Më pak para nga emigrantët, rritet deficiti
Ecuria
Pesë vitet e fundit tregojnë rënie të remitancave nga 952 milionë euro në vitin 2007 në gjysmën e tyre në vitet 2012-‘13
Rekordi
Gjatë harkut kohor prej dhjetë vitesh, remitancat shënojnë rritjen më të madhe në vitin 2006, 15.8% krahasuar me vitin 2005
Konsumi
Familjet përfituese kanë ulur shumë konsumin (60.8%), kursimet në masën (32%) dhe investimet (7.2%)
Frekuenca
Vjetërsia mesatare e dërgesës është rreth 8,5 vjet. Ndërsa frekuenca e dërgimit është 3,3 herë në vit
Remitancat
Në tre muaj, 115 mln euro. Censusi: 8.6 e familjeve jetojnë me dërgesat. BSH: Ja pse ranë
Zamir Alushi
Ulen remitancat, njoftoi Banka e Shqipërisë (BSH) në statistikat për bilancin e pagesave. Remitancat janë transfertat neto pa kundërshpërblim nga jashtë vendit. Këto transferta ndryshe njihen si dërgesa të emigrantëve. Në fund të tremujorit të parë 2014 ato arritën në vlerën më të ulët të këtyre viteve, 115,9 milionë euro. Në tremujorin e katërt të vitit 2013, dërgesat emigrantëve ishin 159 milionë euro, ndërsa në tremujorin e parë 2013, arritën në 120.9 milionë euro. Ato janë një komponent thelbësor në llogarinë korrente të Bilancit të Pagesave. Duke komentuar këtë shifër të ulët, Banka e Shqipërisë thekson se “Maturimi i ciklit të emigracionit, kushtet jo të favorshmetë tregut të punës në vendet ku emigrantët shqiptarë janë rezidentë dhe rikthimi injë numri prej tyre në atdhe, kanë ndikuar në vijimësinë e rënies së pandërprerëtë remitancave dhe në humbjen e një pjese të bazës së flukseve financiare tëdërgueshme drejt vendit tonë”. Edhe Kryeministri Edi Rama, duke folur për modelin e ri ekonomik, ka nënvizuar idenë se tashmë ky burim të ardhurash për ekonominë nuk duhet konsideruar si më parë, prandaj duhen kërkuar fusha të reja për rritjen ekonomike. Qeveria planifikon të fuqizojë agrobiznesin dhe sektorin e industrisë nxjerrëse, të cilat mund të mbajnë një peshë më të madhe në rritjen ekonomike.
Deficiti
Pozicioni neto i llogarisë korrente regjistroi një deficit prej 299.5 milionë eurosh në tremujorin e parë të vitit 2014. Ky nuk është një sinjal i mirë për ekonominë. Bilanci i përgjithshëm i pagesave, në tremujorin e parë të vitit 2014, rezultoi me rënie të mjeteve të rezervës valutore me rreth 40.3 milionë euro. Në fund të muajit mars të vitit 2014, stoku i rezervës valutore rezultoi në rreth 1.98 miliardë euro, nivel ky i mjaftueshëm për mbulimin e 4.4 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.
Deficiti ka ndjekur prirje zgjeruese për të dytin tremujor radhazi, duke u thelluar gjatë tremujorit me rreth 31% në nivel vjetor. Deficiti i llogarisë korrente u vlerësua në nivelin 12.9% ndaj PBB-së (Prodhimi i Përgjithshëm Bruto). Deficiti i eksporteve neto nominale u thellua krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore u rikthye në territor negativ, pas dy tremujorëve me flukse pozitive neto. Flukset hyrëse neto kapitale u rritën në 22.5 milionë euro nga 9.7 milionë euro që ishin gjatë tremujorit të parë të vitit të kaluar. Flukset hyrëse neto financiare regjistruan një rritje vjetore prej rreth 29.8%, duke financuar 89.5% të deficitit të llogarisë korrente.
Tregtia e jashtme
Komponenti i eksporteve neto vazhdon të japë ndikim negativ në rritjen ekonomike të vendit, thekson në raportin e saj Banka e Shqipërisë. Të dhënat e tregtisë së jashtme dëshmojnë për një zgjerim vjetor të deficitit tregtar në periudhën janar-maj 2014. Rritja e importeve dhe ngadalësimi i rritjes së eksporteve kanë kontribuar në zgjerimin e deficitit tregtar me përafërsisht 6.7% gjatë kësaj periudhe. Ecuria e importeve u kushtëzua ndjeshëm nga flukset tregtare në energji elektrike, si rezultat i pamjaftueshmërisë së prodhimit vendas për të mbuluar kërkesën e brendshme për energji elektrike. Në anën tjetër, moderimi i ritmit rritës të eksportit të naftës bruto përgjatë këtij viti, si dhe ndalimi i eksportit të energjisë elektrike, i cili ishte i konsiderueshëm gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, kanë ndikuar në ngadalësimin e prirjes vjetore zgjeruese të eksporteve. Megjithëse kërkesa e huaj ka ndihmuar rritjen e prodhimit në vend, importet e mallrave dhe shërbimeve shënuan një rritje më të lartë se eksportet, duke e sjellë kontributin e eksporteve neto në territor negativ gjatë tremujorit të parë të vitit 2014. Për periudhën në analizë, si eksportet reale ashtu edhe importet reale të mallrave dhe shërbimeve shënuan rritje vjetore me përkatësisht 13.9% dhe 9.8%. Ndërkaq, Banka bën një projeksion pozitiv për periudhën në vazhdim. Sipas BSH-së, pritet një prirje e ngjashme e kahut të kontributit të eksporteve reale neto ndaj kërkesës agregate deri në tremujorin e fundit të vitit, për t’u kthyer më tej në kontribut neto pozitiv përgjatë vitit të ardhshëm. Ndërkaq, kompanitë e huaja, përfshirë edhe filialet e bankave, vazhduan të transferojnë fitimet e tyre në investime dalëse (jashtë shtetit). Në tremujorin e parë 2014, kjo shifër arriti në 53 milionë euro.
Dërgesat
Të dhënat tregojnë se mesatarisht çdo muaj familjet e migrantëve marrin 70 deri në 115 euro
Shifrat
Shumat e parave që vijnë nga emigrantët, shtetet nga vijnë
Në tre muajt e parë të vitit të kaluar, janar-mars 2013, prurjet valutore nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit u ulën fort, krahasuar me 2012-n. Në vlerë rënia ishte rreth 50 milionë euro ose 30%. Kjo rënie është gati e barabartë me të gjithë rënien e dërgesave financiare për vitin 2012. Në krahasim me vitin 2007, në paratë që sjellin emigrantët në atdhe ka ndodhur një rënie me 33%, apo një pakësim me 430 milionë dollarë. Bëhet fjalë për një aktivitet që i siguronte ekonomisë sonë mbi 13% të Produktit të Përgjithshëm Bruto. Tani ky kontribut ka rënë ndjeshëm, duke ulur edhe mundësinë e investimeve të vogla familjare apo të biznesit të vogël në Shqipëri.Emigrantët që gjenden kryesisht në zonën e Bashkimit Europian, janë dërguesit kryesorë të remitancave me 90.7% të tyre. Në masën më të madhe, origjina e remitancave janë vendet fqinje, Greqia (41.9%) dhe Italia (38.6%), ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë 8.1% e remitancave. Dërgesa mesatare vjetore nga vendet e Bashkimit Europian është 1,400 euro, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është 830 dollarë.
Ilaçet
Familjet e harxhojnë një pjesë të konsiderueshme të dërgesës (11.1%) për shpenzimet shëndetësore
Shpenzimet
Ulja e transfertave të emigrantëve godet ekonominë familjare
Rreth 8.6% e familjeve shqiptare deklarojnë si burim të ardhurash dërgesat e parave nga emigrantët jashtë shtetit. Kjo shifër u deklarua këtë vit nga INSTAT, pas përpunimit të të dhënave të Censusit 2011. Sipas Censusit, në Qarkun e Shkodrës, 7.4% e familjeve deklarojnë se marrin dërgesa nga emigrantët, në Tiranë 6.6% e familjeve, në Durrës 9.3% e familjeve e deklarojnë këtë burim të ardhurash; Fier 12%; Berat 10%, Korçë 6.8%; Gjirokastër 6.8%; Vlorë 7.5%, Elbasan 12.9%, Lezhë 9.5%; Kukës 4.8% dhe në Dibër 7.9%. Remitancat kanë rënë gjatë 5 viteve të fundit. 53.8% e familjeve kanë marrë më pak remitanca në 5 vitet e fundit. 57.6% e familjeve përfituese marrin më pak se një vit më parë. 5.60% e familjeve që kanë të ardhura mujore deri në 30, 000 lekë, e kanë dërgesën jetike ose shumë të rëndësishme. Remitancat shpenzohen më së shumti për ushqim (73.8%), pavarësisht nëse statusi i kryefamiljarit tregon që është në punë apo jo. Familjet përfituese kanë ulur shumë konsumin (60.8%), kursimet në masën (32%) dhe investimet (7.2%). Ndërkaq, familjet harxhojnë një pjesë të konsiderueshme të dërgesës (11.1%) për të mbuluar shpenzimet e tyre shëndetësore.
Shqip
Krijoni Kontakt