Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Durrës: Atentat me tritol kreut të burgut të Fushë-Krujës, plagoset rëndë

    Atentat me tritol kreut të burgut të Fushë-Krujës, plagoset rëndë

    Makina shpërthen në ecje në ambientet e Portit të Durrësit

    Shpërthimet me eksploziv nga Fushë-Kruja duket se janë zhvendosur në Durrës. Brenda tri ditëve, qyteti dhe zona e plazhit ka përjetuar tre shpërthime të njëpasnjëshme që kanë rritur ndjeshëm pasigurinë për jetën dhe janë shndërruar në krye të shqetësimit qytetar. Rasti më i rëndë u regjistrua mëngjesin e së hënës, kur tritoli i telekomanduar në distancë u përdor edhe ndaj një zyrtari të lartë burgjesh me banim në Durrës, ish-oficer policie. Automjeti i drejtorit të burgut të Fushë-Krujës ka shpërthyer mëngjesin e së hënës, teksa ishte në lëvizje, duke e plagosur rëndë atë, ndërkohë që menjëherë kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij atentati.

    Atentati

    Shpërthimi ndodhi pak pasi Arben Suloj ishte futur me automjet në territorin e portit detar nga hyrja nr. 2, përballë ndërtesës së bankës, për të shkuar në vendin e punës në Fushë-Krujë. Pas shpërthimit, Arben Suloj, nga Dukati i Vlorës dhe me banim prej shumë vitesh në Durrës, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me një shtyllë të sinjalistikës e më pas me rrethimin e portit. 46-vjeçari është dëmtuar në gjymtyrët e poshtme dhe pjesën e kolonës. Pas ndërhyrjes në Durrës, ai është dërguar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar.

    Hetimet

    Burime policore e lidhin ngjarjen me një akt kriminal për shkak të detyrës, ndërkohë që nuk përjashtohet as një mesazh i dhënë për larje hesapesh për ndonjë konflikt të mundshëm ende të panjohur nga organet e hetimit. Hetimet janë përqendruar kryesisht në pistën që e lidhin ngjarjen me detyrën, bazuar edhe në masat e marra për vënien rregull brenda ambienteve të burgut të Fushë-Krujës, që duket se kanë lënë dhe të pakënaqur mes të burgosurve, kryesisht të fortët e burgut. Nga shkalla e dëmtimit të mjetit rezulton se është përdorur një sasi e vogël eksplozivi për të kanosur me jetë drejtorin e burgut, një oficer në karrierë në radhët e Policisë së Durrësit që në fillim të viteve ’90. Dyshohet se mjetit mund t’i jetë vendosur sasia e eksplozivit një ditë më parë, ndërsa autori ka zgjedhur ta kryejë shpërthimin e telekomanduar, pak pasi automjeti tip “Opel” është futur në port, siç bënte zakonisht, për të shmangur trafikun e rënduar të mëngjesit në Durrës. Grupi hetimor dhe drejtues të policisë vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

    Dëshmia e Sulojt

    Drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj, është jashtë rrezikut për jetën, pas shpërthimit të makinës së tij teksa ishte në lëvizje. Mjekët e Spitalit të Traumës, të cilët kanë përfunduar operacionin e parë të tij, thonë se drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj, po mbahet nën mbikëqyrje. Sipas mjekëve, brenda 24 orëve, ai mund të operohet sërish. Pas ndërhyrjes, Suloj ka thënë për policinë se “nuk kam dijeni se cilët mund të jenë autorët”.

    Nëndrejtori i spitalit

    Sa i përket shëndetit të tij, nëndrejtori i Spitalit të Traumës, Arben Zeneli, ka deklaruar se gjendja e të plagosurit Arben Suloj është e stabilizuar, por është e nevojshme që ai t’i nënshtrohet një operacioni. “U bë vlerësimi i dytë nga ana e ekipit të mjekëve që ka spitali ynë, aktualisht po përgatitet për të kryer një operacion për të pasur në kontroll gjendjen e tij në ditët që vijnë. Kemi parametrat jetësorë të tij të mbajtur mirë, janë disa dëmtime që do të vlerësohen edhe në ditët në vijim për të reaguar në bazë të problemeve që mund të shfaqen. Ka dëmtime të rëndësishme për të cilat do të bëhet edhe ndërhyrja. Gjendja e përgjithshme është e stabilizuar”, tha Arben Zeneli.

