Close
Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 24
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit: Pas ‘82, fjalimet e Enverit në Byro i lexoja unë

    Emri:  Hoxha-dhe-Shehu-300x188.png

Shikime: 6334

Madhësia:  57.3 KB
    ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU

    Ditari i Haxhi Kroit: Çfarë gjetëm në vilën e kryeministrit

    “Librat e bibliotekës së Mehmetit i mori Enveri në shtëpinë e tij”

    “Ai erdhi vetë në sallën e Byrosë Politike ku i kishin grumbulluar dhe zgjodhi një nga një ata që i duheshin”

    Kroi: Në vitin 1982, gjendja e udhëheqësit u rëndua.


    …vijon nga numrat e kaluar

    Librat e sekuestruar në bibliotekën e Mehmet Shehut kanë përfunduar në shtëpinë e Enverit! Fakti i panjohur bëhet i ditur nga ditari i Haxhi Kroit, i cili, duke i qëndruar besnik përshkrimit të dinamikës së atyre ditëve të pazakonta, pa dashje zbulon një ves të padëgjuar të idhullit të tij shpirtëror. Në shënimin e datës 11 mars 1982, shefi i kabinetit të kreut të regjimit shkruan: “Shoku Enver erdhi në zyrë me syze të errëta, me një copë pambuk në sy. Pasi u ul, pa një nga një titujt e librave që kishim marrë nga shtëpia e Mehmet Shehut dhe, ato që zgjodhi, më porositi t’ia çojmë në shtëpi”. Çfarë ka ndodhur më tej me fondin e pasur të bibliotekës së kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, nuk u mësua asnjëherë. Për aq sa dëshmon Haxhi Kroi, pjesa më interesante e tij pa dyshim ka përfunduar në bibliotekën e Hoxhës. Sakaq, përveç inventarit për çfarë janë gjetur e sekuestruar gjatë kontrollit në vilën e kryeministrit të vetëvrarë, një operacion ky i drejtuar drejtpërdrejt nga sekretari personal i kreut të regjimit, ditari i këtij të fundit për periudhën shkurt-qershor 1982 ka dokumentuar kronikën e reagimeve të para të udhëheqjes së Partisë për zbulimin e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut. Në qendër të kësaj fushate të jashtëzakonshme u vunë dy materiale të punuara nga shoku Enveri, shkruan Kroi, duke kujtuar dorëshkrimin e parë “Mehmet Shehu, agjent i anglezëve” dhe tjetrin “Përsëri mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, të cilat i ka daktilografuar me dorën e tij. Ajo që veçon i besuari i Hoxhës nga paraqitja e shefit të Partisë në këtë sipërmarrje të pazakontë, është gjendja jo e mirë shëndetësore e këtij të fundit, që më së fundi nuk ka probleme vetëm me shikimin. Pas tri dekadash bashkëjetesë epror-vartës, Hoxha, i pamundur të finalizojë procedurat si ngaherë, detyrohet t’i besojë Kroit kumtimin e materialeve të veta në të gjitha forumet e Partisë, një përgjegjësi kjo që tejkalonte edhe staturën e sekretarit të KQ. Në shënimin e datës 14 shkurt 1982, shefi i kabinetit të kreut të regjimit shkruan: “Para mbledhjes së Byrosë Politike, shoku Enver erdhi në zyrën time dhe më tha se nuk ishte mirë. Prandaj, shtoi, do të t’i jap ty t’i lexosh në mbledhje diskutimet që kam përgatitur”. Ka qenë kjo mbledhja, ku forumi më i lartë i Partisë shqyrtonte për herë të parë veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut. Në të, siç konfirmohet nga kujtimet e Kroit, Hoxha ka qenë në rolin e dëgjuesit, pasi përveç fjalimit që ka mbajtur në emër të tij ai, fjalimin tjetër të Enverit “Përsëri mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut” e ka mbajtur Ramiz Alia… Një tjetër ngjarje që shefi i kabinetit të kreut të regjimit ka dokumentuar në ditar nga kjo periudhë, ka qënë një mbledhje sekrete e tre liderëve më të rëndësishëm, Enver Hoxha, Ramiz Ramiz Alia dhe Hekuran Iasi në mbrëmjen e vonë të 13 prillit 1982 për shqyrtimin e dy letrave që i ka adresuar udhëheqësit nga kampi i internimit bashkëshortja e Kicco Njelës, ish ministrit të Tregëtisë, dënuar me “grupin e sabotatuesëve në ekonomi”. “Para mbledhjes, shkruan Kroi, më thirri shoku Ramiz dhe më porositi të fotokopjoja letrën e Vera Ngjelës drejtuar shokut Enver dhe një tjetër drejtuar para dy javësh shoqes Nexhmije. Në të dytën armikja Vera Ngjela, shprehte dyshimet për vdekjen e shokut Hysni Kapo, se mos i kanë bërë gjë mjekët, gjë që nuk e përmend në letrën e parë, prandaj kjo bejlereshë bluan diçka me rëndësi në kokën e saj.” Në kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës, nuk flitet ccfarë u vendos në këtë takim të fshehtë, por komentet e tij për autoren e dy letrave, që “kërkon të futë në kaos e dyshime shokët e udhëheqjes”, të lënë të kuptosh thelbin e bisedës të tre drejtuesëve kryesor atë mbrëmje të 13 prillit…

    Ditari i vitit 1982

    E mërkurë 24 shkurt 1982
    Në orën 10:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike. Përpara mbledhjes, shoku Enver, pasi u ul në zyrën time, më tha se ishte një çikë me grip dhe vërtet ishte i mbështjellë me shall. Prandaj, tha, do të t’i jap ty t’i lexosh në mbledhje diskutimet që kam përgatitur. Ashtu bëra. Mora dorëshkrimet e tij dhe i lexova në mbledhje. Në fund të mbledhjes, shoku Ramiz lexoi për të pranishmit shënimet e shokut Enver “Përsëri mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut”.

    E enjte 25 shkurt 1982
    Shoku Enver nuk doli në zyrë.

    E premte 26 shkurt 1982
    Në orën 10:00 u bë mbledhja e sekretariatit, ku ishin të ftuar shoku Veli Llaka, shef i shtabit të Përgjithshëm dhe Ali Vukatana, sekretar i KP i Ministrisë së Mbrojtjes. Shoku Enver demaskoi gjerësisht veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, bazuar në faktet e zbuluara pas vetëvrasjes. Shokët e ftuar morën sqarime të mëtejshme mbi këtë çështje, që do t’u vlejë për sqarimin e bashkëpunëtorëve të tyre.

    E shtunë 27 shkurt 1982
    Shoku Enver erdhi në zyrë në orën 10 e 10 minuta. Kur erdhi shoku Enver, i dhashë një telegram urimi, që kishim përgatitur për shokun Sadik Bocaj me rastin e 60-vjetorit të lindjes, por nuk e firmosi. Sigurisht që duhet të dijë diçka jo të mirë në qëndrimet e sjelljet e Sadikut.

    E hënë 1 mars 1982
    Kur erdhi shoku Enver, më dha një dorëshkrim me 182 faqe mbi Mehmet Shehun si agjent i anglezëve dhe më porositi që ta shtyp e redaktoj vetë, se mbahet shumë sekret kjo çështje. Është gati si ajo e para që ke daktilografuar para disa ditësh, më tha, por kjo është më e zgjeruar. Pas largimit të tij, fillova nga daktilografimi i materialit, që ma dha të shkruar në letra bojë rozë.

    E enjte 4 mars 1982
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:30. Sot nuk kisha asnjë për t’i dhënë.

    E premte 5 mars 1982
    Shoku Enver nuk doli në punë.

    E hënë 8 mars 1982
    Shoku Enver nuk doli në punë.

    E mërkurë 10 mars 1982
    Shoku Enver më pyeti se çfarë bëhet me librat në frëngjisht, që janë marrë në shtëpinë e Mehmet Shehut. I thashë se po i sistemojmë dhe do t’i çojmë në sallën e mbledhjeve të Byrosë Politike.

    E enjte 11 mars 1982
    Shoku Enver erdhi sot në zyrë me syze të errëta dhe me një copë pambuk në sy. Kur mbaroi takimin me sekretarët, erdhi dhe pa një nga një titujt e librave, që kishim marrë nga shtëpia e Mehmet Shehut dhe, ato që zgjodhi, më porositi t’ia çojmë në shtëpi.

    E shtunë 13 mars 1982
    Sot, shoku Enver, para se të largohej, bëri zgjedhjen e tretë nga librat në frëngjisht që biblioteka e KQ ka tërhequr nga shtëpia e armikut Mehmet Shehu.

    E hënë 15 mars 1982
    Sot shoku Enver u takua rreth gjysmë ore me shokun Hekuran Isai.

    E shtunë 20 mars 1982
    Shoku Enver më tha se për dy javë do të shkojë me pushime në Vlorë.

    21 mars-12 prill 1982
    Shoku Enver me pushime në Ujin e Ftohtë në Vlorë.

    E hënë 12 prill 1982
    Shoku Enver u kthye sot nga pushimet dhe filloi punë. Shoqja Nexhmije, që erdhi në zyrë afër drekës, më kërkoi letrën e armikes Vera Ngjela, që ia kishte drejtuar nëpërmjet saj shokut Enver. Ajo i kishte dërguar në shkurt shokut Enver një letër, por duke menduar se nuk ia kishin dhënë të njëjtin tekst të shkruar me dorë, ia dërgoi përsëri me anë të shoqes Nexhmije. Ia dërgova në shtëpi të dyja, edhe të parën, edhe të dytën.

    E martë 13 prill 1982
    Sa u largua shoku Enver, më thirri shoku Ramiz dhe më porositi të fotokopjoja letrën e Vera Ngjelës, drejtuar shokut Enver dhe një tjetër, drejtuar para dy javësh shoqes Nexhmije. Në të dytën armikja Vera Ngjela shprehte dyshimet për vdekjen e shokut Hysni Kapo, se mos i kanë bërë gjë mjekët, gjë që nuk e përmend në letrën e parë. Prandaj kjo bejlereshë bluan diçka me rëndësi në kokën e saj. Për këtë çështje u mblodhën të tre, shoku Enver, shoku Ramiz e shoku Hekuran dhe diskutuan, midis të tjerash, edhe për qëllimin e Vera Ngjelës me këto letra.

    E premte 16 prill 1982
    Shoqja Nexhmije kërkoi korrespodencën e Ramadan Xhangollit me shokun Enver e shokun Ramiz, për të parë nëse del gjë në të mbi veprimtarinë e armiqve të Partisë nga letrat e këtij spiuni të puçistëve.

    E premte 16 prill 1982
    Shoku Enver nuk doli në punë.

    E shtunë 17 prill 1982
    As sot nuk doli në zyrë.

    E martë 20 prill 1982
    Sa erdhi në zyrë shoku Enver, më dha disa dorëshkrime të tij për t’i shtypur unë. Aty përshkruhet shkurtimisht zhvillimi i hetimeve të armikes e tradhtares së poshtër, të degjeneruar dhe bashkëpunëtores së vjetër në krime, armikut më të rrezikshëm që mund të ketë dalë deri më sot në vendin tonë, Mehmet Shehut, këtij poliagjenti të regjur, shërbëtor i shumë zotërinjve të huaj. Këta dy përbindësha, me urdhra të fshehtë të imperializmit amerikan, kishin bërë plane të tmerrshme, t’i jepnin grushtin më të rëndë Partisë dhe atdheut, duke likuiduar në mënyrë kriminale e të pabesë njeriun më të dashur e më të shtrenjtë të popullit, shokun Enver. Ata paskëshin marrë pluhur helmues nga padronët për të kryer këtë krim. Tradhtarë të ndyrë, që hiqeshin si besnikë, por fshehur mbanin mjete vdekjeprurëse, jo vetëm për udhëheqësin e dashur. Mallkim të përjetshëm këtyre përbindëshave!

    E enjte 22 prill 1982
    Tok me shokun Enver kur hyri në mëngjes në zyrë, u fut edhe shoku Hekuran. Shoku Enver më kërkoi kopjen e dytë të fjalës, që do të mbajë shoku Hekuran në mbledhjen e Byrosë Politike, në bazë të tezave që i ka përgatitur shoku Enver mbi veprimtarinë armiqësore të Fiqirete Shehut dhe dy djemve të saj. Me të mbaruar me shokun Hekuran, shoku Enver shkoi në takimin me sekretarët e KQ. Pas takimit, shoku Enver, i shoqëruar nga shoku Kadri Hazbiu, u fut në zyrë dhe vazhduan të bisedojnë aty për minuta të tëra.

    E premte 23 prill 1982
    Gjithë këto ditë shoku Enver po bën takime të shpeshta, sidomos me shokët Ramiz e Hekuran, por edhe me shokun Kadri. Nesër bëhet mbledhja e Byrosë Politike, ku me porosi të shokut Enver dhe mbi bazën e tezave që ai i ka dhënë shokut Hekuran, ky ka përgatitur një material, në bazë të të cilit do t’i raportojë Byrosë Politike mbi zhvillimin e hetimeve për veprimtarinë armiqësore e tradhtares së urryer Fiqirete Shehu.

    E shtunë 24 prill 1982
    Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike.

    E hënë 26 prill 1982
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 9:30 dhe, sa erdhi, u drejtua për në dhomën rezervë, ku kam materialet me porositë për mbledhjen e Byrosë Politike, ku u shqyrtua veprimtaria shumë e rrezikshme e armikut dhe spiunit. Shoku Enver më udhëzoi t’i fusja këtu, kurse letrën që ky tradhtar i ka shkruar shokut Enver natën që do të vriste veten, ta bëj në tri kopje e në tre mikrofilma dhe ta ruaj gjithashtu vetë e të mos ia jap kurrkujt pa urdhër të tij apo të shokut Ramiz. Duke dalë për në shtëpi, më tha që të mbaj në kasafortë edhe ndonjë nga takimet me karakter shumë rezervat që bën në zyrë, kur thërret shokët dhe regjistron bisedat me ta.

    E premte 30 prill 1982
    Sot shoku Enver nuk doli në zyrë.

    E enjte 6 maj 1982
    Sot shoku Enver nuk doli në punë. Me siguri po punon në shtëpi.

    E premte 7 maj 1982
    Shoku Enver as sot nuk doli në punë.

    E shtunë 8 maj 1982
    Është e treta ditë që shoku Enver nuk vjen në zyrë. Më telefonoi shoku Hekuran dhe më pyeti nëse kishte ardhur shoku Enver. I thashë që ka tri ditë që nuk ka ardhur dhe ndoshta as sot nuk do të dalë. Siç duket, kishte nevojë dhe i telefonoi menjëherë shokut Enver. Ai iu përgjigj se e priste në shtëpi pas një çerek ore.

    E hënë 10 maj 1982
    Pas 3-4 ditësh mungesë, shoku Enver doli sot në zyrë. Pasi i dhashë disa materiale që ishin grumbulluar, njoftova shokun Ramiz që ishte interesuar dhe erdhi menjëherë e takoi. Sa u takuan, shkuan të dy në drejtim të dhomës së çlodhjes, ku ishin edhe sekretarët e tjerë të KQ.

    E martë 11 maj 1982
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:20. Materialet e ditës që i dhashë, i pa menjëherë dhe pastaj shkoi në takimin e zakonshëm me shokët ne dhomën e çlodhjes, ku pinë kafe bashkë. Në orën 12:45 u largua për në shtëpi.

    E mërkurë 12 maj 1982
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:30. I tregova disa prodhime të bukura të Ndërmarrjes së Prodhimit të Artikujve të Konsumit të Gjerë, ku kisha shkuar sot bashkë me shokun Ajet për t’u informuar për punën dhe sjelljet e shoqes Tatiana Hoxha, që po bën atje stazhin e kandidates së Partisë. Shoku Enver i pëlqeu prodhimet dhe më porositi t’i transmetoj urimet e tij atyre që i bëjnë, të përgëzohet edhe Tatjana për punën shembullore e qëndrimet e mira me punëtorët e kësaj ndërmarrjeje. Pastaj shoku Enver shkoi në takimin e përditshëm me shokët sekretarë. Në kthim erdhi me shokun Ramiz, pas largimit të të cilit erdhi shoku Hekuran. Kur ishte i lirë në zyrë, shkova dhe e njoftova se shoku Qirjako mbush nesër 53 vjeç. “Është i ri ai, më tha shoku Enver, nuk e ka datë jubilare”. Duke më kthyer materialet që pa, më porositi që shokët e letrave të mos i nënvizojnë shumë materialet që ia përgatisin, të nënvizojnë vetëm thelbin e çështjes.

    vijon…

    AFRIM IMAJ

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-09-2014 më 19:51

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    “Haxhi Lleshi fodull i pandreqshëm, kërkon trajtim si të Enverit”

    Emri:  HaxhiLleshiKadriHazbiu.jpg

Shikime: 6348

Madhësia:  16.2 KB
    NË FOTO: (Lart) Haxhi Lleshi, ish-Presidenti i Republikës duke dekoruar Kadri Hazbiun në kohën kur ishte ministër i Punëve të Brendshme.

    Ditari i Kroit: Presidenti veteran na ngatërrohet nëpër këmbë.

