Ministria e Jashtme e IRJ të Maqedonisë u ka dorëzuar ditën e enjte një note proteste ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup. Lajmi bëhet i ditur nga vetë kjo ministri e cila ka lëshuar gjithashtu një deklaratë në faqen e saj zyrtare. Në reagimin e ministrisë së Jashtme thuhet se dy ambasadorëve u është është dorëzuar një notë proteste lidhur me disa prej pikëpamjeve zyrtare dhe deklaratave të të dy vendeve në lidhje me protestat e dhunshme të organizuar në këtë vend. Ajo i konsideron këto deklarata si ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë të cilat nuk janë në përputhje me forcimin e besimit reciprok dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Deklarata e ministrisë së jashtme e IRJ të Maqedonisë është lëshuar në gjuhën maqedonase dhe angleze, por jo në atë shqipe edhe pse Marrëveshja e Ohrit e përcakton këtë.
Deklarata e plotë:
Sot Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë ka thirrur ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë.
Atyre iu dorëzua një notë proteste lidhur me disa prej pikëpamjeve zyrtare dhe deklaratave të të dy vendeve në lidhje me protestat e dhunshme të organizuar në Republikën e Maqedonisë, menjëherë pas miratimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, miratuar nga një gjykatë kompetente në Republikën e Maqedonisë, që ka akuzuar disa fajtorë për veprën penale të terrorizmit dhe i ka dënuar me burgim të përjetshëm.
Ambasadorëve të të dy vendeve iu tha se pozicionet dhe interpretimet që vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit ligjor dhe gjyqësorin si një pushtet i pavarur në Republikën e Maqedonisë – së bashku me vlerësimet politike të përfaqësuesve të lartë të politikë – nuk kontribuojnë për të edukuar marrëdhënie të mira konstruktive, pozitive, miqësore dhe fqinjësore.
Këto deklarata mund të interpretohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë dhe nuk janë në përputhje me forcimin e besimit reciprok dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat Republika e Maqedonisë ushqen dhe përpiqet ndershmërisht për t’i vendosur në marrëdhëniet dypalëshe me fqinjët e saj .
Ambasadorit të Republikës së Kosovës iu paraqit edhe me një notë tjetër, që dënon rëndë, aktin vandal të djegies së flamurit maqedonas para Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë më 8 korrik 2014.
Ky akt fyen thellësisht dinjitetin e Republikës së Maqedonisë. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e autorizuar të Republikës së Kosovës, duhet të marrin masat e duhura për gjetjen dhe ndëshkimin e autorëve.
MAPO
Krijoni Kontakt