    Atentatet
    Durrësi, tre shpërthime me tritol brenda 48 orëve


    Rasti i djeshëm është shpërthimi i tretë me tritol që ndodh në qytetin e Durrësit brenda 48 orëve. Mëngjesin e së shtunës, objektiv i atentatit me tritol u bë Ardian Trota, i njohur si i “forti i Kukësit”. Pavarësisht shpërthimit të fuqishëm, ai mori lëndime që nuk i rrezikuan jetën, ndërsa vetëm pak orë pas atentatit ai ra në prangat e policisë, pasi u zbulua se kishte thyer “arrestin e shtëpisë” të dhënë për dhunë në familje, vjedhje të energjisë dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë pasdites së të dielës, një tjetër automjet shpërtheu me tritol, por fatmirësisht pronari i saj, Julian Tuku, nuk ndodhej në makinë. Po ashtu, mbrëmjen e së shtunës katër të rinj u arrestuan nga Policia e Durrësit nën akuzë për trafikimin e lëndëve plasëse. Ata u kapën me 3 lëndë eksplozive C4 me celularë dhe mjete të tjera për prodhimin e këtyre minave.

    Naço
    Atentati ndaj Suloj, shtohen masat në burgje


    Atentati me eksploziv drejtorit të burgut të Fushë-Krujës ka shtuar masat në burgjet shqiptare. Ministria e Drejtësisë tha se pas ngjarjes në Durrës, shërbimet e policisë së burgjeve kanë kaluar në shërbim të përforcuar, për shkak të ndonjë revolte apo tentative arratisje nga qelitë e dënimit. Aktualisht, në të gjithë vendin ka mbi 5 mijë të burgosur, ndërsa Ministria thotë se shërbimet e saj do të informojnë në mënyrë periodike për situatat. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, menjëherë pas atentatit ndaj Sulojt, ministria thotë se “po ndjekim me vëmendje të veçantë dinamikën e ngjarjes dhe shprehim të gjithë gatishmërinë për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e plotë të saj”.
    Duke nisur nga kjo situatë, ministri i Drejtësisë Naço i ka dhënë edhe një urdhër Drejtorisë së Burgjeve. Me marrjen e njoftimit mbi ngjarjen, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për marrjen e masave që do të mundësojnë forcimin e sigurisë në sistemin penitenciar në tërësi, duke informuar në mënyrë periodike-ditore mbi situatën dhe zhvillimet e brendshme të këtij sistemi”. Naço inkurajon organet përkatëse të vënë sa më shpejt përpara përgjegjësisë autorët.
    “Janë marrë të gjitha masat që kjo ngjarje e rëndë të mos ketë asnjë pasojë dhe të mos ndikojë në mbarëvajtjen e mëtejshme të punës në sistemin penitenciar. Ministria e Drejtësisë i gjendet pranë Arben Sulojt dhe familjes së tij, ndërkohë që shprehim vullnet të plotë për të vijuar punën në forcimin, ruajtjen dhe zbatimin e plotë të ligjit, duke mos u tërhequr përballë ngjarjeve të tilla”, – përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.

    Shqip

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,780

    Për: Durrës: Atentat me tritol kreut të burgut të Fushë-Krujës, plagoset rëndë

    U ben bajate dhe keto atentatet me tritol ! Kaq shum eshte liberalizuar tritoli sa nuk degjon me atentate me bomba,granata dore,mina antitank,predha o dhe raketa.

    Edhe nje top te Mato Grudes qe kemi nuk po e perdorim.Duket qe kan mbaruar te gjithe Kristalin,nuk gjejm me njerez qe dine t'ja terezisin.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Durrës: Atentat me tritol kreut të burgut të Fushë-Krujës, plagoset rëndë

    Atentati ndaj drejtorit të burgut, hetuesit: Kemi shumë prova. E shoqja: Arbeni s’i ka shkelur kujt në kallo

    Emri:  arben-suloj.jpg

Shikime: 885

Madhësia:  18.4 KB

    Nga KLODIANA HAXHIAJ*

    Drejtori i burgut të sigurisë së lartë të Fushë-Krujës, Arben Suloj ka mbetur i plagosur rëndë në një atentat me eksploziv teksa ishte duke shkuar në punë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e dje-shëm, në afërsi të terminalit të kontenierëve në portin e Durrësit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, bënë me dije se shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur në automjetin tip “Opel” me targa AA 654 AS që drejtohej nga 45-vjeçari, ndërsa ishte në lëvizje e sipër. Atentati me telekomandë (i treti brenda tri ditëve) ndodhi në një nga zonat më të sigurta të Durrësit, sikurse është porti detar që ka Forcë Sigurie, polici Kufitare dhe Migracioni dhe Kapiteneri, vetëm 150 metra larg godinës së SHISH-it të këtij qyteti. Si pasojë e shpërthimit, Suloj ka pësuar plagë të rënda, ndaj është dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë.

