Lezhë - Një kishë paleokristiane e cila i përket shekullit të 5-të, ka dalë në dritë në kodrën e quajtur Sukagji të fshatit Mërqi të Komunës Kallmet të Lezhës.
Muret e këtij objekti janë pikasur nga një banor i zonës, i cili më pas ka njoftuar arkeologët të cilët e panë nga afër objektin. Duke u bazuar tek teknika e ndërtimit, kjo kishë i përket stilit bizantin të shekullit të 5-të. Materiali që është përdorur për të ndërtuar këtë objekt përbëhet nga gurë gëlqerorë të gërshetuar me tulla dhe gurë shtufi.
Nga gërmimet e kryera janë zbuluar dhe strukturat murale ku ka dalë në pah planimetria e plotë e kishës dhe në thellësinë 1.20 metër është gjetur dyshemeja e kishës që përbëhet nga tullat.
Sipas përgjegjësit të Monumentëve të Kulturës në Lezhë, Paulin Zefi, ky objekt i zbuluar ka një rëndësi të jashtëzakonshme për trashëgiminë tonë kulturore kombëtare. Zefi thotë se për momentin nuk mund të krijojmë një difinicion të saktë, ndërkohë që procesi i gërmimeve arkeologjike është në fazën e parë dhe momentalisht gërmimet janë ndërprerë për shkak të mungesës së fondeve.
Kodra ku është gjetur kjo kishë është pronë private, ndërsa arkeologët kishin marrë informacion se në këtë vend shekuj më parë kishte patur zhvillime historike.
Kjo zonë tashmë ka marrë një vëmendje të veçantë nga Monumentët e Kulturës në Lezhë, ndërsa e gjithë kjo sipërfaqe është vënë nën ruatje që të mos dëmtohet nga persona të ndryshëm.
Nga ana tjetër është bërë e ditur se me sigurimin e fondeve do të rinisin sërish gërmimet ku pritet që të dalin në dritë objekte mjaft interesante.
Ky zbulim është konsideruar si më i rëndësishmi që ka dalë në dritë gjatë vitëve të fundit, ndërsa kjo zonë tashmë do të marrë një vëmendje të veçantë nga shteti, duke ju referuar vlerave që mbart kjo kishë.
/nzh/oranews online/
Krijoni Kontakt