satanait mbytet brenda teje në mënyrë të përsëritur, i ligu largohet dhe të lë në urtësi e qetësi, e bëhesh si qengj i vogël.

    Dëgjo se çfarë më ndodhi mua: Kur jetoja në botë, isha aq trim sa kisha për borxh t'u bëja ballë mijra njerëzve. Kisha një zemër luani. Dhe dashuria e Krishtit më lodhi tej mase. Po të doja që të tregoja gjithçka se çfarë kaloja më pasionin e inatit ditë për ditë, do të më duhej të shkruaja një libër. Duke qenë se Perëndia donte të më çlironte nga kjo e keqe, më sillte gjithë gjërat për të cilat unë kisha nevojë: njerëzit më binin në qafë pa të drejtë, më fyenin, më mërzisnin. Dhe nuk më tundonin ashtu thjeshtë, por në atë pikë sa mund të bëja vrasje. Por duke i duruar me një durim ekstrem dhe duke mbytur Satanain brenda meje, arrita që të shpëtoja nga e keqja.

    Kështu tunduesi i ruajti të gjitha dredhitë e tij më të mira për një ditë të ashpër dimri, se ai di si të tundojë dhe Zoti e lejon që të na testojë. I ligu bëri tre a katër përpjekje për të më tunduar mua por e pa që sulmet e tij i shkuan dëm. Pastaj papritur një rrymë e fortë ere shpërtheu derën dhe ngriti në ajër e flaku tej tavanin me gjithe trarë, së bashku me mijëra kilogramë pllaka guri përsipër - çatia fluturoi në ajër si një aeroplan - dhe e flaku në shkrepat e malit me dëborë. Pas kësaj që ndodhi, ne ngelëm në qiell të hapur dhe në dëborë.

    Por po të tregoja edhe llojet e tundimeve që kalova unë, nuk do t'i duroje dot pa i bërë dëm vetes, se ti do të gjykoje fajtorët. Megjithatë, duke duruar mundimet e tua, ke për të marrë aq shumë hir, në raport me masën e tundimeve, aqsa nuk do ta masësh dot. Kështu që mos mendo që po i bëre bisht këtij tundimi, nuk kanë për të të ardhur tundime të tjera. Një do të të vijë se s'bën. Dhe po nuk u tregove burrë me atë tundim, kështu ke për të qenë me të gjitha tundimet e tjera.

    Sepse tunduesi është brenda nesh. Nuk e ke parë atë, biri im? Ja shikoje! Ai ngjitet nga kërthiza e barkut dhe vete tek zemra dhe e nxeh. E djeg zemrën. E nxeh gjakun dhe e zbret në gurmaz. E godet kokën. E errëson nousin. Ai qëndron në laring si një komb dhe bllokon ajrin dhe na merr frymën.

    Ai që të shkakton tundimin mund të themi se është personi më i keq, ose më mirë të themi tunduesi e shtyn edhe atë vetë, që të të shqetësojë dhe mërzisi ty. Mirëpo Perëndia e lejon atë që të të tundojë ty në mënyrë që ti të fitosh më shumë përvojë çdo ditë dhe të mund të arrish çlirimin nga pasionet. Sepse kur e përgatit vetveten dhe i pret tundimet, nuk je i shushatur, nuk i je i trazuar; nuk e humb kontrollin e vetvetes.

    Më shkruan se po ta dije që do të merrje hir, je gati të duroje mijëra tundime si ai tundim. Por nga e di që po ti duroje këto tundime nuk do të merrje hir? Po të them ty dhe gjithë vëllezërve se nuk ka rrugë tjetër më të shkurtër për të marrë hirin se sa durimi i tundimeve të tua, pa marrë parasysh se si të vinë ato tundime. Gjendja shpirtërore e dikujt dhe sasia e hirit të tij i dëshmon durimi që ai njeri ka. Si ju duron jeronda të gjithë ju? Ai ka durim. Kjo dëshmon faktin që ai ka hir. Ai është i virtytshëm.

    Virtyti nuk ka një kambanë që ti të mund ta dallosh nga kumbimi që bën. Kambana e virtytit është vetëpërmbajtja, përvuajtja, durimi. Këto janë zbukurimet e çdo murgu dhe çdo të Krishteri.

    Kur njeriu që përpiqet parashikon dhuratat që vinë nga lart dhe hirin që ka për të marrë nga Perëndia, ai njeri duron gjithçka. E shikon se si jeronda i caktoi atij vëllait të fortë detyrën që të mbajë e durojë atë personin që vuan nga i ligu. Kurse ty që je i dobët të dha këtë gjembin e vogël. Kështu që bëj durim që edhe ti të bëhesh i fortë dhe të mund të durosh atë njeriun e pushtuar nga djalli. Duhet ta mbash, t'i shërbesh dhe të tregohesh i duruar me të. Çfarë virtyti! A e di se çfarë do të thotë të mbash e durosh një njeri të çmendur?

    Një herë një njeri i çmendur na erdhi edhe ne dhe nuk më bëri zemra që ta ktheja nga kish ardhur. Kudo që shkonte e përzinin. Pra, unë e mbajta, që të pushonte pak, që zemra t'i ngrohej, se edhe ai është një qenie njerëzore. E di se çfarë ndodhi më pas? E detyrova që të mbajë një kreshmë shumë strikte, siç na mëson edhe Zoti: "Kjo lloj fryme nuk largohet ndryshe, vetëm me lutje dhe kreshmim." (1)

    Dhe kështu një ditë, teksa ne ishim të gjithë jashtë, ai u mbyll në qeli e mbylli dyert nga brenda, mbylli edhe dritaret, e na la ne të gjithëve jashtë. Nuk na e hapi derën edhe pse iu përgjëruam shumë herë. Ç'të bënim? Më në fund, gjetëm një kaçavidhë, hoqëm vidhat e menteshave të derës, hoqëm derën nga vendi, dhe pastaj ai doli jashtë.

    "Hej ti ore!" - i thashë. "Pse i mbylle dyert dhe na le të gjithëve jashtë?"

    "Sepse kish patate dhe qepë brenda dhe unë desha të bëhesha asket për vete duke ngrënë qepët e patatet." - më tha.

    U bë mirë për pak kohë por iku dhe u pushtua prapë nga frymët e këqija përsëri. Ai njeri erdhi tre herë tek ne, dhe sapo bëhej mirë, ikte dhe çmendej përsëri, demonët e mposhtnin. Tani është i shtruar në spital.

    Kurse ti, duhet të bësh shumë kujdes që të mos përçmosh asnjë prej njerëzve që janë të përbuzur dhe të sëmurë në këtë botë. Sepse kjo përbuzja dhe fyerja jote nuk ndalet vetëm tek ata njerëz fatkeqë, por ngjitet lart nëpërmjet tyre tek Krijuesi dhe Formuesi, imazhin e të Cilit ata fatkeqët mbajnë. Ke për tu habitur shumë kur të vijë ajo ditë, e të shikosh se si Fryma e Shenjtë e Perëndisë prehet më shumë tek zemra e tyre se sa tek zemra jote.

    Përsa më përket mua, unë jam gjithmonë sëmurë. Jam si një njeri i paralizuar. Nuk bëj dot as dhjetë hapa. Falë kësaj dhe gjithë atyre që kam kaluar, ndihem i tejlodhur. Të lutem, të kërkoj të lutesh për mua, se kam shumë shpirtrat që më kërkojnë ndihmë. Dhe më besoni o etër dhe vëllezër, se për çdo shpirt që unë ndihmoj, më duhet të përballoj luftën shpirtërore të atij personi.

    Kjo është gjithashtu arsyeja përse jeronda yt është gjithmonë i sëmurë. Ai është dobësuar nga lodhja mendore dhe tundimet që kalon për hirin tuaj. Prandaj, biri im, mos përsërit ato fjalë që të thotë i ligu: që jeronda na qenkërka indiferent ndaj teje dhe nuk i kushton vëmendje vuajtjeve dhe nevojave të tua. Si është e mundur që jeronda të jetë indiferent kur ai vuan për të gjithë ne?

    Bëj kujdes! Flake tej këtë mendim dhe bëhu i duruar, që Zoti të shohi qëllimin e tënd e të ta lehtësojë barrën e rëndë të punës. Pranoje tundimin dhe mos ua vër fajin të tjerëve. Sepse kur nuk e duron tundimin dhe ua vë fajin të tjerëve - vetë Perëndia na i jep këto tundime - Ai Vetë ka për te na fshikëlluar, dhe ky është një ndëshkim më i ashpër dhe tej mase më i rënde. Sepse askush nuk ndëshkon dot siç ndëshkon i Gjithëpushtetshmi. Prandaj biri im, "Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast." (2) Ta duash vullnetin e Tij dhe prano çfarëdo që të bie në pjesë si ajo që të takon, se përndryshe Ai të dorëzon tek frikamania dhe bllasfemia.

    Dhe sa herë që gabon dhe rrëzohesh, pendohu përsëri. Mos u dëshpëro. Jepi vetes kurajo dhe shpresë. Thuaj, "Më ndje, Krishti im, po pendohem përsëri!" Mos thuaj: "Ndëshkimi i Zotit do të bier mbi mua. A nuk është turp? Ne jemi vetëm njerëz."

    Mos u indinjo me vëllezërit por mbaji mbi supet e tua fajet e tyre, që edhe ata të mbajnë fajet e tua. Ti duash që edhe ata të të duan, dhe duroi që edhe ata të të durojnë ty. Bëhu i mirë, dhe të gjithë do të bëhen të mirë së bashku me ty. Nënshtroi pasionet e trupit tënd dhe ke për të parë që shumë njerëz nuk do të të respektojnë vetëm fjalët e tua, por edhe një shkelje të vetme të syrit tënd.

    Përsa u takon detyrave të tua si dhiak që më zije në gojë në letër, nëse ke shumë detyra dhe të hanë shumë kohë, dhe të zemërojnë, unë kam për ti kërkuar jerondës tënd që të ti heqi ca detyra në mënyrë që të mos i bësh duke psherëtitur.

    Në lidhje me gjithë gjërat e tjera për çfarë më shkruaje në letër, ato tregojnë që ti ke një mendjemadhësi të madhe. Prandaj bëhu si kufomë e lëri të tjerët që të eci mbi ty. Bëhu si balta. Rrihe, godite dhe urreje vetveten si një armik të keq. Urreje anën tënde të keqe me nje urrejtje perfekte, sepse po nuk e munde ti atë, ka për të të mundur ai ty. Bëhu trim, mos ndje keqardhje për të! Me hirin e Perëndisë, unë të ndihmoj ty. Por më duhet edhe të të kujtoj atë thënien e Etërve të Shenjtë: "Po nuk derdhe gjak, nuk ke për të marrë shpirt."

    Mos e konsiderove veten sikur je njeri, po nuk ke marrë hirin. Po nuk arritëm të marrim hirin, kot që kemi lindur në këtë botë.

    Sa më i pastër dhe i ndriçuar na bëhet shpirti ynë këtu, aq më pranë dhe aq më qartë kemi për tu kënaqur me aromën e Krishtit atje, dhe kemi për tu ngazëlluar dhe kërcyer nga gëzimi më shumë se të tjerët.

    Pra mos e konsidero veten sikur je njeri, po nuk ke marrë hirin.



    1 Marku 9:29
    2 Psallmi 2:12
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-09-2014 më 09:32

  4. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    arbereshi_niko (28-09-2014)

  5. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore

    Letra e Tetë

    Nuk do t'i durosh të gjitha për hir të Dashurisë Ime?

    Asgjë tjetër nuk ndihmon në paqëtimin e inatit dhe gjithë pasioneve aq sa dashuria ndaj Zotit dhe ndaj çdo njeriu të kësaj bote. Ke për të fituar lehtësisht vetëm me dashurinë dhe me asnjë përpjekje tjetër. Për më tepër, kur dashuria mbizotëron nousin tënd nuk ke për të ndjerë as dhimbje teksa përpiqesh. Kjo është arsyeja përse "dashuria nuk dështon kurrë"(1), për aq kohë sa gjithmonë e drejton timonin e shpirtit tënd drejt dashurisë. Dhe pavarësisht se çfarë ndodh, ti thua me zë të lartë maksimën: "Për hir të dashurisë Tuaj, Jisu, dashuria ime e ëmbël, kam për të duruar mallkime, çnderime, padrejtësi, mundime, dhe gjithë vuajtjet që do të bien mbi mua!" Dhe menjëherë, sapo bluan në kokë këto fjalë, barra e dhimbjes lehtësohet dhe hidhërimi i demonëve pushon.

    Po të tregoj një histori të vërtetë. Një herë, falë tundimeve të mia të frikshme e të vazhdueshme, më pushtoi mërzia dhe frika, dhe ia prezantova çështjen time Zotit siku po trajtohesha padrejtësisht. Po ankohesha pasi Ai vazhdonte të lejonte që të binin kaq shumë tundime mbi mua pa i ndalur sadopak, aqsa nuk kisha mundësi as frymë të merrja. Në këtë çast hidhërimi dëgjova një zë shumë të ëmbël e të qartë brenda meje që më thosh me një dhembshuri ekstreme: "Nuk do t'i durosh të gjitha për hir të Dashurisë Ime?" Sapo dëgjova atë zë më mbytën lotët dhe u pendova që më kish pushtuar frika. Nuk kam për të harruar kurrë atë zë që ishte aq i ëmbël sa gjithë tundimet dhe frika ime u zhdukën në çast.

    Nuk do t'i durosh të gjitha për hir të Dashurisë Ime?

    "O Dashuria e vërtetë e ëmbël! Për Dashurinë Tuaj, ne kryqëzohemi e durojmë gjithçka!"

    I njëjti vëlla (murg) më tregoi një herë se ishte mërzitur me një vëlla tjetër. Ai i jepte këshilla por ky vëllai tjetër nuk i zbatonte këshillat e tij, dhe kjo gjë e mërziste shumë. Dhe njëherë, teksa lutej ra në ekstazi*. E pa Zotin e mbështjellë nga drita të gozhduar në Kryq. Dhe Krishti u kthye nga ai dhe i tha: "Shiko se sa shumë kam vuajtur për dashurinë tuaj! Po ju çfarë keni duruar?" Dhe me këto fjalë, mërzia e tij u zhduk. Ai u mbush me paqe e gëzim dhe duke derdhur lotët çurkë ai vazhdoi të mahnitej nga vetëultësimi i Zotit, i Cili lejon vuajtjet të bien mbi ne por edhe na ngushëllon kur e shikon që ne humbim kurajon.

    Kështu që mos e humb kurajon. Mos u shqetëso kur vijnë vuajtjet dhe tundimet, por me dashurinë e Jisuit tonë, lehtësoje inatin dhe frikën. Gjithashtu, jepi vetes kurajo duke thënë: "Shpirti im, mos e humb kurajon! Një vuajtje e vogël ka për të pastruar nga një sëmundje kronike." E vërteta është që së shpejti ka për të ikur vetvetiu.

    Tundimet tona na duken më të mëdha se sa janë kur na mungon durimi. Sa më shumë mësohesh t'i durosh ato, aq më të vogla bëhen, dhe i kalon pa shumë mundim. Dhe kështu bëhemi të fortë si shkëmbi.

    Kështu që bëhu i duruar! Pasi të kenë kaluar shumë vite, ato që të duken tani të vështira për t'u arrirë, kanë për të të rrënë në duar e ke për ti bërë për vete, pa e marrë vesh fare se si ndodhi.

    Prandaj, përpiqu tani sa je i ri pa pyetur "pse" që të mos humbësh kurajon. Dhe kur të plakesh ke për të korrur duaj kallinjsh të çlirimit nga pasionet. Dhe ke për të pyetur veten se si u rritën këta kallinj kaq të bukur, kur ti vetë nuk mbolle asgjë! Do të habitesh se si u bëre i pasur - ti që nuk vlen asgjë! Do të mahniteshs e si nga mllefi, pabindshmëria dhe frika jote mbinë lule aromatike dhe fruta të bukura! Prandaj, ushtroje veten.

    Njeriu i drejtë edhe sikur të rrëzohet dhjetë mijë herë nuk e humb kurajon, por ngrihet edhe njëherë në këmbë, e mbledh fuqinë e tij, dhe Zoti i regjistron atij fitore. Por ama Zoti nuk ia tregon atij këto fitore, që të mos i rritet mendja. Përkundrazi, Zoti i sjell atij ndër mend rrëzimet e tij, që t'i shikojë, të vuajë e të përulësohet. Por kur njeriu i drejtë i ka kaluar kazermat e armikut dhe ka mbledhur fitore të padukshme kudo, atëherë Zoti fillon t'i tregojë pak nga pak që po fiton betejën dhe po shpërblehet; që duart e tij po prekin diçka që e kish kërkuar më parë po që nuk i ishte dhënë. Dhe në këtë mënyrë, njeriu ushtrohet, testohet dhe përsoset, aq sa mund të mbajnë natyra, nousi, intelekti dhe enët e shpirtit tonë.

    Prandaj bëhu trim dhe i fortë në Zot, dhe mos e lejo etjen tënde të venitet. Por vazhdo të kërkosh e të thuash lutjen me zë vazhdimisht, pavarësisht nëse arrin të marrësh gjë apo jo.



    1 1 Korinthianëve 13:8

  6. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Jeronda Josif Hizikjasti: Urtësi Murgjërore


Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •