Studentët pa universitet, Mazniku: Zgjidhja e vetme Gjykata

TIRANË - Me qindra të rinj të universiteteve private që u mbyllën nga ministria e Arsimit dhe Sportit rrezikojnë të mbeten pa shkollë të lartë, pasi universiteti që ata kanë ndjekur ka funksionuar si firmë piramidale. Ata nuk janë pajisur me numër matrikullimi, listë notash apo një sërë problemesh të tjera. Këta studentë kanë afat brenda datës 29 shtator për të dorëzuar dosjet, pasi në të kundërt humbasin të drejtën e studimit. "Kërkojmë listën e notave,dosja që ne marrim është pa listën e notave,e cila nuk figuron për një shkollë tjetër.

Pa atë listë notash nuk regjistrohem dhe as nuk na quhet si shkollë. Na ikën lekët kot", thotë një student. Përballë kësaj situatë, ka reaguar ministria e Arsimit. Zv/ministri Arbjan Mazniku, shprehet se nuk i takon ministrisë që të plotësojë dokumentet e tyre, çka do të thotë që studentët mund të humbasin vitin nëse nuk i dorëzojnë në kohë, ndërkohë që e vetmja zgjidhje do të jenë gjykata. "Ministria nuk ka asnjë mënyrë as fizike, dhe as ligjore për të gjeneruar dokumente që nuk gjenden në dosjen e tyre.

Sikur ne ta bënim një gjë të tillë do të ishte jo vetëm e paligjshme, po dhe e palogjikshme", tha Mazniku. Sipas tij, studentët që do të regjistrohen, do të konvertojnë programet dhe kreditet, çka do të thotë se ata mund të humbasin edhe vite, duke nisur sërish arsimin e lartë nga e para. "Institucionet pritëse kanë të drejtën e tyre për të njohur aq kredite sa ata e gjykojnë të arsyeshme për tu njohur. Pa dyshim që do ketë raste studentësh që tu njihen më pak kredite se sa kanë fituar, po kjo është mëse normale dhe e drejtë", tha ai. Me këtë situatë po përballen me qindra studentë të universiteteve private që u mbyllën, ndërkohë që ka me qindra të tjerë që nuk figurojnë në regjistrat e shkollave duke mos patur një numër matrikullimi, edhe pse kanë vite që paguajnë kosto të lartë.

Shqiptarja