Close
Faqja 16 prej 17 FillimFillim ... 614151617 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 151 deri 160 prej 168
  1. #151
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Intervistë me deputeten gjermane Uta Zapf për gjendjen në Kosovë


    "Mendimi im personal është se ky status duhet të jetë pavarësia dhe asgjë tjetër."

    Pyetje: Zonja Zapf, ju ndodheni në Tiranë pas një vizite zyrtare në Prishtinë. Si do ta përshkruanit situatën e atjeshme?

    Përgjigje: "Bashkëjetesa paqësore mes etnive në Kosovë është problemi kyç. Por në këtë pikë duhet marrë në konsideratë situata e atjeshme ekonomike e cila është më keq se në çdo vend tjetër. Standartet ekonomike në Kosovë në krahasim me ato evropiane janë shumë të ulta.
    Ndërkohë që ngjarjet e marsit treguan se atje ka një situatë shpërthyese potenciale dhe se faktori ndërkombëtar duhet të punojë seriozisht për ta parandaluar atë. Ajo që ndodhi në mars ishte spastrim etnik. Për politikën kjo është e papranueshme pasi ajo përpiqet të realizojë bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe jo të përfundojë aktin e spatrimit etnik, duke përjashtuar kësaj here serbët.
    Një nga arsyet e një situate të tillë është se deri më sot atje nuk ka punuar askush seriozisht për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve.
    Arsyeja tjetër është se fokusi i kosovarëve është përqendruar tek statusi i tyre, tek pavaresia dhe jo tek bashkëjetesa paqësore. Tanimë konflikti shfaqet në arsyetimin: standartet para statusit.

    Pyetje: Cila është pikëpamja juaj për këtë çështje?

    Përgjigje: "Koncepti im është që këto dy procese, standartet dhe statusi, duhet të ecin paralelisht. Shqiptarëve të Kosovës u duhet thënë se ata nuk do të kthehen më tek statuskuoja, se duhet të punojnë për të arritur standartet. Sa më mirë t´i realizojnë ato aq më shpejt do të arrijnë statusin final. Mendimi im personal është se ky status duhet të jetë pavarësia dhe asgjë tjetër.

    Pyetje: Zonja Zapf, a është mbizotëruese në Parlamentin gjerman pikëpamja se statusi final i Kosovës nuk mund të jetë asgjë tjetër, veç pavarësisë? A gjen ajo një mbështetje të konsiderueshme në radhët e kolegëve tuaj?

    Përgjigje: "Mendoj se në Parlamentin gjerman ka ndodhur një proces të menduari dhe të reflektuari lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Opinioni im është se pothuajse çdo parlamentar ose 100% e Parlamentit gjerman mendon se nuk ka më kthim ne statuskuo. Por nuk duhet harruar dhe askush nuk e harron që ndërkohë ka edhe një lloj përbindëshi që del e qëndron përpara: ky përbindësh është rezoluta 1244. Ajo u thotë kosovarëve: ju nuk mund të bëni çfarë të doni.. Ju duhet të arrini standartet përpara statusit. Nëse shkoni tek Këshilli i Sigurimit dhe doni t´i ndryshoni gjërat… atje është Kina, Rusia dhe kështu me radhë.
    Megjithatë konsideroj pozitiv faktin që Grupi i Kontaktit po punon për këtë çështje dhe që takohet rregullisht. Por kjo nuk mjafton për ta zgjidhur problemin pikërisht tani. Dhe me siguri që nuk mund të zgjidhet pikërisht tani. Atëherë pse të mos shohim hapësirën që kemi brenda kuadrit të rezolutës 1244 dhe në kushtetutën e përkohshme të Kosovës? Mund të bëhet shumë më tepër për t´i dhënë qeverisë së përkohshme me shume kompetenca dhe me shumë përgjegjësi. Dhe ta lëmë t´i realizojë ato. Por më duhet të them se deri tani qeveria e përkohshme nuk ka treguar se mund t´i bëjë gjërat. Madje edhe në fusha ku ajo mund të kishte bërë mjaft. Qeveria e Kosovës është shumë e ngadalshme në hartimin e legjislacionit pa folur per vënien e tij në jetë.
    Ështe procesi i decentralizimit që duhet diskutuar dhe që mund të ndihmojë për të ulur të paktën tensionet mes serbëve dhe kosovarëve. Pra mund të bëhet mjaft nëse qeveria e përkohshme merr me shumë përgjegjësi, ndërsa UNMIK-u i lëshon ato.
    Mjafton të them se investitorët e huaj nuk shkojnë në Kosovë sepse ende nuk është zgjidhur çështja e pronësisë. Ata nuk shkojnë atje nëse nuk kanë një kuadër të qëndrueshëm ligjor i cili do t´i garantojë që investimet e tyre nuk do të shkojnë për dhjamë qeni.

    Pyetje: Zonja Zapf, në Bundestagun gjerman, kohë më parë njëra nga partitë parlamentare, ka kaluar një rezolutë sipas së cilës Kosova duhet të evropianizohet. Çdo të thotë kjo?

    Përgjigje: "Kjo nuk është e lehtë të realizohet dhe nuk mendoj se kjo është zgjidhje. BE nuk është i gjithi në një mendje dhe nuk ka unitetin e duhur për të marrë këtë përgjegjësi. Ideja e rezolutës së Bundestagut gjerman është që Kosova të jetë një lloj protektorati i Evropës në vend të UNMIK-ut, gjë që nuk do të mund t´i zgjidhte problemet. Duhet parë hapësira e përgjegjësive që marrin përsipër kosovarët. Ajo që ata thonë është se duan më shumë përgjegjësi por edhe se duam drejtim prej faktorit ndërkombëtar. Ata thonë le t´i marrim të gjitha përgjegjësitë vetëm lërini trupat të qëndrojnë në Kosovë sepse i duam në vend të ushtrisë. Në rregull. Por ata duhet të zgjidhin çështjen etnike dhe ata nuk po e zgjidhin.

    Pyetje : Cili është mendimi juaj per UNMIKU-n?

    Përgjigje: "Ka shumë kritikë për mënyrën se si vepron UNMIKU. Mendoj se ka raste keqkuptimesh që çojnë në konflikt. Kjo për shkak se kulturat e ndryshme të të menduarit nuk pasqyrohen dhe nuk merren parasysh në masën e duhur. Nëse policët e vendeve të ndryshme mbrojnë të drejtat e njeriut në Kosovë kjo është e pamundur sepse atje nuk ka demokraci dhe as te drejta të njeriut në kuptimin e plotë të fjalës. Beteja mes përgjegjësisë dhe përgjegjësise së kufizuar duhet të harmonizohet më mirë mes dy palëve por pa kërkuar siç bëjnë kosovarët: "Na jepni neve të gjitha përgjegjësitë". Por edhe pa vepruar ashtu siç vepron UNMIK-u që dëshiron t´i mbajë ato të gjitha për vete. Por gjërat po funksionojnë. E mira është të rriten përgjegjësitë e kosovarëve dhe të zvogëlohen ato të UNMIKU-t në partneritet dhe me frymë kolegjialiteti.