    Mjekë të këtij spitali pohuan se fatmirësisht, kreu i burgut të Fushë-Krujës ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi me eksploziv ka alarmuar blutë e qytetit bregdetar dhe Policinë e Shtetit, të cilët po hetojnë intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 9 persona, ndërsa dyshohet se atentati ka ndodhur për shkak të detyrës. Ndërkohë, vetë Suloj ka deklaruar në Spitalin e Durrësit se “nuk e di kush mund të ketë qenë autori, pasi nuk kam konflikte personale me askënd”.

    ATENTATI
    Rreth orës 07:45, Arben Suloj ka dalë si çdo ditë nga banesa e tij në lagjen nr.1 të Durrësit për të shkuar në burgun e Fushë-Krujës. Për të shmangur trafikun e rënduar, ai ka lëvizur me makinën e tij nga rruga e Portit. Por, në afërsi të terminalit të kontenierëve, automjeti i tij ka shpërthyer dhe për pasojë 45-vjeçari ka humbur drejtimin e mjetit. Makina është përplasur me rrethimin prej hekuri të portit, ndërsa ndihma e parë të plagosurit i është dhënë nga punonjës të portit. Vëllai i tij, Ardian Suloj, me detyrë kapiten i Portit të Durrësit, ishte i pari që e vizitoi në spitalin e qytetit bregdetar, ndërsa pohoi se “gjithçka ka qenë e papritur, pasi Arbeni nuk kishte shfaqur asnjë problem. As në lidhje me punën, as me ndonjë person apo emër konkret. Ne nuk kemi konflikte me asnjë person”.

    Ngjarja ka ngritur në këmbë policinë. Nën drejtimin e zëvendësprokurorit të rrethit, Sokol Nishani, inspektorët e krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Durrësit kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe sekuestrimin e provave materiale të lëna nga shpërthimi. Burime të policisë saktësojnë se lënda eksplozive është vënë në pjesën e pasme të mjetit, në sasi të vogël, dhe se nga shpërthimi Suloj ka marrë plagë të rënda në trup. Dyshohet që eksplozivi (tritol) të jetë vënë gjatë natës, kur mjeti ka qenë i parkuar. Sipas policisë, Arben Suloj, me origjinë nga Vlora e banues në Durrës, nuk ka konflikt me persona të tjerë dhe se në institucionin që ai drejton vuajnë dënimin emra shumë të njohur dhe të rrezikshëm të botës së krimit.

    HETIMI
    Sipas burimeve të mësipërme, po hetohet intensivisht në disa pista për zbardhjen e ngjarjes, por pista kryesore mbetet ajo për shkak të detyrës. Nuk përjashtohet mundësia që urdhri për atentatin të jetë bërë nga burgu. Hetuesit janë të bindur se kreu i IEVP në Fushë-Krujë është mbajtur në vëzhgim prej momentit që ka dalë nga banesa për të realizuar shpërthimin në një vend ku të mos kishte trafik. Në pyetje janë marrë vartësit e drejtorit të burgut në Fushë-Krujës për aktivitetin e javës që u mbyll, për ndonjë ankesë të mundshme nga ana e të dënuarve, apo për kontrollet e ushtruara dhe sendet e sekuestruara të tyre. Gjithashtu, janë marrë në pyetje dhe persona okularë në vendngjarje. Bëhet fjalë për punonjësit e sigurisë portuale në Durrës. Paraprakisht pohohet se shpërthimi ka qenë i telekomanduar nga një tjetër mjet, në distancë. Për të ndihmuar hetuesit janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë brenda portit të Durrësit, në itinerarin që ka ndjekur Suloj. I gjithë porti është i mbikëqyrur me kamera sigurie me rezolucion shumë të lartë që përfshijnë deri në disa kilometra vijë ajrore, dhe dyshohet që atentatori ta kenë ndjekur në distancë automjetin e Sulojt përpara se të kryhej atentati. Ndërkaq, burime nga grupi hetimor u shprehën se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova.

    NEVILA SULOJ: ARBENI NUK I KA SHKELUR NJERIU NE KALLO

    Arbeni nuk kishte konflikte me njeri. Ne dyshojmë se ngjarja ka lidhje me punën e tij”. Kështu shprehet bashkëshortja e Arben Suloj, drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, i cili ditën e djeshme mbeti i plagosur gjatë një atentati me lëndë eksplozive në qytetin e Durrësit. Nevila Suloj, në një rrëfim të shkurtër për gazetaren Aurora Koromani të GSH, sqaron se Arbeni nuk është ndier asnjëherë i kërcënuar dhe se ai gjithë jetën e tij nuk i ka bërë keq njeriu. Babai i dy fëmijëve ndodhet në reanimacion në Spitalin e Traumës në kryeqytet dhe mjekët sqaruan se ai është dëmtuar në pjesën e mesit dhe te këmbët, por aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

    Nevila, si e morët vesh për atë që i kishte ndodhur bashkëshortit tuaj?

    Mua më lajmëruan dhe më thanë se çfarë i kishte ndodhur Arbenit, sepse ai ishte nisur si çdo ditë për në punë. Në makinë ka qenë vetëm dhe si çdo ditë e zakonshme është nisur nga Durrësi për në vendin e tij të punës. Nuk na e mori mendja se do ndodhte një gjë e tillë.

    Kishte shfaqur ndonjë problem kohët e fundit Arbeni, apo mos ndoshta ka marrë ndonjë kërcënim?

    Jo, Beni ka vijuar punën e tij normale dhe ka qenë si gjithmonë, i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë problem. As kërcënime nuk ka marrë, prandaj ne nuk dimë se kujt t’ia vëmë gishtin. Ne si familje, Arbeni vetë, nuk i ka bërë kujt keq në jetë dhe nuk i ka prekur njeriu në kallo. Benin e njohin të gjithë dhe e dinë se ai nuk ka qenë në asnjë situatë problematike.

    Për çfarë dyshoni se ka ndodhur ngjarja?

    Këtë mund ta zbulojë vetëm policia, por ne kemi dyshime se ngjarja ka lidhje me punën e Benit, vetëm ajo gjë na shkon në mendje. Por, ne ia kemi lënë në dorë drejtësisë që të zbardhë ngjarjen.

    Çfarë ju kanë thënë mjekët për gjendjen e Benit?

    Na kanë thënë se ai e ka kaluar rrezikun për jetën, por do presim. Tani e vetmja gjë që ka rëndësi për ne është që ai është gjallë.

    Gazeta Shqiptare

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Durrës: Atentat me tritol kreut të burgut të Fushë-Krujës, plagoset rëndë

    Atentati ndaj Sulojit, dosja tek Krimet e Rënda. Kamber Hoxha në krye të burgut Fushë-Krujë

    Emri:  shperhimi-ne-durres.jpg

Shikime: 710

Madhësia:  54.7 KB

    TIRANË- Atentati ndaj drejtorit të Burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj nuk është më një çështje e prokurorisë së Durrësit. Dosja për këtë krim ka kaluar tek Krimet e Rënda në Tiranë, ndërsa është klasifikuar si “vrasje e mbetur në tentativë”.

    Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Haki Çako ka zhvilluar një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për këtë çështje. Mësohet se prokuroria dhe policia kanë bërë një analizë për ngjarjet e fundit, ndërsa nuk jepen detaje të tjera. Ndërkaq Kamber Hoxha është vendosur drejtor i komanduar në burgun e Fushë-Krujës.

    Arben Suloj mbeti i plagosur mëngjesin e së hënës nga një shpërthim me eksploziv që ju bë automjetit të tij. Policia tha se ngjarja ka si pistë kryesore të hetimit, motivet për shkak të detyrës së Sulojit.

    (m.k/BalkanWeb)

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    30-08-2006
    Vendndodhja
    askund
    Postime
    9,007

    Për: Durrës: Atentat me tritol kreut të burgut të Fushë-Krujës, plagoset rëndë

    eshte vertet fatkeqesi ca po ndodh por eshte e qarte qe nje dite do lahet gjithcka dhe ka shume tjer qe do lajne gjynahet
    dikur ishin shoket e pd-se te forte tani jane keto te PS-se
    kur te nderrohen kahet do marrin hak ato tjeret fatkeqesi vertet
    JO SEKS PARA MARTESE

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Durrës: Atentat me tritol kreut të burgut të Fushë-Krujës, plagoset rëndë

    Selfie nga spitali: Jam mirë, i shpëtova shpërthimit

    Emri:  arben-suloj-burgu.jpg

Shikime: 1170

Madhësia:  17.1 KB

    “Jam mirë. Flm për mbështetje të gjithëve”. Ky është mesazhi që Arben Suloj, drejtor i burgut të Fushë Krujës ka dhënë nga spitali ku ndodhet i shtruar.

    Suloj e ka shoqëruar këtë mesazh bashkë me një foto, selfie të bërë në spital, ku ndodheti shtruar.

    Ai u plagos nga shpërthimi i një sasie eksplozivi që ishte vendosur në makinën e tij, në momentin kur ishin duke shkuar në punë.

    Gjatë ditës së djeshme Suloj i është nënshtruar një operacioni dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.

    MAPO

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •