Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 24 prej 24
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    “Mjekut francez që vizitoi Enverin i dhamë 5 mijë USD, i mora pa formalitete në Bankë”

    Emri:  MjekuFrancezEnverHoxha.jpg

Shikime: 2641

Madhësia:  49.3 KB
    MJEKU FRANCEZ QE VIZITOI ENVER HOXHEN NE VITET ‘80

    Ditari i shefit të kabinetit për ngjarjen e tetorit 1984

    “Në fillim tërhoqëm tre mijë dollarë nga fondi i posaçëm, por shumën e rritëm me urdhrin e Ramizit”

    Vijon nga numrat e kaluar

    Mjeku francez që ka ardhur për të vizituar Enver Hoxhën në tetor të vitit 1984 është shpërblyer me 5000 dollarë. “Zyrtarisht kishim vendosur t’i jepnim 3000, shkruan Haxhi Kroi në ditar, por më vonë, me porosi të Ramiz Alisë që telefononte nga shtëpia e shokut Enver, kjo shumë u rrit”. Në rrëfimin e njeriut që është marrë vetë me këtë operacion bankar, është interesante mënyra si është proceduar për lëvrimin e valutës që ka përfituar mjeku francez i ardhur enkas nga Parisi për të vizituar kreun e regjimit. Sipas sekretarit personal, shuma është tërhequr prej tij me një urdhër verbal të Presidentit komunist, nga fondi i posaçëm i Bankës së Shtetit, madje pa bërë “formalitetet” procedurale. Në shënimin e datës 23 tetor 1984, Kroi shkuan se dollarët e marrë nga banka ia ka çuar Ramizit, i cili e ka adresuar tek Isuf Kalo, mjeku personal i Hoxhës, për t’ia dorëzuar mysafirit të veçantë, por aty për aty ka ndërhyrë Nexhmija dhe shumën e të hollave e ka çuar në destinacion Sulo Gradeci, njeriu i besuar i çiftit Hoxha. Qoftë edhe për kaq sa ky fakt ka lënë gjurmë në shënimet e njeriut diskret të Hoxhës, zbulohet një aspekt tjetër i mistereve të diktaturës. Nuk ka qenë rastësi që me një telefonatë të Nexhmijes, për sekretarin personal të Hoxhës hapeshin kasafortat e Thesarit të Shtetit për të marrë shuma të ndryshme me valutë(!). Ca më tepër që rasti në fjalë nuk ka qenë i vetëm, por siç e dokumenton edhe Kroi në ditar, kjo marrëdhënie e çuditshme ka qenë praktikë pune, ndonëse e panjohur e një sektori të veçantë në aparatin e KQ. Sipas tij, i ashtuquajturi “Fond i veçantë” është përdorur jo vetëm për nevojat e Hoxhës, kryesisht për mjekim e libra të siguruara në Paris, por edhe për veprimtarinë e liderëve të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, e jo vetëm. Sidoqoftë, dëshmitë e Kroit mbeten vetëm një dritëz që mund të ndriçojë mjegullnajën e këtyre operacioneve bankare të panjohura që inicioheshin drejtpërdrejt nga zyra më e rëndësishme e shtetit komunist. Pjesa në vijim e shënimeve të sekretarit personal të kreut të regjimit për zhvillimet e periudhës tetor-nëntor 1984, krahas dinamikës në kabinetin e këtij të fundit, bën fjalë për një reagim kritik të Hoxhës për historinë e Brigadës së Dytë, që sipas tij, “gjatë operacionit të dimrit 1943-1944 është shpartalluar për faj të drejtueseve të saj, armiqve Beqir Balluku e Kiço Ngjela”.

    DITARI I VITIT 1984

    E hënë 22 tetor 1984
    Erdhi e më la lamtumirën komandanti i oficerëve që sigurojnë selinë e Aparatit të KQ, shoku Haxhi Sherifi, me rastin e daljes së tij në pension. Haxhiu ka 7-8 vjet që ka zëvendësuar në këtë detyrë paraardhësin e tij, oficer Sheme Hidon, që atëherë doli në pension. Ai ishte një çikë si kapadai, ndërsa Haxhiu është kuadër i thjeshtë dhe i dashur me shokët, ndërsa në punë shumë kërkues dhe i drejtë. Ka lënë përshtypje shumë të mira te të gjithë punonjësit e Aparatit të KQ.

    E martë 23 tetor 1984
    Aty nga ora 12:00 më thirri urgjent shoku Ramiz dhe më porositi të tërhiqja nga fondi i posaçëm në Bankën e Shtetit 3000 dollarë brenda orarit, mbasi duhet t’ia jap mjekut francez që ka ardhur për të vizituar shokun Enver. Të lihen formalitetet, se mos vonohet kjo punë, ato le të bëhen më vonë, më tha ai. Mora menjëherë masa që shoku Qirjako Mihali të porosiste Ministrinë e Financave që të tërheqë nga shoku Koçi Xëngo këto të holla menjëherë, të cilat ia dhamë shokut Ramiz jo 3000, por 5000 dollarë amerikanë, pse sa shkoi shoku Ramiz te shtëpia e shokut Enver, porositi që shuma nga 3000 të rritej në 5000. E informova shokun Ramiz se dollarët, sipas porosisë së tij, i kisha tërhequr. Ai më tha t’i mbaja, se do t’i thosh shokut Isuf Kalo t’ia jepte mjekut francez. Mirëpo, si duket, i telefonoi shoqja Nexhmije dhe u morën vesh që dollarët t’i jepeshin shokut Sulo Gradeci. Kështu, shoku Sulo, i ngarkuar nga shoqja Nexhmije, erdhi dhe i tërhoqi nga unë.

    E enjte 25 tetor 1984
    Sot shoku Enver erdhi në Aparat pas 13 ditësh qëndrimi në shtëpi. Në krahasim me daljen e tij herën e fundit në zyrë, më duket më mirë nga paraqitja. Sa erdhi, shkoi menjëherë në dhomën e takimeve me shokët. Biseda që u regjistrua zgjati rreth një orë. Pastaj shoku Enver u kthye në zyrë tok me shokët Ramiz, Adil e Hekuran me të cilët vazhdoi të bisedojë edhe gjysmë ore. Sa u larguan këta, doli edhe shoku Enver për në shtëpi.

    E martë 30 tetor 1984
    Erdhi shoqja Nexhmije dhe më ktheu letrat e përshëndetjes që kishim përgatitur për t’ua dërguar ish-delegatëve të kongresit të parë antifashist të grave, si dhe efektivit të Brigadës së Dytë që ka përvjetorin e krijimit. Shoqja Nexhmije më solli vërejtjet e shokut Enver për përshëndetjen e Brigadës së Dytë. Vërejtja kishte të bënte me faktin pse nuk kishte dalë qartë, natyrisht me terma të përmbajtura, shpartallimi i kësaj njësie të madhe gjatë operacionit të dimrit 1943-1944 për faje të udhëheqësve të kësaj brigade, armiqve Beqir Balluku e Kiço Ngjela, që si pasojë pësoi humbje të mëdha dhe vetëm më vonë, nën kujdesin e shokut Enver, e rimori veten dhe vazhdoi luftën si duhet. Mora masa dhe i realizuam vërejtjet. Shoqja Nexhmije më tha se nuk është nevoja t’ia kthejmë përsëri shokut Enver për ta parë. Duke përfituar nga ky takim, i thashë shoqes Nexhmije se kam marrë një ftesë nga rrethi i Tropojës për të marrë pjesë në festën e 40-vjetorit të krijimit të Brigadës së 25. Ajo ishte dakord dhe bile më tha që mos të shkoja me autobusin e veteranëve, por të merrja një autoveturë. Në pasdite me shokun Ajet Simirxhiu shkuam në Laç, për të sqaruar patriotin Shefqet Riza Çela nga Velcani i rrethit të Pogradecit, që muajin e kaluar i ka drejtuar një letër shokut Enver me të cilën ankohej se në librin “Midis njerëzve të thjeshtë” nuk ishte përmendur edhe familja e tij. Me takt e sqaruam, sipas porosive që na u dhanë, dhe Shefqeti mbeti i kënaqur, bile na ftoi për një kafe, po ne, natyrisht, pasi e falënderuam, i thamë se ishte vonë dhe kishim dhe dy detyra të tjera në programin tonë.

