Në 300 ditë minus 70 % investime
Shifrat më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave flasin për një rënie drastike të investimeve publike. Bëhet fjalë vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti. Nga ku vetëm gjatë kësaj periudhe kohore, qeveria shqiptare ka realizuar më pak se 30% të investimeve të planifikuara.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet kapitale, pra investimet, janë gati 20 miliardë lekë, ndërsa plani i investimeve për gjithë vitin është rreth 67 miliardë lekë. Por, investimet, kryesisht në infrastukturë nuk janë vetëm më të ulëta se plani i qeverisë për këtë vit.
Rënia drastike e investimeve, problem më i madh për ekonominë
Që në fillim, buxheti i 2014-ës lajmëronte se qeveria do të ishte e kursyer në investime, por mosrealizimi as edhe i këtij plani modest, ka bërë investimet e gjashtë muajve të parë të këtij viti, të jenë më të ulëtat e realizuara në shtatë vitet e fundit. Ekspertët e fushës janë të mendimit se, aktualisht qeveria është e paqartë sa i takon vendosjes së prioriteteve për të investuar.
“Është një periudhë amullie, kur çelet me vonesë buxheti. Ndërkohë, janë krijuar hallka shtesë sa i takon filtrimit të programeve prioritare të investimeve. Ndoshta, qeveria është në kërkim të prioriteteve të tjera, por që ende nuk janë mbështetur me studime fizibiliteti”, vlerësojnë më tej ekspertët e fushës. Në këtë drejtim sipas tyre, projektet publike do të gjallëronin ekonominë, e konsumin, pasi me to angazhohen shumë sipërmarrje private. “Është një situatë disi paradoksale kur ekonomia shqiptare disponon likuditete, por këto nuk materializohen. Të mos harrojmë që qeveria mbetet porositësi kryesor i një numri të madh sidomos biznesesh të vogla dhe futja e këtyre parave në qarkullim ndihmon për ta rritur më tej zhvillimin e ekonomisë e për të ndërtuar atë marrëdhënie mes sektorit publik e privat, që është normale në një ekonomi tregu, por që as kjo nuk po shihet gjëkundi nga qeveria aktuale. Aktualisht janë edhe vetë bizneset, të cilat nuk po marrin kredi në banka dhe janë pak optimiste për të ardhmen e tyre”, vlerësojnë më tej ekspertët e fushës.
Rënia e investimeve publike
Shifrat më të fundit që vijnë nga qeveria shqiptare flasin qartë për një mosrealizim të ardhurash në të gjitha fushat në raport me objektivat që kjo e fundit i ka vendosur vetes. Por edhe investimet publike nga ana tjetër kanë rënë me disa herë, duke dëshmuar qartë në këtë mënyrë se, qeveria shqiptare po merr para nga ekonomia e vendit, duke mos i dhënë atij pjesën që i takon. Drejtues të doganave e tatimeve na kanë raportuar rritje të ardhurash.
Të ardhurat në total u rritën 5%, duke i kaluar 52 miliardë lekë, ndërsa investimet publike janë në nivelet minimale. Të njohura si shpenzime kapitale, investimet sipas të dhënave financiare, janë vetëm 2.6 miliardë lekë, mbi 3 herë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, një situatë e tillë është e pashpjegueshme. E nëse qeveria kishte paralajmëruar se nuk do të bënte shpenzime të mëdha këtë vit, ekonomistët ishin ata që i kanë përsëritur vazhdimisht qeverisë se projektet e hapura, duhet të plotësohen, pasi vetëm kështu kanë efekt në ekonomi. Por në fakt të dhënat e këtij 300 ditëshi të parë për Ministrinë e Transporteve reflektojnë tërësisht të kundërtën.
Investimet publike, në vendnumëro që nga 2013
Nga të dhënat më të fundit nuk është fare e vështirë që të merret me mend se, investimet publike janë në vendnumëro që nga shtatori i 2013, kohë kur e majta erdhi në pushtet. Investimet publike janë një shtysë për të vënë në lëvizje ekonominë, aq më tepër në një periudhë kur konsumi është në nivelet minimale. E ndërsa kujtojmë që, qeveria po merr borxh për të hedhur para në qarkullim, ajo nuk po hedh para të grumbulluara më tepër qoftë edhe për këtë pjesë të mbetur të vitit. Stopimi i investimeve publike do të thotë më pak vende pune. Qeveria shqiptare po mendon vetëm që të mbushë arkën e shtetit, duke mbajtur larg gjithnjë e më shumë vëmendjen e saj për qytetarin e thjeshtë. Nga ana tjetër, një tjetër element i rëndësishëm që stopon investimet në vend është paketa fiskale dhe taksa progresive ndaj sipërmarrjeve, e cila ka bërë që jo vetëm investitorët e huaj, por edhe biznesi fason të largohet nga Shqipëria, duke shkaktuar kështu një kosto të rëndë për ekonominë dhe rritjen e nivelit të papunësisë në vend. Qeveria nuk është duke ndërmarrë asnjë masë për krijimin e kushteve të favorshme ndaj bizneseve, por përkundrazi po i shtyn ato gjithnjë e më shumë drejt rrënimit dhe falimentit.
Entela VRAPI
Krijoni Kontakt