    Pyetje: Çfarë mendoni për qëndrimin e Presidentit të ri serb Tadiç dhe të forcës së tij politike ndaj pavarësisë, si status final i Kosovës?

    Përgjigje: "Kur flitet për këtë forcë politike, pra partinë e Xhinxhiçit, Tadiçit dhe Zhivkoviçit kuptohet qartë se ajo kërkon një zgjidhje. Kjo parti e kupton mjaft mirë se nuk mund të ketë më kthim në status quo, por kanë frikë të ofrojnë një opsion tjetër nga ai tradicional pasi forcat nacionaliste në vend janë mjaft të fuqishme. Kjo parti kupton dhe e ndjen se mund të dalë nga skena politike nëse i afrohet opsionit të kosovarëve. Por shpresoj se në proces duke përdorur hapësirat e rezolutës 1244 dhe disa lëvizje drejt statusit përfundimtar, gjërat mund të ndryshojnë. Por kjo kërkon kohë, nuk mund të ndodhë nga një vit në tjetrin. Kosovarët thonë: Në vitin 2005 do të kemi pavarësi. Dhe pikë. Kjo është absolutisht një iluzion dhe këtë duhet t'ua themi dhe ata duhet ta kuptojnë nëse duan mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Nëse duan një zgjidhje pa gjakderdhje për çështjen etnike dhe nëse duan një integrim në strukturat europiane atëherë duhet të zbatojnë rregullat e lojës së BE dhe të strukturave euroatlantike.
    Pajtimi etnik, bashkëjetesa është shumë e rëndësishme. Ky është mesazhi që i japim faktorit politik në Kosovë. Shikoni rezolutën 1244, kushtetuten e përkohshme dhe shikoni se si mund te manovroni për të përmirësuar situatën. Ky është mesazhi për kosovarët."

    Ani Ruci

    DW
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  2. #152
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Thaçi: Çdo zgjidhje tjetër përveç pavarësisë, do të sillte probleme

    Lajmi i ores 12:20 PM





    PRISHTINE (31 Gusht) - Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hashim Thaçi në intervistën dhënë mediuave austriake, deklaroi se çdo zgjidhje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës do të shkaktojë vetëm probleme. Ai e hodhi poshtë planin e Serbisë për decentralizimin e pushtetit në Kosovë dhe këtë propozim e vlerësoi si "të rezikshëm dhe plotësisht të papranishëm". Dialogun me Qeverinë Serbe dhe me presidentin e ri Boris Tadiqiç, Thaçi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm. "Zgjedhja e Tadiç ishte një lajm i mirë për Serbinë, për rajonin dhe për bashkësinë ndërkombëtare", tha kryetari i PDK-së, duke shprehur dyshim se Tadiqç, për shkak të konstelacionit politik në Serbi, do të jetë në gjendje të fillojë kursin e pajtimit me autoritetet e Kosovës. Në rast se partia e tij fiton në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, Thaçi paralajmëroi formimin e qeverisë së koalicionit që do të përfshijë një spektër të gjërë politik dhe etnik. "Edhe serbët do të jenë pjesë e asaj qeverie", paralajmëroi përfaqësuesi politik i dikurshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) tanimë të shpërbërë. Dy javë nga marrja e detyrës, Thaçi, veprimet e shefit të ri të UNMIK-ut Soren Jesen Petersenit i vlerësoi si "trimëruese" duke kërkuar njëherit nga UNMIK-u që sa më parë t'ua dorëzojë kompetencat e mëtejme autoriteteve vendore. "Kosovës më pak i nevojitet UNMIK-u, e shumë më tepër NATO-ja" përfundoi lideri i PDK-së në intervistën për mediat austriake. ro/ro (Balkanweb)
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  3. #153
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Ambasadorët të ndryshojnë imazhin e vendit në botë
    Kryetari i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një takim të sotëm me përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë në botë, i kritikoi ata se ka pasur raste kur nuk kanë reaguar si duhet për të mbrojtur interesat e shtetit dhe kombit shqiptar.Duke u ndalur tek politika e jashtme e Tiranës zyrtare, Nano tha se ajo do të pësojë një ridimensionim, sidomos në marrëdhënie me Kosovën.


    Kryetari i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një takim të sotëm me përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë në botë, i kritikoi ata se ka pasur raste kur nuk kanë reaguar si duhet për të mbrojtur interesat e shtetit dhe kombit shqiptar.

    Në anën tjetër ai theksoi se Beogradi ka ndjekur politikë antishqiptare dhe diplomacia e Beogradit, ka shfytëzuar disa incidente që kanë ndodhur në Kosovë, duke mbledhur madje edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Kryetari Moisiu, së bashku me kryeministrin Fatos Nano dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Kastriot Islamin, zhvilluan të martën një takim me përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë në botë. Ata kërkuan rritje të koeficientit të përfaqësimit diplomatik për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe kombit.

    Ndër të tjera, dy krerët e lartë të shtetit shqiptar paralajmëruan një ridimensionim të politikës që do të ndjekë Tirana zyrtare në lidhje me politikën që zhvillohet në Kosovë.

    Në fjalën e tij, Moisiu, kërkoi reflektim nga ana e përfaqësuesve të diplomacisë shqiptare në lidhje me ambiciet evroatlantike.

    “Në punën tuaj ka patur progres por duhet më tepër angazhim në të ardhmen”, tha ai, duke kërkuar prej diplomatëve përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe justifikimin e besimit të taksapaguesve shqiptarë.

    “Të përfaqësosh vendin në botë, nuk është vetëm detyrë shtetërore se ju nuk jeni vetëm zyrtarë. Mbi të gjitha kjo është detyrë atdhetare”, iu drejtua presidenti ambasadorëve dhe përfaqësuesve të misioneve diplomatike.

    Sipas tij, diplomacia duhet të përfaqësojë vlerat më të mira të etikës profesionale. “Në Ministrinë e punëve të jashtme duhet të ketë profesionistë nën kostumin e diplomatit”, tha ai.

    Kryetari u shpreh me kritika rreth qëndrimit indiferent që kanë mbajtur ambasadorët shqiptarë, në një kohë që serbët kanë mbledhur deri Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke shfrytëzuar në favor të politikës së tyre shpesh keqadashëse ndaj kosovarëve, situata delikate në të cilat ka kaluar Kosova.

    “Që nga çlirimi i Kosovës e deri më sot, diplomacia e Beogradit, ka shfytëzuar disa incidente që kanë ndodhur në Kosovë, duke i kthyer në favor të politikës keqadashëse kundër shqiptarëve, duke mbledhur deri Këshillin e sigurimit të OKB-së”.

    “Ju nuk keni reaguar si duhet, kur Beogradi ka ndjekur politikë antishqiptare dhe nuk i keni mbrojtur si duhet interesat e shtetit dhe kombit shqiptar”, iu drejtua presidenti me kritika ambasadorëve.

    Ndërsa kryeministri Nano, në fjalën e tij, ka kërkuar që përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare në botë të reagojnë më tepër për përmirësimin e imazhit të vendit. Sipas tij, duhet të jenë këta diplomatë, ata të cilët duhet të përcjellin informacionin e duhur rreth ndryshimeve pozitive që ndodhin në Shqipëri, duke iu prerë hovin politikanëve të huaj, që përpiqen ta paraqesin vendin si Kolumbi, për arsye karrierizmi.

    “Një shtrembërim i tillë i imazhit të vendit tonë, ka kosto financiare mbi qeverinë dhe popullin shqiptar”, tha kryeministri Nano.

    Duke u ndalur tek politika e jashtme e Tiranës zyrtare, Nano tha se ajo do të pësojë një ridimensionim, sidomos në marrëdhënie me Kosovën.

    “Po hyjmë në vitin e pestë të administrimit të Kosovës prej faktorit ndërkombëtar. Do të ketë një ridimensionim të qëndrimit tonë diplomatik në lidhje me Kosovën”, tha ai.

    Krerët e lartë të shtetit shqiptar, deklaruan se ambasadorët duhet të jenë më aktivë edhe në mbrojtje të interesave dhe dinjitetit të emigrantëve shqiptarë në botë. Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, u shpreh për “fuqizim të lobeve shqiptare në diasporë, me qëllim që të kontribuojnë më tepër për çështjen e kombit shqiptar”.

    radio-kosova
    Ndryshuar për herë të fundit nga Llapi : 01-09-2004 më 05:24
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  4. #154
    ¯¯¯¯¯¯¯¯¯¯¯¯¯
    Anëtarësuar
    26-02-2003
    Postime
    1,349

    Lightbulb Procesi i Pavarësimit të Kosovës

    Freskim i temës !

  5. #155
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    “E VËRTETA SI MALLKIM” – Shkruan Arbën XHAFERI





    Thonë se sivjet do të fillojnë bisedimet lidhur me fatin e Kosovës. Përfaqësuesit serbë, qofshin ata të moderuar (si presidenti serb, Tadiq), të rimoderuar (ministër i Jashtëm i USMZ, Drashkoviq), radikalë (si lideri i PRS, Nikoliqi), legalistë (si kryeministri serb, Koshtunica), klerikë ( si patriarku Pavle), apo shkrimtarë (si Qosiqi), sërish e kërkojnë Kosovën, apo disa pjesë të saj, edhe pse e dinë fare mirë se nuk dinë ç’të bëjnë me të, me shqiptarët, me papunësinë, ekonominë, infrastrukturën etj.

    Ata janë unikë në iracionalitetin e tyre. Nga ana tjetër, në këtë vit vendimtar shqiptarët hynë të përçarë si kurrë më parë.

    Shqiptarët, por edhe bota sërish do të kenë telashe me iracionalitetin serb, me të vërtetën e tyre, të sajuar nga argumente mitike, religjioze, legaliste, pansllaviste etj. Ata janë shumë komod në lëkurën e vet. Gjenerata e re e politikanëve të tyre ndjekin të njëjtën linjë si paraardhësi tyre, Millosheviq, madje edhe argumentet i kanë të njëjta. Me siguri do ta përdornin edhe ushtrinë, por, të djegur njëherë nga qumështi tani me kujdes e fryjnë kosin.

    Serbët qëllimisht sillen në mënyrë iracionale, ngaqë argumentet racionale janë në anën e shqiptarëve. Pra, iracionaliteti serb është një kalkulim racional. Të gjithë thonë se do të fillojë dialogu, veçmas serbët të cilët janë të bindur se nga heshtja, nga rrjedhat e deritashme do të përfitojnë vetëm shqiptarët. Prandaj, janë përcaktuar ta thyejnë heshtjen, ta problematizojnë sërish çështjen serbe në Kosovë, çështjen e Kosovës, çështjen shqiptare në përgjithësi. Ata këtë e bëjnë njësoj si më parë, me argumente dhe intensitet të njëjtë. A e gënjejnë veten, neve, apo ndërkombëtarët? Të gjithë, veçmas veten, për ta shpëtuar të VËRTETËN e tyre që është bërë gjenerator i krizave të shumëfishta.

    Serbët, veçmas paria e tyre, qëllimisht e gënjejnë vetveten, madje edhe atëherë kur qartësia i verbon sytë. Më 9 qershor 1999, në ditën e kapitulimit ushtarak dhe politik serb, presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë së atëhershme, Sllobodan Millosheviqi, para kaminit, vendit të preferuar prej nga ai jepte mesazhe të rëndësishme grigjës së vet ua uroi serbëve humbjen e fituar: “E gëzofshi paqen”. Humbja e fituar është shprehje oksimonorike që nuk e sajoj unë, por mendësia serbe. Derisa ai humbjen e paraqiste si fitore ushtria e tij e shkapërderdhur, e demoralizuar tërhiqej me panik nga Kosova. Atë e ndiqnin këmba-këmbës refugjatët serbë me ndërgjegje të papastër.

    Po këtë ditë, serbët, fitimtarë të humbjes, ushtarë të rregullt, gangsterë të mitizuar, qytetarë të tjerë dhe priftërinj e festonin humbjen e fituar duke shtënë në ajër me tërë arsenalin që patën në dispozicion.

    Askush nuk mund të shpjegojë ç’festonin ata, fitoren e politikës paqedashëse të presidentit të tyre apo çlirimin nga ankthi, nga frika, nga roli i trimërisë së shpifur. Ata nuk festonin asgjë, por i jepnin gajret vetes se “e vërteta e tyre gënjeshtare” është e mbrojtur. Si duket pa shprehje oksimonorike nuk mund të kuptohet mendësia paradoksale serbe. Fushatën e vet për shkatërrim të Jugosllavisë, serbët e nisën me shpalljen e së VËRTETËS së tyre. Ata që nuk e pranonin të vërtetën e tyre, interpretimin e tyre të fenomeneve historike, shoqërore, gjeopolitike, kulturore etj. rrezikonin që të hynin në konflikt me ta.

    Në të gjitha mitingjet, konferencat ata e përhapnin të “vërtetën” e tyre, rrëfimet e tyre narcisoide, ku ata parqiteshin gjithnjë si protagonistë, si “mbrojtës” të sllavizmit nga josllavët, të krishtërizmit kur bëhej fjalë për “rrezikun” islamik, të ortodoksisë kur bëhej fjalë për “zgjerimin” e katolicizmit, apo si mbrojtës i vlerave demokratike, kur bëhej fjalë për rrezikun nga “ringjallja” e Reich-ut të Katërt. E vërteta e tyre asgjë nuk shpjegonte, por krijonte konflikte dhe i shterrte energjitë, potencialet e vetë popullit serb. E vërteta serbe në thelb ishte një mallkim i vetvetes.

    Në sajimin e kësaj të vërtete të gjithë kanë marrë pjesë, politikanë, shkrimtarë, klerikë, pra pjesa më e vetëdijshme, elita e popullit serb.

    Kjo e vërtetë serbe për vetveten dhe për të tjerët i ka dy dimensione, atë politik dhe atë mitik religjioz. Pjesa politike është shumë racionale, utilitare ku parashtrohen ide dhe mekanizma si të shndërrohet Jugosllavia në Serbi të madhe. Kjo ka qenë ide prijëtare e të gjitha elitave serbe që nga pavarësimi nga Perandoria Osmane. Nga kjo e vërtetë, nga këto përcaktime ambicioze u shkaktua Lufta e Parë Botërore, disa thonë edhe ajo e dyta. Nga këto ambicje joreale, bin-ladeniste, ekspansioniste dhe hegjemoniste buronin të gjitha proceset destabilizuese në Ballkan, nga kjo dalldisje narcisoide buronin të gjtha elaboratet për shfarosje të popujve të tjerë, në rend të parë josllavë, të shqiptarëve, hungarezëve, gjermanëve, italianëve, rumunëve etj.

    Hartues të kësaj të vërtete, përkatësisht të elaborateve politike gjenocidale, çuditërisht ishin akademikët, shkrimtarët të cilët ishin vënë në shërbim të politikanëve miopë serbë. Para Luftës së Parë Botërore, siç dihet elaboratet e këtilla patën hartuar akademikët e njohur, Garashanini (projekti “Nacertanija”), Cvijiqi (“dëshmitë” e tij satanizuese dhe skandaloze kundër shqiptarëve ), pas Luftës së Parë Botërore, Vasa Cubrilloviqi dha Ivo Andriq. I pari ishte pjesëmarrës në atentatin kundër princit austro-hungarez, Ferdinandit që e shkaktoi Luftën e Parë Botërore, ndërkaq i dyti fitues i çmimit Nobel për letërsi.

    Hartues të elaboratit konfliktuoz, të së “vërtetës” serbe të gjeneratës së tretë ishte Akademia Serbe e udhëhequr nga shkrimtari Dobrica Qosiq. Emërues i përbashkët i këtyre elaborateve ishte kërkesa për eliminim kryesisht të rrezikut shqiptar, për shkak: të origjinës së tyre josllave; të pozitës së pambrojtur nga faktorë të jashtëm; të arritjes së homogjenizimit sllav dhe mbi të gjitha për shkak të vitalitetit të shqiptarëve dhe frikës serbe nga perspektiva e tyre në të ardhmen.

    Siç dihet serbët, brenda shekullit XX, arritën lehtë fitore kundër hungarezëve butakë, gjermanëve (Folksdojçevrëve) fajtorë, rumunëve me pozitë të disfavorshme gjeostrategjike dhe italianëve defetistë. Vetëm shqiptarët mbetën halë në syrin e tyre të pangopshëm. Për ta fituar luftën kundër tyre dhe për ta disiplinuar pjesën tjetër të Jugosllavisë duhej konstruktohej fajësia e tyre për të gjitha të ligat e Jugosllavisë. Ata duhej të trajtoheshin si fajtorë për shpërnguljen e serbëve nga Kosova, për ngecjet në zhvillimin ekonomik, për mosvendosjen e shtetit ligjor etj. Edhe pse tashmë është e qartë se, që nga koha e aneksimit arbitrar të Kosovës në vitin 1918, kur në të kishte vetëm 6% serbë, zhvillohej vetëm politika e popullimit, e ngritjes së përqindjes serbe në Kosovë, edhe pse dihej qartë se përmes elaborateve akademike stimulohej shpërngulja e shqiptarëve në Turqi dhe invadimi i Kosovës me kolonë serbë, “e vërteta serbe” kokëfortësisht vazhdon të “argumentojë” të kundërtën: shqiptarët me kërcënime, presion i shpërngulkan serbët nga vatrat e tyre shekullore, nga “djepi” i kulturës dhe shtetësisë serbe, nga vendi “i shenjtë” ku qenka brumosur shpirti serb.

    Sa më shumë që intensifikonin këtë propagandë të çoroditur, aq më shumë iknin serbët nga Kosova, sa më shumë që ata mbroheshin nga ushtria dhe policia aq më të pasigurtë e ndjenin veten ata në Kosovë. Zakonisht këto dështime ndodhin kur të vërtetat, teoritë janë të gabueshme. Në vend që të korrigjojnë teorinë e vet, “të vërtetën” e tyre, elita serbe, politikanë, shkrimtarë, akademikë, klerikë, gjeneralë, kriminelë, bashibozukë etj. e shtonin trysninë saqë askush më në botë nuk e gëlltiste të vërtetën e tyre. Duke refuzuar korrigjimin e idesë ata humbën shansin historik që lehtë të inkuadrohet në tendencën globale demokratike. Në mitingjet e tyre primitive shpeshherë përsëritej slogani: “po ndodh e vërteta”. Më në fund ndodhi e vërteta, intervenimi i NATO-s. Mirëpo, serbët akoma vazhdojnë avazin e vjetër të përhapjes së vërtetës së tyre.

    Dimensioni i dytë i së “vërtetës” serbe ka të bëjë me mitizimin, sakralizimin e Kosovës. Sipas kësaj “të vërtete” Kosova paska peshë metafizike për Serbinë. Në fillim flisnin për tokën e Kosovës, tash flasin për trashëgiminë krishtere serbe. Shkrimtari serb, Qosiq sugjeron që të ndërrohet taktika, të spikaten, jo interesat shtetërore serbe, por trashëgimia krishtere që e vandalizuakan shqiptarët myslimanë.

