TIRANE- Prokuroria e Tiranës kallëzon penalisht personat që kanë lidhje me hartimin e marrëveshjes detare me Greqinë. Të paktën kështu shprehen burime brenda këtij institucioni. Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se është regjistruar procedim penal për marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, me pretendimin se ishte shkelur Kushtetuta e vendit.
Sipas të njëjtave burime, Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se me këtë marrëveshje është shkelur Kodi Penal i Shqipërisë, përkatësisht neni 210 i tij.
“Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se nga marrëveshja e detit me Greqinë janë cënuar rëndë interesat e Shqipërisë, e për këtë ka regjistruar procedimin penal, që vjen pak kohë pasi Ministria e Jashtme depozitoi në organin qendror të akuzës një material voluminoz për çështjen më të debatuar që nga viti 2009. Prokurorët e mbajtën këtë çështje nën verifikim për disa kohë, deri sa ata u bindën se në materialin e Ministrisë së Jashtme ka të dhëna të mjaftueshme, që i bëjnë ata të dyshojnë se është shkelur neni 210 i kodit penal”.
Bëhet me dije se në Prokurorinë e Tiranës pritet të thirren 11 ekspertët që morën pjesë në hartimin e kësaj marrëveshje, I quajtur ndryshe si grupi negociator. Mes ekspertëve janë specialistë që ishin në rolin e negociatorëve, sikurse kryenegociatori i palës shqiptare Ferit Hoxha, kundëradmirali Kristaq Gerveni, në atë kohë me detyrë zëvendës/shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, drejtori i çështjeve juridike dhe ndërkombëtare Ilir Tepelena, drejtoresha e Traktateve Ledia Hysi, deri te specialistë të fushës, sikurse nga fusha e Fotogrametrisë Ferdinant Berberi, apo Anduel Çauli i sektorit të Hartave Dixhitale.
Por prokurorët nuk konfirmojnë nëse do të jetë në këtë listë edhe ish-ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, në rolin e njeiut që firmosi marrëveshjen me homologen greke, Dora Bakojanis. Kujtojmë se në kodin penal, konsumimi i veprës penale të parashikuar nga neni 210, parashikon se marrëveshjet e bëra me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim, tërësisht apo pjesërisht të territorit, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.
MARRËVESHJA
Marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua me 26 janar 2010 në Tiranë. Pakti u firmos nga dy ministrat e Jashtëm të asaj kohe, përkatësisht Dora Bakojanis nga pala greke dhe Lulzim Basha, nga pala shqiptare.
Marrëveshja e prillit 2010 hapi debate të forta politike për paktin detar, pasi u zbulua se Shqipëria humbiste një sipërfaqe prej gati 354 miljesh katrorë sipërfaqe detare nga kjo marrëveshje. Partia Socialiste në atë kohë në opozitë, e çoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese, atje ku edhe u rrëzua me pretendimin se shkelte Kushtetutën e vendit. Debati i fortë u hap dhe në shoqërinë civile, e cila reagoi fort me protesta dhe peticione. Zerat kundër paktit asokohe por edhe sot pretendojnë se shtetit grek iu falën qindra kilometra katrore det dhe se ishte prekur sovraniteti territorial i vendit.
BalkanWeb
Krijoni Kontakt