    “Enveri më kërkon t’i lexoj çdo ditë letrën që ka bërë tradhtari i përbindshëm Shehu para vetëvrasjes”

    “Klemend Kolaneci ka një projekt të shkëlqyer për studion e udhëheqësit”
    “Arredimin e zyrës së Enverit Nexhmija ia besoi dhëndrit”


    …vijon nga numrat e kaluar

    Dy vjet pas vdekjes së Hysni Kapos, bashkëshortja e tij është interesuar zyrtarisht te kreu i Partisë për dy dosje të të shoqit. Fillimisht i ka kërkuar dokumentacionin mjekësor të Kapos dhe më vonë ditarin personal, që ruhej në kasafortën e tij në selinë e Komitetit Qendror. Haxhi Kroi, i zgjedhuri i Hoxhës dhe i autorizuari i tij për t’iu përgjigjur të vesë së “Besnikut të Partisë”, ka shënuar në ditar situatat delikate që ka kaluar gjatë komunikimit me të shoqen e Kapos. “Fillimisht, shkruan ai më 25 janar 1982, i dorëzuam Vitos dokumentacionin shëndetësor që ishte shpërndarë në Ministri të Shëndetësisë, në arkivin e Klinikës Speciale dhe pjesërisht në kartelat e doktor Dine Abazit (ish-mjeku personal i Kapos-shënim i red.), por ajo ruan ende rezerva”. Pa u marrë gjatë me dyshimet e të vesë së ish-numrit dy të Partisë dhe krahut të djathtë të Hoxhës, të bëra publike më vonë, sekretari personal i kreut të regjimit ka memorizuar raportet e acaruara me Vito Kapon, e cila nuk ka reshtur në kërkesat për të pronësuar gjithçka të rezervuar në kasafortën e të shoqit në aparatin e Komitetit Qendror. Duke folur për takimin e Hoxhës me Kapon më 20 maj 1982, Kroi kujton porosinë e shefit të tij për t’i vënë në dispozicion të vesë së Hysniut dokumentacionin që ky i fundit kishte të arkivuar në aparatin e KQ. Pas këtij momenti, siç shkruan i autorizuari i Hoxhës, Vito Kapo ka tërhequr dosjet me ditarët e të shoqit, që fillonin nga viti 1966 dhe përfundonin në korrik 1979. Njëherazi është interesuar për to edhe kreu i Partisë, i cili i ka lexuar me kujdes dhe, pasi ka konstatuar “gjëra delikate”, ka thirrur me urgjencë shefin e kabinetit dhe aty për aty e ka urdhëruar: Ditarët të kthehen në KQ, se janë materiale sekrete dhe me vlerë për Partinë. Vitos jepini vetëm pjesët me karakter familjar. Po belaja me Vito Kapon nuk ka qenë e vetmja, që e ka preokupuar shefin e kabinetit të Enverit në këtë periudhë. Në ditar, Kroi veçon një tjetër episod të pakëndshëm në marrëdhëniet me Haxhi Lleshin “Presidentin veteran”, i cili nuk ka denjuar të marrë pjesë në Kongresin e Bashkimeve Profesionale të 9 qershorit 1982, pa mësuar nëse do të shkonte Enveri(!) apo jo. “Këtu ka një dozë mendjemadhësie e fudullëku, shkruan sekretari i kreut të Partisë, duke përçmuar pretendimin e Lleshit për një trajtim si të Enverit. Një tjetër çështje që ka ndjekur me përparësi shefi i kabinetit të Hoxhës, gjithnjë sipas shënimeve të tij në ditar, ka qenë rimodelimi i zyrës së shefit të Partisë, sipas një projekti të ideuar nga Nexhmija, zbatimin e të cilit ajo ia beson vetëm arkitekt Klemendit, dhëndrit të çiftit Hoxha….

    DITARI I VITIT 1982

    E enjte 13 maj 1982
    Shoku Enver nuk doli në zyrë.
    E premte 14 maj 1982
    Aty nga ora 11:00 shoku Enver më kërkoi fotokopjen e letrës që i ka drejtuar tradhtari i përbindshëm, Mehmet Shehu, para vetëvrasjes. Ia çova dhe ia lexova disa herë, duke i bërë një rifreskim të përmbajtjes.
    E shtunë 15 maj 1982
    Shoku Enver doli në orën 10:35. Pas takimit ditor u kthye bashkë me shokun Hekuran dhe biseduan të dy deri në orën 12:40. Pastaj shoku Hekuran shkoi në zyrën e shokut Ramiz.
    E hënë 17 maj 1982
    Shoku Enver erdhi me vonesë dhe shkoi direkt në takimin me shokët sekretarë. Ndërkohë erdhi në zyrë shoqja Nexhmije dhe më tha se Vaica, për shkak të zbardhjes të regjistrimeve ditore, është duke ia vonuar disa punë që po bën. I tregova se tani jemi marrë vesh me shokun Ramiz, që, kur të ketë biseda me karakter tepër sekret, do më njoftojë vetë që t’i zbardhë Vaica, të tjerat do t’u jepen stenografeve të sektorit të përgjithshëm. Ajo ish dakord.
    E mërkurë 19 maj 1982
    As sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Do të jetë pa qejf. Në orën 12:00 më erdhi në zyrë shoqja Nexhmije dhe më tregoi se kishte parë projektin e pajisjes së zyrës së shokut Enver, kishte bërë disa vërejtje dhe këto do t’ia jepte inxhinier Klemendit (K.Koloneci dhëndër i Enverit). E informova se shoqja Vito kishte kërkuar takim me shokun Enver dhe, meqenëse ai nuk ka dalë këto ditë në punë, kam përgatitur një shënim për ta vënë në dijeni. Shoqja Nexhmije më tha të mos ia dërgoj ato shënime, se do t’ia referojë vetë.
    E enjte 20 maj 1982
    Shoku Enver më telefonoi nga shtëpia që të lajmëroj shoqen Vito t’i vijë në zyrë në orën 10:30. Ai doli në orën 10:00. Kur erdhi shoqja Vito, priti ca në zyrën time, sa të lirohej shoku Enver. Pastaj u fut dhe bisedoi me të rreth gjysmë ore. Kur ajo ishte duke përfunduar, më thirri shoku Enver dhe në prani të Vitos më porositi t’i ktheja asaj dokumentet e shokut Hysni, se ajo dëshiron t’i hapë dhe t’i lexojë. Kur doli shoqja Vito, e pyeta kur mund t’i çoja dy arkat në shtëpi. “Pse kaq shpejt?” më tha ajo, se “tani unë vetëm ditarët dua të shikoj, për të tjerat do të njoftoj më vonë. Kur shoku Enver doli për t’u larguar, më dha procesverbalin e hetuesisë, që merret me zbërthimin e veprimtarisë armiqësore të tradhtares Fiqerete Shehu.
    E premte 21 maj 1982
    Shoku Enver nuk doli në punë. Shkova i çova shoqes Vito në shtëpi tetë axhenda ditore të shokut Hysni, ditarin e vitit 1966 të shkoqur në fletë dhe katër defterë të tjerë.
    E shtunë 22 maj 1982
    Shoku Enver erdhi në zyrë në orën 10:30 dhe, sa u fut, nisi bisedën me shokun Hekuran. Ndërkohë që ata po bisedonin, erdhi ndihmësmjek Fatriu dhe më solli një kokërr ilaç, që shoku Enver merrte në këtë orë. Ai ngurronte të futej vetë, meqenëse shoku Enver kishte porositur të mos futej njeri në zyrë deri sa të largohej shoku Hekuran. Hyra dhe ia dhashë ilaçin dhe u largova. Kur doli shoku Hekuran, u fut Mihal Bisha me dosjen e Marko Zegës…
    E mërkurë 26 maj 1982
    Shoku Enver erdhi sot pa çantë, se nga shtëpia kishte shkuar direkt në klinikë, siç duket për ndonjë vizitë.
    E premte 28 maj 1982
    Shoku Enver nuk doli sot në zyrë.
    E martë 1 qershor 1982
    Shoku Enver erdhi në zyrë në orën 9:30. Dukej ca i zbehtë në fytyrë. Kur u largua, më dha buletinin francez Nr.436 të librave të muajit prill. Kësaj radhe ka zgjedhur vetëm katër tituj dhe më kujtoi se francezët kanë kohë që nuk po dërgojnë libra, prandaj më porositi që Javer Malua ta ketë parasysh këtë gjë.
    E mërkurë 9 qershor 1982
    Sot u mbyll Kongresi i Bashkimeve Profesionale. Në seancën e fundit mori pjesë edhe shoku Enver. Në mëngjes, në orën 8:00 më mori në telefon shoku Haxhi Lleshi dhe më pyeti nëse do të shkonte shoku Enver në Kongres apo jo. E çuditshme! Ç’mund t’i thosha?! Dhe në fakt, ku mund ta dija unë? Ai më kërkoi të pyesja shokun Ramiz, i cili më udhëzoi t’i përgjigjesha që asnjë nga shokët e tjerë nuk e di a do të marrë pjesë shoku Enver në seancën e fundit të Kongresit. Shoku Ramiz më tha t’i bëj të ditur vetëm faktin që ceremonia e mbylljes do të bëhet në orën 12:00, pastaj shoku Haxhi të veprojë si të dojë. Ia komunikova këtë shokut Haxhi, por e pashë që nuk i erdhi mirë. Pastaj më pyeti shoku Ramiz nëse ia dhashë përgjigjen që më porositi shokut Haxhi, se ai nuk kishte shkuar fare në Kongres. Unë e informova shokun Ramiz që ia komunikova mesazhin e tij. Siç duket, shokëve të udhëheqjes u ka bërë përshtypje mungesa në këtë seancë e shokut Haxhi Lleshi dhe mendojnë se ky nuk ka pse të pyesë nëse do të shkojë në këtë ngjarje apo jo shoku Enver. Ka këtu një dozë mendjemadhësie. Haxhiu, ky fodull i pandreqshëm, kërkon trajtim si të shokut Enver. Në fund të fundit, çdo dalje në publik ai duhet ta gjykojë vetë.
    E premte 11 qershor 1982
    Nënkryetarja e Gjykatës së Lartë, Eleni Selenica, më njoftoi që sot në orën 17:00 pasdite të shkojnë të dëshmojnë për ato që dinë në seancën e gjyqit që bëhet për armikun Vahid Lama, dy punonjëset e aparatit, Oandi Dini dhe Jeta Mitrushi. I thirra të dy, u komunikova kërkesën dhe më thanë se do të shkojnë 10 minuta më parë.
    E shtunë 12 qershor 1982
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 11:40. Shkoi direkt në takimin me shokët sekretarë dhe u kthye bashkë me shokun Ramiz. Kur hyri në zyrën e vet nga dhoma ime, shoku Enver u pengua dhe për pak u rrëzua, por duke qëndruar pas tij e mbajta për krahu dhe e kapa menjëherë për mezi. Si më pa që u shqetësova, qeshi dhe më tha: Ja ç’do të thotë kur i ke pantallonat të gjata, për të lënë të kuptoja se ishin ato që e penguan, kurse unë pata frikë mos kish ndonjë pengesë në qilim. Bëj shumë mirë që i qëndroj pranë. Dje përpara dëshmisë së dy shokëve të aparatit të KQ, armiku Vahid Lama pranoi poshtërsitë e tij kur punonte këtu, midis nesh. Sot prokurori do të bëjë pretencën, më tha Pandi. Le të dënohet ky vagabond dhe të vuajë në burg poshtërsitë që ka bërë. Partia e ngriti nga hiçi në një vend të nderuar, por ai u vu në rrugë armiqësore.
    E hënë 14 qershor 1982
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:45. Sot pati një takim të zgjatur me shokun Kadri. Pas tij u fut në zyrë shoku Simon Stefani, i cili qëndroi gjysmë ore. Në orën 13:15 erdhi shoqja Nexhmije dhe më tha se gruaja e shokut Vaskë Çifliku është motra e Kiço Negovanit dhe ka disa gjëra në biografi që duhen parë. Unë e kujtova se dhe Kiçoja vetë ka qenë sekretar i Koçi Xoxes. “Prandaj duhet parë me kujdes!”, porositi ajo.
    E premte 18 qershor
    Shoku Enver më ktheu materialet e pjesshme të ditarit të shokut Hysni. Këndova jo vetëm pjesët e nënvizuara, më tha ai, por edhe pjesët e tjera. Ato janë materiale me karakter sekret dhe me shumë vlerë për Partinë, prandaj shoqja Vito t’i kthejë ditarët dhe të ruhen në KQ. Pjesët me karakter familjar të ditarit mund të fotokopjohen dhe t’i jepen Vitos. Prandaj, shko bisedo shtruar me të dhe besoj se do të bindet.
    E shtunë 19 qershor 1982
    Sipas porosisë që më dha shoku Enver, sot në mëngjes shkova te shoqja Vito në shtëpi për kthimin e ditarëve të shokut Hysni në KQ. I fola për vlerësimin e lartë që u bën atyre shoku Enver, por duke marrë parasysh që janë materiale që i kapërcejnë kufijtë familjarë, se përmbajnë çështje me karakter tepër sekret, ajo duhet t’ia kthejë KQ. Shoqja Vito që e kuptoi se ato janë mendime të shokut Enver, reagoi drejt: “Të them të drejtën, më tha ajo, kisha dëshirë të shkruaja për disa karakteristika të Hysniut, sidomos për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tij shumë të ngushtë me shokun Enver, prandaj doja t’i kisha në shtëpi”. Megjithatë, ajo pranoi se do t’i kthejë menjëherë.
    E hënë 21 qershor 1982
    Shoku Enver doli në punë në orën 9:15. Sa u ul në tavolinë, më porositi që asnjë oficer të mos pijë cigare në korridore gjatë orarit të punës, se, po të konstatojë shkelje, do të marrë masa transferimi nga aparati i KQ.
    E premte 22 qershor 1982
    Vajta e tërhoqa ditarët e shokut Hysni, që kishte marrë shoqja Vito në shtëpi. Shoku Enver porositi që ato të jenë pjesë e Arkivit të KQ.

    vijon..

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Urdhri sekret i Enverit: Kaloni në sitë të gjithë oficerët madhorë

    Emri:  EnverHoxhaMehmetShehu.jpg

Shikime: 7325

Madhësia:  36.5 KB
    ENVER HOXHA, MEHMET SHEHU DHE RUSTEM PEÇI GJATE NJE PARADE NE SHKOLLEN E BASHKUAR NE VITIN 1978

    Ditari i Haxhi Kroit: Riorganizimi i Ushtrisë në vitin 1982

    “Më sillni dosjen e Rustem Peçit, e ka emëruar Mehmet Shehu komandant të Shkollës së Bashkuar”

    …vijon nga numrat e kaluar

    Aq sa ka regjistruar Haxhi Kroi në ditar nga tërmeti që tronditi Ushtrinë pas vetëvrasjes në rrethana të dyshimta të Mehmet Shehut, ndriçohen për herë të parë dy momente të panjohura: një urdhër i Enver Hoxhës për të kaluar në sitë gjithë korpusin e oficerëve madhorë dhe një porosi e posaçme e kreut të regjimit për të zbardhur me imtësi dosjen e Rustem Peçit, komandantit të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve, që mbante emrin e tij. Në shënimet që ka hedhur sekretari personal i shefit të Partisë, bëhet e qartë mënyra si është operuar për realizimin e këtyre detyrave të rëndësishme. Në rrethin e ngushtë të njerëzve që punonin për komandantin suprem, këtë radhë, sipas Kroit, peshën kryesore, për vetë specifikën e funksionit, e ka mbajtur Mihal Bisha, drejtori i kuadrit të Komitetit Qendror, i cili ka drejtuar nga afër tërë punën për të zbardhur dosjet e oficerëve të listuar nga Hekuran Isai. Ndryshe nga pretendimi i Hoxhës në këtë çështje, që mjaftohej me evidentimin e përgjithshëm të anëve negative dhe dobësive që ishin dokumentuar në vite në karakteristikat personale të kuadrove drejtues të njësive dhe reparteve të Ushtrisë, në rastin e Rustem Peçit porosia shkonte më tej. Në shënimin e datës 10 shtator 1982, duke iu kthyer këtij momenti, Kroi shkruan: “Sa erdhi në zyrë shoku Enver, i dhashë dosjen e komandantit të Shkollës së Bashkuar. Më porositi t’ia lexoja me radhë të gjitha materialet që ishin aty për Rustem Peçin. Vetë dëgjonte me kujdes dhe mbante shënime; u interesua veçmas për të dhënat për kohën 1955-1959 kur ka studiuar në Bashkimin Sovjetik. Një çast më tha t’i kërkoja Mihalit (Bishës) informacionin e plotë të Qani Durajt për Rustem Peçin, në bazë të përpunimit që i kishte bërë dhe që Mihali ia ka vënë në karakteristikë, ku armiku Mehmet Shehu, me gjithë dobësitë e Rustemit, rekomandonte që ky të mbahej komandant i Shkollës së Bashkuar…” Nga ngjarjet e periudhës qershor-shtator 1982, në ditarin e shefit të kabinetit të kreut të regjimit bie në sy historia e dorëshkrimit “Tablo sinoptike e veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”. Në shënimin e datës 28 gusht ’82, Kroi shprehet se kopjen e parë të tij, shkruar me dorë nga Nexhmija në letra me vija me kuadrate jeshile, e ka marrë nga kjo e fundit, e cila e ka sqaruar se ia kishte diktuar me zë Enveri gjatë kohës që pushonin në Pogradec. Hoxha, sqaron më tej sekretari i tij, vetëm sa e kishte firmosur në fund, ku shquhej data e përfundimit të dokumentit 23-25 gusht 1982…

