E mërkurë, 6 gusht 2014 - Shenjtori i ditës.
Metamorfoza (Shpërfytyrimi) e Shpëtimtarit (Sotirit).
Në Ungjillin e sotëm, Jisui i udhëheq dishepujt e Tij në një mal të lartë dhe u tregon atyre lavdinë e Tij hyjnore. Ashtu si Theofania edhe Metamorfoza është një e kremte drite. Metamorfoza është zbulim i Trinisë së Shenjtë. Në malin Tabor ashtu si në pagëzimin e shenjtë në Jordan, Ati flet nga qiejt duke dëshmuar birin hyjnor Krishtin. Edhe Shpirti i Shenjtë është i pranishëm në këtë ngjarje, jo si një pëllumb, por në formën e një drite verbuese që rrethon Krishtin dhe hedh dritë mbi gjithë malin. Kjo dritë verbuese është drita e Shpirtit të Shenjtë.
Shpërfytyrimi ndodhi 40 ditë pas vuajtjeve të Krishtit. Ai e zgjodhi këtë moment të veçantë që t'u shfaqte dishepujve diçka nga lavdia e Tij hyjnore, me qëllim që të bëhej gati të duronte vuajtjet mbi kryq, dhe kisha jonë e kremton këtë ngjarje më 6 Gusht.
Shpërfytyrimi na paraqet potencialin e plotë të natyrës njerëzore dhe lavdinë e cila do të mbulohet përsëri nga hiri i Perëndisë. Tre dishepujt, Petro, Jakovi dhe Joani bëhen dëshmitarë të lavdisë së Krishtit. Ata e panë fytyrën e Tij "të ndriçonte si diell". Krishti iu shfaq dishepujve në Malin Tabor jo si një shërbëtor, por në formën e Perëndisë, si personi i tretë i Trinisë së Shenjtë. Ky trupëzim mbetet i pandashëm nga natyra e Tij Hyjnore, e cila është e përbashkët më Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Shfaqja e Hyjnisë së Krishtit është njëkohësisht një Theofani e Trinisë. "Ati me anën e zërit dëshmoi Birin e tij të dashur, ndërsa Shpirti i Shenjtë u ndriçua bashkë me të me anën e resë së ndritshme".
Apostujt pasi dëgjuan zërin e Atit dhe panë renë e ndritshme, ranë në gjunjë, ndërsa Krishti gjatë shpërfytyrimit qëndronte në majë të malit duke folur me Moisiun dhe Ilian. Të dy profetët e kishin nga një vizion prej Perëndisë, Moisiu në malin e Sinait, ndërsa Ilia në Karmel. Moisiu përfaqëson të vdekurit, ndërsa Ilia që u mor në qiell nga një karrocë e zjarrtë përfaqëson të gjallët. Por Krishti në malin Tabor na paraqitet si Zot i të vdekurve dhe i të gjallëve duke na dhënë karakterin eskatologjik të Shpërfytyrimit. Apostujt në ditën e Shpërfytyrimit e panë lavdinë e Krishtit dhe shijuan gëzimin e Parajsës.
KOASH
Krijoni Kontakt