    E premte 2 nëntor 1984
    Më erdhi në zyrë oficeri shoqërues i shokut Enver, Behar Zhurda dhe m’u ankua për një sjellje të padenjë të shokut Sevo Tarifa. Sevua ka marrë një masë që të mos u jepen veprat e shokut Enver oficerëve dhe personelit tjetër të shokut Enver, bashkë me mjekët. Sevua kishte thënë që t’i blejnë si gjithë populli në librari, pse ç’janë ata? Roje janë?! Duket se i janë errësuar sytë Sevos dhe i është rritur mendja. A është e lejueshme që oficerët e shërbimit dhe personeli tjetër i shokut Enver të ngrihen që me natë e të zënë radhë para librarive për të blerë veprën e shokut Enver dhe pastaj t’i zërë gjumi gjatë shërbimit shumë delikat që kryejnë?! Sevua nuk duhet të tregohet kaq i ngurtë.

    E shtunë 3 nëntor 1984
    Sot kam shkuar në Tropojë me rastin e festës së 40-vjetorit të çlirimit. Mua më çuan në shtëpinë e drejtorit të shkollës, Hasan Mulaj, kunati i korrespodentit të “Zërit të Popullit”, Halil Buçpapa. Atje kishin çuar për drekë edhe shoqen e luftëtarit trim për çështjen e Kosovës, Isuf Gërvalla, Zana Gërvalla, që e shoqëronte mjekja Nazmie Poga. Gjatë bisedës, e zonja e shtëpisë na tha se në zonë ka filluar një dukuri negative që më parë nuk ka qenë. Ajo tha se po përhapet në masë vesi i pijes alkoolike, çka po ndikon në dëmtimin e shëndetit të tyre, ekonomisë familjare dhe shëndetin e fëmijëve. Ky ves po shkakton edhe trauma familjare e mosmarrëveshje bashkëshortore.

    E mërkurë 7 nëntor 1984
    Në orën 11:00 erdhi shoqja Nexhmije dhe më solli veprën e re shumë të çmuar të shokut Enver “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, me një dedikim shumë të ngrohtë të shokut Enver. Shoqja Nexhmije më fali dy ekzemplarë. Njërin dedikimin e ka shkruar ajo dhe e ka firmosur shoku Enver, por meqenëse atij i dridhet dora dhe firma ka dalë jo si duhet, ajo më dha edhe një ekzemplar të dytë që ta përdor për ta lexuar dhe për t’ua treguar atyre që do të dëshiroj. Është një dhuratë e çmuar për mua që kam 36 vjet që punoj pa ndërprerje pranë shokut të shtrenjtë Enver. Të na rrojë sa malet! Ekzemplarin e parë e futa në kasafortën time me qëllim që mos ta shikojë njeri firmën e shokut Enver dhe të shqetësohet që atij i dridhet dora.

    E martë 20 nëntor 1984
    Pasi përgatita letrën e përshëndetjes të shokut Enver për shkrimtarin e shquar Shefqet Musarai, që sot ka 70-vjetorin e lindjes, ia çova shokut Enver me shoqen Nexhmije për ta miratuar. Ajo ma solli dhe pasi e firmosa me firmën-vulë të shokut Enver, më tha t’ia çoj vetë në shtëpi. Ashtu bëra. Ndërkohë, pasdite shkova në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve që ishte organizuar për jubileun e shokut Shefqet Musarai…

    E enjte 29 nëntor 1984
    Sot u festua 40-vjetori i çlirimit. Në Tiranë u bë parada madhështore e Ushtrisë. E shtunë 1 dhjetor 1984
    Sot mora pjesë në takimin që shoku Enver bëri me mikun e Shqipërisë, kryetarin e miqësisë Francë-Shqipëri, Pol Miliezin, që është njëkohësisht mjek me famë në Francë. Megjithëse biseda u bë në frëngjisht, ishte në takim edhe shoku Ajet për të mbajtur shënime. Ajeti di frëngjishten më mirë se unë. Biseda zgjati afërsisht një orë e gjysmë.

    E martë 4 dhjetor 1984
    Më telefonoi shoqja Nexhmije të shkoja në shtëpi me një çantë. Shkova menjëherë, se kujtova se do na jepte ndonjë material të zakonshëm. Sa arrita, oficeri i shërbimit më tha të ngjitesha në studio. Atje ishte shoku Enver dhe shoqja Nexhmije. Si u përshëndetëm, shoku Enver më dha një material të shkruar me shkronja të mëdha rreth 180 faqe (30 faqe të daktilografuara me spacio e rreshta të zakonshëm) dhe më tha se ishte porositur Abdyl Backa t’ia përgatiste lidhur me skic-idenë e planit të pesëvjeçarit të ri. “Abdyl Backa nuk e di gjendjen time shëndetësore, tha shoku Enver, prandaj merre këtë material e redaktoje duke lënë aty vetëm çështjet parimore, jo më shumë se 3-4 fletë”. Ai më dha edhe disa materiale studimore, si dhe dy vendime të Këshillit të Mbrojtjes, njëri dërguar që në shkurt kur u sëmur dhe nuk e ktheu dot, tjetri për kopetencat e komandave për ngritjen në alarm të trupave ushtarake që e kishte firmosur.

    E enjte 6 dhjetor 1984
    Sot dita është e kthjellët dhe e bukur. Shoku Enver doli në punë në orën 10:25 dhe shkoi direkt në takimin ditor me sekretarët. Kishin ardhur gjithashtu edhe shokët Adil, Besnik e Prokop Murra. Biseda me ta zgjati gati një orë. Shoku Enver u kthye me shokun Ramiz e si biseduan disa minuta në zyrën e tij, u larguan, shoku Enver shkoi në shtëpi dhe shoku Ramiz shkoi te shokët që vazhdonin bisedën. Kur u shpërndanë, u takova me shokun Prokop që e informova se shoku Enver më dha pardje të firmosur vendimin mbi planin operativo-strategjik të mbrojtjes që i ishte dërguar që në shkurt dhe e kishte mbajtur si duket për arsye të krizës së rëndë që pësoi më 16 shkurt, e cila e ka lënë mjaft të dobët dhe i ka marrë dorën dhe këmbën e djathtë, të cilat nuk i manovron dot normalisht. Shoku Prokop lajmëroi oficerin Nexhdet Kampo që e ka daktilografuar dhe ia dorëzova materialin të fotokopjuar.

    E shtunë 8 dhjetor 1984
    Materialin që shkurtuam me porosi të shokut Enver mbi skic-idenë e planit të ri pesëvjeçar, shoku Enver e kishte cilësuar skematik, prandaj shoqja Nexhmije më thirri mua dhe shokët Harilla Papajorgji e Abdyl Backa dhe na dha udhëzime të reja për të përgatitur një material orientues që të vlejë e të jetë i nivelit për shokun Enver. Ajo na transmetoi porositë dhe kërkesat e shokut Enver dhe na tha që ky material të bëhet gati deri të martën pasdite, më 11 dhjetor.

    E martë 11 dhjetor 1984
    Shoqja Nexhmije kishte kërkuar nga shoku Ajet që t’i dërgonte për të parë takimin që kishte bërë shoku Enver më 1 dhjetor me mikun francez Pol Miliez. Ajo më dha në telefon edhe disa vërejtje të shokut Enver për materialin e përgatitur nga ekonomistët Papajorgji e Backa për mosrealizimet në sektorin e naftës e në bujqësi, për zbatimin e drejtë të orientimeve për tufëzimin e bagëtive.

    E mërkurë 12 dhjetor 1984
    Më njoftoi shoqja Nexhmije se në ceremoninë që do të bëhet në orën 10:00 për dekorimin e shokut Sofokli Lazri, letrën e shokut Enver duhet ta lexoja unë. Para se të bëhej mbledhja, shkova e njoftova shokun Ramiz që më tha se do të më japë mundësi të lexoj letrën e shokut Enver, pasi të flasë ai diçka për Sofon dhe t’i dorëzojë urdhrin e Flamurit me të cilin është dekoruar. Në ceremoni erdhi edhe shoqja Nexhmije. Shoku Ramiz foli shumë ngrohtë për Sofon, që i emocionuar kishte ulur kokën dhe shikonte në tokë. Pasi i vuri dekoratën në gjoks, u ngrit të fliste edhe Sofua. Shoku Ramiz harroi për një çast çfarë i kisha thënë unë, por u kujtua dhe, duke i ndërprerë fjalën Sofos, tha: Tani do të lexojë Haxhiu letrën që i ka dërguar shoku Enver Sofos. Dhe e lexova. Sofua, i prekur shumë, me zor po lexonte ato që kishte përgatitur…

    vijon…
    AFRIM IMAJ

    Panorama

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit: Emri i agjentit në Byro që e zbuloi oficeri i Sigurimit Vladimir Meçe

    Emri:  ENVER-HOXHA-NE-NJE-NGA-MBLEDHJET-E-BYROSE-POLITIKE.jpg

Shikime: 2697

Madhësia:  65.3 KB
    ENVER HOXHA NE NJE NGA MBLEDHJET E BYROSE POLITIKE

    Ditari i Haxhi Kroit: Raporti sekret për Enverin në dhjetor 1984

    “Besnik Bekteshi në Vaun e Dejës shquhej për sjellje jo të mira, por kishte qenë edhe spiun i bullgarëve”

    Vijon nga numrat e kaluar

    Në dhjetor të vitit 1984, vetëm pak muaj para se Hoxha të ndërronte jetë, në kabinetin e tij në Komitetin Qendror ka mbërritur një raport sekret, që e informonte se një nga anëtarët e Byrosë Politike shërbente për një agjenturë të huaj. Me të tilla dokumente konfidenciale që mbanin autorësinë e Sigurimit të Shtetit, kreu i regjimit kishte eliminuar pjesën më të madhe të liderëve politikë dhe figurave historike të Partisë Komuniste. I fundit në radhën e tyre kishte qenë Kadri Hazbiu, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme, që ishte pushkatuar një vit më parë si agjent i shërbimeve ruse e jugosllave. Me kryqëzimin e tij ishte mbyllur kapitulli i eliminimit të liderëve që luftës dhe niste kështu epoka e spastrimeve të liderëve të rinj të rekrutuar rishtas nga radhët e klasës punëtore. Rasti që përmend Haxhi Kroi në ditar, u referohet të dhënave të shërbimit sekret për lidhjet e Besnik Bekteshit, anëtar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër me një agjenturë të huaj. Këtë radhë, sipas tij, informacioni konfidencial vinte nga njëri prej oficerëve të lartë të policisë sekrete, i cili garantonte se kishte fakte që vërtetonin shërbimet e tij për interesat e agjenturës bullgare. “Vladimir Meçja, në letrën drejtuar shokut Enver, shkruan shefi i kabinetit të Hoxhës më 13 dhjetor 1984, kishte prova të pakontestueshme, të siguruara nga një qytetare bullgare bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit, qysh para Kongresit të Tetë të Partisë, por ato u neglizhuan nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme”. Ndryshe nga herët e tjera, ku Hoxha sa i binin në dorë raporte të tilla, urdhëronte shfarosjen e të dyshuarve për shërbime agjenturore ndaj të huajave, në rastin e Bekteshit është treguar disi i përmbajtur dhe “zemërgjerë”. “Mund të mos jetë gjë, por edhe mundet të jetë, më tha Enveri, kujton Kroi porosinë e shefit të tij para se ta urdhëronte për ta futur letrën në kasafortë”. Në ata pak rreshta që shënon më poshtë, sekretari i Hoxhës të lë të kuptosh se i akuzuari i radhës ndër anëtarët e Byrosë Politike ka shpëtuar falë ndërhyrjes në çastet e fundit të Ramiz Alisë te kreu i regjimit. Ndër ngjarjet e tjera që ka regjistruar shefi i kabinetit gjatë kësaj periudhe, të bie në sy rebelimi i një piktori të ri ndaj administratës së aparatit të KQ, e cila ka marrë në Galerinë e Arteve pa lejen e tij tablonë “Flautistja” dhe ia kanë çuar Nexhmije Hoxhës….

    DITARI I VITIT 1984

    E enjte 13 dhjetor 1984
    Në orën 14:40 prita kryetarin e degës së brendshme të rrethit të Pogradecit, Vladimir Meçe, një djalë të ri rreth 35 vjeç, i komanduar në Tiranë për të bërë përgatitjen e tekstit të Sigurimit për shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme. Ai më shprehu dëshirën për t’i dorëzuar vetë shokut Enver një letër të tij, që e konsideronte tepër të rëndësishme, siç më theksoi ai. Letrën e kishte vënë në një zarf të pambyllur dhe më tha se donte të ma këndonte mua dhe t’i jepja mendim. Në letrën e këtij shoku me prejardhje të mirë familjare, nënë e babë komunist, dhe ky anëtar partie, thuhet se kur ka qenë i ngarkuar me punë koordinuese në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, ka marrë dijeni nga një dosje se një zbulues bullgar në Tiranë ka ngarkuar një bullgare të martuar me një shqiptar që të verifikonte para Kongresit të 8 të Partisë se ku ndodhej një qytetar shqiptar që ka pasë studiuar në Bullgari, me të cilin ka vazhduar korrespodencën nga Tirana, por që tani i kish humbur lidhjet dhe ndodhej diku në veri të Shqipërisë. Ai interesohej edhe për një tjetër shqiptar, që ish martuar me grua bullgare. Të dy këta persona, thotë gruaja bullgare, që është bashkëpunëtore e Sigurimit tonë, u zgjodhën në Plenumin e 8 dhe janë shokët Besnik Bekteshi dhe Shaban Baxhaku. Biseda me bashkëpunëtoren është e regjistruar në magnetofon dhe ndodhet në dosjen përkatëse. Letrën e Vladimirit ia çova shokut Enver në orën 6:00 pasdite në shtëpi. I tregova shokut Enver personin, i lexova letrën. Pastaj ai më pyeti edhe një herë për përmbajtjen e saj. I bëra të qartë. Shoku Enver më tha ta merrja dhe ta mbaja letrën në kasafortë. “Mund të mos jetë gjë, por edhe mundet”. “Po, do ta shohim”, më tha shoku Enver. U largova që aty dhe shkova në zyrë ku vendosa letrën në kasafortë. Shoku Enver më tha “mund të mos jetë gjë” për të mos më shqetësuar, po ai me siguri do të reflektojë dhe do ta verifikojë. Ndërsa mendoja për këtë, m’u kujtua një bisedë që kam bërë me djalin Maksin, i cili kur ishte duke bërë stazhin e Partisë në Vaun e Dejës në vitin 1972, e kishte thirrur kryetari i degës së brendshme të Shkodrës, që e kemi nga rrethi ynë dhe e kishte këshilluar të mos shoqërohej me Besnikun se nuk kishte sjellje të mira. Sa për Shaban Baxhakun, gjithnjë kam dëgjuar fjalë të mira, vetëm kur ndau gruan që me sa di, ka qenë bullgare, i rekomanduan motrën time Lirinë, por Shabani pasi u takuan dy-tri herë hoqi dorë. Shkaku mund të jetë thjesht çështje afeksioni, prandaj asgjë negative nuk i duhet ngarkuar Shabanit për këtë.

    E premte 14 dhjetor 1984
    Më telefonoi shoku Ramiz dhe më tha të shkoja në zyrë lidhur me “punën e atyre të dyve”, që informova mbrëmë shokun Enver. Kur shkova, gjeta aty edhe shokun Hekuran, që siç duket e kishte kërkuar shoku Ramiz. Sqarimet rreth përmbajtjes së letrës shoku Hekuran i mbajti shënim. Pastaj shoku Ramiz më tha se nuk është gjë kjo që ngre Vladimir Meçja, këtë gjë ne e kemi ditur, nuk ka gjë për shqetësim dhe u largova disi i qetësuar. Tani si e qysh e ka bërë Vladimir Meçja këtë gjë, do ta sqarojnë shokët Ramiz e Hekuran. Kur dola nga zyra e shokut Ramiz, te paradhoma priste drejtori i Përgjithshëm i hetuesisë, Qemal Lame.