    DITARI I VITIT 1982

    E mërkurë 23 qershor 1982
    Shoku Enver nuk doli në zyrë. Takova shokun Ramiz dhe i vura në dukje se dje shoku Enver, duke dalë nga zyra, ndeshi në korridor me shokun Foto, që shoqëronte disa punonjës të arsimit e të shkencës, që shkonin tek ai. I shpreha porosinë e tij që shokët e aparatit kur thërrisnin të ftuar, të mos i kalojnë para zyrës së shokut Enver.
    E hënë 28 qershor 1982
    Shoku Enver erdhi si zakonisht dhe më njoftoi se nesër do të niset me pushime. E enjte 1 korrik 1982
    Me porosi të shokut Ramiz u nisa në Pogradec, që t’i çoja shokut Enver për firmë dy vendime të mbledhjes së Byrosë Politike.
    E premte 27 gusht 1982
    Në orën 11:00 më mori në telefon shoqja Nexhmije nga Pogradeci dhe më tha se do të dërgonte një material të shokut Enver për ta daktilografuar e redaktuar.
    E shtunë 28 gusht 1982
    E mora në orën 7:30 materialin për daktilografim, që ma dërgoi shoqja Nexhmije, sipas bisedës që bëra dje me të në telefon. Ai titullohej: “Tablo sinoptike e veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, shkruar me dorë nga shoqja Nexhmije në 51 faqe letra me vija me kuadrate bojë jeshile, që ia kishte diktuar shoku Enver që e kishte nënshkruar në fund 23-25 gusht 1982. Shoqja Nexhmije më porositi se shoku Enver e do të shtypur në hënën në drekë. Punova intensivisht tërë ditën. Materiali arriti 59 faqe treçerekëshe të daktilografuara. Vajta ia dorëzova vetë oficerit në një zarf të mbyllur tepër sekret, që ta nis dhe ta ketë shoku Enver nesër në mëngjes herët, 30 orë përpara afatit që m’u caktua.
    E diel 29 gusht 1982
    Mora në telefon Sulon, por nuk e gjeta. Bisedova me Beharin për zarfin sekret që kisha nisur në adresë të shoqes Nexhmije. Më tha se e kishin marrë, por akoma nuk ia kishin dorëzuar. E porosita t’ia japin menjëherë.
    E hënë 30 gusht 1982
    Sot mora vesh se shoku Enver do të kthehet me siguri nesër në Tiranë.
    E mërkurë 1 shtator 1982
    Shoku Enver nuk doli në zyrë. Shoqja Nexhmije që erdhi në aparat të KQ, më tha se edhe sot ai nuk do të dalë në punë. Kur e pyeta si është me shëndet, më tha: “Çka. Është një çikë i pafuqishëm”.
    E enjte 2 shtator 1982
    As sot shoku Enver nuk doli në zyrë.
    E premte 3 shtator 1982
    Shoku Enver as sot nuk erdhi në punë. E shtunë 4 shtator 1982 Nuk erdhi as sot shoku Enver në zyrë.
    E hënë 6 shtator 1982
    Edhe sot shoku Enver nuk doli. Meqenëse kisha disa materiale për t’ia dhënë, shkova vetë në shtëpi. M’u duk mjaft i hequr në fytyrë. Kishte shumë të drejtë shoqja Nexhmije, që më tha se shoku Enver në përgjithësi është pak i dobët. Ai vazhdimisht ka qenë i sëmurë nga diabeti, po edhe nga zemra.
    E martë 7 shtator 1982
    I çova shokut Enver në shtëpi një dorëshkrim prej 429 faqesh për Gjirokastrën të studiuesit gjirokastrit, Lefter Dilo. Ky i fundit i kërkon ndihmë shokut Enver për ta botuar. Shoku Enver më porositi t’i jap Lefterit këtë përgjigje jo nga ana e tij, por nga ana ime, duke i thënë se shkrimet e tua shoku Enver i ka parasysh dhe më ka porositur të bisedoj me punonjësit që merren me këtë punë që t’i shohin, prandaj bëni durim sa t’i lexojnë se ata kanë edhe shumë punë të tjera për t’i kryer. Shoku Enver më tregoi se Lefteri është një punëtor pasionant dhe po kontribuon mirë, sidomos për muzetë. Por ai që nxjerr herë pas here materiale, duhet të ketë me vete shumë dokumente, të cilat herë i citon e herë i bën si të vetat. Duhet pasur parasysh, vazhdoi shoku Enver, se fisi i tij i Dilajve dhe i ati i Lefterit kanë qenë filogrekë. Prandaj duhet pasur parasysh për t’i shmangur këto subjektivizma.
    E mërkurë 8 shtator 1982
    Pas më se dy muajsh, shoku Enver doli sot në zyrë.
    E premte 10 shtator 1982
    Në orën 9:00, shoku Enver më telefonoi nga shtëpia të tërhiqja nga sektori i kuadrit dosjen e komandantit të Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha” Rustem Peçi. Sa erdhi në zyrë, ia dhashë. Ai më porositi t’ia lexoja me radhë të gjitha materialet që janë brenda dosjes së Rustem Peçit. Vetë mbajti shënim disa të dhëna, anët negative dhe karakteristikat kryesore të këtij kuadri; ndoqi me vëmendje sidomos të dhënat për kohën 1955-1959, kur ka studiuar në Bashkimin Sovjetik. Më porositi t’i kërkoja Mihalit edhe informacionin e plotë të Qani Durajt për Rustem Peçin, në bazë të përpunimit që i kishte bërë dhe që Mihali ia ka vënë në karakteristikë, ku armiku Mehmet Shehu që punonte në atë kohë në aparatin e KQ, me gjithë dobësitë e Rustemit, rekomandonte që ky mund të mbahej komandant i Shkollës së Bashkuar. Kur ishte duke u larguar, shoku Enver më tha se duhej t’i çonim në shtëpi një aparat regjistrues (magnetofon) si ai i zyrës, pse mund të mos dalë çdo ditë në zyrë dhe shokët mund t’i shkojnë atje për të biseduar, vazhdoi shoku Enver. Atyre do t’u them që ta dinë kur do i regjistroj, pastaj ua dërgoj me Sulon për ta zbardhur.
    E shtunë 11 shtator 1982
    Shoku Enver nuk doli sot.
    E diel 12 shtator 1982
    Dje në darkë, duke dalë nga zyra me shokun Ajet, pamë të ecte rëndë-rëndë në bulevard këtej urës së Lanës armiku Skënder Konica. Unë e di atë të internuar. Çdo këtej ky agjent e këlysh i puçistëve që bën xhiro në Tiranë? Si i lejojnë kështu këta njerëz antiparti? Do të njoftoj nesër shokun Hekuran, se me siguri nuk do të ketë dijeni.
    E hënë 13 shtator 1982
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 1030. Sa erdhi, i dorëzova një zarf, që ma la një orë më parë për të shoku Hekuran. Më sqaroi se janë dy lista oficerësh me përgjegjësi, njëra me 10 emra që shërbejnë në brigada dhe në bazat e Flotës Luftarake Detare dhe, lista tjetër me 13 veta, që shërbejnë në korpuse. Shoku Enver ka urdhëruar më herët për të kaluar në sitë kuadrot drejtues të Ushtrisë. Sa ia dhashë dosjen që më ka lënë shoku Hekuran, shoku Enver më porositi të thërras shokun Mihal Bisha që të më sjellë në zyrë pjesë-pjesë dosjet e personelit të këtyre kuadrove dhe të mbaj shënime vetëm dobësitë dhe anët negative që ata kanë të regjistruar në dosje, si dhe ndonjë karakteristikë tjetër, që tërheq vëmendjen. Shoku Enver më udhëzoi që këto anë për secilin t’i shkruaj në disa kartonë me germa të mëdha dhe këtë punë ta përfundoj për trikatër ditë. Lajmërova Mihalin dhe filluam nga puna. Duhet të punojmë edhe pasdite deri vonë për të përfunduar detyrën e rëndësishme që na ka ngarkuar shoku Enver. Pasdite studiuam dosjet e katër kuadrove të Ushtrisë me shokun Mihal, dosjen e Vexhi Qazim Gjonit, Dhionis Todi Bendos, Muço Beqir Beshos dhe Baftjar Ismail Vukës. Pjesën e dosjeve të tjera do ta studiojmë nesër. Njoftova shokun Hekuran në telefon se po kapardiset në Tiranë armiku Skënder Konica. Ai më falënderoi për këtë.
    E martë 14 shtator 1983
    Shoku Enver doli në punë në orën 9:20. Për dy-tri orë qëndroi në zyrë me shokun Ramiz dhe Hekuran. Kur shoku Enver u lirua, më kërkoi dosjet e kuadrove të Ushtrisë që më kishte porositur më parë dhe shënimet përkatëse për biografitë dhe karakteristikat e tyre. I dhashë përmbledhjen e karakteristikave që kisha bërë bashkë me shokun Mihal Bisha gjatë studimit të dosjeve përkatëse të disa kuadrove drejtues të Ushtrisë. I hodhi një sy dhe e pëlqeu mënyrën si kishim proceduar. Sot pasdite do të vazhdoj punën me shokun Mihal për të plotësuar listën që i ka sjellë shoku Hekuran. I dhashë dhe dy materiale, që i kishte kërkuar më parë nga arkivi i shokut Hysni.
    E enjte 16 shtator 1982
    Pasdite punova me shokun Mihal Bisha për të nxjerrë karakteristikat e kuadrove të Ushtrisë, që na kanë mbetur nga lista emërore që i ka dhënë shokut Enver shoku Hekuran. Kur kishim mbaruar 10 kuadrot e parë, shoku Enver më kërkoi t’i jepja veçanërisht të dhënat nga dosja e Jani Samarait. Punuam shpejt e shpejt dhe ia dhamë në dorë, para se të fillonim me dosjet e kuadrove të korpuseve. Një moment gjatë studimit të dosjeve, shoku Mihal më tha se këtë përmbledhje është duke ia përgatitur shokut Enver edhe shoku Ramiz. Për këtë arsye e pezullova këtë punë, me qëllim që të pyes një herë shokun Enver që të mos humbasim kohë duke bërë paralelisht të njëjtën punë.

    vijon…

    Rustem Peçi: Karrieristët që më sulmonin pas shpine
    Rustem Peçi, ish-komandanti më jetëgjatë i Shkollës së Bashkuar, prej vitesh ka dalë në pension dhe drejton organizatën kombëtare të veteranëve të luftës. I pyetur për urdhrin e Enver Hoxhës të vitit 1982 për studimin e dosjes së tij për të verifikuar lidhjet e dyshimta me “poliagjentin” Mehmet Shehu, ai pohon se nuk ka pasur dijeni. “Ajo që mbaj mend, shprehet Peçi, duke iu referuar kësaj periudhe, ka qenë një fushatë e jashtëzakonshme denigruese nga njerëz e kolegë, që deri në atë kohë nuk kishin konsumuar asnjë fjalë të keqe në adresën time”. Në kujtesë i kanë mbetur mbledhjet maratonë të organizatës së Partisë, thirrjet e shpeshta në zyrat kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm dhe një mori kontaktesh me funksionarë partiakë, ku i bëhej thirrje për një reflektim të përgjithshëm dhe pa adresë. “Taborë të tërë karrieristësh e spiunësh, të sprovuar në të tilla situata, shton Peçi, kujtuan se erdhi momenti dhe filluan të më sulmojnë me lloj-lloj marrëzish”. Ish-komandanti i Shkollës së Bashkuar thotë se e ka befasuar guximi i tyre, por asnjë herë nuk e ka mësuar burimin që gjeneroi furtunën ndaj tij. “Në fakt, në ushtri, sidomos në shtabet e larta, kujton Peçi, historikisht ka milituar një kategori servilësh e karrieristësh që, sa dëgjonin një teshtimë aty lart, nxitonin të përbaltnin këdo me akuza nga më monstruozet”

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit, të dhënat e para në zyrën e Enverit: Kadri Hazbiu është agjent

    Emri:  Enver-Hoxha-kadri-hazbiu-300x224.jpg

Shikime: 5756

Madhësia:  16.0 KB
    ENVER HOXHA DHE KADRI HAZBIU

    Ditari i Haxhi Kroit: S’më shkonte mendja kurrë që ishte spiun

    “Kur çështja u diskutua në Byronë Politike, Enveri më porositi t’i qëndroja pranë për çdo të papritur”

    “Teksti që zbardha nga biseda në zyrën e kreut të Partisë”

    Enveri qorton Viton: Mos dysho për vdekjen e Hysniut


    Ka qenë fillimi i shtatorit të vitit 1982, kur në zyrën e Enverit kanë mbërritur për herë të parë të dhënat që penalizonin Kadri Hazbiun si agjent të shërbimeve të huaja. Së paku për aq sa ka regjistruar Haxhi Kroi në ditar, dokumenti i parë që konfirmonte tradhtinë e ish- ministrit historik të Sigurimit të Shtetit, ka qenë një dosje e hetuesisë “të armiqve të vjetër Tuk Jakova, Bedri Spahiu e Dhora Leka”, në të cilën janë gjetur gjurmët e lidhjeve të Hazbiut me armiqtë e hershëm të Partisë, të dënuar në vitet ’50 për veprimtari agjenturore në shërbim të UDB-së së Titos. Në shënimin e datës 18 shtator 1982, shefi i kabinetit të kreut të regjimit bën të ditur se këtë material zbuluar rishtas nga Sigurimi i Shtetit ia ka dhënë Hoxha atë mëngjes për t’ia lexuar në studion e tij në aparatin e KQ. Nga ky moment, në zyrën e shefit të Partisë, një rreth i ngushtë njerëzish, ku për herë të parë shquhej Hekuran Isai për protagonizmin e spikatur, punonin me zell ditë e natë për të zbuluar deri në skutën e fundit tradhtinë e Hazbiut. Sakaq, ky i fundit vijonte normalisht daljet publike me të gjitha ofiqet partiake e shtetërore, pa menduar se diku nga dikush përgatitej regjia e tragjedisë vrastare. Sidoqoftë, sipas Kroit, kjo gjendje nuk ka zgjatur shumë. Në kujtimet e tij bëhet e ditur se Hazbiu është prezantuar për herë të parë me akuzën për tradhti dhe shërbime për agjenturat e huaja në mbledhjen e sekretariatit të KQ më 20 shtator 1982. “Mbledhja zgjati katër orë, shkruan shefi i kabinetit të Hoxhës në ditar, por Kadriu nuk nxori asgjë nga përgjegjësitë e tij, megjithëse u vu përpara fakteve shumë serioze të dokumentuara dhe fajeve të rënda të kryera në dijeninë e tij, të cilat ai i shpjegonte në mënyrë gjoja naive e sentimentale.” Pesë ditë më vonë, sipas skemës së mirëmenduar, çështja “Hazbiu” është diskutuar në një mbledhje të jashtëzakonshme të Byrosë Politike. Përtej debatit të zjarrtë të konsumuar aty, i cili tashmë është bërë publik, Haxhi Kroi zbardh dy detaje interesante që zbulojnë paranojën në rritje te Hoxha. Duke iu referuar momenteve para zhvillimit të mbledhjes së Byrosë Politike, ai përmend porositë që kreu i Partisë i ka transmetuar atij drejtpërdrejt. “Kur të mblidhemi për çështjen e Kadriut, kujton ai këshillën e Enverit, në sallën e Byrosë Politike, merr masa që karriget e para të mos jenë afër simes, ndërsa ti të vish dhe të qëndrosh afër meje.” Përveç çështjes “Hazbiu”, një tjetër problem jo pak delikat, që ka zënë kreun e axhendës së Hoxhës në këtë periudhë, ka qënë reagimi dyshues i Vito Kapos mbi vdekjen e të shoqit, i cili kishte ndërruar jetë tri vite më parë në një klinikë në Paris. Haxhi Kroi përmend në ditar takimin e kësaj të fundit me shefin e Partisë më 27 shtator 1982 dhe kujton porosinë e Enverit në fund të bisedës për të zbardhur të plotë shiritin e incizuar me fjalën e tij. Nga blloku i sekretarit të Hoxhës, gazeta boton sot të plotë variantin e parë të fjalës së kreut të Partisë me qortimet e tij për të venë e Kapos lidhur me dyshimet e saj për vdekjen e Hysniut, një dokument ky që më vonë është redaktuar e përshtatur, por pa cenuar përmbajtjen…

    DITARI I VITIT 1982

    E shtunë 18 shtator 1982
    Në orën 18:00 më thirri në shtëpi shoku Enver dhe më porositi që të njoftoja shokun Kadri Hazbiu që ditën e hënë, ora 10:00, ta priste në zyrë. Telefonoi që këtej nga studioja ime, më tha dhe ashtu bëra, po shoku Kadri nuk më doli në telefon. Në pritje që të dilte në telefon Kadriu, shoku Enver më dha që t’i lexoja disa materiale të hetuesisë të armiqve të vjetër Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Dhora Leka etj. Mbasi mbaruam me këto, më porositi të marr prapë në telefon shokun Kadri, por përsëri ai nuk m’u përgjigj as në zyrë dhe as në shtëpi. Ndërkohë që po rrinim, shokun Enver e telefonoi shoku Ramiz dhe e vuri në dijeni se sonte po arrestojmë edhe mikun e komplotistëve të mëdhenj, Mehmet, Fiqret e Feçor Shehu, Nesti Nasen. Po i arrestojmë një nga një këta armiq, tha shoku Enver dhe vazhdoi: Pasnesër, në ora 10:00, me shokët Ramiz, Adil, Hekuran e Simon do të mblidhemi për çështjen e Kadriut në sallën e Byrosë Politike. Merr masa, më porositi, që karriget e para të mos jenë afër simes. Në mbledhje të vish edhe ti dhe të qëndrosh afër meje.

    E hënë 20 shtator 1982
    Shoku Enver thirri sot mbledhjen e sekretariatit të KQ. Veç sekretarëve, erdhën edhe shokët Adil e Hekuran për të shqyrtuar e përgatitur për Byronë Politike përgjegjësitë e anëtarit të Byrosë Politike, shokut Kadri Hazbiu, i cili duke punuar 30 vite me radhë në krye të Ministrisë së Brendshme, i rrethuar me elementë armiq e spiunë, e pakta që mund të thuhet, nuk ka nuhatur asgjë dhe nuk e ka ndihmuar asnjëherë Partinë për zbulimin e armiqve, në të kundërtën, të gjitha grupet armiqësore janë zbuluar nga Partia. Mbledhja zgjati katër orë. Shoku Kadri nuk nxori asgjë me rëndësi nga përgjegjësitë e tij, megjithëse u vu përpara fakteve shumë serioze të dokumentuara e fajeve të rënda të kryera në dijeninë e tij, të cilat ai i shpjegonte në mënyrë gjoja naive e sentimentale. U vendos që çështja e tij të shtrohet në Byronë Politike në mbledhjen e datës 25 shtator.

    E mërkurë 22 shtator 1982
    U bë mbledhja e Byrosë Politike, në të cilën raportoi shoku Enver materialin “Tablo sinoptike mbi veprimtarinë armiqësore agjenturore të Mehmet Shehut”. U vendos që ky material, pasi të kalojë në mbledhjen e Plenumit, që do të bëhet më 24 shtator, të punohet në të gjitha mbledhjet e organizatave të Partisë. Me porosi të udhëheqjes, tok me shokët Ajet e Fatri, morëm masa për shtypjen e materialit të shokut Enver në shtypshkronjën ushtarake. Ndërkohë, punuam sipas porosisë që deponimet e armikes së Partisë Fiqrete Shehu t’i shumëzojmë në 40 shirita, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky shirit u dëgjua në mbledhjen e Byrosë Politike dhe do të dëgjohet edhe në mbledhjen e Plenumit të KQ.
    E premte 24 shtator 1982
    Sot u mblodh Plenumi i KQ, që mori dijeni mbi veprimtarinë armiqësore shumë të rrezikshme të agjentit të shumë shteteve, Mehmet Shehu.
    E hënë 27 shtator 1982
    Kur mbaroi takimin me shokun Simon Ballabani, shoku Enver më porositi që të vinte aty shoqja Vito Kapo. Ajo erdhi dhe bisedoi me shokun Enver. Pas takimit, shoku Enver më dha për të zbardhur tekstin e bisedës që kishte bërë me të. E zbardha. Ishte një qortim që ai i bënte lidhur me dyshimet që Vito ka për vdekjen e Hysniut. Pasdite shkova për të takuar shokun Ramiz për probleme pune, por nuk mbarova punë, se ai nxitohej për të shkuar te shoku Enver. Më la komunikatën e Ministrisë së Brendshme për hedhjen dhe asgjësimin në vendin tonë të një grupi diversantësh në rrethin e Lushnjës, tekstin e së cilës do ta shikonte tani me shokun Enver dhe, po ta miratonte ai, t’ia dërgoja ATSH për botim. Në orën 18:00 më solli në zyrë autokritikën e vet ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, për gabimet që ka bërë. Ia dorëzova menjëherë shokut Ramiz, sa u kthye nga shoku Enver. Autokritika i drejtohet Byrosë Politike.
    E martë 28 shtator 1982
    Edhe sot shoku Enver doli shpejt. Ai ka mjaft punë me shokët, sidomos lidhur me pastrimin e kuadrit të dyshimtë apo të lëkundshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme.
    E enjte 30 shtator 1982
    Sa dola në zyrë në orën 7:00, gjeta oficerin e shokut Enver me një zarf urgjent dhe tepër sekret për mua, që më dërgonte shoqja Nexhmije. Ishte një dorëshkrim i fjalës, që është duke përgatitur shoku Enver për mbledhjen e Byrosë Politike, ku do të diskutohet mbi fajet me pasoja shumë të rënda që ka kryer Kadri Hazbiu gjatë kohës 30-32 vjeçare që ka punuar në Ministrinë e Brendshme. Dorëshkrimi është i shoqes Nexhmije, ia ka diktuar shoku Enver. E shtypa shpejt e shpejt dhe u nisa t’ia lexoja shokut Enver se mos kishte për të bërë shtesa e korrigjime.
    E premte 8 tetor 1982
    Në orën 10:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike për fajet e rënda të Kadri Hazbiut. Ajo vazhdoi edhe pasdite. Në fillim iu dha fjalë Kadriut, i cili u përpoq të mos tregonte asgjë, por të fliste në përgjithësi për përgjegjësitë e tij, pse në fakt çdo komplot armiqësor pas çlirimit e ka zbuluar Partia e shoku Enver dhe jo Ministria e Brendshme. Tani është e qartë që në këtë dikaster kanë qenë në krye banditë, kriminelë e spiunë shumë të rrezikshëm, si Mehmet Shehu e Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini etj. Po Kadri Hazbiu a nuk ish midis tyre?! Ky hiqej si njeri i mprehtë, i zgjuar, me përvojë të madhe në punët e Sigurimit të Shtetit, prandaj shpjegimet e tij para Byrosë Politike ishin justifikuese, të papranueshme, aspak bindëse. Askush nuk mund të pranojë që ky ishte një leshko. Sidomos fshehja Partisë e veprimtarisë së poshtër prej spiunësh të ndyrë që është bërë edhe me dijeninë e Kadri Hazbiut, duke vënë në dispozicion të KGB-së sekrete të një rëndësie të madhe, përbën një faj jashtëzakonisht të rëndë dhe tregon se ky nuk ka qenë jashtë kësaj valleje të ndyrë spiunësh. Byroja Politike vendosi përjashtimin e tij nga Byroja Politike dhe nga Plenumi dhe të shkarkohet menjëherë nga detyra e ministrit të Mbrojtjes. Poshtë tradhtia e tradhtarët!
    E mërkurë 13 tetor 1982
    Sot u mblodh Plenumi i KQ për të diskutuar mbi fajet e rënda të Kadri Hazbiut. Asnjë kthesë pozitive nuk bëri Kadriu. Autokritika e tij ishte një hap mbrapa nga ajo që bëri në mbledhjen e Byrosë Politike, ku ai u porosit të thellohej, të jetë i hapur që të ndihmojë Partinë dhe veten. Qëndrimi i tij në Plenum ishte provokues e arrogant e prej kapadaillëku. Më në fund, i nxori brirët djalli! Me qëndrimet e tij kundër udhëheqjes kryesore, Kadri Hazbiu doli hapur që ishte një nga elementët më të rëndësishëm të grupit të spiunit Mehmet Shehu. Prandaj shumë drejt veproi Plenumi që e përjashtoi nga radhët e veta, por edhe nga Partia.
    E martë 16 tetor 1982
    Sot shoku Enver mbush 74 vjeç. Për vizitë, sipas porosisë së shoqes Nexhmije, i shkuan vetëm anëtarët e Byrosë Politike.
    E martë, 19 tetor 1982
    Shoku Enver nuk doli në zyrë.
    E mërkurë 20 tetor 1982
    Sot shoku Enver thirri në një takim të veçantë shokët Prokop Murra dhe Kiço Mustaqi. Kur po largohej në shtëpi në orën 13:30, më porositi se e ka regjistruar bisedën me ta dhe, meqë ka karakter sekret, ta zbardh vetëm unë.
    E enjte 21 tetor 1982
    Shoku Enver nuk doli në aparat.
    E premte 22 tetor 1982
    Sot shoku Enver erdhi në orën 9:45. Shkoi në takimin ditor, si gjithnjë, me sekretarët e KQ dhe qëndroi aty rreth dy orë. Shoqja Nexhmije erdhi dhe më kërkoi letrën që tradhtari Mehmet Shehu i kish dërguar majorit sovjetik, Ivanov, në vitin 1945, ku i fliste kundër Partisë dhe shokut Enver. Ajo kishte pyetur më parë shokun Enver dhe ky më tha që t’ia jap.
    E hënë 25 tetor 1982
    Sa erdhi shoku Enver në zyrë, më ktheu materialet e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe më porositi t’i them shokut Haxhi Lleshi se nuk do të marrë pjesë në mbledhje. Kur do largohej për në shtëpi, i dhashë një punim druri, ku ish gdhendur portreti i tij nga një punëtor lezhjan me rastin e 74-vjetorit. Ky quhet Bardhok Prenga. E pëlqeu. Shoku Enver më porositi ta falënderoj autorin dhe ky objekt t’i shkojë në shtëpi se do t’ia dhurojë djalit të Pranverës, që ka sot 6-vjetorin e lindjes.
    E martë 26 tetor 1982
    Me kujdesin e shokut Ramiz u gjet se qenka në arkiv një aparat që zmadhon shkronjat, shumë i përshtatshëm për nevojat e shokut Enver.
    E hënë 1 nëntor 1982
    Sa doli në zyrë shoku Enver, më tha të lija në zyrë shokun Ajet, të merrja me vete kapitullin e fundit të veprës “Titistët” dhe t’ia lexoja në zyrë. I lexova kështu rreth 40 faqe dhe diçka më shumë. Kur shoku Enver e pa që po lodhesha, më tha të ndërrohesha me shokun Ajet. Kështu bëmë. Ajeti i lexoi gati gjysmë ore. Pastaj erdhi shoqja Nexhmije, që kishte qenë në inaugurimin e Muzeut të Krujës dhe u larguan të dy.
    E martë 2 nëntor 1982
    Shoku Enver nuk doli në punë. Në orën 13:00 më dërgoi shoku Hekuran një letër të mbyllur në zarf, që ia dërgon shokut Enver armiku Kadri Hazbiu. Ia çova shokut Enver. Pasdite, në orën 18:00, letrën e kësaj dhelpre që ka drejtuar për një kohë të gjatë organet e Punëve të Brendshme, sipas porosisë së shokut Enver ia ktheva shokut Hekuran.
    E hënë 3 nëntor 1982
    Shoku Enver më thirri në zyrë dhe më dha t’i lexoja edhe një herë letrën, që i kishte drejtuar Kadri Hazbiu. Asgjë nuk lë pa bërë ky armik i ndyrë, që më se tri dekada i ka shërbyer Koçi Xoxes e Mehmet Shehut për t’i bërë varrin lirisë e pavarësisë së Shqipërisë.
    E premte 5 nëntor 1982
    Shoku Enver nuk doli në zyrë.
    E shtunë 6 nëntor 1982
    Edhe sot shoku Enver punoi në shtëpi. I dërgova në shtëpi të daktilografuar kopjen e dytë të letrës, që i ka dërguar nga burgu armiku Kadri Hazbiu.
    E hënë 15 nëntor 1982
    Shoqja Tatiana Hoxha më tha se një kushëri i saj, inxhinier Farudin Hoxha, dëshironte të më takonte. E prita në orën 16:00. Më dha një letër për shokun Enver, ku e falënderon për besimin që i ka dhënë, duke e propozuar për t’u bërë ministër i Ndërtimit, por dëshira e tij është të mbetet inxhinier për projektimin e hidrocentraleve. Ia daktilografova letrën dhe nesër do ia jap shokut Enver..
    E martë 16 nëntor 1982
    Shoku Enver më porositi t’i telefonoja inxhinier Farudin Hoxhës, që i kishte bërë letër të mos e emëronin ministër, por nuk e gjeta. Në letrën e Farudinit shoku Enver kishte shkruar se do të bisedonte vetë me të për ta bindur se, edhe duke qenë ministër, do të jepte ndihmesën e vet për projektimin e hidrocentraleve.

    vijon…

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Haxhi Kroit: Ankesa tek Enveri edhe për imoralitet

    Emri:  EnveriNexhmiaFamiljaGjoliku.jpg

Shikime: 13437

Madhësia:  24.1 KB
    ENVER DHE NEXHMIJE HOXHA PËR VIZITË NË FAMILJEN GJOLIKU

    Ditari i Haxhi Kroit: S’e lë të takojë fëmijët e të ndjerit

    Hava Gjoliku i ankohet Enverit: Nusja e djalit të vdekur sillet keq

    “Kohët e fundit ka krijuar një lidhje ilegale me djalin e Gafur Çuçit, i cili ka gruan me kancer”


    Vijon nga numrat e kaluar

    Me goditjen e Kadri Hazbiut në fillimin e viteve ’80, Enver Hoxha mbyllte ciklin e larjes së hesapeve me gardën e liderëve historikë të regjimit. Në situatën e krijuar, kreu i Partisë, përveç plotësimit të korpusit udhëheqës me rishtarë nga klasa punëtore, u rikthehej me një përkujdesje të posaçme atyre pak figurave të luftës, që ishin ende gjallë dhe pinjollëve të tyre. Rivitalizimi i raporteve me këtë “pjesë të lavdishme” të shoqërisë ishte një zgjedhje e Hoxhës për të rikuperuar sa të mundte imazhin e shkërmoqur nga spastrimet dramatike në udhëheqjen e Partisë. Është kjo periudha kur ai nuk rresht me porosi për të shkëmbyer mesazhe e kontakte me atdhetarë e figura të njohura, të braktisura në vetminë e tyre në vite. Në ditarin e Haxhi Kroit përmenden me dhjetëra raste që dokumentojnë përpjekjet e Hoxhës për t’u rilidhur me këtë kategori, qoftë me një urim për ditëlindje apo një telegram ngushëllimi, pa përjashtuar kujdesin e shtuar në zgjidhjen e halleve dhe ankesave të tyre. Nga moria e rasteve, shefi i kabinetit të kreut të Partisë ndalet veçmas në historinë e gruas së Heroit të Popullit, Jaho Gjoliku, njëherazi nënë e dy dëshmorëve, e cila kërkon ndihmën e komandantit për sjelljen e pahijshme të nuses së djalit të vdekur, që nuk e lejon të takohet me fëmijët dhe ka vendosur një lidhje me djalin e Gafur Çuçit. “Me porosi të veçantë të shokut Enver, kujton Kroi, shkova në shtëpinë e Jaho Gjolikut, fola me të shoqen dhe dy djemtë e tij, i dëgjova me vëmendje dhe krijova një mendim të qartë për hallin që kanë”. Një ditë më vonë, sipas shënimeve të tij, i ka raportuar shefit të Partisë për gjithçka ka mësuar nga vizita në shtëpinë e nënë Havasë. “Shoku Enver më dëgjoi me vëmendje, shkruan Kroi më datë 17 shkurt 1983, dhe më udhëzoi të këshilloj të venë e familjes së Gjolikëve që të mos i pengojë fëmijët të takohen me gjyshen. Më porositi gjithashtu të thërras Gafur Çuçin për të punuar me të birin që të mos vazhdojë të bashkëjetojë ilegalisht me Zana Tabakun, të venë e Gjolikëve, por t’i legalizojë marrëdhëniet si bashkëshorte”. Pjesa në vijim e kujtimeve të shefit të kabinetit të Hoxhës për këtë çështje risjell bisedat me të venë e djalit të nënë Havasë dhe Gafur Çuçin, duke u ndalur më gjatë në takimet me Liri Gjolikun, vajzën e Heroit të Popullit, që punonte në Presidiumin e Kuvendit Popullor, me ndihmën e së cilës i ka shkuar problemit deri në fund. Një tjetër ngjarje që ka lënë gjurmë në ditarin e Kroit nga kjo periudhë, ka qenë një letër e Gafur Çuçit dhe Behar Shtyllës drejtuar kreut të Partisë për t’u aktivizuar në aparatin e KQ, ndërkohë që kishin dalë në pension. Njeriu diskret i Hoxhës e mbyll çështjen duke përmendur shënimin “e fortë” që ky i fundit ka lënë në letrën e tyre: “Në aparatin e KQ nuk merren pensionistë, sa për Behar Shtyllën, ky nuk u aktivizua kur ishte në moshë e jo më tani”.