    Këto kërkesa stolisen me një retorikë bombastike: Serbia qenka e sulmuar nga e kaluara, barbarët shqiptarë dhe nga e ardhmja, barbaria teknologjike amerikane ose “është e pabesueshme që Evropa të sulmojë vetveten”. Të gjthë e dinë tashmë këtë retorikë, por diçka tjetër është e çuditshme, e pabesueshme. Serbët modernë nuk arrijnë të kuptojnë se ata vetë, shkrimtarë, priftërinj dhe politikanë e krijuan këtë mit dhe tash, pikërisht sajesës së tyre, gogolit të tyre i përkulen si të ishte një entitet metafizik. Kur nënat serbe në Krushevcë, në fazën e fundit të bombardimeve protestuan duke kërkuar që fëmijët e tyre të kthehen nga Kosova, reagimi i mitizuesve, që të kaluarën e largët e vendosnin në korelacion kauzal me të sotmen, ishte sa iracional po aq idiotik: si është e mundur që revolta kapituluese të shfaqet pikërisht në qytetin e Car Llazarit ( Hreblanoviqit), i cili, nga ky qytet, Krushevci, i priu ushtrisë së tij drejt Kosovës për t’u përballur me ushtrinë turke?! Si është e mundur, pyesnin mitizuesit që nënat krushevase ta tradhtojnë amanetin e Nënës së Jugoviqëve që humbi të nëntë djemtë në Betejën e Kosovës?

    Eshtë e mundur ngaqë realiteti aktual, emocionet dhe interesat nuk mund të futen në kallëpin mitik. Vetëm në dimensionin e misticizmit mund të ekzistojë një koherencë e këtillë në mes të konteksteve të ndryshme historike, nocioneve, personazheve dhe vlerave. Problemi serb, jo vetëm në fushën e politikës është refuzimi i realitetit dhe fshehja në dimensionin e mitit. Arsyeja kryesore është refuzimi iracional i disfatës. Sipas kësaj logjike ata nuk e paskan humbur betejën në Kosovë kundër turqve ngaqë e paskan fituar ahiretin, duke humbur mbretërinë tokësore, ata paskan fituar mbretërinë qiellore. Këto fenomene, refuzimi i humbjes shfaqen si në planin individual ashtu edhe në atë kolektiv. Nga kjo patologji buron gatishmëria për ta pranuar gënjeshtrën gudulisëse sesa të vërtetën e hidhur. Prandaj Millosheviqi mund t’ua urojë serbëve që ta gëzojnë paqen dhe t’u thotë se më në fund e paska ruajtur integritetin territorial të RFJ-së. Serbët nuk janë humbës, apo jo? Këtë patologji do të vazhdojnë ta fisnikërojnë politikanët e rinj serbë që tashmë kanë nisur fushatën intensive për rikthimin e Kosovës.

    Duke mos duruar heshtjen, e cila sipas konstatimit të tyre qenka në favor të shqiptarëve, përfaqësuesit serbë, Tadiqi, Koshtunica, Nikoliqi, Coviqi, shkrimtarët, gazetarët, peshkopët, patriarku vetë etj. sërish e kanë intensifikuar retorikën nacionaliste duke kërkuar që Kosova t’i rikthehet Serbisë, edhe pse e dinë fare mirë se s’dinë ç’të bëjnë me të. Disa këtë e kërkojnë duke u thirrur në argumente legaliste, disa në argumente religjioze dhe disa të tjerë sugjerojnë ndërhyrje ushtarake. Kjo e fundit, kanosja me intervenim ushtarak, nuk është absurde e as naive.

    Strategët serbë kanë hartuar tashmë projektin e ndërhyrjes ushtarake në veri të Kosovës për ta aneksuar 18% të territorit të saj. Ata presin gabimet e reja të shqiptarëve, momentin e përshtatshëm diplomatik, lejen ndërkombëtare për ndërhyrje, duke përfunduar këtë krizë me ndarje të dhunshme të Kosovës. Për ta parandaluar kundërpërgjigjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ata kanë koncentruar forca të mëdha ushtarake që, në rast nevoje do të reagonin në mënyrë të rrufeshme dhe masive. Nga ana tjetër, në planin diplomatik do të intensifikohen kërkesat që të ruhet trashëgimia e përgjithshme krishtere në Kosovë me dhënien e autonomisë, statusin eksterritorial, kishave serbe, sipas modelit të Vatikanit. Në këtë mënyrë serbët synojnë ta shpëtojnë të “vërtetën” e tyre për veten dhe për të tjerët, por njëkohësisht të përfitojnë edhe në aspektin ekonomik dhe gjeostrategjik.

    Me rastin e festimit të Vitit të Ri të vjetër ( sipas kalendarit Julian) në kafe baret e Tetovës edhe maqedonasit këndonin këngë nacionaliste dhe nostalgjike serbe për Kosovën. Ata nuk janë të vetëdijshëm se ndarja e Kosovës do të ketë pasoja katastrofale për Maqedoninë, e cila do të rrezikohet drejtpërdrejt nga ky sindrom i ndarjeve territoriale, etnike. Eshtë paradoksale, por e vërtetë se integriteti territorial i Maqedonisë varet nga zgjidhja e çështjes së Kosovës, ashtu si integriteti i Kosovës varet nga ruajtja e integritetit territorial të Maqedonisë. Pra integriteti territorial i Kosovës mbrohet në Maqedoni dhe e kundërta.

    E “vërteta” serbe është e rrezikshme për të gjithë. Më se 100 vjet ajo prodhon kriza meqë nuk pranon realitetet ekzistuese. Duke prodhuar mitin, duke e shpëtuar mitin ata dhunojnë realitetet në Ballkan. Serbët definitivisht kanë telashe me mendësinë, botëkuptimet e tyre që ua errëson arsyen dhe i bllokon proceset që ofrojnë shtegdalje. Marrëzia e tyre nuk do t’i lërë të qetë sidomos shqiptarët. /marrë nga Shekulli/ 22/01/2005
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  6. #156
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Grupi Ndërkombëtar i Krizave kërkon nga faktorët ndërkombëtarë që të vëndosin për statusin e Kosovës "Qeveritë perëndimore dhe administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, gjatë këtij viti duhet të vendosin për statusin e Kosovës, ose në të kundërtën, do ballafaqohen me rrezikun e krizës së sërishme në Ballkan". Kështu thuhet në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili do të bëhet publik më 24 janar. Siç njofton agjencia “AP”, në raport theksohet se është duke kaluar koha e miratimit të vendimit për statusin përfundimtar të Kosovës.
    Grupi Ndërkombëtar i Krizave pohon se shqiptarët e Kosovës janë të frustruar për shkak të moszgjidhjes së statusit dhe rrjedhimisht do të mund të vepronin njëanshëm, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk fillon, siç thuhet "këtë vit të deklarohet për aspiratat e tyre drejt pavarësisë".
    Në këto rrethana, kur të kihet parasysh qëndrimi negativ i shqiptarëve të Kosovës ndaj pakicave, serbët e Kosovës mund ti ftojnë forcat e armatosura të Serbisë për t'i mbrojtur dhe rajoni mund të rrëshqasë në trazira të reja, pohon raporti. Nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan është kërkuar emërimi i një emisari special për Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa vihet në pah se, nëse qeveria e re e Kosovës synon ta udhëheqë popullin drejt destinacionit të dëshiruar, përkatësisht pavarësisë, duhet të ketë respektim dhe mbrojtje të plotë të të drejtave të serbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë.

