NGA: ANILA JOLE
Greqia do të tenderojë këtë muaj 225 mijë kilometra katrorë dete, për kërkimin e naftës dhe gazit. 20 kompani shumëkombëshe si «British petroleum», «EXXONMOBIL», «SHELL», «TOTAL», «CHEVRON» etj, kanë kaluar në fazën përfundimtare. Qeveria greke iu ka bërë këtyre kompanive prezantimin zyrtar të rezultateve të kërkimit të kompanisë norvegjeze «PGS» në zonat detare të Greqisë perëndimore, në ishujt e Jonit dhe në Kretën jugore.
Njoftohet zyrtarisht se në një sipërfaqe prej më shumë se 225.000 km katrore, ka depozita të mëdha gazi natyror dhe nafte, të cilat sipas autoriteteve, do ta bëjnë Greqinë prodhuesin më të madh të naftës dhe gazit në rajon.
Në sipërfaqen që do të tenderohet, hyjnë edhe zonat e përfolura detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat me marrëveshjen e deteve i kanë kaluar Greqisë. Marrëveshja e vitit 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, megjithatë duket se Greqia, e cila vazhdimisht ka kërkuar implementimin e saj, vijon punën e saj pa marrë e parasysh këtë vendim.
Vetë ministri i jashtëm grek Evangelos Venizelos dy ditë më parë e lidhi procesin e hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE me çështjen e kufijve detare mes vendit tonë dhe Greqisë. Në një konferencë për shtyp Venizelos bëri të qartë se për hapjen e negociatave duhet të përmbushen të gjitha kriteret e Kopenhagenit, dhe të jenë dhënë gjithë provat dhe dëshmitë e pranimit të dokumentave komunitare, që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare të detit. Edhe presidenti grek Karolos Papulias tha gjatë një bisede telefononike me homologun shqiptar se cështja e kufijve detarë duhet të zgjidhet.
Kërkimet për naftë, Athina: Kemi kujdes të shmangim problemet me Shqipërinë
Kërkimet për naftë, Athina: Kemi kujdes të shmangim problemet me ShqipërinëATHINE - Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë z. Konstantinos Koutras, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje shkrimet në shtypin shqiptar, sipas të cilave, zonat të cilat do të tenderohen prej qeverisë greke për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi natyror, shtrihen edhe brenda ujërave territoriale shqiptare, deklaroi se “Greqia respekton plotësisht të Drejtën Ndërkombëtare mbi Detin”.
Zëdhënësi Kutras siguroi se është bërë kujdes që zonat që do të tenderohen, të mos krijojnë absolutisht asnjë problem me asnjë prej vendeve fqinje dhe në rastin konkret, me Shqipërinë. “Sigurisht që kuadri ynë i referimit është gjithmonë, pranimi i përbashkët dhe respektimi i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit’’.
Deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme është në një linjë më atë të vetë ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos 3 ditë më parë mbi këtë çështje.
News24
Krijoni Kontakt