Tjetërsuan 50 mijë m² prona shtetërore në mënyrë të paligjshme
KLSH-JASHTE-(1)Afro 50 mijë m² tokë bujqësore e truall në zona bregdetare të Kavajës, pronë shtetërore, është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme me ndihmën e zyrtarëve të Hipotekës. Janë katër ish-drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe tre specialistë që akuzohen nga KLSH-ja për abuzime me detyrën dhe janë kallëzuar penalisht në prokurori. Ata kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës, si regjistrues, juristë e hartografë, duke vendosur në emër të personave privatë pasuri të paluajtshme të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe duke tjetërsuar. Ky është thelbi i shkeljeve që ka konstatuar auditimi i KLSH-së, i kryer për periudhën 2011-2013.
Kontrolli
Nga ky auditim, u konstatua se në 11 raste është kryer regjistrimi fillestar i pasurive në zonë bregdetare, të përfituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) në vitin 2000, kur rezulton se subjekti përfitues (familje bujqësore), ka përfituar edhe më parë tokë, pra ka përfituar padrejtësisht dyfishin e asaj që i takonte sipas ligjit. Ata kanë përfituar tokë nga njëri fshat në tjetrin, kanë marrë tokë në zërin kadastral “pyll”, si dhe janë pajisur me tokë bujqësore me sasinë që u takonte sipas ligjit dhe përbërjes familjare të datës 01.08.1991, ndërsa pajisen së dyti me sipërfaqe sipas një AMTP-je lëshuar në vitin 2000. Gjithashtu, sipas auditimit, në 17 raste nga kjo zyrë është kryer regjistrimi fillestar i pasurive në zonë bregdetare, të përfituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), të cilat rezultojnë të jenë pa numër e datë, përfituesit janë pa certifikatë të gjendjes familjare të vitit 1991. Pra, nuk janë subjekt i ligjit. Gjithashtu, me ndryshim zëri kadastral në zonat Karpen, Kryemëdhej, Golem dhe Spille, janë konstatuar akte të paaplikueshme për regjistrim, pasi janë përfituar në kundërshtim me ligjin e kohës. Auditimi ka zbuluar se në një rast është kryer regjistrimi fillestar i një pasurie me leje legalizimi, kur subjekti nuk rezulton në ortofoto dhe ka përfituar me legalizim një sipërfaqe 4000 m² më të madhe sesa e përcakton ligji. Po ashtu, ZVRPP-ja ka vijuar me regjistrimin e truallit në favor të subjektit më parë se të bëhej legalizimi i objekteve, në një kohë kur ky subjekt truallin e ka pasur me qira dhe me leje zhvillimi. Në zbatim të ligjit duhet të ishte bërë hipotekimi i lejes së ndërtimit dhe jo asaj të legalizimit. Në një rast tjetër është kryer regjistrimi fillestar i një pasurie me leje legalizimi, kur rezulton se subjekti përfitues nuk gëzon titullin person i stimuluar, nuk ka marrëveshje zhvillimi, ka ndërtuar jo në zonë të stimuluar, dha pa pasur ortofoto. Pra, nuk rezulton objekt përfitues nga ligji. Ndërsa në dy raste të tjera në zonën bregdetare, rezulton të jetë kryer tjetërsimi i pronës shtetërore, pasi edhe pse disponohen vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë prefektit, si dhe vendime gjyqësore, të cilat kanë konstatuar dhe shpallur të pavlefshme dy AMTP të përfituara në kundërshtim me ligjin, ZVRPP nuk ka kryer asnjë procedurë lidhur me fshirjen e posedimit, duke lejuar që poseduesit e paligjshëm, jo vetëm të gëzojnë në mënyrë të padrejtë titullin e pronësisë mbi sendin, por dhe tjetërsimin e saj, duke kryer shitjen e pronës “shtetërore”. Auditimi ka zbuluar edhe një rast tjetër flagrant, kur është kryer regjistrimi fillestar i një pasurie me leje legalizimi, duke vendosur në kartelën e Pasurive të Paluajtshme shënimin “Godinë banimi”, kur në fakt leja e legalizimit është për “Godinë biznesi”, veprim i cili ka legjitimuar një kontratë të parregullt kalimi pronësie nga ALUIZNI Kavajë, nga ku është përfituar në mënyrë të paligjshme me çmim më të ulët trualli turistik, me një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 2 013 444 lekë. Një tjetër rast tjetërsimi i paligjshëm, sipas auditimit, është kryer me regjistrimin fillestar të një pasurie të përfituar me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), duke pretenduar se është vepruar me “saktësim sipërfaqeje”, kur në fakt rezulton se me sa është proceduar, i është lejuar mbajtësi i titullit të pronësisë, përfitimi i paligjshëm i një sipërfaqeje prej 320 m² në pronësi “shtet”. Por ka edhe raste të tjera flagrante, si ai i një trualli që ishte 77 m² dhe përfituesit iu dha pesëfishi. Sipas auditimit, është kryer regjistrimi fillestar i një pasurie e llojit truall, duke dhënë më tepër 380 m², kur subjekti disponon dokumentacion pronësor vetëm për 77 m².
Masat
Shtatë kallëzimet për pushim nga puna
Për katër ish-drejtues, regjistrues të ZVRPP Kavajë, të identifikuar me inicialet XH.D., R.RR., F.M. dhe A.Q., si dhe tre ish-specialistë juristë e inxhinierë K.K., H.K. dhe H. S., të cilët në mospërmbushje të detyrës dhe në shkelje të ligjit kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, KLSH-ja i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. Gjithashtu, KLSH-ja i ka kërkuar kryeregjistruesit të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Zgjidhje e kontratës së punës”, për punonjësit e mësipërm.
Krijoni Kontakt