Fevziu: Fullani do të dorëhiqej në tetor, u arrestua nën presion politik
13/09/2014 • By Redaktor
Moderatori dhe miku i guvernatorit Fullani, Blendi Fevziu rrëfen arsyet se pse u arrestua Fullani. “Garantët e shtetit shqiptar i kërkuan të mos e fuste vendin në kolaps, por nuk u bindën se dorëheqja ishte e pamjaftueshme për të marrë Bankën. U bë kokë turku nga politika”
Intervistoi: Mirela Milori
BLENDI fevziu 14Si e cilësoni arrestimin e Guvernatorit Fullani?
…Guvernatori, për fatin e tij të keq ose ndoshta për fatin e modelit të një zyrtari të vjetër në atë detyrë, vendosi të mbante mbi kurriz një pjesë të përbaltjes, të sulmeve, të akuzave, që vijnë edhe për shkak të interesave të mirëfillta, të cilat do të zbardhen nga dita në ditë, për arsyen e thjeshtë se garantët e shtetit shqiptar, 4 apo pesë njerëzit më të rëndësishëm të Shqipërisë, i kërkuan të mos e fuste vendin në kolaps financiar. Mbajti akuza, mbajti insinuata nga më të ndryshmet, presione për shkak të detyrës dhe kishte vendosur, mesa di unë, që do të merrte një vendim për t’u larguar nga Banka e Shqipërisë diku rreth mesit të muajit tetor, kur të mbushej koha e nevojshme. Të plotësoheshin vendet vakante si pasojë e ngjarjes dhe do të priste vazhdimin normal të hetimit. Refuzoi që të përgjigjej. Gjëja më dinjitoze që mund të kishte bërë ai njeri, pa pyetur ata garantë të shtetit, të dilte në një konferencë shtypi dhe t’u përgjigjej akuzave false, për t’i treguar opinionit publik se po manipulohej me akuza false, për shkak të interesit të disa individëve, që kishin probleme reale me bankat e Shqipërisë. Refuzoi ta bënte këtë gjë, duke marrë ditë për ditë një presion të tmerrshëm, personal, familjar, profesional. Dhe në momentin që çështja po shkonte drejt prokurorisë, drejt një normaliteti në bankë apo stabiliteti normal, natyrisht që ai do të përballej me të gjitha akuzat apo përgjegjësitë e tij, nëse i ka pasur ose jo. Në këtë moment ndërhyn Prokuroria, arrestohet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, edhe pse nuk i ishte marrë më parë një dëshmi. Vetëm dy prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës ishin pyetur. Arrestohet Guvernatori pa u thirrur për t’u pyetur, qoftë edhe për të marrë një opinion për të pesë akuzat që Prokuroria kishte ngritur. Ende sot Prokuroria nuk ka një përgjigje se pse kanë ndodhur. Po ju marr njërën nga pikat, për të cilën jam shumë i informuar. Një nga përgjegjësitë kryesore është që nuk ka miratuar zv.guvernatorin e dytë. Po kthehem tani në ato që quhen kulisa të politikës. Në vitin 2011, Ardian Civici, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës është zgjedhur me idenë se do të zgjidhej zv.guvernator, së bashku me Elisabeta Gjonin. Adrian Civici, me të drejtën e tij legjitime është tërhequr nga kjo, se ka menduar që karriera akademike ishte më e vlefshme. Zonja Ermelinda Meksi nuk mund të bëhej zv.guvernatore e Shqipërisë, sepse kishte qenë deputete për 20 vjet e PS. Kjo e komprometonte rëndë autonominë e BSH. Zoti Petraq Milo, këshilltar ekonomik i Berishës, gjithashtu nuk mund të emërohej. Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës nuk kishte interes, ndërsa zonja Golemi kishte një problem tjetër. Kishin mbetur dy vende bosh. Për 9-10 muaj, guvernatori i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta, të plotësonin vendet vakante dhe sërish nuk ka marrë asnjë përgjigje. Parlamenti nuk e ka kryer detyrën e tij. Arrestohet guvernatori sikur të ishte keqbërës në mes të rrugës, edhe pse unë nuk kam ndonjë vërejtje për punën e policisë për hir të së vërtetës, dhe 140 deputetë nuk marrin asnjë përgjegjësi mbi vete.
Ju e thatë në fillim të intervistës se e keni mik zotin Fullani prej disa vitesh. Për të qenë më distantë…
Unë kam miq gjithë politikanët e Shqipërisë, miq të fëmijërisë apo njerëz të angazhuar në fusha të ndryshme. Kur vij dhe flas si gazetar, nuk flas si mik. Unë po flas sot si një njeri që i ka hyrë kësaj ngjarjeje, i motivuar edhe nga fakti që Fullanin e njoh. Pas 25 vitesh pas largimit të komunizmit, në vend që të ndëshkojmë fajin dhe fajtori të jetë përgjegjës, po krijojmë një sistem ku fajësinë e përcaktojnë turmat dhe turmave u hidhet një kokë turku, pa e çarë kokën se kush mund të jetë ai. Dhe kjo kokë turku nuk çon tek faji. Ka ndonjë njeri që mund të më japë një përgjigje se çfarë ka ndodhur me vjedhjen e ku kanë shkuar paratë? Sepse pista e shpërdorimit të detyrës po shkon spektakolare, ndërsa përgjegjësi për vjedhjen është harruar në burg dhe nuk është pyetur më. Vetëm në sistemet diktatoriale ndodhin këto, ku diktatori, për t’i dhënë ushqim njerëzve, u hedh një kokë turku. Në demokraci nuk ndodh kjo. Çështja është, çfarë do të ndodhë me Prokurorinë, nëse rezulton se ai është i pafajshëm dhe ka bërë një arrestim të tillë për të shkatërruar karrierën dhe jetën e këtij njeriu? Ka 40 vjet nëpunës i këtij shteti dhe arrestohet në mënyrë spektakolare pa u thirrur më përpara.
Prokuroria është vetëpërdorur, është nën presionin e mazhorancës apo nën presionin e grupeve klienteliste që ka bërë këtë akt?
Po ta dija këtë, do të ishte zgjidhur misteri. Prokuroria është përdorur, është vetofruar apo ka marrë sinjale nga nivele të dyta, që u kanë pëlqyer niveleve të para, është përdorur politikisht. Është ndërhyrje e mirëfilltë politike, çështja është fare e thjeshtë. Kanë qenë të pabindur një pjesë e madhe e drejtuesve politikë, që kanë dashur të marrin bankën, se Fullani do të jepte dorëheqjen në tetor, edhe pse e kanë ditur këtë. Kanë qenë të frikur se dorëheqja e Fullanit do të ishte e pamjaftueshme për të ndryshuar anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Duke mos pasur besim tek Presidenti, sepse këtij i lindte e drejta që një prej anëtarëve aktualë të Këshillit Mbikëqyrës ta çonte në Kuvend për votim si Guvernator. Duke qenë pjesa më e madhe e njerëzve aty nuk gëzonin besimin e kryeministrit dhe mazhorancës, u arrit në përfundimin se ky Këshill duhej të ndërrohej. Të gjendur në një kolaps të tillë, ku raportet me FMN janë delikate, ku dorëheqja e guvernatorit ishte e pamjaftueshme, u gjet kjo si zgjidhje, Guvernatori u arrestua, Këshilli Mbikëqyrës u shantazhua për ta shkarkuar, duke marrë njëkohësisht përgjegjësinë e vet. Ky këshill është i detyruar të largohet, sepse ka pranuar përgjegjësitë e tij. Kryeministri Rama i ka bërë lëvizjet i tij në publik mjaft korrekte deri tani, por dyshimi është që njerëz pranë mazhorancës i kanë bërë presion Prokurorisë, që ka treguar zellin maksimal duke parë një kokë turku, duke e parë që nuk e mbronte askush dhe vendosi ta bëjë si një shembull për të realizuar 3 qëllime politike; e para marrjen e Bankës së Shqipërisë, e dyta, dhënies publikut të një preje dhe e treta, për t’u treguar ndërkombëtarëve se në Shqipëri po ndëshkohen zyrtarët e lartë. Në Shqipëri nuk është ndëshkuar asnjë zyrtar i lartë që ka pasur realisht probleme korrupsioni, pjesë e klubit politik. Është edhe një gjest për t’i lënë ata të qetë në pazaret e tyre. Realisht, ka një vullnet të Ramës për të sjellë një guvernator të huaj, por në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti ka të drejtë të dekretojë një guvernator që mund të mos jetë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. I lind e drejta të caktojë një njeri me integritet dhe mazhoranca le të tregojë që ka vullnetin për të pasur një guvernator të paanshëm.
Si e sheh ketë moment që ka një lloj reagimi?
Nuk më takon mua të shprehem juridikisht. Opinionit publik i janë servirur një seri informacionesh të pavërteta, me aq sa kam pasur unë mundësinë të verifikoj që nuk janë përballur me përgënjeshtrimin e Guvernatorit, që ka respektuar kërkesën e autoriteteve më të larta të shtetit për të mos e bërë mediatike çështjen e Bankës, që të mos kërcënohej sistemi bankar. E kanë rrjepur dhe e kanë future në tepsi dhe e ka bërë me shpresën se nuk do të cenohej sistemi bankar. Nuk po flas për dorëheqjen, dorëheqja është akt moral. Nuk i qëndroi dorëheqjes. Unë mendoj që do ta bënte në tetor. Ka njerëz që kanë rënë pre e shpifjeve dhe kjo është absolutisht e pafalshme. Është akuzuar guvernatori që ka një dyqan prej 40-0 metra katror që bën 800 mijë euro në “Tirana East Gate”. Kjo është pronë e “Balfin Group” dhe nuk është shitur asnjë metër katror. Nëse në këtë vend, çdo njeri që mund të vërtetojë se ai e ka këtë dyqan, ky njeri të mbetet pas hekurave. U ngrit një akuzë që vajza e tij ka bërë një operacion në SHBA. Është vërtetuar që prej 11 vitesh, vajza e tij nuk ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
*Marrë nga ABC
Krijoni Kontakt