Tiranë – Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar sot se me ligjin e ri për përdorimin e armëve, Policia e Shtetit ka të drejtë të qëllojë për t’u mbrojtur, gra e të mitur, nëse ata i rrezikojnë jetën; por, nga ana tjetër, Policisë i ndalohet përdorimi i armëve mbi protestuesit, qoftë edhe për t’i paralajmëruar, rrjedhojë kjo e ngjarjeve të 21 Janarit.
Shprehimisht, Tahiri tha: “Ligji i vjetër përcaktonte që nuk mund të përdorej arma ndaj të miturve, ndaj grave dhe të moshuarve, ndërkohë që me ligjin e ri edhe ky kriter bie përsa kohë që edhe këto kategori mund të paraqesin rrezik potencial, eminent, real për jetën e punonjësit të policisë apo të kujtdo shtetasi. Kjo do të thotë se me ligjin e ri, arma duhet përdorur ndaj kujtdo që vë në rrezik jetën e çdo shtetasi apo dhe jetën e punonjësit të policisë.”
Po ashtu, Ministri i Brendshëm detajoi edhe rastet kur arma nuk do të përdoret: “Me ligjin e ri ndalohet përfundimisht përdorimi i armës si mjet për shpërndarjen e protestave, siç ndalohet edhe përdorimi i armës si mjet për paralajmërimin për shpërndarjen e protestuesve. Këtu kam parasysh protestën e 21 Janarit,”- vuri në dukje Tahiri.
Këto deklarime, ministri i ka bërë sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ku ka mbrojtur dy ligje e reja, të parat në paketën e “Sigurisë publike”, ligjin për armët dhe ligjin për përdoruesit e tyre.
Ndalohet përdorimi i armëve kundër qenve të rrugës
Ndërsa në një postim në facebook ministri sqaron se ndalohet perdorimi i armëve edhe kunder kafsheve, qenve te rruges ose kafsheve te tjera
Policët pa kallashnikov, deputetë e gjyqtarë pa armë
Sipas Tahirit, Policia e Shtetit duhet të ketë armë të pakrahasueshme me të tjerët; duhet te rishikohet ligji për mbajtjen e armëve në shtëpi, të dënohet dhe mbajtja e armëve me vete. Gjithashtu me pr/ligjin e ri nuk ka më pajisje me armë për shkak të detyres (deputet, gjyqtar, kryetar komune dhe bashkie).
Me ligjin e ri askush nuk do të lejohet të mbajë armë për përdorim luftarak, si kallashnikov dhe kur i cënohet jeta, polici do qëllojë me armë. Policisë së Shtetit dhe çdo force tjetër do i hiqet Kallashnikovi si edhe pistoleta TT e konsideruar si armë luftarake dhe do të pajisen me armë të tjera.
Këtë ai e argumentoi me faktin se “mjaftojnë armët e Lazaratit për të kuptuar sa e rëndësishme është çarmatosja e popullsisë.” Por, mund të ndodhë që jetën e tyre e kërcënon një grua apo një i mitur, megjithatë ajo duhet mbrojtur, ndaj kemi hequr kriteret e moshës dhe gjinisë.
Debate
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i vlerësoi projektligjet e sjella në komision, si cilësore, por nuk kanë qënë të këtij mendimi, deputetët e opozitës.
Ish-kreu i Drejtësisë Eduard Halimi tha se siguria publike sot është për tokë, kurse kriminelët vrasin në mes të ditës; kriminelë me motorr vrasin biznesmenë afër Kuvendit.
Duke iu drejtuar Tahirit, ai shtoi: Armët i kanë ata që ke ti mbi kokë, nga ti nuk kanë frikë kriminelët.
Tahiri ka replikuar: Hetimet për vrasjen e Artan Santos janë të vështira, ai që e ka vrarë ka dashur zhurmë. Opozita duhet të bëhet bashkë me Policinë e Shtetit, të mos politizojë luftën ndaj krimit dhe të mos shqetësohet vetëm kur i kërcet tek këmbët.
ar.sh/Oranews.tv
Krijoni Kontakt