Vitrinat: Ishte në dijeni, na mashtroi MAS: Shteti shqiptar nuk ia ka njehsuar diplomën-diploma itiali Universiteti Vitrinat ka nisur procedimin penal ndaj shtetases Ejona Isufaj, ish-zëvendësrektores së këtij institucioni, për “Falsifikim dhe përdorim të dokumenteve shkollore të falsifikuara”. Zonja në fjalë, aktualisht në funksionin e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspektimit dhe Kontrollit të Ligjshmërisë në Inspektoratin Shtetëror Arsimor, ka punuar në Universitetin Vitrinat, si zëvendësrektore e këtij institucioni për tri vite me radhë, pavarësisht se diploma e doktoraturës dhe e masterit që ndodhen ende në dosjen e dokumenteve të këtij institucioni janë false. Madje, mësohet se për lëshimin e një prej tyre, në janar të vitit 2012, ka edhe një vendim gjykate, që thotë se personi që ka lëshuar diplomën e doktoraturës dhe të masterit, dhënë nga Instituti Francez Irerie, është dënuar me 5 vite burg, për veprën penale “Mashtrim më shumë se një herë”, duke i klasifikuar automatikisht si false të dyja gradat shkencore të zonjës Isufaj. Kjo, pasi dega e institutit francez në Shqipëri operonte në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa zhvillimi i masterit apo doktoraturës në rastin konkret zhvillohej online. diploma franceTë dhënat raportohen për gazetën “Shqip”, nga drejtoria e çështjeve juridike në Universitetin Vitrinat, e cila pohon se zëvendësrektorja e ka ditur këtë fakt, e megjithatë në kushtet e mashtrimit, nuk ka treguar, duke i shkaktuar institucionit jo vetëm dëm financiar, por edhe prishje të imazhit. Kallëzimi penal erdhi pas publikimit të të dhënave të Ministrisë së Arsimit, mbi ligjshmërinë e universiteteve dhe marrjes së masave për mbylljen e 17 universiteteve private, një prej të cilave edhe Vitrinat. Zonja Isufaj, në krye të Komisionit të Verifikimit të Kontrollit të Universiteteve ka konflikt interesi me këtë çështje, duke qenë se ka punuar tre vite te Vitrinat, për rrjedhojë është në kundërshtim me ligjin. “Gjatë verifikimit të gradave shkencore për ish-pedagogen Ejona Isufaj (Alija), kemi konstatuar se diploma e saj e paraqitur dhe e dorëzuar pranë institucionit tonë, gradë shkencore ‘Doktoraturë’ me nr. PhDKA0908-240608408, lëshuar nga Instituti Francez IRERIE dhe diploma italiane, gradë shkencore ‘Master’ me numër nr. A04-0509-05 ishin plotësisht të pavlefshme. Nga verifikimet tona të mëtejshme rezultoi se me vendimin nr. 100 datë 31 janar 2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfaqësuesi i institutit që ka lëshuar këtë diplomë, dr. Bruno Hamard, që është edhe personi i cili ka firmosur diplomën ‘Doktoraturë’ dhe ‘Master’ në fjalë është dënuar nëpërmjet vendimit të cituar më sipër, me 5 (pesë) vite burg për veprën penale ‘Mashtrim më shumë se një herë’ parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal për lëshim diplomash master, doktoraturë të falsifikuara, ku përfshiheshin edhe diplomat e përmendura më sipër”, thuhet në kallëzimin penal të Universitetit Vitrinat në adresë të zonjës Ejona Isufaj. Në të saktësohet se kjo ish-punonjëse ka kryer veprën penale “Falsifikim dhe përdorim të dokumenteve shkollore të falsifikuara” parashikuar nga neni 187 i Kodit Penal, dhe “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, pasi ishte e informuar në lidhje me situatën e mësipërme. Ndërkohë, burime në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se diploma italiane që zotëron zonja Isufaj nuk është njehsuar nga Ministria e Arsimit. “Diploma e doktoraturës që zonja Ejona Isufaj ka marrë në Itali nuk është njehsuar nga shteti shqiptar, pasi Ministria e Arsimit nuk e ka njohur, për këtë arsye zonja Isufaj nuk e ka përdorur ndonjëherë, madje as në CV nuk e ka përfshirë”, thonë burime në MAS. Ndërkohë për sa u takon akuzave se drejtoresha e Drejtorisë së Inspektimit dhe Kontrollit të Ligjshmërisë në ISHA, ka konflikt interesi në këtë drejtim, të njëjtat burime shpjegojnë se kjo nuk është e vërtetë, pasi zonja Isufaj nuk e ka inspektuar Universitetin Vitrinat, por institucione të tjera private. “Përpara se të niste inspektimi i ligjshmërisë në universitete, zonja Isufaj është shprehur se ka konflikt interesi me Universitetin Vitrinat, për këtë arsye nuk mund të jetë pjesë e grupit të punës brenda këtij institucioni”, thonë burime në MAS. Shpresa Mezini