    E shtunë 15 dhjetor 1984
    Lexova sot në gazetë një artikull të mirë të Ismail Kadaresë, që mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Shkrimtarëve, që u bë në Athinë. Më pëlqeu shumë, se ndihmon për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në këto situata të turbullta në Ballkan e në botë. Shoku Ramiz na dha një informacion të Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me dislokimin e ushtrisë jugosllave dhe rrezikun që mund të paraqesë ajo për ndonjë agresion të mundshëm kundër vendit tonë. Kanë kohë këta armiq që thurin plane kundër vendit tonë, por sidomos pas ngjarjeve tragjike në Kosovë, ata kanë intensifikuar veprimtarinë antishqiptare. Materialin ia bëra shokut Enver me germa të mëdha dhe ia dërgova.

    E hënë 17 dhjetor 1984
    Më njoftoi Petri Shijaku se në adresë të shokut Enver ka ardhur një letër shumë e poshtër nga armiku i betuar i Partisë, trockisti Xhavit Qesja. Do të informoj shokun Ramiz për përmbajtjen.

    E martë 18 dhjetor 1984
    Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike për shqyrtimin e skicë-idesë për planin e ri pesëvjeçar 1985-1990, që ka paraqitur qeveria. Diskutuan gati të gjithë shokët. Në fund unë lexova fjalën që kishte përgatitur shoku Enver.

    E premte 21 dhjetor 1984
    Informova shokun Ramiz se dy vjet më parë komunisti Petrit Hakani kishte denoncuar në Komitetin e Partisë së Durrësit se dy djemtë e Ibrahim Kuranit, dënuar për vjedhje pas çlirimit me pushkatim, po falur jeta dhe me grua të huaj që ka pas punuar në kundërshtim me normat në Portin e Durrësit, janë anëtarë partie. Duke mos marrë përgjigje nga Durrësi, Petriti para disa muajsh iu drejtua shoqes Lenka, e cila, pasi kërkoi sqarime nga Komiteti i Partisë, ishte dakord me propozimin e këtij komiteti që kjo çështje biografike të mos u ngrihet në organizatë këtyre dy komunistëve për të mos krijuar shqetësime. Petriti erdhi më takoi mua dhe i dhashë të drejtë, prandaj ai i drejtoi letër shokut Enver, të cilën ia dhashë shokut Ramiz me gjithë praktikën, pasi ia referova çështjen. Shoku Ramiz mendon se as Komiteti i Durrësit dhe as shoqja Lenka nuk e kanë vlerësuar drejt këtë çështje. Ai porositi që një qëndrim i tillë të korrigjohet sa më shpejt. Në mëngjes më erdhi në zyrë Sulo Gradeci dhe më tha se ishte porositur nga shoqja Nexhmije se me rastin që do të shkonte në Paris, të merrja edhe porositë e tyre për materialet që duheshin marrë nga Franca. Me Vaicën përgatitëm listën me sendet më të domosdoshme.

    E martë 25 dhjetor 1984
    Shoku Enver nuk shkoi sot në mbledhjen e Kuvendit Popullor. Shoqes Nexhmije i dhashë dje dy letra ardhur nga SHBA-ja për shokun Enver. Njërën e kishte dërguar shqiptaroamerikani Aleks Eftimiu, profesor në një universitet dhe tjetrën amerikani Barry Neisberg. Ajo më porositi t’u bëhej një letër falënderimi në emër të shokut Enver. Një letër e tillë, shtoi ajo, t’i bëhet edhe Dh.Kremos me shtetësi greke e me banim në Athinë për shkrimin që ka bërë “Shqipja-e folur dhe e shkruar”, si dhe për një fotografi që ka bërë në Shqipëri në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, të cilën ia kishte dhënë heroit të rezistencës greke, Manolis Glezos, për t’ia dorëzuar shokut Enver.

    E premte 28 dhjetor 1984
    Shoqja Nexhmije më dërgoi sot një kartolinë urimi, që i dërgon shoku Enver mikut të shquar të Shqipërisë, Pol Miliezit, me firmën e vet për Vitin e Ri. Këtë ia dërgova menjëherë shokut Sokrat Plaka, për ta nisur me pakon më të parë.

    E shtunë 29 dhjetor 1984
    Më telefonoi shoqja Nexhmije nga shtëpia që të merrnim autorizim nga shoqja Tefta Cami për të tërhequr nga Galeria e Arteve Figurative pikturën “Flautistja” të Arben Morinës. Shefi i administratës mori autorizimin, por nuk gjeti dot autorin në kohën e tërheqjes së tablosë dhe këtë ia dërgova menjëherë shoqes Nexhmije në shtëpi. Më vonë, shefi i administratës kishte gjetur Albert Morinën, autorin e pikturës dhe i kishte kërkuar pëlqimin, duke i kërkuar ndjesë që e kishte tërhequr pa pëlqimin e tij, por meqë ishte fjala për ta dërguar jashtë shtetit, u nxitua. Arbeni i kishte thënë se meqë i kërkon mendim, dëshira e tij është që tabloja të qëndrojë në galeri. “Tani s’kam çthem se është bërë fakt i kryer”, kishte shtuar ai. U njoftua për këtë shoqja Nexhmije…

    E diel 30 dhjetor 1984
    Lidhur me mungesën e dëshirës së piktorit Albert Morina për heqjen e tablosë “Flautistja” nga Galeria e Arteve Figurative, shoqja Nexhmije më porositi që nesër të thirret autori i tablosë që kjo të kthehet përsëri në Galeri, deri sa ai nuk dëshiron të hiqet andej e të dërgohet jashtë shtetit.

    E hënë 31 dhjetor 1984
    I transmetova shefit të administratës porosinë e shoqes Nexhmije që të thërrasë Arben Morinën e t’i thotë meqë nuk ka dëshirë që tabloja e tij “Flautistja” të mos dërgohet jashtë shtetit, ajo do të kthehet menjëherë në Galerinë e Arteve. Piktori që u thirr, u gëzua shumë dhe si djalë i popullit tonë i edukuar nga Partia, megjithëse piktura e tij u tërhoq nga Komiteti Qendror i Partisë, ai e tha hapët dëshirën, nuk u ndrydh, pse e di që te ne nuk ka vend për përçmim dhe hakmarrje.

    vijon…
    AFRIM IMAJ

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit: Nexhmija, në janar 1985: Enveri u paralizua, nuk di ku kam kokën

    Emri:  enver-dhe-nexhmije-hoxha.jpg

Shikime: 4173

Madhësia:  29.9 KB
    Nexhmije dhe Enver Hoxha

    Ditari i Haxhi Kroit: Ditët e fundit nuk çohet dot në këmbë

    “Tani e kemi vënë në karrocë në shtëpi, nuk i hyn në punë as bastuni dhe as shoqëruesi për të ecur”

    Fillimi i vitit 1985 e ka gjetur Enverin të paralizuar. Tashmë nuk i hyn në punë as bastuni dhe as shoqëruesi për të ecur. Që këtej e deri sa ka ndërruar jetë, ai ka lëvizur vetëm në karrocë. Në shënimin e datës 23 shkurt 1985, Haxhi Kroi pohon se këtë e ka mësuar gjatë një komunikimi konfidencial me bashkëshorten e Hoxhës. “Sa erdhi në zyrë shoqja Nexhmije, që nuk ishte dukur prej ditësh, shkruan ai, e pyeta për shëndetin e shokut Enver. Nuk është mirë, m’u përgjigj, tani e kemi vënë në karrocë në shtëpi, se nuk mund të ecë, as i vë dot këmbët në shesh”. Paraliza totale, pas një kompleksi sëmundjesh që po kalonte kreu i Partisë, po e privonte përfundimisht nga kontaktet me njerëzit, madje edhe nga bashkëpunëtorët e afërt. Tashmë, nuk bëhet fjalë për dalje publike, por edhe në ato pak takime me liderët kryesorë, Hoxha shfaqej i trukuar, falë përkujdesjes së veçantë të atyre pak të besuarve. Mjafton të përmendim këtu praninë e tij në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 11 shkurt 1985. “Një ditë më parë më thirri shoku Ramiz, shkruan në ditar Kroi, duke iu referuar kësaj ngjarjeje, dhe më porositi që të ftuarit në mbledhjen e nesërme të Byrosë Politike të thirren për t’u futur në sallë pasi të jetë ulur udhëheqja, në mënyrë që të mos shohin shokun Enver që jo vetëm ulet e ngrihet me shumë vështirësi, por nuk ecën dot as dy-tri metra”. Njëherazi me përjetimet e trishta për shëndetin e shefit që shkërmoqet dita-ditës, sekretari personal ka regjistruar disa nga zhvillimet sporadike në zyrën e kreut të regjimit, këtë herë pa praninë e tij, duke pohuar se çdo komunikim me të bëhej nëpërmjet Nexhmijes dhe Ramizit, dy të besuarit e vetëm që mund të flasin në emër të Hoxhës. “Me bekimin e këtyre të fundit, shkruan Kroi duke iu referuar një ndodhie të shkurtit 1984, përkthyesi i veprave të shokut Enver, Isuf Vrioni, një bir feudali, por që ka punuar mirë, u pajis me dokumente për të shkuar në Romë që të takohet me motrën, e cila jeton atje qysh nga viti 1940, kur ishte martuar me një italian”. Shënimet e shefit të kabinetit të Hoxhës që i përkasin periudhës janar-mars 1985, zbulojnë ndërkaq një fakt tjetër të panjohur, që ka të bëjë me mënyrën si përgatitej ditari i brendshëm i kreut të regjimit kur lëngonte në shtrat. Tashmë kur ai ka prerë çdo lidhje me punët e Partisë, i shtyrë nga e shoqja, i kalon orët e agonisë duke regjistruar në magnetofon ato çfarë i kujtohen nga jeta dhe raportet me bashkëpunëtorët, një pjesë e të cilëve të ndarë nga kjo botë me plumbat e urdhëruar prej tij. Zyrtarët e kabinetit të tij, më në fund e kanë reduktuar punën e tyre me zbardhjen e ligjëratave të Hoxhës, të menduara si testament.


    DITARI I VITIT 1985

    E martë 1 janar 1985
    Sot në orën 11:00, shoku Enver priti anëtarët e Byrosë Politike me bashkëshortet dhe shokët Haki Toska, Pilo Pelisteri, Spiro Koleka e Shefqet Peçi po me bashkëshortet me rastin e Vitit të Ri.

    E enjte 3 janar 1985
    Shoku Enver erdhi në Aparat në orën 10:30 dhe shkoi në takimin ditor. Kur mbaroi aty, shkoi në zyrën e tij me shokun Ramiz, i cili qëndroi rreth 10 minuta. Në orën 12:30 erdhi në zyrën time shoqja Nexhmije dhe më tha se kishte marrë një vjershë të Mexhit Kokalarit që e kishte kënduar grupi polifonik i Gjirokastrës me rastin e Vitit të Ri që i kushtohej Sahatit që shoku Enver i kishte dhuruar para disa vitesh gjimnazit të qytetit. Ajo më tha se ky njeri është shumë punëtor dhe shkruan vjersha vazhdimisht. Edhe babai, siç më ka thënë shoku Enver, vazhdoi shoqja Nexhmije, ka qenë njeri i ndershëm. Këtij mund t’i bëhet një përgjigje e thjeshtë për ta përgëzuar për këtë punë.

    E hënë 7 janar 1985
    Që pas Vitit të Ri ka filluar të bjerë shi i rrëmbyeshëm dhe borë në zonat malore. Është një gëzim i madh se këto reshje përbëjnë një të mirë të madhe, sidomos për energjinë. Nuk mbaj mend në jetën time si këto 5-6 muajt e fundit të kenë kaluar me një thatësirë kaq të zgjatur që na ka dëmtuar rëndë.

    E enjte 10 janar 1985
    Më erdhi në zyrë shoqja Nexhmije e më tregoi se ka porositur shokun Fatri (Sinani) për t’u marrë me ditarin e brendshëm të shokut Enver dhe më porositi që të kujdesem edhe unë për zbatimin e udhëzimeve që i ka dhënë.

    E shtunë 12 janar 1985
    Sipas porosisë së shoqes Nexhmije, thirra shokët Ajet, Tatjana e Fatri për të dëgjuar udhëzimet që i kishte dhënë ajo këtij të fundit për ditarin e brendshëm të shokut Enver. Thirra edhe shokun Spiro Dede. E dëgjuam me kujdes Fatrinë, por meqenëse porositë ishin të shumta, vendosëm që në bazë të shënimeve që mbajtëm të reflektojmë sot dhe nesër, të mblidhemi pasnesër për të dhënë mendime si duhet të veprojmë në të ardhmen.

    E hënë 14 janar 1985
    I dërgova shokut Enver letrën e përgatitur e të miratuar për mikun e rinisë universitare, doktor Fuad Sadit të përkthyer në frëngjisht nga Isuf Vrioni për ta parë edhe vetë, sipas porosisë së tij. Doktor Fuadi me kombësi arabe jeton e punon në Brazil dhe kohët e fundit është aktivizuar në shoqatën e miqësisë Shqipëri-Brazil. I propozova që bashkë me letrën t’i dërgojmë edhe disa nga veprat e fundit të shokut Enver. Në orën 10:00 më telefonoi shoqja Nexhmije dhe më tha të njoftoj Suzana Gërvallën, e cila e ka ftuar për drektë shoqen Nexhmije me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së burrit të saj, Isuf Gërvallës, se ajo e falënderon për ftesën, por meqë është e zënë me punë, nuk do të shkojë dot për drekë, por do të gjejë ndonjë pasdite të lirë dhe do t’i shkojë për vizitë.

    E hënë 21 janar 1985
    Shoqja Nexhmije më porositi që t’i dërgojmë ambasadorit tonë në Francë shënimet e takimit që ka bërë shoku Enver me profesor Pol Miliezin më 3 dhjetor 1984, duke i përcjellë me një shënim timin sipas të cilit, kur ambasadori t’i dorëzojë dokumentin Miliezit, ti thotë që: “…për arsyet që ju vetë i merrni me mend, në këtë material nuk figurojnë pjesë të bisedës që kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Shoqja Nexhmije më porositi gjithashtu që shënimet e këtij takimi të kenë vulën e KQ fletë më fletë, në fund të çdo faqeje nga ana e djathtë.

    E shtunë 26 janar 1985
    Sot më erdhi një letër nga motra e Isuf Vrionit që është martuar me një italian dhe banon që nga viti 1940 në Romë dhe i kërkon shokut Enver se meqë është e sëmurë, të lejohet Isufi të shkojë ca ditë atje se e ka marrë malli. Shoqja Nexhmije tha që të lajmërohet Isufi dhe të shkojë kur të dojë.

    E hënë 28 janar 1985
    I thashë shokut Hekuran që mos t’i sillnin pengesa Isuf Vrionit për lëshimin e pasaportës. Isufi mbeti jashtëzakonisht i prekur kur i komunikuan lejen për të vizituar motrën në Romë. Atij i treguan edhe letrën që ajo i ka dërguar shokut Enver. Ky element bir feudali, por që punon mjaft mirë me përkthimin e veprave të shokut Enver, disa herë me radhë ka parë zemërgjerësinë dhe humanizmin e vërtetë në qëndrimet ndaj tij.

    E enjte 31 janar 1985
    Shoku Enver erdhi në Aparat të KQ. Ai erdhi edhe një javë më parë. M’u duk shumë i mpirë, me sy të skuqur e me zërin karakteristik të dobësuar të kohëve e muajve të fundit. Më erdhi jashtëzakonisht keq. Sot i dërgova shokut Enver shkrimet e dy shqiptarëve të arratisur në SHBA që i përgjigjen artikullit të një amerikani, i cili shkruan me përçmim për vendin tonë. Këta artikuj shkruar nga Sami Repishti, shef i katedrës së Gjuhëve të Huaja në një Universitet në SHBA, më 7 janar 1985 dhe po në këtë datë edhe nga i arratisuri tjetër i quajtur Agim Leka, president i organizatës së ANNO-s për Nju Jork-un, janë botuar edhe në disa organe të tjera. Megjithatë, duhet parë me kujdes se mos është ndonjë lojë e organizuar nga Departamenti i Shtetit për të zbutur Shqipërinë socialiste në qëndrimet e veta kundër imperializmit. Por “le të hipin këtu e të shikojnë Stambollin me ne.

    E enjte 7 shkurt 1985
    Shoku Ramiz më porositi t’i dërgoj shokut Enver në shtëpi me shkronja të zmadhuara një material që ambasadori jonë në Romë ka marrë nga një mik i Ambasadës sonë, i quajtur Oresto d’ Agatino, që e bën të njohur për mundësinë e ekzistencës së pellgjeve naftëmbajtëse në Adriatik dhe në bregdetin shqiptar. Shoku Ramiz më porositi t’ia çoj sot në shtëpi, se nesër ai do t’i shkojë atje dhe do të bisedojë me të se ka gjëra interesante në këtë letër. Dje u kthye shoku Sulo Gradeci, që shkoi nga fillimi i janarit në Paris.

    E premte 8 shkurt 1985
    Sot shoqja Nexhmije mbush 64 vjeçe.

    E hënë 11 shkurt 1985
    Një lajm tjetër dëshpërues më dha sot shoku Ramiz. Ai më porositi që të ftuarit në mbledhjen e nesërme të Byrosë Politike të thirren për t’u futur në sallë pasi të jenë ulur shokët, në mënyrë që të mos shohin shokun Enver që jo vetëm ulet e ngihet me shumë vështirësi, por kohët e fundit -këto pesë ditë- nuk ecën dot as dy-tri metra. Sikur ishim ambientuar me gjendjen e mëparshme, se të paktën e mbante vetëm dikush për krahu dhe ai mund të ecte pak ngadalë dhe me shkop, kurse tani nuk ecën dot fare dhe ky është një lajm nga më të këqijtë. Duket që shoku Enver është rënduar se edhe shoqja Nexhmije del shumë rrallë në aparat. Kjo gjendje jo e mirë dhe krejt e papritur po na mban në ankth dhe aq më keq kur na duhet ta mbulojmë këtë gjendje shpirtërore para shokëve të punës dhe njerëzve të shtëpisë.

    E martë 12 shkurt 1985
    Sot do të bëhet mbledhja e Byrosë Politike në orën 10:00. Shoku Enver erdhi 15 minuta para mbledhjes. Shokun Enver e mbanin për krahu shoku Ramiz dhe shoku Hajredin Çeliku. Ai i hidhte këmbët me shumë vështirësi. Pasi u ul dhe u rregullua shoku Enver, u thirrën në sallë të ftuarit.

    E mërkurë 13 shkurt 1985
    Me porosi të shokut Ramiz i dërgova në orën 14:00 shokut Enver një mesazh të shkurtër që i është dorëzuar dje Ministrisë së Jashtme nga ambasadori francez në Tiranë, lidhur me çështjen e arit shqiptar. Ndërkohë shoku Ramiz i ka dhënë porosi shokut Sofo Lazri të caktojë njerëzit dhe të bëhen studime për takimet e ardhshme.

    E shtunë 23 shkurt 1985
    Pas disa ditësh mungesë, erdhi sot në zyrë shoqja Nexhmije. M’u duk e mërzitur. Si mbaroi bisedën telefonike me shokun Ramiz, ju drejtova me pyetjen: Si është shoku Enver? “Nuk është mirë, m’u përgjigj, tani e kemi vënë në karrocë në shtëpi, se nuk ecën dot, as i vë dot këmbët në shesh”

    E hënë 25 shkurt 1985
    Në datën 20 i dërgova shoqes Nexhmije për t’i dhënë për firmë shokut Enver një vendim të Byrosë Politike, që oficer Pajtim Ribaj, zgjedhur sekretar i Byrosë së Partisë së Akademisë Ushtarake, të emërohet njëkohësisht komisar i kësaj akademie. Të premten më 22 shkurt, shoqja Nexhmije kishte telefonuar dhe kishte thënë që të mos i komunikohej Ministrisë së Mbrojtjes ky vendim, deri në një lajmërim të dytë. Si nuk kemi marrë ndonjë sinjal lidhur me këtë, i bëra sot shoqes Nexhmije një shënim për ta kujtuar. Ajo menjëherë më mori në telefon dhe më tha: Më ka dalë nga mendja, se nuk di ku kam kokën”. Çështja është se shoku Enver e ka hedhur shumë keq firmën në këtë vendim, më sqaroi ajo, prandaj mos t’i dërgohet Ministrisë, që të mos e shohin dhe të tjerë. Prandaj kjo kopje të mbahet aty në aparat dhe ministrisë t’i dërgohet një kopje me firmën vulë. Zemra prapë m’u thye e m’u bë copa, kur shoqja Nexhmije më tha “harrova të të thosha, se nuk di ku kam kokën” kujtova se gjendja e shokut Enver… Edhe Sulua nuk ndihet fare, pse dhe ai, duke qenë shumë i ndjeshëm, nuk guxon as të telefonojë për ndonjë problem, pa lëre të më takojë se mos e tradhtojnë sytë e lotuar shqetësimin që ka si gjithë ne që e dimë këtë çështje, të cilën e mbajmë si sekretin më të madh, se është çështje e madhe që shkakton shqetësim në popull.

    E martë 5 mars 1985
    Më dërgoi shoqja Nexhmije një letër që shoku Enver i drejton mësuesit minoritar Ilia Grazhgos nga Bularati i Dropullit, që do t’ia çojë shoku Sevo Tarifa.

    vijon…

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  4. #24
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit: Ditët e fundit të Enverit, si e fshehu Nexhmija vdekjen

    Emri:  vdekja-e-enver-hoxhes.jpg

Shikime: 3135

Madhësia:  41.5 KB
    RAMIZ ALIA NE CEREMONINE MORTORE TE ENVERIT

    Haxhi Kroi: Kur Enveri përpëlitej midis jetës dhe vdekjes

    Nexhmija u kujdes deri në fund që asnjë çast të mos mendohej se Enveri kishte hequr dorë nga Partia”

    “Pasmesnata e 11 prillit 1985, kur pushoi së rrahuri zemra e Enverit. Çfarë ndodhi në Vilën 31″

    “Ngushëllimet e para në Vilën 31”
    “Lajmi për vdekjen u bë publik të nesërmen në mëngjes”

    Enver Hoxha ka hequr dorë nga drejtimi i Partisë disa muaj para se të ndërronte jetë, madje më herët. Kanë qenë sëmundjet e njëpasnjëshme ato që e kanë detyruar ta dorëzojë pushtetin në heshtje, por pa e deklaruar zyrtarisht. Përtej këtij fakti të pëshpëritur lart e poshtë nën zë në vitet e diktaturës, Haxhi Kroi në ditar ka dokumentuar me stilin e vet “mënyrën paqësore” të kalimit të pushtetit nga Hoxha tek Alia. Në shënimet e tij bëhet e qartë se kreu i regjimit, qysh pas goditjes nga ishemia cerebrale, në shkurt të vitit 1984, mbeti një mysafir i rrallë në zyrën në KQ. Njëherazi me pohimin që Hoxha e drejton Partinë nga shtëpia, shefi i kabinetit shënon në ditar se në pjesën më të madhe të kohës detyrat në Aparatin e KQ i komunikon Ramizi, “kuptohet, shton nga vetja Kroi, pasi konsultohet më parë me shokun Enver, të cilit i shkon shpesh në shtëpi”. Mirëpo mesazhet që vinin ditë pas dite nga Vila 31, ku Hoxha lëngonte në shtrat, ishin gjithnjë e më tronditëse, aq sa edhe vetë Kroi i ambientuar më së fundi më shumë se kushdo me mungesën e tij në krye të Partisë, një moment uron me shpirt “të paktën ta kemi me frymë se Partinë dhe vendin po i udhëheq shoku Ramiz dhe shokët e tjerë kryesorë, të cilët kanë përvojë si udhëheqës Partie e shteti”. Duke u ndalur në situatën e rëndë kur Enveri përpëlitej midis jetës dhe vdekjes në shtrat, zyrtari besnik që ka punuar 40 vite në zyrën e tij, shpjegon me detaje rolin e veçantë që ka luajtur në këtë periudhë Nexhmije Hoxha, e cila, siç shkruan Kroi, arrin deri aty sa të flasë edhe në emër të të shoqit jo thjesht për çështje rutinë, por edhe për probleme të rëndësishme shtetërore, që deri në atë kohë ishin në tagrin e Sekretarit të Parë të KQ. Në ditarin e Kroit, për arsye të kuptueshme nuk shpjegohen rrethanat si u ngjit Alia në postin e Hoxhës, por aty-këtu ka shënime që vërtetojnë afrimin e tij në oborrin e Zeusit, fill pas vdekjes së kapos, e ca më shumë pas vetëvrasjes në kushte të dyshimta të Shehut. Interesante në kujtimet e njeriut diskret të Hoxhës janë çastet kur ky i fundit ka ndërruar jetë. Përveç përjetimeve personale, Kroi sjell aty çast pas çasti situatën në aparatin e KQ dhe në vilën e udhëheqësit në Bllok, njerëzit e parë që ngushëlluan Nexhmijen dhe rolin që mori në këto momente Ramiz Alia, ku gati u shfaq i zyrtarizuar si kreu i vendit pas Enverit…


    DITARI I VITIT 1985

    E enjte 7 mars 1985
    Më mori në telefon Sevoja nga Gjirokastra dhe më pyeti nëse mund të botohet në “Pararoja” dhe “Llajko Vima”, letra që i ka dërguar shoku Enver arsimtarit të verbër nga minoriteti, Ilia Gazhgo, që do të shkojë t’ia çojë sot në fshatin Bularat a Bodrisht ku banon. Unë mendoj se mund të botohet, i thashë, por prit të marrim miratimin e autorit të letrës, e njoftova. I dërgova një letër shoqes Nexhmije dhe i shkrova se do të jetë mirë të botohet kjo letër në këto dy organe lokale dhe ajo m’u përgjigj: Unë nuk po e shqetësoj shokun Enver, por unë dakord jam që të botohet”.

    E hënë 11 mars 1985
    Bisedova me shokun Sulo disa probleme të laboratorit fotografik që ndodhet në kushte të vështira.

    E hënë 18 mars 1985
    Erdhi Sulo Gradeci në Aparatin e KQ për t’u sjellë shokëve Ramiz, Lenka, Simon e Vangjel Çërrava disa fotografi që kanë dalë me shokun Enver në shtëpi kur i shkuan për ta uruar më 16 tetor 1984, me rastin e 76-vjetorit të lindjes. Sulua dukej i qetë, çka më la të kuptoj se shoku Enver duhet të jetë më mirë me shëndet. Ditë e natë mendjen atje e kemi.

    E martë 19 mars 1985
    Në orën 13:30 më thirri shoku Ramiz. Ai kishte në zyrë shokun Reiz Malile dhe Sofokli Lazri. Më dha tekstin e një projekt-note drejtuar Ministrisë së Jashtme të Greqisë, në të cilën protestohet energjikisht kundër provokacioneve të vazhdueshme të disa elementëve reaksionarë e shovinistë grekë përpara Ambasadës sonë në Athinë. Qeveria greke nuk po merr masa kundër provokatorëve. Ca më revoltuese është qëndrimi i ruajtësve të rendit dje përpara akteve terroriste të bandave shoviniste, që i vunë zjarrin ndërtesës së Ambasadës sonë në Athinë, që shkatërruan edhe automjete të ambasadës dhe ata bënin sehir. Më vonë informova shokun Ramiz për sa më poshtë: Para dy ditësh më takoi komunisti i vjetër Shpend Dega, se ishte ngarkuar nga babai i inxhinier Doçit(falsifikator i monedhës dhe autor i veprave të tjera kriminale), dënuar me vdekje, Maxhun Doçi dhe vëllai i tij që të informoja shokun Enver për kërkesën e tyre që këtij banditi t’i falej jeta. Së pari i thashë shokut Shpend që Partia e njeh këtë familje si një familje me tradita patriotike në malësinë e Gjakovës, prandaj edhe pse një pjesëtar i saj ka kryer akte kriminale kundër shtetit, Partia nuk e zbeh konsideratën që ka për këtë familje dhe rrethin e saj, por sipas mendimit tim, që ndërhyjnë kështu nuk bëjnë mirë dhe unë nuk mund ta vë në dijeni shokun Enver, ata po të duan le t’i drejtohen me letër atij, ose presidiumit, por e mira është ta dënojnë me urrejtje këtë akt kriminal. Shpendi më tha se dhe ai kështu mendonte, por e kishin ngarkuar që t’i thoshte këto gjëra.

    E hënë 25 mars 1985
    Aty nga ora 09:00 më mori në telefon shoku Ramiz dhe më tha nëse e kisha njoftuar shokun Enver për vdekjen e Artistit të Popullit, Sandër Prosi. I thashë tani sa e mora vesh nga ju, nuk dija gjë. Mirë është ta njoftosh, më porositi ai, megjithëse më duket se ai ka vrarë veten. Mundet që shoku Enver të marrë dijeni. I dërgova menjëherë një shënim në shtëpi shoqes Nexhmije, që siç duket do ta ketë vënë në dijeni shokun Enver, se më tha se ishte dakord që të përgatitej një telegram ngushëllimi në emër të shokut Enver dhe t’i shkonte familjes. Ajo më porositi që në letër të vihet në dukje roli i Sandrit në Teatrin Popullor dhe në kinematografi.

    E martë 26 mars 1985
    Më dha shoku Ramiz një material për t’ia dërguar shokut Enver mbi bisedimet që ka bërë delegacioni ynë me përfaqësuesit anglezë në Paris nga data 16 deri më datën 21 mars për çështjen e arit që na ka grabitur Britania e Madhe prej më se 40 vitesh. Aty flitet për rezultatet e bisedimeve dhe për vazhdimin e tyre më 16 prill, po në Paris, midis dy vendeve. Mbrëmë, në pritjen e dhënë nga ambasadori grek me rastin e festës së fitores së revolucionit grek, shoku Reiz Malile bisedoi me ambasadorin për gjendjen në Greqi. Lidhur me dorëheqjen e papritur të presidentit Karamalis, që zuri në befasi tërë opinionin publik, tha ambasadori grek, tani varet se çfarë do të bëjë Karamalisi, sidomos këtë javë. Në qoftë se ai do të ndërhyjë në luftën aktuale politike që ka lidhje me zgjedhjen e presidentit dhe me propozimet e PASOK-ut për ndryshime në Kushtetutë, atëherë gjendja ka për t’u ndërlikuar më keq. Shoku Ramiz më tha se informacionet tani shokut Enver mos ia çoni më me shkronja të zmadhuara, se ia lexon shoqja Nexhmije, mbasi edhe nga sytë nuk është mirë. Si thua ti?, më pyeti. Nuk di ç’të them, shoku Ramiz, -ia ktheva, -ka rreth dy javë që nuk i dërgojmë materiale, se kur ka ndonjë gjë ia dërgojmë shoqes Nexhmije. Por në qoftë se ia lexon ajo, është më mirë, se nuk i lodhen sytë që vitet e fundit nuk i ka pasur si duhet. Ju e dini edhe më mirë gjendjen, se e shikoni ndonjëherë kur shkoni, i thashë shokut Ramiz, prandaj është më mirë t’ia lexojë shoqja Nexhmije që të mos i lodhë sytë.

    E enjte 28 mars 1985
    I dërgova shokut Enver dy materiale që do të diskutohen në mbledhjen e Byrosë Politike. Tani ato ia lexon shoqja Nexhmije. Fakti që ia dërgojmë tregon se shoku Enver është në gjendje t’u japë mendimet e veta shokëve që kanë nevojë për ndihmën e tij. Me qëndrimin e shokut Enver në shtëpi, shoku Ramiz dhe shokët e tjerë kryesorë, po udhëheqin gjithë jetën e vendit, pse veç ndihmës së shokut Enver për çështjet kryesore, kanë edhe përvojën e tyre të madhe si udhëheqës Partie e shteti.

    E premte 29 mars 1985
    Pas tri javësh pa ardhur në zyrë, sot erdhi në Aparat shoqja Nexhmije. Kjo do të thotë se shoku Enver mund të jetë më mirë me shëndet. Më gëzoi sot edhe pohimi i Sulos se shoku Enver duket një çikë më mirë, edhe pse këmbët nuk i kanë ardhur. Të paktën ta kemi mirë, edhe kështu siç është. Së paku të jetë në gjendje për ndonjë këshillë për shokët për çështjet më kryesore, por edhe për inat të armiqve të brendshëm e të jashtëm, që vetëm emri i shokut Enver i bën të tmerrohen.

    E hënë 8 prill 1985
    I dërgova shokut Enver nëpërmjet shoqes Nexhmije përshëndetjen që do të dërgojë në mbledhjen jubilare me rastin 40-vjetorit të armës së kufirit.

    E martë 9 prill 1985
    Sot ishte caktuar për t’u bërë mbledhja e Byrosë Politike. Para katër ditësh më 5 prill u bë mbledhja e Sekretariatit të KQ në të cilën shoku Enver natyrisht nuk mori pjesë. Ai qysh më 12 shkurt nuk ka ardhur në Aparat të KQ, bile edhe atë ditë e mbante fort për krahu shoku Ramiz. Pas dy-tri ditësh shoku Ramiz më tha se shokut Enver nuk i mbajnë këmbët fare. Edhe shoqja Nexhmije më tregoi më vonë për gjendjen e tij shëndetësore të vështirë, që nuk ecën dot dhe në shtëpi lëviz vetëm me karrocë. Herë pas here i shkon shoku Ramiz në shtëpi, patjetër për konsultime, për t’i marrë këshilla për probleme nga më kryesoret dhe gjë tjetër nuk dimë për të. Zemra na e do të përmirësohet sadopak dhe mendjen aty e kemi, pse as shoqja Nexhmije nuk po del në punë. Anëtarët e Byrosë Politike u mblodhën dhe po bisedonin në paradhomën e mbledhjeve, kurse shoku Adil qysh në orën 09:30 kishte shkuar në zyrën e shokut Ramiz. Gjashtë shtatë minuta më para ata dolën. Shoku Adil u drejtua te shokët, kurse shoku Ramiz shkoi te shoku Enver. Kuptohet qartë që shoku Enver nuk ka për të ardhur e s’ka si të vijë në këtë mbledhje dhe me siguri e ka thirrur shokun Ramiz për të biseduar me të, ndofta për çështje me rëndësi që do të marrë në shqyrtim Byroja Politike, mbase edhe për mënyrën si do të zgjidhet çështja e pjesëmarrjes së shokut Enver vetëm nëpërmjet bisedave e këshillave që ai do t’u japë shokëve nëpërmjet shokut Ramiz, apo duke gjetur ndonjë mënyrë tjetër për të ardhur e për t’u takuar me shokët. Dikur, deri në vitin 1953-1954, shoku Enver i thërriste në shtëpi mbledhjet e Byrosë Politike e të Sekretariatit të KQ. Atje i bënte ai takimet me shokët që kishte nevojë të konsultohej. Një gjë e tillë, them unë, ndofta mund të praktikohej edhe tani, po është pastaj çështja e pjesëmarrjes në mbledhjet e Plenumit të KQ, por sidomos edhe e daljes para publikut, se u bënë kaq kohë që njerëzit nuk e kanë parë dhe kanë dëshirë të madhe ta shikojnë, të paktën në televizor. Të gjitha këto sa shkrova më sipër do të ishin e keqja më e vogël, se mora vesh që mbledhja e Byrosë Politike u bë edhe pa shokun Ramiz. Shqetësimi për shëndetin e shokut Enver bëhet kështu edhe më i madh. Me këtë merak të madh shkova në shtëpi. Kur sa kisha ngrënë darkë, telefonoi dezhuri i Aparatit të KQ dhe më njoftoi se, me porosi të shoqes Lenka, duhet të vija në punë. U përpoqa mos ta bëja veten në familje dhe shkova menjëherë në Aparat. Në zyrën e shokut Piro Kondi ishin mbledhur ndihmësit dhe kuadrot e tjerë kryesorë. Qëndruam aty rreth një orë. Pastaj na thanë të prisnim në zyra. Shoku Leka Shkurti më pyeti: More, si është gjendja shëndetësore e shokut Enver? Iu përgjigja si ishte realiteti, se nuk dija gjë, por dyshimi e shqetësimi m’u shtuan, kur oficeri i katit më tha se sekretarët e KQ dolën nga drejtimi i shtëpisë së Partisë dhe, të gjithë ne që prisnim nëpër zyra, na u tha të largoheshim. Unë që e di prej më se një viti gjendjen shëndetësore të shokut Enver, u largova me një lëmsh të madh në gjoks dhe mblodha forcat të mos jap asgjë të kuptohej në familje dhe nuk më kuptuan. Po gjumë natën nuk bëra.

    E mërkurë 10 prill 1985
    Në orën 07:00 pa pesë isha në zyrë. Për orë të tëra nuk më bëhej të lexoja diçka. Paraditja iku kështu në tension e ankth. Pasdite u ktheva përsëri në zyrë. Në orën 16:30 më telefonoi shoku Piro Kondi dhe më tha që me gjithë shokët e sektorit do të na takonte shoku Ramiz. U thashë edhe shokëve. Të tre rrinim në heshtje dhe nuk i thoshim gjë njëri-tjetrit, por ndjenim se diçka serioze na priste. Pas pak erdhi shoku Ramiz në zyrën time dhe na dha lajmin e tmerrshëm, se qysh dje shoku Enver është në një gjendje shumë të rëndë, aq të rëndë, theksoi ai, sa që organizmi nuk vepron, ai jeton vetëm me aparatura. Po ua tregoj juve si bashkëpunëtorë të afërt të shokut të shtrenjtë Enver, shtoi ai, siç janë njoftuar edhe disa nga kuadrot drejtuese të KQ, siç u njoftua mbrëmë Plenumi dhe sot sekretarët e parë të rretheve. Vetëm një mrekulli mund ta kthejë këtë gjendje shumë të rëndë, na tha shoku Ramiz, se në fakt u la të kuptohej se ai nuk ka asnjë shpresë. U përlotëm e na dridhej trupi. Shoku Ramiz na këshilloi të bëheshim të fortë.

    E enjte 11 prill 1985
    Në orën 02:40, kur isha duke fjetur, ra telefoni. Shoku Sulo Gradeci kishte marrë porosi të shkoja në shtëpinë e shokut Enver. E kuptova menjëherë si qëndronte çështja, por nuk e dhashë veten. Në orën 02:55 kalova në Shtëpinë e Partisë, ku Skënder Tafaj më tha se Byroja Politike kishte shkuar në shtëpi te shoqja Nexhmije. U takova me oficerët e shërbimit me zë e zemër të dridhur nga dhembja e madhe dhe qëndroja në pritje sa të vinin shokët Shefqet Peçi, Haki Toska, Spiro Koleka e Pilo Peristeri që u njoftuan dhe ata, si nga shokët më të afërt e më besnikë të shokut Enver. Pas shokut Spiro, hyra edhe unë. Shoqja Nexhmije e lodhur dhe e drobitur nga dhembja e thellë dhe lodhja e madhe sidomos e këtyre dy ditëve të fundit, priste te dera dhe më dha dorën. E përqafova si shoqen e motrën time. “Na la Enveri, shoku Haxhi, me të cilin edhe ti kalove një jetë të tërë”, më tha ajo. M’u shkrep të qarët, po e mbajta veten. Përqafova me radhë Pranverën që mbahej e fortë, Ilirin, Sokolin dhe Klemin dhe u mata të largohesha, kur u ngrit në këmbë shoku Adil dhe më rroku për qafe… Në orën 07:00 u mblodh Aparati i KQ dhe shoqja Lenka komunikoi lajmin e kobshëm. Në orën 12:00 Radio Tirana dha komunikatën e KQ që u dëgjua në gjithë vendin në heshtje të madhe.

    FUND
    AFRIM IMAJ

    Panorama

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •