Hetimi për vjedhjen në Thesarin e Bankës së Shqipërisë zgjerohet në procedurën e asgjësimit të kartëmonedhave.

Rreth 30 procedura të asgjësimit të kartëmonedhave, të kryera në Departamentin e Emisionit të Bankës së Shqipërisë gjatë kohës që dyshohet se ka ndodhur vjedhja, janë tashmë nën hetim nga prokuroria.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se mbi bazën e verifikimeve paraprake, ka dyshime për rregullsinë e një procedure të tillë së paku gjatë dy viteve të fundit.

Sipas prokurorisë, objekt i hetimit është ballafaqimi i pasqyrave financiare të mbajtura për paratë që janë ndarë për t’ua asgjësuar dhe atyre që janë asgjësuar realisht.

Nga të dhënat e deritanishme është mësuar se dy vitet e fundit ka pasur raste kur asgjësimi i kartëmonedhave të vjetra është bërë vetëm duke shënuar sasinë e tyre, po pa mbajtur procesverbal numrin e serisë për secilën kartëmonedhë.

Objekti i hetimit të prokurorisë në këtë rast është verifikimi nëse ka kartëmonedha të destinuara për asgjësim, që janë vjedhur nga Arka Stok para se të digjeshin, siç ka ndodhur me të paktën 130 milionë lekë të rinj.