    DITARI I VITIT 1983

    E shtunë 8 janar 1983
    Bisedova me shokun Vaskë Çifliku dhe Vangjel Çërrava për të dubluar aparatin e zmadhimit të shkronjave, që kemi filluar të përdorim për t’i shërbyer shokut Enver që të mos i lodhen sytë, që i ka të dobët. Makina që është, mund të pësojë ndonjë defekt, prandaj tani që e filluam këtë shërbim, nuk mund t’ia ndërpresim shokut Enver. Në këto kushte del nevoja që të kemi një makinë rezervë.
    E martë 11 janar 1983
    Sot shoku Enver u kthye në Tiranë pas rreth më shumë se dy javë pushime që bëri në Vlorë.
    E mërkurë 12 janar 1983
    Shoku Enver doli sot në punë. M’u duk pak i hequr në fytyrë dhe më erdhi shumë keq.
    E mërkurë 2 shkurt 1983
    Sot u botua në “Zërin e Popullit” artikulli, tezat e të cilit u përgatitën nga shoku Enver “Një dëshmi e re e politikës antishqiptare të udhëheqjes jugosllave”. I dërgova shokut Enver në shtëpi vendimin e Këshillit të Mbrojtjes Nr. 1, datë 27.1.1983, për firmë mbi disa probleme të strukturës së ushtrisë, që u miratua javën e kaluar në mbledhjen që u bë për këtë qëllim.
    E premte 4 shkurt 1983
    Mora vesh se shoku i dashur Sulo Gradeci, komandant i grupit të oficerëve të shokut Enver, qenka dekoruar para tri ditësh me Urdhrin e Flamurit, dekoratë e lartë kjo, plotësisht e merituar nga ky shok, që po kryen me besnikëri të madhe prej gati dy dekadash një punë të lavdishme, sigurimin e udhëheqësit të shtrenjtë, shokut Enver. Dekorata iu dha në një objekt të Gardës së republikës nga shoku Rita Marko. Në mbrëmje i shkova në shtëpi dhe e urova shokun Sulo. E shtunë 5 shkurt 1983
    Gjithë këtë javë shoku Enver nuk ka dalë në zyrë.
    E hënë 7 shkurt 1983
    Pas shumë ditësh që shoku Enver qëndroi në shtëpi, sot doli në zyrë. Sa erdhi, shkoi menjëherë në takim me shokët sekretarë. Ishte aty edhe shoku Ramiz, i cili prej disa ditësh ka pushuar në malin e Dajtit.
    E martë 8 shkurt 1983
    Shoku Enver doli sot në zyrë në orën 10:30. Aty nga dreka erdhi shoqja Nexhmije dhe më dha disa materiale të shokut Enver për t’i daktilografuar në letra me bira. Ajo më foli edhe për disa pakënaqësi që i kishte shprehur Jeta Mitrushi, e cila u largua si stenografe e shokut Enver për qëndrimin jo revolucionar ndaj armikut Vahid Lama. Shoqja Nexhmije më tha se mendon ta mbajë Jetën në Institutin e studimeve M-L në vend të Juleta Milos dhe kërkoi mendimin tim. Isha dakord se ka mbetur fare si daktilografiste. Ajo ishte qarë se bisedat me Vahidin ia kishte bërë të njohura edhe shokut Ajet dhe ky bënte sikur nuk ka ditur gjë. Shokut Ramiz i dhashë letrën e Gafur Çuçit, që më ktheu sot shoku Enver. Gafuri i kërkonte shokut Enver që, bashkë me Beharin, të aktivizoheshin me punë në aparatin e KQ. Shoku Enver ka bërë një shënim të fortë në letrën e Gafurit, duke shkruar se: “Në aparatin e KQ nuk merren pensionistë dhe, sa për Behar Shtyllën, ky nuk u aktivizua në punë kur ishte në moshë e jo më tani”. Shoku Ramiz ngarkoi shokun Simon Stefani të sqarojë shokun Gafur sipas shënimit të shokut Enver.
    E premte 11 shkurt 1983
    Shoku Enver doli në punë në orën 9:45. Pas takimit që bëri me sekretarët, erdhi në zyrë, ku u fut edhe shoku Hekuran. Biseduan rreth 50 minuta. Pas largimit të shokut Hekuran, erdhi shoqja Lenka, e cila u fut në zyrën e shokut Enver.
    E shtunë 12 shkurt 1983
    Bisedova me shokun Ajet për çështjen e Jeta Mitrushit. Ajo ishte ankuar te shoqja Nexhmije. Jeta ka faje, se nuk reagoi menjëherë kundër veprimtarisë së poshtër dhe sjelljeve prej vagabondi të Vahid Lamës, por i mbajti ato që dinte për një kohë të gjatë. Jeta i qe ankuar shoqes Nexhmije se ajo kishte informuar më parë sekretarin e organizatës bazë dhe shokun Ajet. Ajeti mohoi, duke thënë se nuk ishte e vërtetë. Jeta në ka thënë, pohoi ai “U, ç’flet Vahidi kundër teje!” Meqë kishte të bënte me thënie kundër meje, shtoi Ajeti, unë nuk e bëra problem.
    E hënë 14 shkurt 1983
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:45. Bisedova me shoqen Nexhmije se gruaja e Heroit të Popullit, Jaho Gjoliku, ka kërkuar ta takojë. Shoqja Nexhmije më tha se ajo kishte kërkuar edhe para disa javësh të takohej me të, por ajo kishte biseduar me të bijën, Liri Gjolikun, që punon në Presidencë, e cila i ishte ankuar se ish-nusja e djalit që i ka vdekur para disa vitesh, bënte dashuri me djalin e Gafur Çuçit, që kishte gruan e vet me kancer në atë kohë dhe në fazën e fundit. Shoqja Nexhmije më orientoi mbi mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje me gruan e xha Jahos.
    E mërkurë 16 shkurt 1983
    Pasdite shkova në shtëpinë e Hava Gjolikut dhe u takova me dy vajzat e dy djemtë e saj, që ankohen se ish-nusja e djalit nuk i lejon dy nipat të takohen me ta, por sidomos me gjyshen. Plaka e mirë m’u lut që të vë në dijeni shokun Enver për këtë qëndrim.
    E enjte 17 shkurt 1983
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:30. E informova për bisedën që bëra me nënë Hava Gjolikun. Ai më udhëzoi të këshilloj të renë e familjes së Gjolikëve që të mos i pengojë fëmijët të takohen me gjyshen, por edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes. Më porositi gjithashtu të thërras shokun Gafur Çuçi për të punuar me të birin, që edhe ai të reagojë pozitivisht në këtë drejtim dhe ta këshillojë që të mos vazhdojë të bashkëjetojë në mënyrë ilegale me Zana Tabakun, por t’i legalizojë marrëdhëniet si bashkëshorte.
    E shtunë 18 shkurt 1983
    Shoku Enver nuk doli në punë. Thirra Zana Tabakun dhe e këshillova në frymën e këshillave që më dha shoku Enver, që të mos i pengojë fëmijët për të takuar njerëzit e babait, sidomos gjyshen. Ajo tha se nuk i ka penguar, por bëhen vetë Gjolikët shkak për këtë ftohje se i përpunojnë fëmijët kundër saj, sidomos të madhin. Ajo premtoi se do t’i zbatojë këshillat e shokut Enver, por duhet të njoftohen edhe ata të palës tjetër që të sillen me takt, sidomos me të madhin. Bisedova gjithashtu edhe me shokun Gafur Çuçi dhe ky me të tijat, por i thashë, sipas porosive, që të punojë në radhë të parë që të vërë në vijë të afërmit e familjes.
    E martë 22 shkurt 1983
    Shoku Enver nuk doli në zyrë. Më dërgoi t’i daktilografoj një material, që do të mbajë në mbledhjen e Plenumit të datës 25 shkurt.
    E enjte 24 shkurt 1983
    Sot nuk doli në zyrë shoku Enver.
    E shtunë 26 shkurt 1983
    Sa doli në zyrë shoku Enver, u fut aty edhe shoku Hekuran, i cili kishte tri ditë që kërkonte takim me të.
    E martë 1 mars 1983
    Shoku Enver nuk doli sot në zyrë.
    E mërkurë 2 mars 1983
    Shoku Enver doli në orën 10:45 në zyrë. Aty nga ora 12:00 më thirri dhe më tha t’i lexoja disa nga mesazhet e këmbyera gjatë viteve 1945 dhe 1946 midis misionit amerikan në Shqipëri dhe Departamentit të Shtetit mbi çështjen e njohjes së qeverisë sonë të porsadalë nga Lufta Nacionalçlirimtare. Aty del se Mehmet Shehu si spiun e tradhtar u ka dhënë informata amerikanëve mbi veprimtarinë politike, që zhvillohej në atë kohë në vendin tonë.
    E premte 4 mars 1983
    Shoku Enver nuk doli sot në punë. Në orën 11:00 më thirri shoqja Nexhmije dhe më tregoi për interesimin e shokut Enver lidhur me cilësinë e redaktimit të materialeve të takimeve ditore, ku ai flet e jep vazhdimisht mendime, po kështu edhe për ndonjë takim që ai bën me shokët e tjerë në zyrën e tij, për plotësimin e ditarit nga këto takime, si dhe për detyrat që duhen nxjerrë prej tyre për sektorë të ndryshëm.
    E martë 8 mars 1983
    As dje, as sot shoku Enver nuk doli në zyrë.
    E enjte 10 mars 1983
    Shoku Enver nuk doli në zyrë. I dërgova në shtëpi disa materiale, që erdhën me një zarf nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.
    E shtunë 12 mars 1983
    Sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Siç duket, punon në shtëpi.
    E hënë 14 mars 1983
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:00.
    E enjte 17 mars 1983
    Meqenëse shoku Enver nuk doli në zyrë, i dërgova në shtëpi materialet e mbledhjes së Byrosë Politike, që do të bëhet më 23 mars 1983.
    E premte 18 mars 1983
    Informova shokun Ramiz për problemin e Liri Gjolikut dhe Gafur Çuçit lidhur me ish-nusen e familjes së Gjolikëve. Shoku Enver i dërgoi sot një letër urimi shkrimtarit dhe poetit veteran Aleks Çaçi, me rastin që ky i dërgoi një tufë vjershash të bukura me titullin “Bisedë me diellin”.
    E martë 22 mars 1983
    Shoku Enver vazhdon të punojë në shtëpi për mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes dhe të Byrosë Politike, që do të bëhen në fund të marsit.
    E premte 25 mars 1983
    Në orën 10:00 filloi mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes. Sa dola në punë, më kërkoi shoku Hekuran një material të Ministrisë së Mbrojtjes të vitit 1972 me titull stërvitja “Drini” e korpusit të Shkodrës, ku shoku Enver ka bërë shumë vërejtje dhe ka hedhur poshtë pikëpamjet armiqësore të komplotistëve.
    E martë 5 prill 1983
    Shoku Enver nuk erdhi sot në zyrë.
    E mërkurë 6 prill 1983
    Sot shoku Enver erdhi në orën 10:00. U fut në zyrën e tij shoku Hekuran dhe më vonë edhe shoku Ramiz. Qëndruan gjatë në bisedime. Kur mbaruan, shoku Ramiz më tha se takimi ishte regjistruar dhe, meqë kishte karakter sekret, të zbardhet. Edhe shoku Enver, kur po largohej, më tha që këtë material ta mbajmë në kasafortë.
    E premte 8 prill 1983
    Shoku Enver sot nuk doli në zyrë.
    E shtunë 9 prill 1983
    Shoku Enver sot doli në orën 10:15. Pas takimit të zakonshëm që zgjati dy orë, ai u kthye me shokun Ramiz në zyrë.
    E hënë 11 prill 1983
    Sot filloi punimet Konferenca Kombëtare për problemet e zhvillimit të ekonomisë sonë gjatë këtij pesëvjeçari. Shoku Enver do ta ndjekë nga shtëpia. Sulo i siguroi lidhjen e sallës me studion e tij në shtëpi me radio.

    vijon…

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  6. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit: Urdhri i Nexhmijes, Lleshi e Peza jo në vilën e Enverit

    Emri:  ENVER-HOXHA-DHE-MYSLYM-PEZA-300x242.jpg

Shikime: 6677

Madhësia:  19.9 KB
    ENVER HOXHA DHE MYSLYM PEZA

    Haxhi Kroi: U përjashtuan nga protokolli me porosi të veçantë.

    “Ramizi e Nexhmija hoqën emrat e tyre nga lista e të ftuarve për festën e 75-vjetorit të udhëheqësit”

    Pak javë para festës së 75-vjetorit të lindjes, Enver Hoxha pësoi një tjetër goditje në zemër. Situata e krijuar në vigjilje të ceremonisë jubilare diktonte ndryshime që së pari preknin protokollin e të ftuarve. Si asnjëherë tjetër është porositur reduktimi në maksimum i pjesëmarrësve që do të shkonin për të uruar udhëheqësin. Përtej këtij fakti të panjohur, ditari i Haxhi Kroit bën të ditur të tjera detaje rreth përjetimeve të krerëve të lartë nga kjo festë e veçantë, ku fluksi i urimeve për shëndetin e udhëheqësit tronditur rishtas, e eklipsonte si asnjëherë atë për ditëlindjen. Sipas kujtimeve të sekretarit personal të Hoxhës, për rrethanat e krijuara nga sëmundja e papritur, por jo vetëm, në festimet e 75-vjetorit ka marrë pjesë vetëm një grup i vogël liderësh të lartë. Në shënimin e datës 15 tetor 1983, Kroi pohon se ka njoftuar vetë, sipas porosisë, anëtarët e Byrosë Politike, ndërkohë që Ramiz Alia kishte lajmëruar anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Përveç këtyre, sipas tij ishin njoftuar me ftesë të veçantë Haki Toska, Pilo Pelisteri, Spiro Koleka e Shefqet Peçi, të cilët kohët e fundit kishin dalë në pension. Ndryshe nga herët e tjera, në këtë jubile të “Komandantit” ishin përjashtuar dy nga bashkëpunëtorët e hershëm të tij, të cilëve nuk u kishte rënë vetëm shkëlqimi i dikurshëm, por edhe besimi i kupolës së Partisë. Shënimet e shefit të kabinetit të Hoxhës zbulojnë një fakt interesant: Me porosi të Ramiz Alisë dhe të Nexhmije Hoxhës, Haxhi Lleshi dhe Myslim Peza janë lënë jashtë protokollit të vizitorëve VIP që do të uronin Enverin në shtëpi më 16 tetor 1983 me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Në ditarin e Kroit që u referohet zhvillimeve në zyrën më të rëndësishme të shtetit në muajt e fundit të vitit 1983, bie në sy përkujdesja e kreut të regjimit për të dokumentuar me imtësi veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, Beqir Ballukut e Kadri Hazbiut dhe lidhjet e tyre me grupet e tjera antiparti të zbuluara në vite, kur ata ishin dënuar me vendim të formës së prerë(!). Në tavolinën e Hoxhës, sipas porosisë së tij, një grup i veçantë i kryesuar nga Hekuran Isai, i ka çuar tekstin e autokritikës së gjeneral Nexhip Vilcanit, dënuar në vitin 1958, ku dyshohet se ka gjurmë të bashkëpunimit të tij me “bandën e Mehmet Shehut”. Sakaq, shefit të Partisë i kanë vënë në dispozicion librin në dorëshkrim që është gjetur në kasafortën e Shehut, në të cilin zbulohet fakti se ai me dorën e vet u ka shkruar në vitin 1945 një letër sovjetikëve në të cilën hedh baltë mbi Partinë dhe Enverin. Në këtë linjë është gjithashtu edhe një shënim i Kroit i datës 5 qershor 1983, në të cilin shprehet se bashkë me Hekuran Isain kanë nxjerrë nga Arkivi i Partisë të dhëna që Enveri i ka porositur për lëvizjet jashtë shtetit të armiqve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku etj.

    DITARI I VITIT 1983

    E mërkurë 13 mars 1983
    Me kërkesën e shokut Hekuran dhe miratimin e shokut Ramiz, i dërguam sot fotokopjen e autokritikës dhe të shtojcës që kishte bërë Nexhip Vicani në vitin 1958. Çfarë njeriu i degjeneruar që kishte qenë ky në të gjitha drejtimet?! Këto materiale i vlejnë Partisë se zbulojmë veprimtarinë armiqësore të zhvilluar prej kohësh të tradhtarëve të Partisë si Kadri Hazbiu, Beqir Balluku e sa të tjerë si këta.
    E premte 15 prill 1983
    Shoku Enver doli në orën 10:15, po nuk mora takim me të, se jam me rrufë e mos ia ngjit. Lashë në zyrën time shokun Ajet.
    E mërkurë 27 prill 1983
    Shoku Enver vazhdon të punojë në shtëpi. Më erdhi në zyrë shoqja Nexhmije dhe kërkoi që Tatiana të shkëputet ca kohë nga grupi ynë për t’u marrë me kujtimet e rinisë së shokut Enver që është menduar të botohet me rastin e 75- vjetorit të lindjes së tij. Ajo më pyeti si mendoj unë se mos na dobësohet puna korente. Isha dakord që Tatiana të shkëputet disa kohë derisa të përfundojë këtë punë.
    E hënë 2 maj 1983
    Shoku Enver nuk erdhi në zyrë. Në orën 10:00 më thirri shoku Ramiz dhe më porositi të fotokopjoja katër faqe nga libri në dorëshkrim që iu gjet tradhtarit Mehmet Shehu në kasafortën e shtëpisë, ku ai ka shkruar me dorën e vet se u ka dërguar letër sovjetikëve, majorit Ivanov më 1945, ku hedh baltë kundër Partisë dhe shokut Enver, në një kohë që nën udhëheqjen e tyre Shqipëria për herë të parë në historinë e saj ishte çliruar me forcat e veta dhe populli kishte përmbysur klasat shfrytëzuese, kusarët, delenxhinjtë, të shiturit e Ballit, të Legalitetit etj. dhe kish ngritur pushtetin e vet. Spiuni Mehmet Shehu vihet kështu edhe në shërbim të sovjetikëve. Kur ia çova shokut Ramiz këto katër faqe ishte aty edhe shoku Hekuran, dhe siç duket shoku Ramiz ia dha këtij se i duhen për punë.
    E mërkurë 4 maj 1983
    Sot shoku Enver erdhi në zyrë në orën 10:15. Më telefonoi shoku Hekuran dhe më pyeti nëse i ka bërë shoku Enver ndonjë letër urimi me rastin e 80-vjetorit të lindjes patriotit veteran Riza Vehipi nga Kardhiqi i Gjirokastrës. I tregova se i ka bërë.
    E shtunë 7 maj 1983
    Shoku Enver nuk doli sot në zyrë. Në orën 10:00 ai tok me të shoqen Nexhmijen shkoi për të uruar shokun Hekuran Isai me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Në mesditë shoku Enver më telefonoi nga shtëpia dhe më porositi që materialet me shkronja të mëdha paskëtaj t’ia përgatisim me letër të bardhë.
    E hënë 9 maj 1983
    Më njoftoi Suloja se punonjësit e Kinostudios do të marrin shokun Enver në film në zyrën e tij me rastin e 75-vjetorit të lindjes dhe në punë e sipër do të duhet të futem edhe unë si zakonisht.
    E martë 10 maj 1983
    Sot erdhën punonjësit e Kinostudios dhe TVSH për të filmuar shokun Enver në zyrën e tij, duke hyrë në zyrë, kur po ulej në tavolinën e punës, duke punuar, duke i çuar unë si zakonisht materialet e ditës. Ata e mbajtën rreth një orë. E lodhën ca. Me këtë rast i dhashë edhe unë shokut Enver disa letra që i kanë dërguar nga rrethe të ndryshme. Kur doli për t’u larguar për në shtëpi, plot humor, më tha: “Luajtëm edhe ne film sot, si ata të kinematografisë”
    E enjte 12 maj 1983
    Sot shoku Enver nuk doli në zyrë, po i shkova në shtëpi në orën 11:00 për t’i shpurë një letër që na i ktheu dje se nuk ia kishim përgatitur mirë për t’ia dërguar punonjësit të shquar të pararojës, “Heroit të Punës Socialiste”, Gani Tuçepi, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Kur u ktheva, pashë se shoku Gafur i shoqëruar me dy instruktorë të KQ për ushtrinë po shkonte në zyrën e tyre. Gafuri ka disa javë që i ka bërë një letër shokut Enver me të cilën i kërkonte që të vinte e të punonte në aparat e të aktivizohej në profilin që kishte pasur për ushtrinë, por nuk iu muar parasysh. Tani pse vazhdon të vijë në kundërshtim me përgjigjen dhe sqarimin që iu bë?! Çudi me të! Më duket se nuk e lë sedra mikroborgjeze të qetë.
    E enjte 19 maj 1983
    Shoku Enver doli në orën 10:25. Kur shkova në zyrën e tij për të marrë si zakonisht materialet që lë mbi tavolinë, gjeta këtë shënim të tij: Shoku Haxhi! Letrat që më vijnë mua janë të shumta dhe do të jetë e vështirë për mua që t’i këndoj të gjitha. Prandaj mua më jepni ndonjë që ka rëndësi të veçantë. Të tjerat ua drejtoni sekretarëve të KQ sipas sektorëve. Enver. Tani më bie detyrë të bëj çdo ditë një seleksionim akoma më të fortë dhe t’i jap shokut Enver vetëm ndonjë çështje për të cilën duhet vënë në dijeni.
    E shtunë 21 maj 1983
    Shoku Enver erdhi në aparat në orën 10:15. Sa erdhi, i dhashë një artikull të shkruar në një revistë të emigracionit kosovar në Zvicër, ku përshkruhet në mënyrë rrëqethëse gjendja e tmerrshme e patriotëve kosovarë të tredhur në një nga burgjet e Kroacisë. Është e zorshme të marrësh me mend që në shekullin e 20 të ketë të tillë përbindësha me fytyrë njeriu që i trajtojnë të burgosurit më keq se kafshët.
    E diel 5 qershor 1983
    Me shokun Hekuran punova për të nxjerrë nga Arkivi i Partisë të dhëna që shoku Enver ka porositur për lëvizjet jashtë shtetit të armiqve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku etj.
    E shtunë 2 korrik 1983
    Shoku Enver doli në orën 10:30 dhe shkoi menjëherë në takimin me sekretarët e KQ. Rreth dy orë bisedova me shoqen Nexhmije mbi llogaritë e veçanta dhe shpenzimet që bën shoku Sulo Gradeci për shokun Enver. Mbetëm dakord të përgatisim disa norma më të shtrënguara në përdorimin e valutës për këtë qëllim dhe t’i ndajmë veç shpenzimet për nevoja pune nga disa shpenzime për nevoja personale.
    E martë 5 korrik 1983
    Shoku Enver sot nuk doli në zyrë. Në orën 11:40 më erdhi në zyrë shoqja Nexhmije dhe më ngarkoi të kinofilmoj një numër materialesh dorëshkrim të shokut Enver dhe do t’ia dorëzoj së shpejti. I thashë se jam gati të merrem edhe me këtë punë në çdo kohë që të jetë nevoja.
    E hënë 5 shtator 1983
    Pas dy muajve pushim në Pogradec, sot shoku Enver erdhi në punë në orën 10:40 dhe shkoi menjëherë në takim me sekretarët e KQ që sot ndodhen të katërt.
    E mërkurë 14 shtator 1983
    Sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Shoqja Nexhmije na dërgoi pjesë-pjesë fjalën që do të mbajë shoku Enver në Plenumin e KQ për dënimin e armiqve të poshtër Kadri Hazbiu e Fiqret Shehu me shokë.
    E enjte 15 shtator 1983
    Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike. Fjalimin e tij shoku Enver ma dha ta lexoja unë.
    E hënë 19 shtator 1983
    Shoku Enver nuk erdhi në zyrë. Sulua më tha se ai vazhdon të regjistrojë në magnetofon fjalën që do të dëgjohet në Plenum lidhur me përfundimin e dy gjyqeve që u zhvilluan kohët e fundit kundër armiqve të Partisë e të popullit Kadri Hazbiu e kompani, bashkëpunëtorë të ngushtë të tradhtarit Mehmet Shehu.
    E premte 23 shtator 1983
    Shoqja Nexhmije më kërkoi t’i nxirrja nga “Tabloja sinoptike…” dhe nga fjala e shokut Enver në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 8 tetor 1982 çfarë ka thënë dhe si e ka trajtuar shoku Enver çështjen e komplotit me spiunin Teme Sejko, si ka shkruar për vajtjen e tradhtarit Kadri Hazbiu në Dajt etj. I nxora dhe ia çova në orën 20:00 në shtëpi.
    E shtunë 15 tetor 1983
    Sot bëmë përgatitjet për festimin e ditëlindjes së shokut Enver. Morëm masa për të lajmëruar ata që do të bëjnë vizita në shtëpi. Unë i njoftova vetë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Shoku Ramiz njoftoi anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sipas porosisë së shoqes Nexhmije, unë njoftova gjithashtu shokët Haki Toska, Pilo Pelisteri, Spiro Koleka e Shefqet Peçi. Për Myslim Pezën, shoku Ramiz e shoqja Nexhmije më thanë të mos e lajmëroj, veçse po të pyes vetë. Kur i pyeta për shokun Haxhi Lleshi më thanë që këtë të mos e njoftoj.
    E enjte 10 nëntor 1984
    Shoqja Nexhmije më informoi se pardje shoku Enver kishte pasur një shqetësim në zemër, por tani nuk ka gjë shqetësuese. Në fakt, megjithëse me zor e mbajta veten, lajmi ishte shumë shqetësues. E duam si shpirtin shokun Enver. Të na rrojë sa malet! Shoqja Nexhmije më foli edhe për disa probleme të punës sonë, sidomos për të aktivizuar më shumë Tatjanën, Fatriun dhe Katjushën dhe në rast se ndonjëri prej tyre nuk ecën, mund të hiqet, të zëvendësohet me më të aftë.
    E hënë 14 nëntor 1983
    Shoku Enver doli në punë në orën 10:00. Kur u ul në karrigen rrotulluese të punës, m’u ankua se i ish ulur nën nivelin që do. Kur shkoi në takimin ditor me shokët, thirra oficerin e shërbimit Leka Janon që kujdeset për dhomën e shokut Enver që t’ia rregullonte dhe e porosita që ta kontrollojë çdo ditë lartësinë që e do shoku Enver dhe që e ka me një matës.
    E enjte 17 nëntor 1983
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:00. Më herët kishin ardhur aty dhe e prisnin shoku Ramiz me shokun Reiz Malilie dhe Sofokli Lazri që porsa ishte kthyer nga Franca ku mori pjesë në një mbledhje të UNESCO-s. Takimi zgjati rreth një orë. Në orën 11:00 më kërkoi një takim kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame dhe më tha se ka për të bërë një denoncim me shumë rëndësi te shoku Enver për një personalitet të lartë që ka lidhje me një element armik të burgosur. I thashë ta daktilografojë vetë materialin, ta mbyllë në një zarf dhe pasi ta vulosë, ta adresojë te shoku Enver dhe ia çoj unë të marrë dijeni.
    E hënë 21 nëntor 1983
    Shoku Enver erdhi në punë në orën 10:25. Bëri takimin e zakonshëm me sekretarët dhe u kthye në zyrë. Para se të largohej në shtëpi i tregova reklamën e një aparati “Kseroks” me anën e të cilit mund t’ia zmadhojmë materialet që i vinë të daktilografuara në një kohë më të shkurtër se ai që kemi. I tregova edhe reklamën dhe m’u duk se mbeti i kënaqur, se më udhëzoi që të porositet e të blihet dhe të vijë sa më parë, por më sinjalizoi që shokët që do ta blejnë, të hapin sytë mirë kur ta marrin në dorëzim, që të mos jetë defektoz.
    E enjte 1 dhjetor 1983
    Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:00. Kur doli për t’u kthyer në shtëpi, shoku Enver më porositi t’i dërgoj në shtëpi pikturën e bukur mbi Gjirokastrën që ia kishin vendosur në dhomën pranë zyrës së tij. E ka pikturuar piktori i shquar Guri Madhi.
    E hënë 12 dhjetor 1983
    Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike. Shoku Enver më dha mua diskutimin që kish përgatitur, të cilin e lexova para mbledhjes.
    E premte 23 dhjetor 1983
    Shoku Enver nuk erdhi sot në zyrë. Shoqja Nexhmije më solli një letër të punëtorit të naftës Tahir Berisha, që me një letër tjetër qysh në muajin gusht, sinjalizonte për sabotime në këtë sektor. Letrën ia kishte përsëritur edhe në shtator shokut Enver. Me porosi të shokut Enver i dërgova një kopje për të bërë hetime shokut Hekuran dhe një shokut Ramiz për dijeni. Thirra shokun Petrit Shijaku dhe i kërkova që pse nuk ma kishin sjellë mua për t’ia dhënë shokut Enver ose ndonjërit prej sekretarëve të KQ këtë letër të Tahirit që e kishte lexuar instruktorja Liza Haxhinasto dhe ajo pa përgjegjësi e kishte vënë në dosje. Nga shënimet dilte se atë e kishte pritur edhe Petriti, prandaj e kritikova rreptë edhe këtë, edhe Lizën që është juriste.
    E enjte 29 dhjetor 1983
    Më telefonoi shoqja Nexhmije nga shtëpia dhe më tha se sot do të vijë në zyrë shoku Enver për të parë maketin e Pallatit të Kongreseve, sipas vërejtjeve që u bënë nga udhëheqja muaj më parë. Në mesditë, në sallën e madhe të mbledhjeve të Plenumit ku ishte vendosur maketi i Pallatit të Kongreseve dhe ai i monumentit të reformës agrare, erdhi shoku Enver dhe udhëheqësit e tjerë për t’i parë. Për Pallatin u dhanë shpjegime nga arkitekt Klemend Koloneci, drejtor i Institutit të Projektimeve Nr. 1, kurse për atë të reformës agrare nga Anastas Kondoja. Shokët e udhëheqjes kishin thirrur me këtë rast edhe shoqen Nexhmije.

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  7. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    “Në shkurt ‘84 Enver Hoxha pësoi ishemi cerebrale, u mbajt sekret"

    Emri:  enver-dhe-nexhmije-hoxha-207x300.jpg

Shikime: 5412

Madhësia:  25.3 KB
    Nexhmije dhe Enver Hoxha

    Ditari i Haxhi Kroit: I paralizoi krahun dhe këmbën e djathtë.

    “Mbledhja e jashtëzakonshme e Byrosë Politike vendosi që sëmundja të ruhej shumë sekret”

    Ka qenë pasditja e 16 shkurtit 1984 kur shëndeti i Enverit është tronditur sërish, këtë radhë nga një ishemi cerebrale e paparashikuar nga stafi i mjekëve personalë, por jo vetëm. Haxhi Kroi që ka memorizuar në ditar me preokupacion të veçantë ecurinë e gjendjes shëndetësore të udhëheqësit kryesor, pohon se lajmin e keq e ka mësuar nga Ramiz Alia, mëngjesin e 17 shkurtit ’84. Pak orë më vonë, sipas tij, ky i fundit ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Byrosë Politike për ta informuar për situatën e rrezikshme që kalonte shefi i Partisë. I pranishëm në këtë takim, sekretari i Hoxhës shkruan: “Ramizi informoi shokët e udhëheqjes se shoku Enver dje pasdite rreth orës 17-17:30 kaloi një gjendje spazme ose ishemie cerebrale, që i ka paralizuar krahun dhe këmbën e djathtë, por pas ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve sëmundja po dominohet. Megjithatë, ekziston akoma rreziku i përsëritjes së goditjes. Në fund rekomandoi që çështja të mbahej shumë sekret”. Nga ky moment, sipas Kroit, me një vendim të veçantë të sekretariatit të Komitetit Qendror, është ngritur një grup mjekësh për t’u marrë me kurimin e Enverit. Çfarë ka ndodhur me shëndetin e tij pas kësaj, zbardhet në shënimet që Kroi ka mbajtur në vijim, deri në ditën që diktatori ka ndërruar jetë. Sakaq, ndër ngjarjet e tjera në zyrën e kreut të Partisë, që i referohen kësaj periudhe, tërheq vëmendjen një reagim i panjohur i Hoxhës për biografinë e piktorit të njohur, Abdurrahim Buza, emri i të cilit është zbuluar rishtas në listën e Asamblesë tradhtare. Fakti i panjohur, konfirmon Kroi në shënimin e datës 27 janar 1984, është bërë i ditur gjatë studimit të dokumenteve të misioneve angleze e amerikane në vendin tonë, që Hekuran Isai kishte çuar në zyrën e Hoxhës në tetor të vitit 1983. Aty, shkruan Kroi, emri i piktorit Abdurrahim Buza figuronte në listën e Asamblesë tradhtare që u godit me top më 18 tetor 1943 nga artileria e Brigadës III të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Hulumtimet e mëtejshme mbi të kaluarën e piktorit veteran, sipas njeriut diskret të Hoxhës, kanë nxjerrë në dritë një tjetër të dhënë që ka penalizuar jo vetëm atë, por edhe të birin. “Një kunat i Abdurrahimit, një bej nga Starova e Pogradecit, shkruan Kroi, ka qenë me Ballin Kombëtar dhe kjo pengoi Kujtim Buzën, të birin, të bëhej kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës.”

    (Dossierin e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  8. #18
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    “Nëna greke e Viktor Zhustit: Djalin e dija të vdekur”

    Emri:  potret-aktori-viktor-zhusti-7-qershor-2010-223x300.jpg

Shikime: 5077

Madhësia:  15.2 KB
    Viktor Zhusti

    Ditari i Haxhi Kroit: Kemi siguruar një aparaturë të posaçme.

    “Çdo ditë rishtypim për Enverin ‘Zërin e Popullit’ me germa të mëdha”

    “Me krizën që kaloi shpëtoi për qime, por ka probleme me shikimin dhe nuk firmos dot dokumentet”


    “Enveri e kishte ‘Zërin e Popullit’ si oksigjeni për organizmin; ai u nda me të vetëm kur u nda nga jeta”. Përcaktimi i Haxhi Kroit për raportet e Hoxhës me organin qendror të Partisë, zëdhënësen e vetme të saj që nga dita e themelimit, është një nga konstatimet e pakontesueshme të njeriut që ka punuar 40 vite në zyrën e tij dhe fillonte ditën me interesimin e shefit të regjimit për gazetën më të madhe dhe problemet e trajtuara në të. Me fillimin e viteve ’80, kur shëndeti i Enverit kishte nisur të rrënohej dita-ditës nga një kompleks sëmundjesh, “kreshentua” e marrëdhënieve të tij me “Zërin…” filloi të cenohej. Megjithatë, dëshmon sekretari personal i Hoxhës, ai deri në fund stërmundohej të dilte mbi sëmundjen për mos t’u ndarë me krijesën e vet, “tribunën” e Komitetit Qendror, nga e cila ndiqte zhvillimet në vend e në botë dhe drejtonte Partinë. Kroi ka regjistruar në ditar mënyrën si operonin zyrtarët e kabinetit të Hoxhës për të kompensuar vështirësitë që kishte për leximin e “Zërit…”. Shënimet e tij që i referohen fillimit të vitit 1984, bëjnë të ditur përpjekjet për sigurimin e një makinerie në Perëndim, me të cilën është realizuar çdo ditë riprodhimi i gazetës “Zëri i Popullit” me germa të mëdha. Shërbimi i posaçëm për kreun e regjimit, sipas kujtimeve të Kroit, ka ndryshuar edhe vetë regjimin e punës së kabinetit të tij në aparatin e KQ. Stafi i këtij të fundit, tashmë i dyfishuar në numër, paraqitet në zyrë në orën 06:00 dhe deri në orën 08:30 punon për të rishtypur “Zërin…”, që duhet të shkojë në destinacion çdo ditë pa kaluar ora 9:00. Jo rastësisht, shënimet për dinamikën e këtij procesi që monitorohej drejtpërdrejt nga Nexhmija dhe i biri Sokoli, zënë pjesën kryesore të ditarit të Kroit për periudhën mars-maj 1984. Në ditët në vijim, me rëndimin e shëndetit të Hoxhës, siç do ta shikojmë në numrat e ardhshëm, “shtypshkronja” e vendosur enkas për shefin e Partisë në Aparatin e KQ ka dalë e panevojshme. Që këtej është operuar me një tjetër zgjidhje, duke instaluar një qendër radiofonike për incizimin e lajmeve të “Zërit…” dhe të materialeve të tjera. Nga ato pak zhvillime të tjera që ka dokumentuar shefi i kabinetit të kreut të regjimit në këtë kohë, bie në sy lajmi për shfaqjen e papritur të nënës së aktorit të njohur Viktor Zhusti, e cila shkruan nga Athina se është lumturuar nga shqiptarët që më në fund e kanë ribashkuar me djalin të cilin e dinte të vdekur…

    (Dossierin e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  9. #19
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit: Enveri nuk shikon më, bisedat për orgjitë e partiakëve

    Emri:  DoktoriAustriakEnverHoxhes.jpg

Shikime: 5896

Madhësia:  56.8 KB
    PROFESORI AUSTRIAK I FAKULTETIT TË MJEKËSISË, KARL FELLINGER, DUKE FOLUR NË VJENË PËR MBRESAT NË VILËN E ENVER HOXHËS NË TIRANË

    Ditari i Haxhi Kroit: S’bëhet fjalë të komunikojmë me letra

    “Me porosi të Nexhmijes kemi ngritur një studio dhe regjistrojmë çdo ditë materialet që i duhen”

    “Një anëtar i KQ, prej kohësh bën veprime të turpshme me femrat”

    Bisedat në zyrën e Enverit për orgjitë e partiakëve

    Një telefonatë e Nexhmije Hoxhës, në mbrëmjen e 9 qershorit 1984, ka qenë një sinjal jo i mirë për shefin e kabinetit të kreut të Partisë. “Shokut Enver i ka pëlqyer shërbimi juaj me fotozmadhimin e gazetave, më tha ajo, -kujton në shënimin e kësaj date Haxhi Kroi, -por më shumë do t’i pëlqente regjistrimi në magnetofon i materialeve të ‘Zërit të Popullit’”. Pavarësisht nga kujdesi në transmetimin e mesazhit, zyrtari që bashkëpunonte prej dekadash me çiftin Hoxha, parakuptonte një gjendje jo të mirë të shefit të tij. “Për fat të keq, shkruan ai në ditar, parandjenja do të vërtetohej në ditët në vijim, ku Hoxha është shfaqur jo vetëm me probleme serioze shikimi, por edhe i dërrmuar nga shëndeti. Tanimë, shton Kroi, ai mund lëvizë vetëm duke e mbajtur dikush për krahu dhe gjithnjë mbështetur mbi bastun”. Lidhur me shërbimin e ri për t’i regjistruar në magnetofon shkrimet kryesore të gazetës “Zëri i Popullit” dhe materialet e tjera, shefi i kabinetit thekson se për këtë qëllim është ngritur një “redaksi radiofonike”, ku janë përzgjedhur emra të njohur në fushën e letrave, si Nasi Lera, Tatjana Hoxha, Fatri Sinani, Katjusha Pogaçe e Ajet Simirxhiu, të cilët çdo ditë, sipas një grafiku të caktuar, përgatisin “radioemisionin” që shkonte për ta dëgjuar Hoxha. Sakaq, te kreu i Partisë, me këtë metodë, shkonin edhe çështje të tjera, kuptohet nga ato më të rëndësishmet, pjesa më e madhe e të cilave për vetë karakterin që përmbanin, konsumohej në një rreth tepër të ngushtë. Sekretari personal i shefit të Partisë ka shënuar në ditar preokupimin e posaçëm të këtij të fundit për informacionet që vinin për orgjitë dhe sjelljet e pamoralshme të partiakëve dhe zyrtarëve të lartë, siç ka qenë rasti i një anëtari të Komitetit Qendror, ish-sekretar i Parë në Shkodër dhe në Vlorë, i përfolur për qëndrime të turpshme me gratë. Këto, nënvizon Kroi qasjen e shefit, janë akte të dënueshëm nga normat e moralit proletar, sepse degjenerimi moral të çon shpejt në degjenerim politik”…

    DITARI I VITIT 1984

    E shtunë 9 qershor 1984
    Sot shokët Ajet, Fatri, Vaica, Murat Spahiu e Hasan Qinami dolëm që në orën 6 të mëngjesit në punë për të bërë përzgjedhjen e materialeve të “Zërit të Popullit” që mund t’i interesojnë shokut Enver. Kjo punë vazhdoi tri orë e gjysmë dhe shokut Enver ia çuam në orën 10:00. Në orën 20:00 më mori të telefon shoqja Nexhmije dhe më tha se shokut Enver i kishte pëlqyer kjo punë, por më shumë do t’i pëlqente regjistrimi në magnetofon i materialeve të “Zërit të Popullit”.

    E hënë 11 qershor 1984
    Meqenëse shoku Enver pëlqen vetëm materialet e regjistruara në magnetofon, sot dolëm në orën 06:30 dhe filluam nga regjistrimi i artikujve të gazetave. Ato sot i lexoi shoku Ajet nga fillimi në fund që të mos e bezdisnim shokun Enver me zëra të ndryshëm në regjistrimin e një dite.

    E martë 12 qershor 1984
    Në orën 06:30 shokët Ajet e Fatri filluan nga leximi i shtypit në magnetofon, ndërsa unë u mora me përgatitjen e programit të radios, të televizionit dhe të pasqyrës së shtypit. Materialet i mbaruam në orën 09:30 dhe ia dërguam shokut Enver. Në orën 09:30 më erdhi shoqja Nexhmije dhe më tha se u ngarkuat me një punë të re plus, pak e lodhshme për ju, por ka nevojë se lehtësohet shoku Enver. Enveri është shumë i kënaqur, tha ajo, si nga zëri dhe nga shpejtësia e të lexuarit, prandaj kështu të mbahet ky ritëm. E vura në dijeni se kur bëjmë regjistrimet, përpiqemi që një ditë të lexojë njëri dhe një ditë të lexojë një tjetër, në mënyrë që të mos flasin dy veta, se mos bezdiset shoku Enver me ndryshimet e tonit të zërit. Jo, më tha shoqja Nexhmije, përkundrazi, kur ndryshon toni, zhduket edhe monotonia, prandaj mund të aktivizohen në regjistrim edhe Tatjana me Katjushen.

    E mërkurë 13 qershor 1984
    Në bazë të sugjerimeve të shoqes Nexhmije, sot ndryshuam praktikën e regjistrimit duke mos i bërë regjistrimet me një zë, por me disa zëra. Kështu sot filluam duke regjistruar kryeartikullin të cilin e lexoi Ajeti, pastaj Tatjana me Fatrinë regjistruan materialet e tjera që përzgjodhën nga “Zëri i Popullit”. Unë u mora me programin e radios e të televizionit dhe materialin që më dha shoku Ramiz lidhur me kërkesën e palës jugosllave për bisedime për problemin e marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve, për t’ia dhënë shokut Enver bashkë me materialet e shtypit.

    E enjte 14 qershor 1984
    Po e bëjmë zakon që po e fillojmë punën treçerek ore më përpara me shokun Ajet, me synimin që t’ia çojmë sa më parë shokut Enver regjistrimet. Sot aktivizuam për regjistrim edhe Katjushën dhe më duket se ajo flet mirë në mikrofon, veçse zërin duhet ta ngrejë paksa më lart. Më lumturon fakti që më bëri të ditur shoqja Nexhmije se shoku Enver është i kënaqur me regjistrimet që ka dëgjuar. Na stonoi vetëm mungesa e gatishmërisë së Nafije Veleshnjës kur i bëmë thirrje të dalë në orën 06:30 dhe të largohej gjysmë ore para orarit zyrtar. Ajo menjëherë tha: Pse të mos aktivizohen edhe të tjerët, por vetëm unë?! Shoku Ajet e sqaroi, por gjesti i Nafijes, mungesa e gatishmërisë nga ana e saj, nuk më pëlqeu. Biseduam ta ngremë në mbledhjen e organizatës. Po ne themi që për Partinë dhe shokun Enver japim edhe jetën dhe të gatshëm jemi kur na bëjnë ata thirrje, pra ta bëjmë sakrificën sublime. Nafija nuk sakrifikon të dalë gjysmë ore më herët në punë. Kjo nevojë për të nuk ndihet tani që shoku Enver është i kënaqur me regjistrimet, por ama e keqja i shpëtoi nga goja Nafijes dhe me atë që bëri, tregoi sesa për formë i thotë sloganet. Aty nga ora 09:00 më telefonoi shoqja Nexhmije dhe më tha që Tatjana të bëjë kujdes kur regjistron, se rrëmbehet ca, kurse Fatriu duhet të flasë pak më ngadalë. Në orën 10:20 erdhi shoku Enver në zyrë. Shkoi menjëherë në takimin me sekretarët. U largua për në shtëpi në orën 12:00. Para se të vinte shoku Enver në zyrë, më pyeti shoku Ramiz nëse i ka dërguar ndonjë letër Sul Ba… Ka dërguar, iu përgjigja. Këtë letër në fakt Sula e ka dërguar që në datën 8 qershor. Ata ia fotozmadhova dhe ia çova shoqes Nexhmije, që po ta gjykonte me vend, të vinte në dijeni me përmbajtjen e saj shokun Enver, ose t’i jepte të lexonte kopjen e fotozmadhuar. Pas dy ditësh shoqja Nexhmije ma ktheu letrën duke më porositur ta vija në arkiv. Ajo më tha se me përmbajtjen e saj kishte njohur edhe shokun Enver. Ia çova shokut Ramiz letrën e Sulës dhe i thashë nga sa dëgjojmë në rrethe shoqërore e familjare, nuk po flitet mirë për Sulën, se qenka ngatërruar me një grua të re, punonjëse në Komitetin e Veteranëve. “Se mos është vetëm një herë që Sula bën nga këto gjëra”, më tha shoku Ramiz. Atë e ka pasë thirrur dy herë shoku Hysni. Një herë kur ishte në Shkodër dhe një herë tjetër kur ishte në Vlorë dhe e ka këshilluar e kritikuar. Jo vetëm kaq, por edhe unë e kam thirrur dy herë për qëndrime të pahijshme morale, shtoi shoku Ramiz. Kohët e fundit u duk sikur kishte hequr dorë, por ja që së fundi na erdhi një letër nga një grua nga Komiteti i Veteranëve, vazhdoi shoku Ramiz dhe ne e thirrëm, i komunikuam nxjerrjen në pension. U këshillua të sillet mirë. Ai e ka demaskuar vetë veten, pse me t’u larguar këtej, megjithëse i thashë të quhej me kaq e mbyllur kjo çështje, Sula vajti në aparatin e Komitetit të Veteranëve, mblodhi personelin e këtij aparati dhe bëri pyetjen se kush ia kishte drejtuar letrën KQ. Pra, vetë u komprometua. Pse ta mblidhte këtë personel? Sigurisht që i dogji dhe humbi ekuilibrin. Shoku Ramiz më tha se kishte vendosur ta thërriste përsëri. Sa poshtë ka rënë ky Sula, por mirë t’i bëhet. Sidoqoftë, me sjelljet e tij të pamoralshme, dëmton Partinë që e ka nderuar deri në Plenum të KQ dhe për një kohë të gjatë i ka besuar detyra shumë të rëndësishme, si sekretar i parë në disa rrethe dhe ai, në vend që t’ia shpërblente me punë Partisë, nuk hoqi dorë nga këto vese të turpshme, na u bë si njëfarë Nexhip Vilçani. Turp të ketë, ka dhe fytyrë ky i pamoralshëm e i drejtohet shokut Enver. Marrja nëpër gojë në publik e emrit të tij e ndërlikon dhe e rëndon më shumë çështjen e Sulës. Ai as që e meriton të qëndrojë anëtar Plenumi, bile edhe as si anëtar Partie, se e ka njollosur rëndë figurën e tij morale. Sot në adresë të shokut Enver erdhi dhe një letër anonime që flet keq për drejtorin e Ndërmarrjes së Tullave në Tiranë, S.C., i cili përdor makinën për veprime imorale. Duke shfrytëzuar postin, shkruan anonimati, ai u jep leje disa grave të venë në shtëpi në orarin e punës dhe largohet edhe vetë në orarin e punës me këto në shtëpi. Pra, kur ato nuk kanë njerëzit e tyre në familje. Veprime të shëmtuara të degjenerimit të një njeriut tonë që, po të jetë e vërtetë, i duhet vënë freri energjikisht. Tërheq vëmendjen se ky kuadër është njeriu ynë, nga familje e mirë, por qenka djali i motrës së Sul Ba… Në rast se del e vërtetë, ky është një akt i dënueshëm nga normat e moralit tonë proletar, pse degjenerimi moral të çon shpejt në degjenerim politik. Shoku Ramiz më porositi që kjo letër t’i dërgohet shokut Foto Çami, për ta trajtuar si gjykohet më e drejtë nga ana e tij.

    E premte 15 qershor 1984
    Nga regjistrimet e djeshme ku aktivizuam edhe Katjushën, shoqja Nexhmije më bëri vërejtjen që Tatjana kur lexon tekstin të mos rrëmbehet. Edhe Fatriu gjithashtu të mos nxitohet.

    E enjte 21 qershor 1984
    Sot më erdhi shoqja Nexhmije në zyrë dhe më tregoi për shërbimin e shtypit që po i bëjmë çdo ditë shokut Enver. Në përgjithësi ai është i kënaqur, por ka vënë re se Tatjana flet ulët. Gjithashtu, më porositi të regjistrojmë veç të tjerave edhe ndonjë reportazh, material me karakter historik e shkencor, si dhe ndonjë nga artikujt që “Zëri i Popullit” boton zakonisht në faqen e katërt. Më porositi gjithashtu që në materiale të mos vënë vetëm anët problemore dhe dobësitë, por edhe arritjet dhe anët pozitive. Pasqyrën e shtypit të përditshëm dhe programin e radios dhe televizionit nuk e do më. Për sa i përket materialeve që botohen në organet e tjera, shoqja Nexhmije më porositi që të ngarkojë dikë që çdo ditë të bëjë përzgjedhjen e artikujve më interesantë dhe t’ia regjistrojnë një herë në javë. Ndërkaq, shoqja Nexhmije më udhëzoi të marrim një fragment nga libri i ri i shokut Enver mbi Frontin, që është duke u përgatitur për botim dhe t’i regjistrojë Nasi Lera dhe ne të grupit të sekretarisë.

    E premte 22 qershor 1984
    Pasi përfunduam me regjistrimin e artikujve të “Zërit të Popullit” për shokun Enver, filluam të regjistrojmë fragmentin e librit të ri të shokut Enver për “Front-Pushtetin”. I pari regjistroi shoku Nasi Lera, pastaj me radhë, unë, Ajeti, Tatjana, Katjusha e Fatriu. Të tërë më duket se dëgjohen qartë, po të shohim se cilin zë do të pëlqejë shoku Enver, i cili pret të regjistruara të 600 faqet e këtij libri. E hënë 25 qershor 1984 Shoku Enver vazhdon të qëndrojë në shtëpi. Duket që mjekët nuk e lejojnë, pse që nga 13 qershori, ai nuk ka ardhur më në zyrë. Edhe kur erdhi më 13 qershor, m’u duk shumë i lodhur. Shoku Enver edhe në telefon nuk më ka marrë për ndonjë porosi. Çdo kërkesë e tij transmetohet vetëm nëpërmjet shoqes Nexhmije. Le të mos lodhet, të pushojë e të marrë pak veten.

    E martë 26 qershor 1984
    Në orën 13:00 më telefonoi shoqja Nexhmije dhe më porositi që porsa të na japë shoku Spiro Dede tekstin e librit të ri të shokut Enver “Për Front-Pushtetin” të fillojmë nga regjistrimi. Ajo na porositi të lexojmë ngadalë dhe qartë dhe për këtë është mirë që materialin ta lexojmë vetë, para se ta regjistrojmë. Leximin të kemi parasysh të mos e bëjmë shpejt e shpejt me qëllim që shoku Enver të ketë kohë edhe të reflektojë. Pra të bëhen edhe pauza pas pikësimeve, sidomos pas çdo paragrafi dhe një kapitull i filluar të përfundohet deri në fund, të mos ndërrohen folësit. Në fund, shoqja Nexhmije më porositi të marr takim me shokun Spiro Dede.

    E hënë 2 korrik 1984
    Shoku Enver sot u nis me pushime.

    E martë 3 korrik 1984
    Shoku Spiro Dede më solli sot kapitullin e parë të librit të ri të shokut Enver, “Themelet e Shqipërisë së re”, që më herët flitej se do quhej për “Front-Pushtetin”. Fillova menjëherë ta lexoj me qëllim që kur të bëj regjistrimin të jem njohur me materialin. Ky është kapitulli më i gjatë, gjithsej 177 faqe.

    E premte 31 gusht 1984
    Sot u kthye nga pushimet që bëri shoku Enver me shoqen Nexhmije deri në 20 gusht në Pogradec dhe më vonë në Durrës.

    E shtunë 1 shtator 1984
    Në orën 11:30 shoku Enver erdhi në zyrë. Ishte pa çantë, mbante në dorë një bastun ku mbështetej dhe shumë pranë i rrinte shoqëruesi i parë Behar Zhurda. E martë 4 shtator 1984
    Shoku Enver sot doli në zyrë në orën 10:30. Duke hyrë në zyrën time, sa e lëshoi oficeri Behar Zhurda, e rroka unë për krahu dhe e mbajta ashtu deri sa u ul në karrigen e vet të punës dhe i thashë që kur të veje në takimin ditor, t’i bjerë ziles që të shkoja unë e ta shoqëroja. Kur u çua për të shkuar në takim, me gjithë peshën e rëndë të sëmundjes, duke buzëqeshur më tha: U plakëm Haxhi! Nuk kisha forcë t’i përgjigjesha, se një lëmsh i madh m’u mblodh në grykë për gjendjen e tij shëndetësore që po na shqetëson. Në orën 12:00 më erdhi në zyrë shoqja Nexhmije. I thashë se qysh ditën e shtunë jam kthyer nga pushimet bashkë me shokët e tjerë dhe jemi gati të fillojmë nga shërbimi për t’i regjistruar në magnetofon materialet kryesore të shtypit për shokun Enver, sikurse kemi bërë gjatë muajit qershor. Nuk do më, më tha shoqja Nexhmije dhe këtë punë po ia bëj unë, por edhe unë kam mjaft punë në Institut, vazhdoi ajo, prandaj i thashë që për disa materiale mund të vijë Haxhiu në shtëpi të t’i lexojë, po kështu edhe ndonjë libër, apo ndonjë artikull gazete, por as këtë nuk e do, prandaj jam e detyruar të mos qëndroj dot sa duhet në zyrë, se nuk e lë dot vetëm, më qau hallin shoqja Nexhmije.

    vijon…

    AFRIM IMAJ

    Shënim:
    Gjatë botimit të ciklit “Ditari i Haxhi Kroit” ka patur kontestime të ndryshme, nga ish-zyrtarë, fuksionarë të lartë, por edhe nga njerëz të thjeshtë që aty përmënden me emër. Redaksia e gazetës, pa marrë përsipër vërtetësinë e ngjarjeve të dokumentuara nga sekretari personal i kreut të regjimit, ka qenë dhe mbetet e hapur për çdo syresh që ofron dhe argumenton të kundërtën e tyre. Sakaq, në raste të veçanta ajo ka bërë verifikimet e veta dhe pasaktësitë e konstatuara, për aq sa kanë qenë, është duke i publikuar në vijim të ciklit. Lidhur me reagimin për shkrimin e botuar më 1 shtator 2014 “Hava Gjoliku i ankohet Enverit për nusen e djalit të vdekur”, sqarojmë se nga verifikimet tona rezulton e pasaktë mënyra si e përshkruan Kroi në ditar historinë e këtij konflikti. Së pari, Suzana Tabaku, ish-gruaja e djalit të Hava Gjolikut, për kohën që ish-kunata (Liri Gjoliku, asokohe juriste në Presidiumin e Kuvëndit Popullor) e akuzon te Hoxha se nuk i lejon fëmijët të takojnë gjyshen, ajo bashkëjetonte në familjen e tyre. (Tabaku ka bashkëjetuar gjashtë vite pas vdekjes së të shoqit në familjen e Hava Gjolikut). Së dyti, përkundër pretendimit të artikuluar në zyrën e Hoxhës, se ish-gruaja e djalit të Jaho Gjolikut, kishte një lidhje ilegale me djalin e Gafur Çuçit, rezultojnë dokumente që vërtetojnë se në shkurt të vitit 1983, kohë për të cilën akuzohet për këtë lidhje intime, qytetarja Tabaku ishte martuar zyrtarisht me mjekun Perlat Çuçi.



    Panorama

  10. #20
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëfen për historinë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi

    Ditari i Kroit: Ramizi trondit Byronë, Enveri shumë keq, s’do vijë më në zyrë

    Emri:  enver-hoxha-ramiz-alia-bastun.jpg

Shikime: 8172

Madhësia:  21.0 KB
    ENVER HOXHA DHE RAMIZ ALIA

    Ditari i Haxhi Kroit: Lajmi i papritur në tetorin e vitit 1984

    “Tani do punojmë me një rregull të ri. Enveri s’do vijë në zyrë. Do shkoj unë aty të marr këshillat e tij”

    “Instrumentisti i vogël kaq virtuoz më vonë kërkoi strehë në Paris”
    “Violinisti Tedi Papavrami po i mrekullon të gjithë”


    Vijon nga numrat e kaluar

    “Gjendja shëndetësore e shokut Enver është shumë e rëndë. Këmba e djathtë i ka ngrirë dhe i dridhet pandërprerë dora e goditur nga ishemia. Ditët e fundit është përkeqësuar më tepër dhe ka një dobësim të përgjithshëm, që nuk e lejon të lëvizë për shkak të insuficiencës kardiake që i ka sjellë edema pulmonare; mushkëritë i janë mbushur me ujë dhe ka vështirësi të mëdha në frymëmarrje. Jemi përpara situatave të vështira. Për sa u përket punëve të përditshme, unë shkoj dhe e takoj herë pas here për ta mbajtur në dijeni të problemeve më të rëndësishme dhe për të marrë këshillat e tij. Materialet nuk ia dërgojmë më si më parë. Këtë rregull do të ndjekim edhe në të ardhmen, pse siç duket shoku Enver nuk do dalë më në zyrë”. Kjo është një pjesë nga ligjërata e pazakonshme e Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë Politike të 11 tetorit 1984, që Haxhi Kroi e ka regjistruar në ligjëratë të drejtë në ditarin e tij. Numri dy i regjimit, i afruar në këtë post pas vdekjes së Hysni Kapos, në këtë mbledhje u ka bërë të ditur byroistëve se nga ky moment e në vazhdim do të procedohej me një rregull të ri: Enveri do qëndrojë në shtëpi, Partinë do ta drejtonte ai! Në ditarin e Kroit sakaq zbulohen përpjekjet e jashtëzakonshme për të shpëtuar nga thonjtë e vdekjes me çdo kusht jetën e Hoxhës. “Fillimisht kërkuam të vijnë mjekë nga jashtë, shkruan sekretari i shefit të Partisë, por shoku Enver nuk pranoi.” Sipas kujtimeve të tij, dy mjekë shqiptarë shkuan në Parisë të konsultohen me specialistët francezë, por nga konsulta me këta të fundit kishte rezultuar se ishemia cerebrale dhe tronditjet e tjera të shëndetit të Hoxhës kishin ardhur nga dobësimi i muskujve të zemrës, madje edhe dridhja e dorës ndodhte për këtë shkak. Çfarë ka ndodhur me tej me shëndetin e Hoxhës që përpëlitej midis jetës dhe vdekjes, do ta publikojmë në ditët në vijim. Pjesa e ditarit të Haxhi Kroit që i referohet periudhës shtator-tetor 1984, bën fjalë për një përmirësim të lehtë të shëndetit të shefit të Partisë, aq sa mund të angazhohet me disa nga çështjet më kryesore, gjithnjë në kushtet e një regjimi në shtëpi. Sakaq, sekretari i tij, përveç vuajtjeve në zyrë, siç shkruan në shënimin e datës 11 shtator 1984, ka gjetur kohë e ka shijuar një koncert të mrekullueshëm të orkestrës simfonike të RTSH-së, ku e ka befasuar debutimi i violinistit të vogël Tedi Papavrami, i cili “është duartrokitur nxehtësisht nga spektatori për virtuozitetin, shkathtësinë e duarve dhe ëmbëlsinë e harkut”. Vetëm pak muaj më vonë, ky artist i spikatur udhëtoi drejt Francës me bekimin e Hoxhës, por nuk u kthye më. Një histori kjo e njohur tashmë…

    DITARI I VITIT 1984

    E martë 11 shtator 1984
    Sot shkova pashë koncertin simfonik të orkestrës së RTSH, nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja. Në pjesën e dytë të koncertit debutoi violinisti i vogël, Tedi Papavrami, i cili fitoi admirimin e madh të spektatorëve për virtuozitetin dhe shkathtësinë e duarve dhe ëmbëlsinë e harkut. U kërkua e doli tri herë para publikut që duartrokiste pareshtur, sa u detyrua të luajë edhe një herë. Së fundi po shquhen tre yje të violinistëve të vegjël Arben Spahiu, Klodiana Skënderi dhe Tedi Papavrami virtuoz, interpretimi i të cilit është vlerësuar lart edhe nga specialistë të jashtëm.

    E enjte 13 shtator 1984
    Shoku Enver erdhi në punë në orën 10:30. Shkoi në takimin ditor me sekretarët dhe u kthye në zyrën e tij, ku ndenji 10 minuta me shokun Ramiz, pastaj shkoi në shtëpi.

    E hënë 17 shtator 1984
    Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike për problemin e naftës, që po shqetëson seriozisht udhëheqjen e Partisë këto dy vjetët e fundit me mosrealizimin e detyrave dhe avaritë e shumta etj., prandaj u bë edhe një riorganizim i Partisë në Fier dhe shkoi aty edhe shoku Pali Miska. Byroja Politike dhe veçanërisht shoku Enver vunë para përgjegjësisë ministrin e Energjetikës dhe kuadrot drejtues të sistemit të naftës dhe kritikuan ashpër dobësitë e mëdha me karakter subjektiv.

    E mërkurë 19 shtator 1984
    Më dërgoi shoqja Nexhmije katër defterë me kapak të zinj me dorëshkrime të shokut Enver të kohës së luftës për t’ia dhënë në praninë time shokut Spiro Dede, që të nxirrte prej tyre disa faksimile për t’i shtypur në librin e ri, që është dhënë në shtyp dhe që do të dalë me rastin e 40-vjetorit të çlirimit.

    E martë 25 shtator 1984
    Sot më erdhi në zyrë shoqja Nexhmije dhe më tha se shoku Enver mund të mos vijë në mbledhjen e Plenumit se nuk është mirë. U shqetësova shumë për gjendjen e rënduar shëndetësore të shokut Enver. Është edhe kjo një arsye që ai këto kohët e fundit del rrallë në aparatin e KQ, nganjëherë vjen në mbledhjet ditore me sekretarët, bisedon për problemet më të rëndësishme që preokupojnë Partinë dhe, me të mbaruar takimin, kthehet ne shtëpi, me përjashtim të ndonjë rasti që ia do puna të bisedojë në zyrë disa minuta me shokun Ramiz. Megjithatë, siç thotë populli, ai shyqyr edhe kaq le të punojë, se një fjalë e tij, një këshillë e tij, është me vlerë kolosale…

    E mërkurë 26 shtator 1984
    Erdhi një çikë Sulo Gradeci dhe u interesua për mjediset e sallës së Plenumit, pasi shoku Enver ka dëshirë të vijë nesër në mbledhje.

    E enjte 27 shtator 1984
    Në orën 10:00 filloi punimet Plenumi i 9-të i KQ. Mbledhjen e hapi vetë shoku Enver. Megjithëse me një zë shumë të dobët, ai u dëgjua me vëmendje të madhe e dashuri nga të gjithë. Po të tërë e panë që është i pamundur. Plenumi operoi me diskutime. Po kështu vazhdoi edhe pasdite. Në seancën e pasdites shoku Enver nuk erdhi. Punimet i drejtoi shoku Ramiz.

    E mërkurë 3 tetor 1984
    I dërgova një njoftim shoqes Nexhmije për sa më tha shoku Anastas Kondo mbi botimin e një libri të një historianeje amerikano-egjiptiane me titullin “Egjipti në periudhën e Mehmet Aliut 1804-1845″ me interes për vendin tonë, për të cilin ka bërë një recension një studiues kosovar në gazetën “Rilindja” të datës 1 shtator 1984. Propozova ta blejmë një kopje për shokun Enver, megjithëse është në anglisht.

    E shtunë 6 tetor 1984
    Dje, shoqja Nexhmije më dërgoi dy dosje të mëdha me ditarë të shokut Enver të viteve të fundit, për t’i parë vetë se ç’mund të hiqet ndonjë gjë, si fjala vjen çështje sekrete mbi kuadrin, ushtrinë etj. Të hiqen, më porositi ajo, edhe ato çka shkruar për shoqen Nexhmije dhe t’i ruaj mënjanë. Përveç këtyre, t’i shikoj me kujdes edhe ata ditarë që ka hartuar armiku Vahid Lama. Ndërkaq, shoqja Nexhmije më dha porosi që të marrim masa për të blerë librin për Mehmet Alinë të historianes amerikano-egjiptiane…

    E hënë 8 tetor 1984
    I dërgova shoqes Nexhmije në shtëpi letrën e një të riu anglez 16-vjeçar, që flet mirë për Shqipërinë dhe që shpreh keqardhjen e tij që shtypi borgjez përhap lajme jo të mira për shëndetin e shokut Enver…

    E martë 9 tetor 1984
    Shoqja Nexhmije më ktheu të miratuar nga shoku Enver përshëndetjen që ai i bën efektivit të Brigadës 11, që do të festojë 40-vjetorin të dielën. Si i vura vulën firmë të shokut Enver, ia dërgova shokut Qirjako Mihali, që është i deleguar në këtë festë. Është për të vënë në dukje se pas ishemisë cerebrale që pësoi shoku Enver më 16 shkurt, këmbën e lëviz me shumë vështirësi dhe dorën e ka mjaft të dobësuar, gjatë gjithë kohës i dridhet dhe nuk shkruan dot. Për këtë arsye, shumë nga dokumentet, pasi i miraton ai, siç ishte rasti i përshëndetjes së Brigadës 11, ne i vëmë firmën vulë të tij. Kështu kemi vepruar deri tani, megjithëse ka edhe raste që disa vendime e materiale ai i ka firmosur vetë. Megjithëse disa firma të tij kanë dalë jo si më parë. Ne që e dimë çështjen dhe e njohim firmën e shokut Enver, e kuptojmë ndryshimin.

    E mërkurë 10 tetor 1984
    Shoku Ramiz më njoftoi se nesër do të thërrasë udhëheqjen e Partisë, për ta vënë në dijeni për gjendjen shëndetësore të rënduar të shokut Enver, se të them të drejtën, më tha shoku Ramiz, nuk mund të rri pa informuar shokët, sepse ditët e fundit ka një keqësim të gjendjes.

    E enjte 11 tetor 1984
    Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike. Atë e hapi shoku Ramiz, i cili informoi gjerësisht për gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver dhe bëri një pasqyrë të shkurtër që nga infarkti që e goditi në tetor të vitit 1973, pastaj për disa fenomene tre-katër vjet përpara në zemër, për gjendjen shumë të rëndë nga goditja e ishemisë cerebrale më 16 shkurt të këtij viti dhe përkeqësimin pas një farë përmirësimi relativ. Aktualisht shoku Enver nuk e hedh këmbën e djathtë dhe i dridhet pa ndërpreje dora e goditur nga ishemia. Ditët e fundit, vazhdoi shoku Ramiz, gjendja e tij është rënduar me një dobësim të përgjithshëm, që nuk e lejon të lëvizë për shkak të insuficiencës kardiake që i kanë sjellë gradualisht si pasojë dhe edema pulmonare, mbushjen e mushkërive me ujë, që i krijon vështirësi të mëdha në frymëmarrje dhe që, kohë pas kohe, mjekët ia heqin për ta lehtësuar, por që i mbushen përsëri se zemra nuk ka fuqi. I është propozuar shokut Enver që të vijnë mjekë nga jashtë, por ai nuk ka pranuar, pse ka besim te mjekët tanë, por edhe për arsye të shqetësimit që do të sillte kjo në popull dhe për zhurmën që do të krijonte në opinionin botëror, që edhe pa thirrur mjekë ka kohë që flet. Më së fundi shoku Enver ka pranuar që dy nga mjekët tanë të shkojnë në Francë dhe të konsultohen në mënyrë konfidenciale me specialistët francezë. Ata shkuan. Pas konsultave të gjera, mjekët francezë janë të mendimit se edhe ishemia cerebrale dhe gjithë fenomenet e tjera të mëvonshme që ia shkaktojnë këtë gjendje shokut Enver, e kanë tërë burimin te dobësimi i muskulit të zemrës, madje edhe dridhja e dorës është pasojë e dobësimit të zemrës dhe nuk duhet të jetë sëmundja e re e parkinsonit që mendojnë mjekët tanë, që kanë marrë masa për ta kuruar edhe këtë. Më në fund është rënë dakord me shumë vështirësi të vijë një mjek francez për fenomenin e parkinsonit. Ai do vijë ilegalisht, gjoja si turist. Shoku Ramiz u tha shokëve se jemi përpara situatave të vështira. Për sa u përket punëve të përditshme, vazhdoi ai, unë shkoj dhe e takoj herë pas here për ta mbajtur shkurtimisht në dijeni të problemeve më të rëndësishme dhe për të marrë këshillat e tij. Edhe materiale nuk i dërgojmë më si më parë, përveç ndonjë materiali të domosdoshëm shumë të rëndësishëm që të mos e lodhim. Këtë rregull do të ndjekim edhe në të ardhmen, pse siç e shikoj unë, shoku Enver në zyrë nuk del dot. Në fund, shoku Ramiz tha se të gjitha këto janë vetëm për ne këtu. Çështja e gjendjes shëndetësore të shokut Enver, përfundoi shoku Ramiz, duhet të mbahet si një sekret i jashtëzakonshëm. Në këto kushte duhet rritur vigjilenca më shumë, pse i vijnë letra edhe nga jashtë shokut Enver nga njerëz të mirë, që shprehin keqardhjen për sa shkruan ndonjë gazetë në vende të ndryshme, sipas të cilave shoku Enver vuan nga “parkinsoni”. Kështu ka shkruar një anglez dhe një emigrant shqiptar, Sotir Pandoja, nga Australia, fotokopjen e së cilës ia çova edhe shoqes Nexhmije. Po ku vallë do të jetë burimi? Specialistët francezë patjetër, duke biseduar midis tyre, fjala hapet.

    E shtunë 13 tetor 1984
    Sot u riktheva në zyrë. Dje isha për inspektim në objektin që po përfundon për Arkivin Qendror të Partisë. Shoku Ajet më tha se dje kishte dalë në zyrë shoku Enver. Ai më tregoi se shoku Enver dukej disi më mirë nga paraqitja. M’u hoq kështu një shqetësim shumë i madh, sidomos që pardje që foli shoku Ramiz në mbledhjen e Byrosë Politike, ku paralajmëroi shokët për një gjendje shumë serioze shëndetësore të shokut Enver.

    E hënë 15 tetor 1984
    I çova shokut Ramiz procesverbalin e stenografuar të mbledhjes së Byrosë Politike, që e thirri më 12 tetor për ta vënë në dijeni mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Ai e mori dhe më tha ta fusja në kasafortë e ta ruaja si një dokument sekret të një rëndësie të veçantë. Sipas porosisë që më dha shoqja Nexhmije nga ana e shokut Enver, thirra Myftar Grabovckën për ta përgëzuar për punën e kujdesshme që kishte bërë muajt e fundit për grumbullimin e sistemimin e dokumenteve të profesor Spiro Kondës. Ndërkaq, thirra Anastas Kondon që të paraqiste sa më parë informacionin që ka kërkuar shoku Enver mbi punën që ka bërë Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë për dokumentet e profesor Kondës. Shoku Ramiz dhe shoqja Nexhmije më porositën që nesër do të shkojnë në shtëpinë e shokut Enver për ta uruar për ditëlindjen vetëm anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike.

    E enjte 18 tetor 1984
    I dërgova shokut Enver nëpërmjet shoqes Nexhmije tekstin e përshëndetjes, që do t’i dërgojë popullit të Beratit dhe ish-anëtarëve të Këshillit Antifashist me rastin e 40-vjetorit të mbledhjes së këtij forumi. Meqenëse shokut Enver i dridhet dora, ia dërgova në dy kopje për të bërë zgjedhjen e firmës më të mirë. Që nga shkurti, kur shoku Enver u godit nga ishemia cerebrale, dorën e këmbën e djathtë e heq osh. Për këtë arsye, në shumicën e mesazheve të tij kemi vënë firmën vulë. Në rastin e përshëndetjes për 40-vjetorin e Këshillit Antifashist të Beratit, që është një dokument i veçantë, i propozova shoqes Nexhmije që t’i thotë shokut Enver, që tani më shumë qëndron në shtëpi, që ta firmosë me dorë e ta kemi firmën e tij origjinale. Shoqja Nexhmije më tha se ai ishte dakord, por në të dyja kopjet firmat nuk kanë dalë mirë, prandaj të vendosim firmën vulë.

    E shtunë 20 tetor 1984
    Sot në orën 15:00, në stadiumin “Qemal Stafa” u çel spartakiada kombëtare me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit. Kur doli shoku Enver në tribunë, populli që kishte disa muaj pa e parë u çua në këmbë e brohoriti fuqishëm nga gëzimi.

    vijon…
    AFRIM IMAJ


    Panorama

Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •