Dje u mbushën pesë vite nga vrasja e katër punonjësve të policisë nga Dritan Dajti. Më datë 7 gusht 2009, rreth orës 13:50, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria” janë vrarë me armë zjarri punonjësit specialë të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj. Po ashtu i vrarë mbeti edhe Ledion Mara, i shoqëruar me Dritan Dajtin dhe Fatjon Shamkun, të cilët mbetën të plagosur. Autori i masakrës u dënua në korrik të 2014-s, me 4 burgime të përjetshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Procesi i hetimit ka nisur në vitin 2009 dhe u mbyll në fund të korrikut 2014. Seancat gjyqësore kanë zgjatur shumë, por pavarësisht zvarritjes, familjarët e të rënëve janë disi të lehtësuar për dënimin e dhënë. “Drejtësia vonoi, por nuk harroi. Jam disi më i lehtësuar që gjykata e dënoi vrasësin në përjetësi”, shprehet Idriz Dizdari, babai i Altinit. Pavarësisht dënimit të dhënë, ai thotë se dhimbja që ndien nuk do t’i shërohet kurrë. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Idrizi tregon disa nga përjetimet e tij kur kanë kaluar 5 vjet nga vrasja e djalit të tij. Kompensimi financiar nga ana e shtetit ua ka lehtësuar sadopak jetesën. Pavarësisht kësaj, ai thotë se plaga që ka në zemër, nuk do të mbyllet kurrë. Atij çdo ditë i mungon djali, i cili mbeti i vrarë gjatë operacionit të prangosjes të Dritan Dajtit.
Sot u mbushën 5 vjet nga tragjedia. Kishit vizita nga kolegët apo persona të tjerë?
Jo nuk kishim vizita. Kolegët zakonisht vijnë në “Ditën e të Rënëve”, që është në muajin tetor. Sot nuk është se morëm ndonjë mesazh përkujtimor, apo të kishim ndonjë vizitë nga drejtuesit e lartë të policisë. Ne i bëmë detyrimet tona, në këtë 5-vjetor. Shkuam te varrezat dhe dërguam tufa me lule.
Jeni dakord me vendimin e Gjykatës, për dënimin e Dritan Dajtit?
Për mua si baba është një humbje e madhe. Drejtësia foli, duke i dhënë dënimin e merituar. Unë nuk është se kam shumë për të thënë më shumë në lidhje me këtë gjë.
Si ndiheni tani?
Fakti që ai i dënua përjetësisht, më bën të ndihem disi më i lehtësuar. Vrasësi i tim biri, ka marrë dënim maksimal. Ai lloj dënimi duhej dhënë me kohë, por tani kështu e kanë këto punë. Drejtësia ka rregullat e saj dhe ne nuk mund t’i ndryshojmë. Por megjithatë, më mirë vonë se sa kurrë.
Dajti ka thënë që do ta apelojë vendimin e gjykatës. Mendoni se edhe Apeli do të mbajë të njëjtin qëndrim?
Nuk mund të jap asnjë mendim në lidhje me kërkesën e Dajtit. Drejtësia të bëjë punën e saj. Nuk është se kam ndonjë shqetësim për kërkesat e tij. Unë nuk mund t’i frenoj kërkesat e tij. Gjithsesi, nuk besoj se do të ndryshojë ndonjë gjë.
A ju ka dëmshpërblyer shteti sipas ligjit, nga ana financiare?
Po. Është treguar shumë korrekt. Nuk kemi se çfarë të themi në këtë pikë. Ata kanë kompensuar çdo gjë sipas ligjit të policisë për të rënët në krye të detyrës.
Keni marrë banesa, pensione etj.?
Po, po, po. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur në këtë pikë. Fatkeqësia jonë, që na ra neve për pjesë. Duhet ta vuajmë këtë pjesë. Ne kemi një gropë në zemër që nuk ka për t’u shëruar për gjithë jetën. Ai ishte një djalë i mrekullueshëm, jo se është im bir, por e donin të gjithë.
Vendimi
Vrasja e policëve, Dajti u dënua me katër burgime të përjetshme
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar autorin e vrasjes së policëve me 4 burgime të përjetshme. Togat e zeza e kanë shpallur të pafajshëm vetëm për vrasjen e Ledion Marës, miku i Dritan Dajtit. Masakra ndodhi në qytetin e Durrësit, kur Dajti ishte në kërkim, pasi ishte arratisur nga gjykata. Policia e Shtetit e kishte shpallur person në kërkim dhe pasi ka mundur që ta lokalizojë, ka organizuar operacionin për arrestimin e tij. Sipas informacioneve, Dajti lëvizte me automjetin tip “Volkswagen Tuareg”, ngjyrë e zezë me targa CR535FR dhe ishte ulur në sediljen e pasme. Fatos Xhani ka urdhëruar grupet e forcës së posaçme që tashmë i ishin afruar mjetit që të ndërhynin për neutralizimin e të pandehurit Dajti. Sapo janë afruar te mjeti “Tuareg”, punonjësi i policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të krahut të shoferit të mjetit tip “Tuareg” dhe me thirrjen “Ndal policia!” i është drejtuar personit që ishte në sediljen e pasme të mjetit. Nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë. Dajti ka tentuar të dalë nga dera e pasme e krahut të pasagjerit, por dhe aty ka konstatuar forca policie, më konkretisht Saimir Duçkollarin. Dajti nga brenda makinës ka hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Saimir Duçkollari. I pandehuri ka dalë nga dera e pasme e mjetit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë jo të largët, i cili ka mbetur i vrarë. Dajti ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugicës së plazhit me një çantë që kishte krahë qafë, me qëllim që të përzihej me plazhistët. Ndërkohë, një person që ishte me Dajtin është ndjekur me vrap nga efektivi i policisë Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë, Kastrioti ka arritur ta neutralizojë. Pasi pa këtë skenë, Dajti i është afruar policit Kastriot Feskaj duke e qëlluar këtë të fundit disa herë nga pas. Dajti tentoi të largohet, por ai është rrëzuar në rrugë, pasi ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe një në bark, ku u arrestua nga policia.
Krijoni Kontakt