    Postuar më: Sb Blue Sky & Radio Kosova Staff me Jan 22, 05 | 8:25 am
    ----------------------------------

    BE-ja dhe SHBA-të në përpjekje për një qëdnrim unik rreth statusit përfundmitar të Kosovës
    Ëshjë paralajmëruar se presidenti Bush do vizitojë Brukselin më 22 shkurt, dhe ky do jetë një rast i mire që me aleatët evropian të diskutohet edhe çështja e statusit përfundimtarë të Kosovës. Sipas komisionerit të lartë evropian Oli Rehn, i cili të hënën do ta vizitojë Prishtinën, këto diskutime kanë për qëllim që SHBA-të dhe BE-ja të kenë qëdnrim unik rreth statusit përfundmitar të Kosovës.

    Nga: Sb Blue Sky & Radio Kosova Staff më Jan 22, 05 | 8:34 am
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  7. #157
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    CG: "Gjatë këtij viti duhët të njihet pavarësia e Kosovës"


    Prishtinë, 24 janar - Grupi i Krizave vlerëson se situata politike në Kosovë është mjaftë e brisht dhe se zhagitja e procesit të zgjidhjes së statusit final, mund të rrezikoj të arriturat e deritashme dhe ta kthej Kosovën në një vatër krize dhe jostabiliteti në rajon. Udhëheqësi i Zyrës së Grupit të Krizave në Kosovë, Aleks Anderson gjatë paraqitjes së raportit të fundit mbi situatën politike në Kosovë, tha se popullit të Kosovës duhet t`i njihet e drejta për vetvendosje. "Ne e shohim si shumë të rrezikshme situatën në Kosovë. Viti 2005 duhet të rezultojë me zgjidhjen e statusit të Kosovës që nënkupton pavarsinë, por, me kusht që të garantohet mbrojtja e të drejtave të serbëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë",tha Anderson. Andeson tha se institucionet vendase dhe komuniteti shumicë në Kosovë duhet të kuptojnë se çështja e mbrojtjes së pakicave është esenciale për të ardhmen e Kosovës. Grupi i Krizave vlerëson se, përveç pavarsisë, asnjë zgjidhje tjetër nuk do të ishte e qëndrueshme në Kosovë. Sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës, ky grup, vlerëson se një opcion i tillë do të ishte në kundërshtim me planin e përmbushjes së standardeve dhe obligimeve që dalin nga ky plan për integrimin e minoriteteve. Vënja e kufijve mbi baza etnike do të rrezikonte edhe invesimet e deritashme të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, thuhet në raportin e Grupit të Krizave. Udhëheqësi i Zyrës së këtij grupi në Prishtinë, Aleks Anderson tha se mosdefinimi i statusit të Kosovës, pamundëson zhvillimin e qendrueshëm ekonomik të Kosovës. "Institucionet financiare ndërkombëtare, si banka botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandojnë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa siguri politike e cila mund të sjellte investime në Kosovë", tha Anderson. Grupi ndërkombëtar i krizave u rekomandon vendeve të Grupit të Kontaktit, që të përcaktojnë një afat kohor për zgjidhjen e statusit. Ndersa, Kuvendit të Kosovës i rekomandon që të filloj hartimin e projekt kushtetutes e cila do të duhej të jetë e gatshme deri në vjeshtë. Grupi i Krizave rekomandon që në fund të këtij viti të mbahet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën në udheheqjen e OKB-së. Ndërsa në fillim të vitit 2006 Kosova të mbajë një referendum për kushtetuten e re. Sipas Grupit ndërkombaëter të krizave në mesin e vitit 2006 UNMIK-u duhet ti dorëzojë të gjitha funksionet dhe kompetencat ekzekutive te Qeveria e Kosovës. Ndërsa ato monitoruese, t`ia kalojë një trupi të ri ndërkombëtar që do të themelohej në Kosovë.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  8. #158
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Koment: Të bëhemi real rreth Kosovës -Nga Nicholas Whyte në Bruksel





    Territori ka lëvizur drejt pavarësisë që nga viti 1999, dhe ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të pranoj këtë realitet. Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të vendos rreth Kosovës. Gjatë pesë vjetëve të fundit, statusi final ka qenë qështje e cila është vonuar dhe injoruar derisa dy milion qytetarë të Kosovës vazhdonin jetesën e tyre në këtë limbo ndërkombëtare.

    Popullata kosovare kurrë nuk do të pranoj kthimin nën kontrollin e Beogradit, dhe Serbia duket se as vet nuk dëshiron të qeveris me këtë vend. Ideja e një unioni me territore tjera shqiptare nuk i intereson askujt përpos disa dhjetra fanatikëve, dhe ndarja do të ishte një shembull i rezikshëm për zona tjera të konfliktit.

    Kosova ka lëvizur drejt pavarësisë që nga viti 1999, dhe ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të njoh këtë realitet.

    Dhuna gjatë marsit të 2004 tregoj se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të mbështetet përgjithmonë në vullnetin e mirë të vendorëve. Ose 2005 do të sheh fillimin e zgjidhjes së statusit final që do të krijonte paqe dhe zhvillim, ose Kosova do të kthehet në zonë konflikti dhe destabilizoj gjithë rajonin.

    Si hap të parë, Kontakt Grupi i përbërë nga gjashtë shtetet (SHBA, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia) duhët të lëshojë sa më shpejtë një deklarate duke hartuar një orar për zgjidhjen e çështjes së statusit, me pavarësinë si destinim final.

    Kjo deklaratë duhet të përmbaj disa rregulla thelbësore: mbrojtja e drejtave të minoriteteve është pika thelbësore mbi të cilën progresi do të varet, kthimi i Kosovës nën patronatin e Beogradit, e as ndarja e saj, dhe as ndonjë unifikim eventual i Kosovës me Shqipëri apo shtet apo territor fqinj nuk do të mbëshetet.

    Një Përfaqësues Special duhet të drejtoj procesin, duke punuar afër më Përfaqësuesin Special të KB-së në udhëheqje të Kosovës, Soren Jessen-Pettersen. Në mes të 2005, KB duhet të vlerësojnë përkushtimin e qeverisë kosovare ndaj demokracisë, qeverisjes së mire dhe standardeve të drejtave të njeriut.

    Nëse vlerësimi është pozitiv, Përfaqësuesi Special duhet të projektoj një draft të marrëveshjes – "Marrëveshja e Kosovës" – dhe detalet rreth organizimit të një konference e cila do të miratoj atë.

    Ndërsa shqiptarët e Kosovës nuk duhet të presin deri atëherë që të fillojnë riparimin e marrëdhënieve me minoritetin serb. Ata duhet menjëherë të fillojnë punën në fushatën "Prishtina – Qytet i Hapur" i cili do të tërheq qytetarët e enklavave të afërta serbe prapa në kryeqytet, dhe në qendrat e tjera urbane të djegura gjatë trazirave të marsit 2004. Por ata gjithashtu duhet të fillojnë hartimin e një kushtetute për një Kosovë të pavarur, me të drejta të garantuara për të gjitha minoritetet dhe provizione per emërimin e gjyqëtarëve ndërkombëtarë në gjykatën supreme të Kosovës. Ata gjithashtu duhet të pregaditën për një prezencë ndërkombëtare vëzhguese, "Misioni Vëzhgues i Kosovës", i cili do ti raportoj bashkësisë së gjërë ndërkombëtare dhe rekomandoj masa të duhura nëse Kosova nuk përmbush obligimet e saja.

    Serbia duhet të pranoj se ka humbur Kosovën, dhe se roli i Beogradit është që të angazhohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, e jo të fantazojnë se do të marrin prapa gjithë, apo një pjesë, të pronvincës.

    Serbia ka interese legjitime në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve private dhe publike rreth pronave, garantimin e ndërtesave të rëndësishme religjioze, dhe zgjidhjen e problemit të pjesës kosovare të borxhit ndërkombëtar të Serbisë – ku bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e gatshme të gjej një zgjidhje bujare. Të gjitha këto mund të arrihen nëse Beogradi kupton realitetin.

    Zhurma e kohëve të fundit në Beograd nuk është edhe aq inkurajuese. Mediat raportojnë rreth problemeve të fshatarëve serb në Kosovë të cilët nuk kanë rrymë elektrike, duke mos përmendur se shumë fshatra shqiptare janë në pozitë të njejtë, dhe se rryma elektrike u është ndërprerë pasi nuk kanë paguar borxhet e mëparshme.

    Ministri i Drejtësisë Zoran Stojkovic duket se beson se zgjidhja e të së kaluarës përmes bashkëpunimit me tribunalin e krimeve të luftës në Hagë nuk është edhe aq esenciale për marrëdhëniet e ardhshme të Serbisë me botë, përkundër faktit të tërheqjes së ndihmës amerikane ndaj Serbisë javën e kaluar mu për shkak të dështimit të Beogradit për të bashkpunuar me tribunalin e Hagës.

    Nuk është për tu çuditur se shefi i diplomacisë së jashtme të BE-së, Havier Solana, ndërpreu planin për të vizituar Beogradin këtë javë pasi nuk kishte pasur përparim të dukshëm në asnjë nga qështjet në të cilat ai ishte i interesuar. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të shpërblej fantazirat e Beogradit. Përkundër, duhet të theksoj porosinë se Beogradi nuk ka veto rreth zgjidhjes së statusit final të Kosovës, dhe nëse është e nevojshme të gjindet një zgjidhje që do të funksionoj pavarësisht prej Beogradit, ajo zgjidhje do të gjindet.

    Vetëknaqësia ka drejtuar politikat në Kosovë për një kohë shumë të gjatë. Mundësia e rikthimit të dhunës është shumë reale. Bashkësia ndërkombëtare, e posaqërisht shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit, duhet të vendosin ose të marrin situatën nën kontroll ose presin përkeqësimin e situatës deri në atë pikë kur prap duhet të mirren me këtë problem.

    Ballafaqimi me këtë problem kërkon kurajo politike si dhe energji. Por alternativa duket më e keqe.

    Nicholas Whyte është Drejtor i Pogramit të Evropës për Grupin Ndërkombëtarë të Krizave /Marrë nga IWPR/
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  9. #159
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Evropeizim i Kosovës, por jashtë Serbisë dhe Malit të Zi - Shkruan : Valon Murati


    Nga info@besiana.de Më 06 Feb. 2005 14:05

    Evropeizim i Kosovës, por jashtë Serbisë dhe Malit të Zi


    Shkruan : Valon Murati

    1. Evropeizimi në periudha të ndryshme historike ka pasur kutpim të ndryshëm dhe atë herë pozitiv e herë negativ, në varësi të rrethanave historike, politike dhe ekonomike. Evropeizimi mund të nënkuptojë pranimin e vlerave të trashëguara nga lashtësia greke dhe romake, por mund të nënkuptojë edhe luftërat e kryqëzatave apo inkuziocionin mesjetar, mund të nënkuptojë përhapjen e vlerave të renesansës, iluminizmit e liberalizmit, por edhe përhapjen e fashizmit, racizmit, kolonializmit si dhe mund të na kujtojë se në emër të tij (të kinse racës superiore evropiane) ndodhi krimi më i madh i njerëzimit, holokausti. Fanatikët e evropeizimit mundohen t’i mveshin këtij termi më të mirën e filozofise antike, liberalizmit, social-democracisë, modernizmit, krishtërimit e më rradhë edhe të hebraizmit e islamizmit. Megjithatë, sot deri diku është konsoliduar domethënia e evropeizimit, sidomos pas rënies së socializmit në Evropën Lindore, Qendrore dhe atë Juglindore. Sot ajo nënkupton integrimin në BE të shteteve që nuk janë pjesë e saj si dhe absorbimin e parimeve themelore mbi të cilat funksionon ky bashkim shtetesh: integrimin e gjithanshëm ekonomik, integrimin gradual politik, ekonominë e tregut, demokracinë (një përzierje e liberalizmit me social-demokracinë), lirinë e lëvijzes, të drejtat e njeriut etj. Evropeizimi ndonëse sot është një fenomen real me të cilin ballafaqohemi çdo ditë, di shpeshherë që në fjalorin e përditshëm retorik të politikanëve tanë dhe të atyre ndërkombëtar të shndërrohet në një lloj mode dhe atë të dëmshme. Në emër të evropeizimit, e duke shfrytëzuar mirë apatinë politike dhe injorancën që ka zënë rrënjë në shoqërinë tonë, futen koncepte të atilla në jetën tonë shoqërore e politike që realisht na mbajnë larg evropeizimit të vendit. Ne shpeshherë i refereohemi evropeizimit edhe si përmbushje e standardeve të përcaktuara nga UNMIK-u për institucionet tona vendore, ndonëse disa nga këto standarde një pjesë e mirë e vetë shteteve të BE-së nuk i përmbushin. Dhe me idenë e evropeizimit të Kosovës ka një kohë që po luajnë qarqe të caktuar të politikës dhe jetës shoqërore në Serbi
    2. Duke e kuptuar se Kosova më nuk mund të kthehet nën Serbi ashtu siç ka qenë, në një pozitë tipike koloniale, qarqe të caktuara serbe kohët e fundit po lansojnë ide ‘iluministe’ mbi evropeizimin e Kosovës. Në krye të këtyre qarqeve dhe më i njohuri është ministri i Jashtëm i SMZ-së Vuk Drashkoviqi, i cili pretendon që sa kohë se e vetmja perspektivë për Kosovën është evropeizimi i saj, por një evropeizim brenda Serbisë. Ai këto ditë madje u deklarua se Kosova duhet të ketë më shumë se autonomi e më pak se pavarësi, për një status të Kosovës brenda Serbisë e me lidhje edhe me BE-në. Në këtë frymë të evropeizimit të Kosovës duke mbetur pjesë e Serbisë janë edhe deklaratat, analizat e rekomandimet e shumë personaliteteve nga jeta politike dhe nga shoqëria civile në Serbi, por edhe nga disa qarqe të serbëve të Kosovës (si Momçillo Trajkoviqi). Nuk ka dyshim që aktualizimi i konceptit të evropeizimit të Kosovës brenda Serbisë nga qarqet e ndryshme serbe ka të bëjë me faktin e frikës për humbjen e Kosovës. Në këtë mënyrë mendohet të fitohet terren politik në mënyrë që të makzimizohet Rezoluta 1244 që Kosovën e vendos qartë nën sovranitetin serb. Ky sovranitet, ndonëse sot është i dobësuar për shkak të rrethanave të reja dhe administrimit ndërkombëtar të Kosovës, është i njohur ndërkombëtarish dhe nuk mundet aq lehtë të shkelet mbi të. Këtë gjë e dijnë mirë qarqet e përmendura, ndaj mundohen ta shfrytëzojnë situatën dhe mundësisht në këtë drejtim të kalojnë në një ofensivë politike duke pretenduar se ideja e evropeizimit mund të jetë shumë atraktive për BE-në, që edhe ashtu ka rënë në hall me trazirat e vazhdueshme në Ballkan, por njëkohësisht ia ka lidhur këmbët vetes me parimin e mosndryshimit të kufijve.
    3. Megjithë përpjekjet për të tingëlluar bukur dhe ëmbël për shqiptarët, serbët dhe ndërkombëtarët, mbushur me retorikën mbi bashkëjetesën, multietnicitetin e të ardhmen e përbashkët evropiane, të tilla plane nuk mund të fshehin qëllimet e vërteta shoviniste për mbajtjen e Kosovës nën sundimin serb. Dhe plani i evropeizimit të Kosovës e ka ‘thembrën e Akilit’ mu në përpjekjen për ta mbajtur atë nën sundimin serb. Në këtë pikë fillon anti-evropeizimi i këtij plani. Çdo mbetje e Kosovës nën Serbi, çdo kthim i çfardollojshëm i Serbisë në Kosovë, çfarëdolloj lidhjeje kushtetuese e Kosovës me Serbinë do të hapte rrugë për konflike të reja, që nuk do ta qetësonin Ballkanin dhe do t’ia vështirësonin atij perspektivën evropiane. Një zgjidhje e tillë jo që do të pengonte evropeizimin e Kosovës, por do të pengonte me forcë edhe evropeizimin e vetë Serbisë. Një zgjidhje e tillë jo që do të zgjidhte problemet e pakicës serbe në Kosovë, por do të shtonte ato. Kosova dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët edhe sot janë peng i njëri-tjetrit. Ato edhe sot e pengojnë njëra-tjetrën që të ecin drejt evropeizimit të vet. Këto dy vende mund të evropeizohen vetëm të ndara nga njëra-tjetra. Provë për këtë janë 93 vite të pamundësisë për të jetuar bashkarisht si rezultat i shtypjes së vazhdueshme të Serbisë ndaj të drejtave më elementare të shqiptarëve. Ndonjëherë edhe nuk duhet harruar e kaluara. Ajo është mësuese e mirë. Ajo mund të shërbejë që të korrigjohemi dhe të jetojmë më mirë me njëri-tjetrin duke qenë të barabartë.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  10. #160
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    LONDER (18 Shkurt) -"Kosova duhet te jete e pavarur sa me shpejt te jete e mundur per te menjanuar keshtu nje vale te re dhune", deklaroi sot Grupi Nderkombetar i Krizave. Prej me shume se pese vjetesh, Kosova ndodhet nen administrimin e Organizates se Kombeve te Bashkuara, qe kur NATO-ja i dha fund represionit serb ne vend. "Serbise duhet t'i behet e qarte se Kosova nuk do te jete kurre me nen regjimin e Beogradit. Duhet t'i behet gjithashtu e qarte se copezimi i Kosoves nuk perben nje mundesi si pjese e ketij procesi", deklaroi Gareth Evans, presidenti i Grupit Nderkombetar te Krizave, qe punon per zgjidhjen e konfliktit ne fjale. Serbia dhe aleatja e saj tradicionale, Rusia kundershtojne pavaresine e Kosoves, por Evans theksoi se procesi i shtruar per zgjidhje duhet te shkoje perpara edhe pa mbeshtetjen e Beogradit dhe Moskes. "Ky tren po largohet nga stacioni me apo pa serbet, me apo pa ruset", shtoi Evans. Sekretari i pergjithshem i Kombeve te Bashkuara, Kofi Annan vleresoi dje se Kosova nuk kishte arritur progrese te mjaftueshme ne promovimin e institucioneve demokratike, me qellim qe OKB-ja te vendoste mbi statusin perfundimtar te saj. OKB-ja ka kerkuar zbatimin e reformave politike dhe sociale perpara se Keshilli i Sigurimit te shprehet mbi statusin perfundimtar te vendit. Evans, ish-minister i Jashtem i Australise, i deklaroi sot medias ne Londer se cdo shtyrje e zgjidhjes se ceshtjes se statusit te Kosoves do te coje ne dhune te metejshme. Trazirat e marsit te vitit 2004 ne Kosove cuan ne vrasjen e 19 personave dhe shpernguljen e qindra te tjereve. "E verteta eshte se nje shperthim dhune, qe do te linte ne hije ngjarjet e marsit te kaluar, duhet te merret ne konsiderate", theksoi Evans. db/db (/Balkanweb)

Faqja 16 prej 17 FillimFillim ... 614151617 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Adem Demaçi
    Nga lum lumi në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 309
    Postimi i Fundit: 29-11-2016, 17:56
  2. Tahiraj: Rrefime mbi luften ne Kosove
    Nga Kuksjan_forever në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 14:42
  3. Akademia e Shkencave dhe heshtja ndaj sfidave te kohes
    Nga &Mitrovicalia& në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 19:10
  4. Kosova në udhëkryq
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 01-03-2009, 11:52
  5. Shpërthen dhuna ndëretnike në Kosove
    Nga mitrovicalia_81 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 334
    Postimi i Fundit: 12-05-2004, 00:26

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •