Kërkohet miratimi i pavarësisë së Kosovës
Kuvendit të Kosovës i kërkohet të miratojë deklaratën e pavarësisë
Një e treta e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar miratimin e një deklarate që të shpallë Kosovën shtet të pavarur.
Nënshkrimet e 42 deputetëve e kanë bërë zyrtare një kërkesë të tyre, me anë të së cilës i kërkohet kryetarit të Kuvendit të thërrasë një seance të jashtëzakonshme, ku do të miratohej 'Deklarata për Kosovën, shtet sovran dhe të pavarur'.
Ky do të jetë një hap i përcaktimit të vullnetit të popullit.
Bujar Dugolli,
deputet
Kjo kërkesë, së bashku edhe me projektdeklaratën për pavarësinë e Kosovës, i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, me insistimin që seanca e jashtëzakonshme ku do të diskutohej kjo deklaratë, të mbahet me datën 13 të këtij muaj.
"Ky do të jetë një hap i përcaktimit të vullnetit të popullit dhe kjo kërkesë zyrtare që do të dalë nga Kuvendi i Kosovës do t'iu dërgohet mekanizmave ndërkombëtarë dhe do të kërkohet nga ata që të njihet ky realitet, të njihet dhe të pranohet vullneti i popullit të Kosovës," tha përfaqësuesi i grupit prej 42 deputetësh, Bujar Dugolli.
"Vullneti ynë është deklaruar në forma të ndryshme në periudha të mëhershme, por fatkeqësisht nga faktori ndërkombëtar nuk është pranuar deri më tani," tha ai.
Mbështetje gjithëpartiake
Edhe faktori ndërkombëtar kurdo qoftë do të detyrohet ta njohë vullnetin e popullit, sepse kështu ka bërë edhe në vendet tjera që ka qenë në forma siç është Kosova.
Bujar Dugolli,
deputet
Deputeti Dugolli thotë se kjo kërkesë është nënshkruar nga 42 deputetë, por kjo nuk do të thotë se deklarata mund të sigurojë vetëm kaq vota.
Ajo, sipas zotit Dugolli, mbështetet nga shumica e deputetëve nga të gjitha forcat politike.
"Mendoj se është me rëndësi që përkrahet nga forcat politike shqiptare dhe partitë minoritare me përjashtim të përfaqësuesve të koalicionit serb 'Kthimi'," tha ai duke shtuar se partitë politike do të kenë mundësi në mënyrë zyrtare t'i deklarojnë qëndrimet e veta në ditët që do të vijnë.
"Ne presim që të gjitha partitë politike ta mbështesin këtë, sepse është në interes të Kosovë," u shpreh deputeti Dugolli.
Jo brenda Serbisë
Duke folur në emër të nënshkruesve të kësaj kërkese, ai tha se arsyeja kryesore pse është vendosur të kërkohet shpallja e pavarësisë së Kosovës është preambula kushtetuese e Serbisë dhe Malit të Zi ku Kosova mendohet të jetë pjesë e Serbisë dhe qëndrimi shumë i zbutur i bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë të posaçme të Bashkimit Evropian rreth saj.
Mirëpo pavarësisht prej kësaj, zoti Dugolli tha se "kjo deklaratë nuk ka për qëllim që të ashpërsojë marrëdhëniet me UNMIK-un".
"Jemi të vetëdijshëm se jemi në rrethana specifike, jemi në një administrim ndërkombëtar, reagimi ynë është reagim i vullnetit të popullit dhe nuk ka për qëllim të irritojë apo të keqësojë marrëdhëniet me mekanizmat ndërkombëtarë që janë në Kosovë, por përkundrazi do t'u lehtësojë edhe atyre misionin e vet në Kosovë, sepse me afatizime të kryerjes së detyrave tona, por edhe të administratës së UNMIK-ut, ne do të përshpejtojmë pranimin e statusit definit konform vullnetit të popullit," tha ai.
Kundërshtimi i UNMIK-ut!
Steiner mund të vendosë veton
I pyetur se cili do të jetë hapi i radhës i parlamentit, nëse miratohet kjo deklaratë, zoti Dugolli tha se pavarësia është proces dhe pas deklaratës, pritet që të miratohen ligjet për zbatimin e pavarësisë.
Zoti Dugolli tha se 42 deputetët nënshkrues të projekt-deklaratës janë të vetëdijshëm për mundësinë që kreu i UNMIK-ut, Michael Steiner, ta kundërshtojë këtë hap. Ai ka kompentencën, gjithashtu, që edhe të shpërbëjë parlamentin.
"Ne jemi para dy dilemave, a të biem në konflikt dhe kundërshtim me vullnetin e popullit apo të jemi në kundërshtim me UNMIK-un, i cili thotë se nuk është koha," tha zoti Dugolli.
"Ne nuk mund të pajtohemi dhe ta kalojmë këtë çështje në heshtje duke u futur nën sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Serbisë," tha ai.
"Edhe faktori ndërkombëtar kurdo qoftë do të detyrohet ta njohë vullnetin e popullit, sepse kështu ka bërë edhe në vendet tjera që ka qenë në forma siç është Kosova."
Teksti i deklaratës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës ka pesë pika:
- Kosova me kufijtë e vet administrativë të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974 shpallet shtet sovran, i pavarur e demokratik, duke pranuar ushtrimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve që dalin nga të gjitha aktet ndërkombëtare, e veçanërisht të drejtat dhe liritë e njeriut për qytetarët e Kosovës pa kurrfarë dallimi të bazuar në racë, fe, etni apo bindje politike.
- Kuvendi i Kosovës obligon të gjitha institucionet legale dhe legjitime të Kosovës, qëndrore dhe ato lokale, të gjitha forcat politike në Kosovë, të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare, racore apo bindje politike, të angazhohen fuqimisht për jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
- Kuvendi i Kosovës kërkon nga të gjitha shtetet demokratike, në veçanti nga SHBA-të dhe shtetet e Unionit Evropian që të mbështesin e të ndihmojnë popullin liridashës të Kosovës në krijimin dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
- Kuvendi i Kosovës kërkon nga KS të OKB-së që realitetin e ri të krijuar në Kosovë ta njohë si të arritur të përbashkët të qytetarëve të Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare dhe këtë ta miratojë me një rezolutë të re për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës.
- Kuvendi e Kosovës e fton NATO-n për prezencë afatgjatë në Kosovë duke konsideruar se kjo prezencë është në interes të qytetarëve të Kosovës, stabilitetit dhe paqes në rajon.
Me deklaratën për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur njoftohen: të gjitha shtetet anëtare të OKB-së; Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, zoti Kofi Anan; presidenti i SHBA-së, zoti George Bush; të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të gjitha shtetet anëtare të NATO-s si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Lordi Robertson.
Krijoni Kontakt